03/12/2024

Jeta dinamike e Sandër Prosit/ Flasin Luftar Paja, Bajram Dosti dhe Bashkim Kozeli

0
Sander-Prosi

-Tek filmi “Udha e shkronjave”, Sandër Prosi, tregoi vlerat e një aktori të madh dhe patriot

– Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si Çajupi, K. Jakova, Besim Levonja, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani

-39-vjetori i ndarjes nga jeta-

Nga Albert ZHOLI

Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur me vepra të mëdha. Më datën 25 mars 2024, ai mbushi 39 vjet që është ndarë nga jeta. Sandër Prosi (u lind në Shkodër, më 6 janar 1920; vdiq më 25 mars 1985) në Tiranë. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947-n merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë, ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si: A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj, krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhra e medalje.

Luftar Paja, “Artist i Popullit”

Nëse do flasim për aktor të mëdhenj dhe të heshtur mund të flasim për Sandër Prosin- intelektual dhe aktor i përmasave ndërkombëtare. Sandër Prosi më ka mbajtur shumë afër. Por lidhjet e mia me të u forcuan në filmin artistik “Udha e shkronjave”. Ky film edhe sot cilësohet si një nga filmat më të mirë. Në këtë film ai më afroi me gjithë dashamirësinë njerëzore, me gjithë urtësinë e tij. Për mua ai mbetet një mësues i shkëlqyer. Një mbrëmje teksa mbaruam xhirimet më fut krahun dhe lëvizëm aty rrotull sheshit të xhirimit. Për një moment më kthen me fytyrë nga vetja dhe më thotë: “Dëgjo këtu, çdo roli kushtoji vëmendjen maksimale. Nuk ka rol të madh apo të vogël. Një rol të vogël artisti mund ta kthejë në rol të madh me mjeshtërinë e tij të aktrimit. Roli mund të jetë historik, mund të jetë politik, por t’i në këtë rast nuk do jesh Luftari, por ai personazhi historik, apo ai politikani. Ndaj po të them me shumë seriozitet. Në jetën si artist, bli sa më shumë dhe shit sa më pak. Ke perspektivë dhe mos e harxho talentin me fjalë boshe, por puno, puno dhe akumulo sa më shumë”. E shikoja në dritë të syrit dhe sot them se sa më kanë vlejtur ato fjalë.

Bajram Dosti – aktor

Sandër Prosi ishte një aktor shumë dimensional. Ai në radhë të parë shfrytëzonte shumë eksperiencën. Sipas atyre që ai thoshte më janë ngulitur  në mendje se përvoja, praktika duhet të dalë në plan të parë. Por kjo nuk do të thotë që duhet lënë në pas dore ana teorike, jo, ato duhen harmonizuar në mënyrë perfekte për të nxjerrë një vepër sa më solide, e bashkëngjitur në të gjitha pjesët e saj përbërëse. Shumë elementë të aktrimit i kemi mësuar në shkolla si shkolla ruse e Stanislavskit, apo kemi lexuar dhe parë shumë zhvillime apo vepra të shkollës aktor-studio të Nju York-ut. Të gjitha këto shkolla e theksojnë rolin e eksperiencës, të punës në skenë, në studio të cilat ai i zbatonte në praktikë. Të gjitha këto që ai shprehte në rolet e tij dhe në leksionet që jepte po e vërtetojnë atë që ai përcillte te spektoatori pasi ishin futur në gjakun e tij, ishin bërë pjesë e jetës së tij. Aktualisht, sot në Teatrin Kombëtar po harrohet eksperienca, po harrohen shumë nga praktika. Teatri nuk duhet të jetë i partive politike, por i kombit. Sot po shoh me keqardhje se po hiqet dorë nga puna në tavolinë dhe në studio.

Bashkim Kozeli-dramaturg

Direkt me Sandrin e madh kam punuar në dy dramat e mia, tek e para drama “Shokët” që u vu në skenë në vitin 1969 me aktorët e Teatrit Popullor në vitin 1969 dhe tek drama “Sinjali i kuq” që u vu në skenë po nga kjo trupë në vitin 1973. Tek drama e parë ai luante rolin e babait të Sokolit, që ishte roli kryesor. Mbaj mend atë ditë kur dolëm nga provat në sheshin e TK dhe ai më afrohet. Unë atëherë isha djalë i ri si kisha mbushur 25 vjet. Për mua në atë kohë Sandër Prosi ishte perëndi, i paarritshëm. E kisha dëshirë të madhe të bisedoja qoftë dhe disa minuta me të. Por ja sa dolëm në shesh, ai më afrohet dhe më thotë, unë jam babai i Sokolit (personazhit në dramë). Unë u stepa, por je dhe babai im i thashë me zë të ndrojtur. Qeshi. Më hodhi dorën në supe dhe filloi të më pyesë, çfarë do të thuash me rolin e babit, çfarë lidhjesh ka me djalin. Kujt i jep prioritet. Duhet të jetë prind i vrazhdë, apo serioz e dhjetëra pyetje të tjera. Unë u mundova ta sqaroj se ç’doja të thosha me figurën e babait, pasi aty dilte se ishte një fëmijë i përkëdhelur. Ndërsa kur mori rolin e dytë të admiralit rus në dramën “Sinjali i kuq” ai më thotë me po atë dashamirësi, se tani nuk jam babai, por armiku juaj dhe qeshi. Rolin e admiralit shqiptar e luajti Pjetër Gjoka, ndërsa regjisor ishte Pirro Mani.

Box

Drama e parë në të cilën merr pjesë është “Vilhelm Teli”.

Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si Çajupi, K. Jakova, Besim Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Filmografia

  • Kush vdes në këmbë – (1984)
  • Dora e ngrohtë – (1983)
  • Nëntori i dytë – (1982)
  • Plaku dhe hasmi – (1981)
  • Yjet mbi Drin – (1979)
  • Gjeneral gramafoni – (1978)… Sefedini
  • Udha e shkronjave – (1978) (TV)
  • Njeriu me top – (1977)
  • Përballimi – (1976)
  • Fije që priten – (1976)
  • Shtigje të luftës – (1974)
  • Shpërthimi – (1974)
  • Yjet e netëve të gjata – (1972)..Vrana Vlonjati
  • I teti në bronz – (1970)
  • Plagë të vjetra – (1968)…Babai i Veres
  • Horizonte të hapura – (1968)
  • Oshëtim në bregdet – (1966)
  • Vitet e para – (1965)
  • Detyrë e posaçme – (1963)
  • Debatik – (1961)

Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok