21/11/2024

Intervista e Edi Ramës në Forbes si paralajmërim e përmbytjes së pashmangshme të tij!

0

Nga Enver Bytyçi

Kryeministri i vendit tonë ka dhënë një intervistë për revistën e famshme franceze, “Forbes”. Në atë intervistë ai përpiqet të shfaqet si politikan unik, përtej përmasave të shqiptarëve, duke fajësuar qytetarët me atë se ata “nuk e kuptojnë”. “Shqiptarët nuk më kuptojnë”, shprehet Edi Rama në intervistë! Madje arrin deri te deliri i sipërmarrjes për edukimin e tyre. Gjithçka që ai thotë në atë intervistë ngjan me intervistat e para 5-7 viteve kur erdhi në pushtet, por tashmë e kthyer kokë-poshtë. Asokohe kjo performacë e vetë-deklaruar kishte për qëllim joshjen e opinionit perëndimor, përfshirë dhe shumë prej liderëve evropianë nga “një lider politik i veçantë, “artist e sportist”. Kësaj radhe duket se Edi Rama paralajmëron përmbysjen e pashmangshme të tij, epilogun e karrierës së vet të dështuar politike. Dhe për këtë fajëson ata “që nuk e kuptuan” dhe “nuk u edukuan” prej tij, qytetarët shqiptarë, zgjedhësit e tij.

“Unë nuk jam politikan” thotë kryeministri shqiptar! “Por erdha në politikë për t’i shërbyer vendit tim”, shton ai. Madje mashtrimin e çon përtej çdo arsyeje, kur thotë se “Nuk desha të bëhem ministër”!  E më pas duket se thotë “Bëra një provë, por shqiptarët nuk më kuptuan, ata nuk mund t’i edukoj”!

Po si qëndron e vërteta? Sondazhet dhe të dhënat testojnë faktin se shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kuptuan fort mirë Edi Ramën, ndonëse me vonesë, me shumë vonesë!  E kuptuan se kishin të bënin me një mashtrues klasik në kufijtë e ordineres. E kuptuan se asgjë nga ato që ai thotë nuk është në projektet e tij për Shqipërinë.  Se ai shërbimin ndaj qytetarëve e përdori si retorikë për t’i dhunuar ata. Se shpërndarjen e të ardhurave dhe taksave e përdori për t’i diskriminuar qytetarët. Se ndërtoi fasada dhe uli nivelin e mirëqenies, qëllimisht që të lehtësonte sundimin e vet mbi skllevërit e uritur!

Mendja e tij djallëzore punoi për të tjera synime e objektiva: P.sh për shpërnguljen e shqiptarëve, për rrënimin ekonomik, moral dhe politik të vendit. Për angazhime intensive kundër territorit, shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës . Për marrëveshje të fshehta me grekët e për intriga përçarëse të faktorit politik shqiptar, sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë. Për bashkëpunim me presidentin serb, me qëllim rehabilitimin e Serbisë dhe çlirimin e saj nga fajësia e krimeve mizore që ajo ka bërë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.

Megjithatë Edi Rama thotë një pjesë të së vërtetës: Shqiptarët nuk e kuptuan qëllimin djallëzor të tij, kur në nëntor 2014 i tha në Beograd Aleksandër Vuçiç, se “Serbia duhet ta njohë Kosovën”. Aso kohe pati një dalldi “dashurie” për “liderin e shqiptarëve”, njëkohësisht kryeministër i Shqipërisë. Kjo dalldi me fjalë të mëdha vlerësimi për Ramën erdhi për shkak se shqiptarët nuk e kuptuan çfarë fshihej pas asaj deklarate.  Fatmirësisht intrigën e asaj deklarate e kisha paralajmëruar dy ditë më pas, duke vlerësuar se Rama dhe Vuçiç ishin rakorduar për këtë skenë patriotizmi, me qëllim që i pari të fitonte autoritet në Kosovë dhe i dyti, me provokacien e tij të fitonte elektorat në Serbi.

Sot, pas kaq kohësh, shqiptarët mësuan dhe njohën të vërtetën. Edi Rama u bë patriot në Beograd, sepse kishte vendosur t’i shërbente pa kushte Serbisë sa i përket Kosovës, statusit dhe të ardhmes së saj. Kjo e vërtetë u pasua nga shumë akte të tjera të Ramës kundër Kosovës, nga përpjekjet e tij për të rekrutuar në projektin Rama-Vuçiç presidentin, Hashim Thaçi dhe për t’i dhënë atij rolin kyç në aksioni serb të ndarjes së Kosovës., Në përçarjen permanente të faktorit politik në Kosovë, në diferencimin politik të figurave të ndritshme të saj dhe injorimin publik që vazhdimisht ai i bëri liderit historik, Ibrahim Rugova.

Mjafton qëndrimi ndaj Ibrahim Rugovës për të kuptuar politikat e kryeministrit të pakuptueshëm të Shqipërisë. Për të kuptuar gjithashtu sa anti – kombëtar ose sa atdhetar është një politikan, një lider, apo një figurë publike. As dje, kur Dr. Rugova kishte ditëlindjen e tij të 76, Rama “nuk u kujtua” të shkruante dy rreshta në vlerësim të kësaj figure emblematike të shqiptarëve, kur ai shkruan edhe për Kosturicën, edhe për Andriçin, edhe për Bregoviçin, i shkruan gjithashtu mikut të Milosheviçit, futbollistit serb, Mihajllovic. Ndërkaq ai që ka bllokuar prej vitesh iniciativat për vendosjen e shtatores së Gandit të Ballkanit, Ibrahim Rugova, në qendër të Tiranës! A ka nevojë për ndonjë dëshmi tjetër, veç këtyre, për ta kuptuar Edi Ramën? Mund të renditen me mijëra fakte, me të cilat dëshmohet se shqiptarët e kuptuan atë, por fatkeqësisht me shumë vonesë, pasi ai realizoi shumë djallëzi, intriga e projekte anti-popullore e anti-shqiptare!

Të vërtetën rreth e për Edi Ramën e mësuan gjithashtu ata që para 5-7 viteve e besuan dhe e lobuan në Perendim. Tashmë asnjë prej tyre nuk e beson kryeministrin e vendit tim. Sepse u përpoq në vijimësi t’i mashtrojë ata. Dhe të përpiqesh të mashtrosh gjermanët, do të thotë t’ia bësh vetes një varr njëmijë metra të thellë në kuptimin figurativ të fjalës. Të përpiqesh të mashtrosh po ashtu austriakët, holandezët, danezët, anglezët, është vetëvrasje. Edhe këta ndërkombëtarë, përveç të korruptuarve prej tij, “nuk e kuptuan” Edi Ramën. Ndaj dhe ia mbyllën dyert e integrimit në BE!

Edi Rama në intervistë për Forbes-in francez flet për një mision të tij “për edukimin e shqiptarëve”! Dhe e quan dështim që shqiptarët nuk i bëri si vetja, d.m.th drogaxhi, hipi, njerëz pa atdhe, pa fe, pa besim, pa dinjitet, pa integritet, pa din e pa imanë! E quan dështim faktin se ai nuk mundi që shqiptarët t’i bëjë njerëz pa familje, pa pronë, pa shtëpi, pa katandi. Por ama diçka ka arritur në edukimin e tij. U hoqi shpresën, u hoqi mundësinë për të jetuar si njerëz, i nxiti të ikin nga ky vend, madje duke e justifikuar këtë si trend botëror. Por se në këtë trend botëror shqiptarët e larguar zënë vendin e parë në botë për numrin e popullsisë, këtë ai nuk e pranon, ose së paku nuk e përmend.

Do zoti dhe merr fund shëmbëlltyra edukuese këtij kryeministri, sepse të të edukojë Edi Rama do të thotë të duash më shumë atdheun e armikut të shqiptarëve, sesa atdheun tënd. Të të edukojë Edi Rama do të thotë të jesh pa familje, pa traditë, pa kulturë autentike, pa trashëgimi, në fund edhe pa liri e pavarësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok