15/06/2024

ISH-PRESIDENTI GEORGE W. BUSH: MIK I PËRHERËSHËM I SHQIPTARËVE!

0

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush me një grup studentësh shqiptarë nga Kosova dhe nga Shqipëria në Kennebunport të shtetit Maine –Foto: US Embassy Tirana

Nga Frank Shkreli

Është një thënje anglisht që thotë se, “Once a friend, always a friend”, që shqip përafërsisht mund të përkthehet se një “mik i vjetër mbetet gjithmonë mik”.

Në një njoftim të portalit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë thuhet se Ish-Presidenti i Amerikës, George W. Bush është takuar me një grup studentësh nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të një programi të Departmentit Amerikan të Shtetit për të punësuar studentë ndërkombëtarë për sezonin e verës në Amerikë.  Ky grup studentësh shqiptarë që pasqyrohen në foton më poshtë, të botuar në portalin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, janë takuar me Presidentin Bush në vendin e punës së tyre – një restorant në Kennebunport të shtetit Maine – që siç duket është restoranti i preferuar i Presidentit Bush në atë qytet, ku familja Bush ka një shtëpi verore.

U.S. Embassy-Tirana

4h  ·

Dërgesë speciale nga Presidenti Bush! Studentët nga Shqipëria dhe Kosova që po punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë një surprizë të veçantë kur ish-Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, i bëri një vizitë së fundmi! Presidenti Bush u ndal në një nga restorantet e tij të preferuar, The Clam Shack në Kennebunk, Maine, ku studentët po punojnë si pjesë e programit të punës verore dhe udhëtimit të Departamentit të Shtetit. Studentët u kënaqën me takimin me ish-presidentin, i cili gjeti kohë për një foto me grupin jashtë (restorantit) The Clam Shack.”

Sa bukur, studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova që po punojnë në Amerikë gjatë verës, takohen me ish-Presidentin George Bush në një restorant në mahallën ku ai kalon verën, në Kennebunkport të shtetit Maine. Sa e vogël është bërë kjo botë! Një foto e studentëve shqiptarë me një president të Amerikës i cili bëri aq shumë për shqiptarët, sidomos për Kosovën. Ishte gjatë asaj vizite në Tiranë, 16-vjet më parë, që George W Bush deklaroi se “mjaft është mjaft” — sa i përkiste zvarristjes së zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së Kosovës — se Kosova duhej të njihej, ndërkombtarisht, si shtet i pavarur. Ishte kjo deklaratë e fortë e Presidentit Bush nga Tirana që, më në fund, vuri në lëvizje proceset që, një vit më vonë, çuan në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në njohjet ndërkombëtare.

Në të vërtetë, ky muaj shënon 16-vjetorin e vizitës së Presidentit George Bush në Shqipëri. Data 10 Qershor, 2007 është dita dhe viti që shënohet në histori kur Presidenti George W. Bush u bë presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare që vizitoi Shqipërinë post-komuniste.

Presidenti George W Bush gjatë asaj vizite në  Shqipëri, 16-vjet më parë — ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës, Woodrow Wilsoni 100-vjet më heret se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë nga armiqtë e saj — edhe Presidenti republikan i Amerikës, George W Bush, pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”.  Duke shprehur kështu moskënaqësinë e tij ndaj bisedimeve të pafund rreth pavarësisë së Kosovës. Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri 16-vjet më parë, interpretonte deklaratën e Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkanin Perëndimor, që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë asaj vizite u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s.  Nuk besoj të ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe shtete të tjera perëndimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e anëtare e NATO-s, një vit më vonë. Meritë e Presidentit Bush dhe Tiranës zyrtare të asaj kohe.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.

Kjo foto më lartë e ditëve të fundit e ish-Presidentit George Bush me studentët shqiptarë në shtetin Maine të Shteteve të Bashkuara vetëm pasqyron — nepërmjet këtyre të rinjve shqiptarë — edhe njëherë, ndonëse simbolike por kuptimplote, miqësinë dhe admirimin e shqiptarëve, përfshir këta të rinjë shqiptarë, kudo dhe pa dallim — për Shtetet e Bashkuara. Ndërsa me bërjen pozë duke dalur në fotografi me këta të rinjë shqiptarë – e ardhmja e Kombit shqiptar — Presidenti George W Bush tregon edhe njëherë vërtetësinë e asaj thënjës së vjetër amerikane: Once a friend, always a friend.”  Miku i vjetër, gjithonë mbetet mik!

Uroj dhe shpresoj që kjo gjeneratë e shqiptarëve që përfaqësohen në këtë foto me Presidentin George Bush, të vazhdojnë t’i konsiderojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si të shënjta dhe të pazevëndsueshme midis dy kombeve tona – e mbi të gjitha të mos harrojmë miqtë e vjetër – siç është Presidenti George W Bush.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok