15/10/2024

JEHONA E VEPRËS HEROIKE E ADEM JASHARIT NË DIPLOMACINË BOTËRORE — LIDHJET E FAMILJES JASHARI ME LAHUTËN E MALCISË TË AT GJERGJ FISHTËS

0

Nga Frank Shkreli

Përshëndes organizatorët e këtij tubimi – Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Zotin Mark Qehaja, me bashkpuntorët e tij të Shoqatës – e cila me krenari mban emërin e Kryetrimit dhe të Përgjithëmonshmit të Kombit shqiptar – Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, si dhe Shkollën Shqipe Alba Life – Ambasador i Kombit. U falënderoj përzemërsisht për ftesën. Gjithmonë qofshi faqe bardhë!

I am humbled and so honored to be here with one of the greatest friends of the Albanian nation, His Excellency Ambassador William Walker. I don’t know what would have happened if Ambassador Walker had not gone to Reçak that cold day of January 1999.  We need more ambassadors like William Walker — to speak the truth to the world. Ambassador Walker may God give you health and a long life, so that you may continue to be a Witness.

And Mark Gjonaj, our Councilman – how great is this place for our community – the best thing that has ever happened for the Albanian-American community. You have given a voice to this community, like never before. Thank you for your exemplary service to our community.  God bless you, and we wish you the best in whatever new endeavor you decide to pursue, my friend!

Të nderuar pjesëmarrës: do preki, shkurtimisht, dy tema: Jehonën që bëri vepra heroike e Adem Jasharit në diplomacinë botërore, perëndimore – dhe frymëzimin e fuqishëm që Familja Jashari si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjetën në veprën Lahuta e Malcisë të At Gjergj Fishtës – një ndikim ideshë dhe ndjenjash të forta që besoj se mund të kenë gjallëruar dhe ngritur aftësinë vepruese të UÇK-së dhe të udhëheqsit moral dhe komandantit legjendar të saj, Adem Jasharit.

Pak kohë më parë më tërhoqën vëmendjen deklaratat e historianit të njohur shqiptar, Profesor Jusuf Buxhovit në një intervistë, me Blendi Fevziun në programin “Opinion”. Ai tha se në takimet me amerikanë — pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” i Presidentit Xhorxh Bush në vitin 1992  –sipas tij, u ishte thënë përfaqsuesve të Kosovës, se “deri tani keni bërë rezistencë institucionale, me fjalë tjera deri tani keni bërë “politikë pa luftë dhe kështu do të vazhdoni”, por do vijë koha që “do bëhet luftë,  pa politikë”, sipas historianit Buxhovi. Duke folur për librin e tij të fundit, ai shtoi se amerikanët i kishin thënë grupit të intelektualëve kosovarë të asaj kohe se, “Ne do t’i kontrollojmë të dyja”, politikën dhe luftën. Kjo u është thënë shqiptarëve të Kosovës që në vitin 1992, shtoi ai. Sipas Prof. Buxhovit, përveç amerikanëve edhe gjermanët ishin, “vendosmërisht”, të interesuar të stimulonin disa grupe të armatosura, madje i kanë ushtruar e stërvitur ato, tha Buxhovi, duke shtuar se ka qenë vetë pjesëmarrës në ato bisedime. Bazuar në dokumentat që posedon, Prof. Buxhovi tha se, definitivisht, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë të interesuara që t’i stimulojnë disa grupe të armatosura në Kosovë. “Lufta e diplomacisë do të këthehej tani në diplomaci të luftës”, citon ai zyrtarët amerikanë, të kenë thenë në takimet me elitën kosovare të atyre viteve.

UÇK-ja ka qenë e orientuar shumë kah Perendimi dhe larg grupeve terroriste dhe si e tillë, ajo ka qenë e interesuar që të ruhej uniteti i brendshëm kombëtar”, tha në bisedën e tij me gazetarin Blendi Fevziu, historiani Buxhovi dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimet e para me zyrtarët amerikanë dhe gjermanë, që në fillim të 1990-ave dhe më vonë.

Dy ngjarje, kanë berë jehonën heroike të veprës së Adem Jasharit për liri e të cilat kanë tërhequr vëmendjen e diplomacisë perendimore dhe medias ndërkombëtare. Ndër të tjera, ishin dy skena krimesh kundër njerëzimit dhe një takim diplomatik me UÇK-ën – para ndërhyrjes së NATO-s — ngjarje këto që ndodhën brenda një viti e që ndryshuan epokën dhe benë këthesën e madhe për Kosovën dhe epër Kombin shqiptar. Masakra e Reçakut, lufta heroike dhe vrasja e Adem Jasharit me familje dhe takimi i Ambasadorit Holbrooke me përfaqsuesin e UÇK-ës, Hajdin Abazi. “Kishte ardhur, pra, koha për luftë, pa politikë”. “Lufta e diplomacisë do të këthehej në diplomaci të luftës”.  Ky ishte momenti i jehonës së veprës dhe sakrificës së Adem Jasharit, familjes së tij dhe UÇK-ës.

Historiani Buxhovi tha në intervistën e tij se, UÇK-ja ishte e orientuar ka Perëndimi. Unë nuk di se kush mund të jetë më pro-perendimor se At Gjergj Fishta.  Dikush mund të pyes, po ç’kanë të përbashkët Familja Jashari dhe At Gjergj Fishta?

Të dy këta, Adem Jashari dhe Gjergj Fishta – burra dhe shtylla të fisit shqiptar, njani me urti në mendje e tjetri me trimëri në zemër – me të njëjtin mendim e me të njëjtin qëllim.  Ka ardhë koha, pra, t’ia këthjellojmë Shqipes kujtesën:  Ndoshta pak njerëz e dinë se At Gjergj Fishta, nepërmjet Lahutës së Malcisë, është i lidhur ngusht me familjen Jashari dhe me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I pari i familjes Jashari — Shaban Jashari — e kishte mësuar përmendësh të gjithë Lahutën e Malcisë të Gjergj Fishtës (pasi ishte e ndaluar në atë kohë) dhe e recitonte në familje dhe në odat e burrave, sipas një burimi të historianës amerikane Anna Di Lellio. (“Sacred Journey to a Nation: The Construction of a Shrine in Postwar Kosovo Anna Di Lellio, Independent Scholar and Stephanie Schwandner-Sievers School of Slavonic and East European Studies, UCL, London”.)  Ishte në odën e burrave të familjes Jashari aty ku Ademi i ri ka dëgjuar më së pari recitimet e babait të tij, nga Lahuta e Malcisë e At Gjergj Fishtës.

Fatkeqësisht, për shkak të shtrembërimit të historisë nga historianët nostalgjikë të komunizmit kombëtar dhe ndërkombëtar, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, shumë njerëz nuk dinë se i Pari i familjes Jashari, Shaban Jashari – i uritur për mësim e dije, për lexim e shkrim – i mori njohuritë e para në gjuhën shqipe nga mësuesit që kishte dërguar Ernest Koliqi anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir Drenicën. Madje ai shërbeu edhe si mësues për një kohë, megjithse nuk kishte përgatitjet e duhura – por as pajtimin me regjimin e ri komunist të asaj kohe, as miratimin e tyre.

Jam i sigurt se, përveç Familjes së Jasharëve, ka shumë raste të tjera frymëzimi nga vargjet e At Gjergj Fishtës, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por dua të përmend vetëm edhe rastin e Heroit kombëtar Agim Ramadani. Bashkëshortja e Heroit legjendar, Zonja Shukrije Ramadani, me një rast ka treguar për dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës, duke thënë se para se ishte nisë për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës. “Deshta me ju lanë një kujtim”, tha ajo.  “Agimi, kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë, në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh. Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha: – “Shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë, na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë”, ka thënë Shukrije Ramadani.

Qendresa dhe sakrifica sublime e familjes së Adem Jasharit i kishte rrënjët thellë në shqiptarizëm të pastër fishtjan, ashtu siç i kishte edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo në ndonjë lëvizje majtiste, ose terroriste siç mund të pretendojnë edhe sot disa mendje të humbura.  Ishte kjo trashëgimi, sakrificë dhe vendosmëri e një populli dhe e komandantit legjendar, për të siguruar lirinë, njëherë e përgjithmonë. Ishin, pra, sakrifica dhe lufta e Adem Jasharit që, më në fund, bëri jehonën që tingëlloi në veshët e diplomacisë perëndimore për angazhim serioz ushtarak  të NATO-s – vepër e  cila, përfundimisht bëri që, “Lufta e diplomacisë (së deri atëhershme) të këthehej në diplomaci të luftës”, për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtuesi serb.

Shqiptarët sot janë me dy shtete të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën – jemi të mbledhur sot këtu për të festuar Pavarësinë e Kombit – ditëlindjen e komandantit legjendar të Kombit, Adem Jasharit dhe njëherazi kujtojmë edhe 150-vjetorin e lindjes së Poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës – sipas të dhënave edhe babait shpirtëror të Familjes Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, Adem Jashari dhe At Gjergj Fishta kanë një porosi për shqiptarët – sidomos për klasën politike aktuale në Tiranë dhe në Prishtinë.  Komandanti legjendar Adem Jashari, besoj se do të urdhëronte: Mjaft me intrigat dhe me flirtimet me të huajt që nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar dhe boll me sjelljet tragji-komike të  brendëshme politike, tepër të rrezikshme ndaj interesave kombëtare. Gjergj Fishta do të paralajmëronte për rrezikun e përbrendëshëm!  “Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”. At Gjergj Fishta

Të gjithë së bashku — shqiptarë nga të gjitha trojet e fisit tonë arbëror – para Altarit të Atdheut në këtë log të kuvendit të “Mbledhur bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh të Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Senotafi të shenjtë! Adhuroni shpirtërat e Deshmorëvet! Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!  Gëzouni o Shqiptarë të arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt e bukur e fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë!  Bekonani ju o Deshmorët e shenjtë t’Atdheut. Kurajo, durim dhe shpresë, Ti Shqipëria irredente!” (Ilia Dilo Sheperi).

Ju falënderoj nga zemra dhe ju përshëndes me fjalët e Ilia Dilo-Sheperit!

Gëzuar Pavarësia!

Frank Shkreli, 23/11/2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok