15/11/2024

JETA PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME

0

Nga Frank Shkreli

Unë vij, siç e dinë shumë kolegë, miqë e dashamirë të mi – nga një fshat i quajtur Amull-Fraskanjel të rrethit të Ulqinit, ndonëse me origjinë familja ime rrjedhë nga Shkreli i mbi-Shkodrës, në Malësinë e Madhe. Unë, si dhe shumë bashkvendas të mi jemi larguar nga vendlindja jonë, dikush më heret dikush më vonë, por kryesisht, duke filluar aty nga viti 1970, ndonjë edhe pak më heret, ndoshta. Por, viti 1970, në përgjithësi, konsiderohet si viti kur fshtatrat e rrethit të Ulqinit, të banuara pothuaj 100% me shqiptarë, filluan të zbrazeshin, gradualisht, nga emigrimi për në Perëndimin demokratik, shumica në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo zbrazje e trojeve shekullore shqiptare nën Mal të Zi ka vazhduar për dekada, duke mos pasur të ndalur as në ditët e sotëme. Kjo fatkeqësi mbarëkombëtare – pothuaj e karakterit biblik – të largimit të shqiptarëve nga tokat arbërore në Ballkan – pasqyrohet ndoshta më së miri, me çfarë ka ndodhur gjatë 50-viteve të fundit e që vazhdon deri në ditët tona, në Ulqinin shqiptar mija vjeçar iliro-arbëror. Mos harroni qytetin e 365 kishave të Shasit — Frank SHKRELI/ Vidhet historia e qytetit ilir Shasit | Gazeta Telegraf.

Dikur fajësohet diktatura komuniste për largimin e shumë shqiptarëve liridashës nga zgjedha sllavo-komuniste, për në Perendim.  Po sot, me dy shtete “demokratike” në Ballkan — Shqipëri e Kosovë — kush e ka fajin, kush duhet të jetë përgjegjës për largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe trojet e tjera shekullore shqiptare, siç është Ulqini dhe fshatrat për rreth!?

Një pasqyrim të kësaj gjëndjeje tragjike të zbrasjes së tokave shqiptare sot në fshatrat e rrethit të Ulqinit nën Mal të Zi, siç është fshati i vendlindjes time Amull/Fraskanjel, e përshkruan dhimshëm kolegu im, autori, gazetari dhe analisti i njohur nga Ulqini, Z. Gjekë Gjonaj, shkrimin e të cilit po e ndaj me ju të nderuar kolegë, lexues të dashur dhe me të gjithë ata që zbrasjen e trojeve shqiptare duhet ta shikojnë si një dukuri emergjente kombëtare.  Pothuaj për çdo ditë lexojmë në median shqiptare, se si anë e mbanë trojeve tona, po zvogëlohet numri i nxënsve në shkollat fillore, të mesme e të tjera, pikërisht për arsye të largimit masiv të familjeve shqiptare. Por tregimi – ditët e fundit i botuar në portalin Ulqinionline —Dy “shoqet” e vetme pandara shkollën e FraskanjelitUlqini Online (ulqini-online.com) — i kolegut tim Gjekë Gjonaj nënvijon shumë dhimshëm një rast të pashembullt në fshatin ku kam lindur unë Amull/Fraskanjel: një shkollë funksionale, me një mësuese dhe me një nxënëse — ndoshta e paraqet problemin e zbrasjes së trojeve tona, në një mënyrën dramatike për vëmendjen që meriton ky problem mbarëkombëtar – me qëllim për të sensibilizuar sado pak publikun e gjërë shqiptarë se ç’po ndodh anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan – me mbylljen e shkollave për mungesë nxënsish, si pasojë e largimit të familjeve shqiptare nga trojet e stërgjyshërve të tyre.

Falënderoj Z. Gjekë Gjonaj që na solli këtë tregim shumë të dhimbshëm, me të cilin duhet të njihet publiku i gjërë shqiptar dhe sidomos liderët shqiptarë kudo. Është një tregim që më solli – solli lotët në sy, një rast që vërtetë dramatizon këtë, emeergjencë kombëtare në këtë periudhë historike të kombit shqiptar. Të lumtë dora, i dashtun Gjekë! Bravo edhe mësueses që e bën gjithë atë rrugë për një nxënëse të vetme.  Është një tregim i dhimmshëm për faktin se ku kanë arritur gjërat në ato troje dhe njëkohësisht është edhe një shënjë vendosmërie nga mësuesja Ardita Cekaj dhe nxënsja Elidona Shkreli dhe familja e saj për t’iu përshtatur situatave të paparashikueshme, për të mësuar dhe për të mbijetuar.

JU FTOJ TË LEXONI MË POSHT SHKRIMIN E PLOTË TË Z. GJEKË GJONAJ PËR KËTË RAST UNIK NË TROJET SHQIPTARE, E NDOSHTA EDHE MË GJERË — një shkollë, një mësuese dhe një nxënëse e vetme!  Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, që mund ti lexoni në fund të artikullit që pason, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët personal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.

Frank Shkreli

—————————-

DY “SHOQET” E VETME TË PANDARA

NË SHKOLLËN E FRASKANJELIT

Nga Gjekë Gjonaj

Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës.  Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me   vetëm një nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë, të cilën  mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.

Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative – arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën fizike,  muzikore …

Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj  Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë,  së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin  mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.

“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020, kur fillova punën në këtë  shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën  e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull.  Elidona ishte e gëzuar dhe e emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania në shkollë  e njërit prindër  ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes.  Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim “shoqe”. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.

Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë, dhe se   nuk ndjehet mirë për shkak se   nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor.  Mirëpo, mësuesja Ardita   ka krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël  . Siç tregon mësuesja Ardita para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.

“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë. Secilin   mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.  Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si   mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi   zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.

Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato  kanë  kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit  janë shoqëruar, kanë  luajtur   dhe janë zbavitur aq sa kanë  pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti  sfida të mëdha edhe  për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.  “Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë mënyrë.  Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë atë më shenjtoren- shëndetin  tim dhe të nxënëses e pastaj edhe  të realizoj   planprogramin  mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur”, thekson Ceka.

Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.

Gjekë Gjonaj

 

Dy Heroina shqiptare të rrethit të Ulqinit

Mësuesja Ardita Ceka me nxënsën e saj të vetme Elidona Shkreli/Shkolla në Fraskanjel, rrethi i Ulqinit

* BOTUAR NË ULQINIONLINE, ME 17 DHJETOR, 2021

Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, si më posht, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët perosnal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.

At Gjergj Fishta: LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka valë mbi valë.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill unë tash do t’veta
Lamtumirë atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok