17/11/2024

Jemi lodhur nga debatet politike, asnjë emision për pikturën

0

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

Shpirti kërkon dëfrim, ahengje të ngrohta vere, sikur te impresionistët, perëndimi i diellit në prespektivë, copëza e diellit që duket si një top i kristaltë me shumë ngjyra, nga drita dhe reflektimi. Aty në horizont teksa perëndon kjo copë e vogël diamanti plot ndriçim. Unë çaloj nga kjo jetë mistike me probleme realiste që veç mendja i kalkulon e shpirti bëhet se i kupton.  “Kemi arti për të mos vdekur nga e vërteta” thoshte Friedrich  Nietzsche. Po e vërtetë. As arti nuk krijon pa të vërtetën, nuk abstenon, nuk i largohet.  Nietzsche gjithçka largon nga kjo botë, me vetë faktin që shpik mbinjeriun nga njeriu për të qenë një supernjeri. Ndjehet filozofia këtu e të jetuarit si një kufomë mbi këtë horizont artistik të kësaj copëze të diellit për të cilën shumë shkrimtarë shkruan libra, piktorë kompozuan piktura e zbuluan metoda të reja e gjithmonë të reja.

Klod Mone piktor francez, pikturoj perëndimin e diellit në pikturën e  tij që edhe lindi impresionizmi. Impresion klithi një kritik kur e vështroj pikturën në të cilën dielli ndodhet në sfond si një copë e vogël e kuqe, reflektimi vërehet në sipërfaqe të ujit, ndjehet ritmi i diellit teksa largohet për të ardh mbrëmja, sikur ai lëviz në pikturë bie gradualisht në horizont aty ku deti bashkohet me qiellin. Vërtetë piktura zgjon ndjesi, kurreshtje, ekstazë por edhe katarsis. Të gjithë në këtë univers solidarizohen me pikturën, artin, me veten e tyre, shpirtin, zgjimin e çdo klithme njerëzore që ndjehet përbrenda, se vetëm arti e shfaq, është shumë personal, intraverz për nga përshkrimi, arti dhe vetëm arti, prapë kështu klithte Nietzsche. Po, mirëpo sot arti zvogëlon kapacitetin, propagandën nëse rreshtohet te imponimi politik.

Në emisionet tona dominon politika. Politika, kindapon mendjen  çdo natë, veshët nga zhurmimi i palaçove të cilët mendojnë, analizojnë, veprat, debatet, batutat, qëndrimet e politikanëve dhe shtetit, nga subjekti dhe parimi njerëzor në rolin e njeriut të urtë dhe paqedashës, netural, mundohen të japin mendime. Emisionet i nënshtrohen akutaltetit në vend, garojnë kush më shpejt kap ndërgjegjën në fluturim të aktuales, e kush nga mysafirët ose analistët ngirtë zërin ose rrapëllon tavolinën, është më i aftë në frekuencën e lartësisë së zërit. Audienca ndjenë eufori dhe kënaqësi në polemika, zjarr, kundërshtime, rrahje, bile rrahjet bëhen brenda disa minutash të famshme.

Njeriu i etur për dhunë, kënaqësi, defrim ndjenë nga kjo. Fituesi mban stafetën nga ngritja e zërit, vështrimi i mprehtë, besimi në mosdijen e tij, informata të cekta.  Më bukur është ajo që e ndjej sesa ajo që e shkruaj. Vlera e artit dëshmon edhe më veprën e piktorit Gustav Klimt e cila u shit hiç më pak se 99 milion euro.

Nuk kemi emisone për art, veçanërisht për pikturën, vlerën e pikturës, autorët tonë vendor. Emisionet tona më shumë janë të ngarkuara me debate politike me fjalime të gjata të pakuptimta, të tepërta. Fjalime për ta humbur kohën. Çdo natë koka dhe sytë ngufaten nga debatet zhurmuese politike, analistët politik, thujase kemi lindur me politikën, jetojmë për politikën dhe vdesim politikan. Debate për artin janë vetëm një hije, ose e kundërta jemi shumë të kulturuar nuk kemi nevojë debate për artin.

Pse janë të rëndësishme debatet për artin? Me art garantohet një mbijetëse e shëndoshë. Qetësi shpirtërore, kuptim i lirë pa limite, stil në veshje, mendim konkret, rezultate shkencore të mirëfillta. Mësojmë për hijeshinë, realitete e rëndomta, tej konkretës, ndonjëherë realitetin e dhunshëm, transformimin e brendshëm të njeriut, ngacmimin e kujtesës, emocionet, rilindjen e pikturave, jetesën e artistëve, jetën dhe veprat, jeta si diçka më e rëndësishme se veprat. Psikologjinë përmes artit, terapinë si lehtësim përmes artit. Shërimin e njeriut përmes artit. Gjithçka është art, por jo çdo imtësi është vepër arti. Të mësuarit e sistemeve botërore filtrohen përmes veprave të artit. Përshembull, piktura “Hamalli” e artistit të ndjerë Muslim Mulliqi (ikonë e artit shqiptar) të flitet më shumë për rrënjën, shkakun e kësaj pikture. Hamalli personazh i trajtuar gjatë studimeve kur ishte Mulliqi në Beograd. Hamalli, zanatçinjë, njerëz të përvuajtur, figura është e pikturuar mbrapsht, sheh nga telajo në një sfond që është pak i kaltër në të bardhë. Mbrapa është gjithçka e errët e tij. Të vazhdohet për jetën e Mulliqit, në sfond të vendosën edhe pikturat e tjera për të cilët do të debatohet, të flitet sidomos për ato konceptuale të tij “Pushtimi i hapësirave të reja”. Një natyrë e tillë e emisioneve do të ndikojë në freskimin e mendjes së audiencës, njohurinë për rrënjët e artit tradicional, të mësuarit e të dalluarit të pikturës origjinale me reproduksionin, që është një fenomen negativ i shfaqur te ne sidosmos te shtresa e pasur, të cilët muret i kanë të vërshuara me reprodukime. Çka është piktura origjinale? Autorësia apo vlera e veprës? A është arti në krizë në Kosovë? Disa nga tituj grishës, të cilët do zgjonin kurreshtje për eksplorimin e thellë të artit.

Kemi nevojë më shumë për emisione për artin e pikturës sesa debate politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok