20/02/2025

Jakup Krasniqi, një intelektual dhe patriot me vlera të spikatura…

0
Jakup-Krasniqi2

Nga Ibrahim Kabili

Unë nuk jam, as katolik as mysliman, unë jam shqiptar… Këto janë fjalët lapidare të Jakup Krasniqit përpara trupit gjykues në Hagë. Me këtë thënje ai na bie në kohë thënjen e kohës së Rilindjes, se: “Feja e shqiptarit, është shqiptaria”… Dhe pikërisht kështu proteston me mënyrën e tij, intelektuali dhe patrioti kosovar Jakup Krasniqi. Ai, afërsisht prej katër vjetësh, është i ndaluar, e po gjykohet në Hagë, së bashku me ish-udhëheqësit e komandantët UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, etj., me aktakuzën e përbashkët: “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Është e padrejtë dhe e turpshme që luftëtarët e lirisë, gjykohen me aktakuza të ngritura nga shërbimet e Beogradit… Ato e kanë hedhur poshtë aktakuzën e ngritur ndaj tyre…

Jakup Krasniqi ka lindur më 1 janar 1951 në fshatin Negrovc të Drenasit. Që në vitet e hershme ai nisur veprimtarinë e tij ilegale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje me rezultate shumë të mira. Shkollën e mesme e mbaroi në qytetin e Drenasit, kurse studimet e larta i mbaroi në Prishtinë në degën Histori, të Fakultetit Filozofik.

Mbas mbarimit të shkollës kthehet në vendlindje dhe punon si arsimtar në Negrovc dhe Arllat. Mbas plotësimit të arsimit, ai më pas, punon si arsimtar në Shkollën e Mesme në Drenas, Shkollën e Mesme në Skenderaj…

Si mësues, Krasniqi, ra në kontakt me njerëz patriotë dhe u aktivizua në lëvizjet politike në ilegalitet, kundër sundimit serbo-jugosllav. Ra në sy të autoriteteve të kohës dhe në vitin 1981 u burgos nga ky regjim dhe kreu 10 vite burg. Pas lirimit nga burgu, ai u angazhua në politikë dhe qe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jakupi mori pjesë aktive edhe në luftën e fundit të Kosovës në vitet 1998-’99, qe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe pjesë e delegacionit të Kosovës Rambuje. Në Luftën e Kosovës, Krasniqi ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dha një kontribut të çmuar atje, sipas të dhënave që jep akademiku Rexhep Qosja, në librin “Paqja e përgjakshme”. Pas luftës së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë themeluan PDK-në ku ishte antar i saj deri në vitin 2014. Në vitin 2001 u zgjedh deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës. Në Qeverinë e parë me kryeministër Bajram Rexhepin, Jakup Krasniqi u emërtua ministër i Shërbimeve Publike. Në vitin 2004 ai u emërua shef i grupit parlamentar të PDK-së. Në vitin 2008, Krasniqi u zgjedh në krye të Kuvendit të Kosovës dhe u rizgjodh përsëri në vitin 2010, detyrë të cilën e kreu me urtësi, rigorizitet dhe përgjegjësi të lartë. Pas disa përplasjeve me ish-partiakët e tjerë në këtë parti, dhe në vitin 2014 Krasniqi së bashku me Limajn, formuan Nismës për Kosovën. Krasniqi u zgjidh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë. Krasniqi ka dhënë një kontribut të madh në arsim. Ai ka botuar një numër të konsiderueshëm artikujsh në shtyp dhe janë botuar disa libra me tema të larmishme.

Në nëntor 2020 ai u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit. Një aktakuzë “qesharake” dhe tepër absurde. Pavarësisht kësaj, ai, më 24 korrik të vitit të kaluar u  intervistua nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuara në Hagë. Jakup Krasniqi po gjykohet në Hagë për krime lufte por u ndalua të marrë pjesë në seancë për shkak të kollares me ngjyrë të kuqe me shqiponjën dykrenare. Para gjykatës së Hagës, Krasniqi, ndër të tjera tha: “Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore, të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha: “Jakup nuk ka fitore”, pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte “çmimi i lirisë”. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre”… Para Dhomave të Specializuara, Krasniqi nga i akuzuar, kthehet në akuzues. Ndër të tjera ai, thekson: ” Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës  për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asgjë tjetër që thuhet në aktakuzë”… Më tej, ai, përsëri ngre zërin dhe “akuzon”, “drejtësinë”, duke pohuar: “Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”… Po, e tillë qe, UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e saj. Më tej në fjalimin e tij, Krasniqi, mbron veten, shokët, luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës dhe rolin e aleatëve, ku, thekson: “Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më padi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtet ndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA, me vendet e BE, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”…, duke shtuar: “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është “koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit”…

Po e bëj këtë shkrim modest, për Të, dhe shokët e tij, në kuadër të 17 shkurtit , përvjetorit të 17-të, të Pavarësisë së Kosovës. Kjo është arritja më madhore e shqiptarëve, pas Pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912. Luftëtarët e lirisë, do dalin të pafajshëm për akuzat ndaj tyre dhe do të kthehen në Kosovë, përsëri si fitimtar…

Ibrahim Kabili

Tiranë, më 17.02.2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok