22/12/2024

Intervistë me Sabri Behramaj, modelues i bustit të Gjergj Kastriotit

0
u1_Behramaj-Kastrioti2


INTERVISTË ME SABRI BEHRAMAJ, MODELUES I BUSTIT GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU NË QYTETIN E KLINËS

Intervistoi Lekë Mrijaj

Sabri Behramaj është një skulptor mitrovicas nga Kosova i cili permes modelimit të bustit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i ka dhënë një imazh të shkelqyer qytetit dhe i ka bërë krenarë klinasit me vendosjën e vepres së tij në këtë qytet. Sabri Behramaj, prezantohet me një cikël kolazhesh të tij në të cilat trajton ai si një autor e bashkëautor njëkohësisht ai trajton disa vepra e histori nga memoria kolektive dhe ajo personale duke u përpjekur të elaboroj kuptimin e pyetjeve, që lindin sipas eksperincës. Skulptori në fjalë tashmë në këtë intervsitë prezantohet me një seri punësh të cilat vijojnë si argumenti i bërjes së intervistës së realizuar njëkohësisht ai i është përgjigjur disa pyetjeve mbi veprën dhe rrugën artistike e tij

I nderuar a mund të na flisni pak për biografinë tuaj. Kush është Sabri Behramaj?

-Pikërisht unë apo Sabri (Azem) Behramaj, është i lindur me 17. Janar 1982 në fshatin Kotorr, komuna e Skenderajit. Shkollën fillore e kam të kryer në vendlindje, ndërsa degën e pikturës dhe të artit figurativ e kam të kryer në shkollën e mesme “Odhise Paskal” në Pejë. Ndërsa në vitin 2005, e kam perfunduar në mënyrë të shkelqyer studimet universitare: Fakultetin e Arteve në Prishtinë-Dega e Skulptures, ku edhe nga dekanati jam shpallur studenti më i dalluar i vitit. Ndërsa në vitin 2007, kam specializuar gjegjësisht kam perfunduar edhe shkallën master në degën e skulpturës.

Z. Behramaj, mundësisht na tregoni pak a shumë për fillet tua në skulpturë. Nga kush e morët këtë intuitë artistike dhe si ia keni nisur?

Shijen time në artet pamore e kam zbuluar nga klasa e parë e fillores, pikërisht me shkronjat e alfabetit, ku nga ajo kohë edhe kam filluar me vizatimin e simboleve me elementare etj. Ndërsa me skulpturën kam filluar që në vitin e dytë të shkollës së mesme “Odhise Paskali” në Pejë. Skulptura e parë që e modelova dhe e skalita ka qenë portreti i një malësori kreshnik me plis mbi koke me mustaqe të zgjatura , të të cilën pastaj e realizova në allqi me ndihmën e prof. Jashar Pasha, vepër e realizuar mjaft bukur, ku tutje edhe mu shfaq një ndjenje provokuese dhe më detyroi apo me shtyu të merrem në mënyrë ma studioze me këtë gjini të artit dhe gjithsesi me sherbeu pastaj si pikë motivuese për ta vazhduar skulpturen në fakultetin e arteve. Kur të terhiqesh nga skulptura si profesion , nuk mund të bësh hapa pa u ndal në rishikim të vepres së gjeniut i të të gjitha kohërave Mikel Angjelos, që vertetë i dha kuptim skulpturës, pastaj ishte Rodeni, i cili njihet me kryevepren e tij “Mendimtari“ dhe veprën tjetër dedikuar Balzakut. Edhe skulptori Henry Moor, me format e ti plastike artistike moderne. Duke u kthyer pastaj tek skulpturët tanë të cilët dhanë kontribut të çmueshem në veprat monumentale si Odhise Paskali, i cili na dhuroj një imazh mjaftë të bukur të kryeheroit tonë të madh Gjergj Kastrioti Skedrebeut, e shumë e shumë vepra të tjera , pastaj mjeshtri i madh i figuracionit Shaban Haderi, me veprat monumentale Isa Boletini ne Shkoder, “Herojt e vigut” pastaj kemi skulptorin tonë të ndjerë Agim Çavdarbasha, i cili njihët si themelues kryesor i katedrës se skulturës në Fakultetin e Arteve në Prishtine , dhe ishte skulptori i parë modern tek ne. Emrat të sipërpërmendur janë burim i pashtjerrëshem i frymzimit për të krijuar vepra art, jo vetem për mua por për të gjithë krijuesit figurativ të skulptures e adhuruesit të tyre.

Ju së fundi keni realizuar edhe bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Klinë. Ju lutëm si njëprofesionalist kompetent i kësaj lëmie na tregoni, se si u përzgjodhët nga juria profesionale për këtë realizim të themi kryeveper e cila edhe është mirëpritë mjaftë mirë nga nismëtarët ( Forumi Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë) komuna dhe qytetarët e saj ?

-Gjergj Kastrioti -Skenderbeu jo vetëm së është kryeheroi i kombit shqiptar, por është edhe një figuracion me tipare të një malësori ndaj të themi më konkret se vertetë më ka provokuar shumë nē aspektin artistik për ta studiuar dhe modeluar ne skulpturë, besoj se fati ka qenë i dyanshëm si nga këndi im njëashtu edhe nga komisioni profesional i komunës së Klinës, të cilët me vlerësuan me pikët maksimale në konkursin transparent publik sepse unë si modelues do të ia lë në trashëgimi qytetit një vepër arti të realizuar bukur dhe me plot përkushtim, ndaj edhe fati im është që vepra ime kushtuar kryeheroit tonë kombëtar zë një hapsirë mjaft të bukur ku do jetë e ekspozuar përjetsisht, dhe se fundi mirënjohje të thellë për nismëtarët ( Forumi Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nga Klina ) ku me iniciativen , kontributin dhe vullnetin e tyre të madh që treguan e bën të mundur përjetsimin e veprës kushtuar kryeheroit të madh Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në komunën e Klinës. Ndjesë se po kthehem pakëz mbrapa, kur me vizituan për herë të parë nismëtaret ( pas vlerësimit-nënshkrimit të kontratës me komunën e Klinës ) në atelen time për të diskutuar rreth projektit , kam hezituar te flas dhe nuk doja të e teproja aq shumë të bisedoja rreth veprës-skulturës së Gjergjit, sepse vetë skulptura apo vepra në fjalë duhej të flasë për autorin.

Z. Behramaj, a ishte e vështirë, vendosja në allqi, procedura e dyllit, skalitja dhe derdhja në bronz e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe a mund të na flisni për lexuesit e Gazetës Ditore “Bota Sot”, se sa do i rezistoj të reshurave, acarit dhe temperaturave të larta verore modelimi i veprës në fjalë?

Duke qenë se kam një përvojë bukur të gjatë ne realizimin e veprave artistike monumentale, për mua pjesa teknike fare nuk më paraqet shumë vështirërsi si skulptor . Pra për ta ndertuar apo modeluar një bust me permasa te tilla, saktësisht 130 cm, pjesa ma e rëndësishme është koncepti ,origjinaliteti i vepres, përshtatja e vepres me hapsirën publike pastaj edhe modelimi nganjëherë i ka ato delikatesat e vetës, procesi për realizimin e një vepre arti deri në bronz është nga e para koncepti, ndërtimi i konstruksionit për mbajtjen në argjile sipas formës së konceptuar, modelimi pastaj deri në finale, mandej fillon procesi i allqis duke e kopjuar formën e modeluar në argjile që ne artistët e kësaj kategorije e quajmë pjesa negative, pastaj pozitivi ne allqi, pas pozitivit fillon procesi i dyllit permes taseleve behet tharja e dyllit ne furrë pastaj bëhët derdhja e bronzit duke zevëndësuar formën e dyllit, pastrohet forma e kopjuar nga bronzi apo patinohet me ngjyra sipas kerkesës dhe pastaj vëndosët në bazament ku është kërkuar, bronzi është material adekuat për vepra arti në hapsirat publike sepse është shumë rezistent ndaj shiut, dëbores dhe temperaturave të ndryshme, sot akoma gjindën eksponate të ndryshme të bronzit të punuara 5000 vjet me parë , dmth. bronzi si material është i përhershëm.

A mund të na specifikoni se sa vepra keni realizuar deri me sot dhe cilat janë ato?

Prej kur kam përfunduar studimet nga viti 2007, kam pas fatin te jam autor i shumë veprave të ndryshme në pjesën më të madhe të qyteteve të Kosovës, duke filluar nga qyteti im Mitrovica, mandej Prishtina , Gjilani , Kaçaniku , Suhareka, Prizereni, Dragashi, Deçani, Juniku, Malisheva , Klina, Drenasi etj. Pikërisht po i përmend vetem disa, modelimin e parë qe e kam realizuar është busti i Bedri Gjinës, shtatorja e komandant Shemit, Avni Dedis në Mitrovice, shtatorja e komandat Bardhit në Kaçanik, shtatorja e Fadil Vatës në Suharekë, shtatorja e Ndue Perlleshi në Klinë, Ukshin Hoti në Universitetin e Prizrenit , Edmond Hoxha në Junik pastaj dy figurat e lavdishme dhe me dimensione me të mëdha nga 5 metra janë të realizuara në sheshin e Drenasit, e Fehmi e Xhevë Lladrovci, Artim Jasharin në Mitrovicë , dhjetra buste për shkolla të ndryshme, obeliskun në Shal të Bajgorës , dhe monumente të tjera të ndryshme. Pra të gjitha këto vepra që i permenda sipër unë i kam të realizuara në bashkautorsi me kolegun tim të nderuar Ylber Krasniqi, të cilin e falënderoj publikisht për angazhimin dhe bashkpunimin në realizimin e këtyre veprave.

I nderuari Sabri, e jeni prezentuar në ndonjë vend me ekspozitë apo? Nese po si janë vlerësuar veprat tuaja?

Kam marrë pjesë në disa ekspozita kolektive nderkombëtare jashtë vendit si në Gjermani, Kroaci, Belgjikë, dhe se fundi në Zvicërr. Modelimet në përgjithësi janë vlerësuar mirë nga publiku dhe kritikët e artit. Në Bruksel jam vlerësuar me vendin e dytë në një ekspozitë nderkombëtare edhe pse vetë nuk kam qenë prezent në hapjën e ekspozitës.

A mund të na thuani disa nga gjërat që janë thënë nga disa njerëzit adekuat për veprat tuaja?

Veprat e mia në përgjithësi janë pranuar mirë nga publiku, kolegët e sidomos nga profesorët e fakultetit të UP-së, prof. Agim Rudi , prof Adem Rrusinovci , Ismet Junuzi e shumë të tjerë pikërisht me kanë përzgjedhë në vendin e parë si studenti më dalluar në skulpturë.

z. Behramaj, çfarë bëni në kohën kur jeni i lirë apo  në kohën kur nuk merreni me modelime të skulpturave?

– Zakonisht kohën e lirë  e kaloj me familjen time, me bashkëshorten, fëmijët e mi shumë të dashur, Merisin, Buronin dhe Saimirin e vogël, njëkohësisht e bëj ndonjë pikturë me motive të ndryshme të bukurive natyrore të Shqipërisë, Kosoves e peisazhe të tjera me motive nga kullat tona historike etj.

Për fund të kësaj bisede të themi paksa spontane çfarë mund të na thuani për lexuesit ?

Për lexuesit mund të them apo të jap një mesazh të qartë se duke u nisur nga përvoja ime në krijimtarin artistike, si element apo produkti kryesor që njeriun e motivon drejt suksesit është përkushtimi dhe puna, me përkushtim dhe punë patjetër se do të arrihet rezultati dhe vlerat do të janë më të arritshme në përgjithësi.

Z. Behramaj, faleminderit për kënaqësinë e bisedës…

-Ishte kënaqësi, faleminderit edhe nga ju i nderuari publicisti Mrijaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok