22/12/2024

Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge në harkun kohor të një shekulli e gjysmë dhe kontributi i kërkuesit shkencor Gilles De Rapper

0
u6_Gjiri-i-Artes-Janine

Nga Kujtim Mateli

Autori i parë francez më i rëndësishëm që e kërkoi Dodonën në të gjithë territorin e Epirit deri në Tomorin e Beratit, ka qenë Francois Pouqueville, (konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë, në vitet 1804-1813). Ai shkroi një nga veprat më të rëndësishme të tij “Voyage de la Greece” në katër vëllime, Paris 1820. Pukëvili, në librat e tij, i kushton një rëndësi të veçantë vendndodhjes së Dodonës duke dhënë mendimin e tij për çdo luginë apo vend arkeologjik që bashkëkohësit e tij e pretendonin si vendndodhje të saj. Ky autor e vendos Dodonën në pjerrësinë jugore të maleve të larta të cilat mbyllin liqenin dhe luginën e Janinës në veri.  Ky vend ishte Gardhiqi.

Në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XIX, një mision arkeologjik francez bëri kërkime në terren për gjetjen e vendndodhjes së Dodonës në Epir dhe në përfundim deklaroi se Dodona nuk ndodhet në rrethinat e Janinës.

Po ku ndodhet Dodona që njihet nga institucionet shkencore?  Ajo pretendohet në jugperëndim të Janinës rreth 20 km larg, në luginën e Carakovistës. Ky është pretendimi i Kostantin Karapanos në vitin 1878 dhe që është certifikuar dhe nga institucionet shkencore franceze. Po a ndodhet realisht Dodona atje? Dodona e Karapanos ka patur kundërshtimin e shumë dijetarëve dhe shkencëtarëve që nga viti 1878 e deri më sot. Ky kundërshtim ka ardhur si rezultat i provave që kanë sjellë këta autorë të cilët janë mbështetur tek autorët e antikitet, shumë prej të cilëve kanë qenë dhe vizitorë të Dodonës.

-Të gjitha dëshmitë e autorëve të antikitetit, e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, kurse lugina e Carakovistës ndodhet në mes të Epirit.

-Autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në shpat të malit Tomar, kurse qyteti i luginës së Carakovistës ndodhet në krahun e kundërt të luginës në kodrat e Kozmirasë.

-Autorët e antikitetit e vendosin orakullin e Dodonës, në afërsi të qytetit, ku kalon lumi Dodon, kurse në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi. Këto dëshmi e nxjerrin Dodonën jashtë luginës së Carakovistës duke i orientuar kërkuesit e saj në veri të Epirit, në tokën molose.

Pjesa e parë

Manipulimi i dëshmive të autorëve të antikitetit

Po si u arrit që Dodona të vendosej në luginën e Carakovistës, kur burimet historike e vendosnin atë jashtë kësaj lugine dhe pikërisht në veri të Epirit? Duhet thënë se kjo gjë u arrit si rezultat i deformimit që Karapanos u bëri burimeve historike të autorëve të antikitetit, në materialin që i paraqiti institucionit shkencor francez i cili bëri certifikimin e Dodonës në luginën e Carakovistës.

Konkretisht:

1-Karapanos deformon dëshminë e Dionis Halikarnasit

E japim këtë dëshmi sipas Karapanos.

Karapanos, Konstandin, “Dodonë e ses ruins”. Paris 1878.

Duke e vendosur Dodonën në luginën e Carakovistës Karapanos argumenton:

“Distanca që ka kjo luginë me qytetin e Ambraqisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër me Butrintin, përshtatet shumë mirë me kohën që Eneas iu desh në udhëtimin e tij nga Ambraqia në Butrint duke kaluar nëpër Dodonë”1).

“ La distance qu`il y a de cette vallée à la ville d`Ambracie, d`une part, et d`autre part, à Buthrotum, s`accorde aussi très-bien avec le temps qu`Ennée a mis pour accomplir son voyage d`Ambracie à Buthrotum en passant par Dodone”.

Dëshmia mbi të cilën është mbështetur Karapanos, të cilën e citon në librin e tij, është ajo e Dionis Halikarnasis II, 51.

Po a e vërteton kjo dëshmi e Dionis Halikarnasit ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës? Dëshmia sikundër jepet prej Karapanos, krijon tek lexuesi bindjen se Dodona ndodhet pikërisht në segmentin e rrugës Ambraqi-Butrint. Ky studim i Karapanos ka oponencën e tre anëtarëve të një institucioni shkencor francez. Ka gjithashtu dhe miratimin e këtij institucioni që e pranon Dodonën në luginën e Carakovistës. Lexuesi, përballë një institucioni shkencor evropian, e pranon Dodonën aty ku ajo na është servirur deri tani pa as më të voglën mëdyshje. Kështu nuk kanë vepruar vetëm individët, por edhe institucionet shkencore më të rëndësishme evropiane e botërore.

Kur lexuesi njihet me dëshminë e Karapanos se distanca Ambraqi- Carakovistë- Butrint, kërkon aq kohë për ta bërë këtë rrugë edhe sot, sa koha që iu desh Eneas për ta bërë atë, çdokush e merr si të mirëqenë që “arkeologu” Karapanos dhe stafi i tij, ka bërë në terren matjet përkatëse dhe konkluzionin e ka nxjerrë mbi bazën e tyre. Të mirëqenë këtë dëshmi e ka marrë edhe institucioni shkencor francez.  Të mirëqenë e ka marrë edhe bota akademike, fillimisht evropiane dhe më pas dhe ajo botërore.

Po sa ishte koha që Eneas iu desh për ta përshkruar këtë distancë?  Për sa kohë bëhej kjo rrugë në kohën e Karapanos? Asnjë e dhënë nuk na jepet. Duke mos dhënë asgjë konkrete si për kohën që iu desh Eneas për të vajtur në Dodonë, si për kohën që iu desh Karapanos për vërtetimin e kësaj hipoteze në bazë të dokumenteve të kohës apo matjeve të bëra nga vetë grupi i arkeologëve të Karapanos, mungesa e këtyre të dhënave kyçe e bën dëshminë e Karapanos një dëshmi të gjymtuar.

Në kohën e Karapanos perandoria osmane i kishte të shpallura distancat midis qyteteve. Madje jepeshin dhe me orë, siç do ta vërtetojmë më poshtë. Karapanos e ka zhdukur elementin kohë, që është elementi më i rëndësishëm për gjetjen e Dodonës së munguar.

Po si qëndron e vërteta? Dëshmia e Dionis Halikarnasit është një dëshmi e plotë që e ka të përcaktuar mirë elementin kohë.

Dionisi i Halikarnasit, Historia e vjetër e Romës, Libri II, 51(1,2).

“Ankizi me anijet, u nis nga Ambraqia dhe, duke lundruar pranë bregdetit, arriti në Buthrot, liman i Epirit. Enea, në anën tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë, me qëllim që të kërkonin mendimin e perëndisë; këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin. Pasi morën përgjigjen hyjnore në lidhje me koloninë, i dhuruan zotit, bashkë me dhuratat e tjera trojane edhe kratere bakri, disa nga të cilat ndodhen edhe sot me mbishkrime shumë të vjetra, që tregojnë emrat e dhuruesve; së këtejmi arritën te anijet pas një udhëtimi që zgjati më se katër ditë. Ardhjen e trojanëve në Buthrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëherë për të ngritur lëmin”2).

Segmenti Ambraqi-Buthrot është i ndarë në dy pjesë. Ambraqi-Dodonë dhe Dodonë-Buthrot. Segmenti i parë Ambraqi –Dodonë është përshkruar për dy ditë. Segmenti i dytë Dodonë- Buthrot është bërë pak më shumë se dy ditë duke përfshirë dhe kohën e qëndrimit në Dodonë.

Po çfarë kërkonte të gjente Karapanos, Dodonën apo Butrintin (Buthrotin)? Karapanua ishte në kërkim të vendndodhjes së Dodonës, sepse Butrinti dihej se ku ndodhej. Anashkalimi që i bën gjetjes së vendndodhjes së Dodonës sipas përshkrimit të Dionis Halikarnasit është se Karapanos i trembej dëshmisë së tij. Kush kishte njohje për Epirin, e dinte se kjo distancë nuk mund të përshkohej për dy ditë. Perandoria osmane i kishte të publikuara distancat, në orë, midis qyteteve. Këto distanca na i jep edhe njëri ndër autorët e kësaj periudhe, Zoto Mollosi. në njërin nga librat e tij.

Zoto Molossi, Ipeirotikai Meletai, Athinë 1878.

“Janina (Joanina) 16 orë nga Arta”3)

Nëse distanca Artë- Janinë bëhej për 16 orë, distanca Artë-lugina e Carakovistës do të bëhej më shpejt, sepse kjo luginë ndodhet 18 km në jugperëndim të Janinës. Duke kontrolluar distancat shohim që lëvizja e këmbësorit është llogaritur afërsisht me 5 km. në orë 4).

Nëse do të nisemi nga Arta, do të mbërrijmë në luginën e Carakovistës rreth 3-4 orë më shpejt, pra kjo distancë do të përshkohej për 12-13 orë. Po këto distanca në orë llogariteshin për lëvizjen e ushtrisë dhe të karvaneve që transportonin mallra të ndryshme. Një grup i vogël njerëzish lëvizin shumë më shpejt. Në këtë mënyrë i bie që Enea për të arritur në Dodonën e Karapanos, ka udhëtuar vetëm 8-9 orë. Po Dodona sipas Dionis Halikarnasit ishte dy ditë larg nga Gjiri i Amraqisë, që do të thotë se Enea me ushtarët e zgjedhur pasi arritën ditën e parë në veri të Janinës, ditën e dytë arritën në Dodonë. Ja si dëshmia e Dionis Halikarnasit e largon Dodonën nga lugina e Carakovistës duke e vendosur atë në veri të Epirit, edhe një ditë tjetër udhëtim larg Janinës.

2- Karapanos deformon, dëshminë e Polibit.

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878

“Rreth vitit 220 para Krishtit, tempulli i Dodonës u shkatërrua për herë të parë nga etolianët, lidhja e të cilëve ishte në luftë me Akejtë. Dorimahu, gjenerali i etolianëve, duke u hakmarrë ndaj epirotëve, aleatë të maqedonasve dhe të Lidhjes Akeje, pasi kishte shkatërruar një pjesë të madhe të Epirit, shkatërroi dhe Dodonën”4).

“ Vers l`an 220 avant J.-C., le temple de Dodone fut détruit pour la première fois par les Étolien dont la ligue  était en guerre avec les Achéens. Dorimarque, général des Étoliens, se vengeant des Épirotes, alliés  des Macédoniens et de la ligue achéenne, après avoir ravagé une grande partie de l`Épire, détruisit aussi Dodone 2).  Shënimi 2. Polyb., Bell. soc. ach., IV, 67).

Në këtë koment të Karapanos, ajo që ne kërkojmë është se ku ndodhet Dodona. Karapanua na thotë se Dorimahu shkatërroi një pjesë të madhe të Epirit. Në cilën pjesë të Epirit hyri ushtria etoliane? Po në afërsi të luginës së Carakovistës ishte Passaroni, kryeqyteti i molosëve dhe njëkohësisht i epirotëve. Kjo distancë (Pasaron-Carakovistë) është rreth 20 km. Në Pasaron ishin garnizonet ushtarake. Nëse Dodona do të ishte në luginën e Carakovistës, ushtria etoliane nuk do të largohej paqësisht nga Epiri. Të paktën do të kishte një betejë midis dy ushtrive. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Pozicioni gjeografik i Pasaronit dhe i luginës së Carakovistës (Dodonës së Karapanos) është: lugina e Carakovistës në jug të Passaronit, ndërsa Passaroni në veri të luginës së Carakovistës. Ky pozicion gjeografik i luginës së Carakovistës na thotë që ushtria etoliane ka sulmuar nga Jugu i Epirit, pasi vetë Etolia shtrihet në Jug të fiseve epirote.

Për të patur një ide më të qartë i drejtohemi po atij burimi që i është drejtuar vetë Karapanos.

Polibi, libri IV.

“Kur erdhi dita e zgjedhjeve, etolët zgjodhën për strateg të tyre Dorimahun; ky, me të marrë fuqinë në dorë, mblodhi ushtrinë dhe hyri në krahinat e sipërme të Epirit, duke shkretuar vendin pa pikë mëshire dhe jo aq pse kështu ia kërkonte interesi i vendit të tij, sesa për t`u bërë keq epirotëve. Kur arriti në faltoren e Dodonës, …..”5).

Shohim që Polibi e ka sqaruar dhe pozicionin gjeografik të hyrjes së ushtrisë etoliane. Pika e kontaktit fillestar të ushtrisë etoliane me Epirin është në pjesën e sipërme të tij. Kjo pjesë e sipërme e Epirit shënjohet me luginën e Përmetit. Për të hyrë këtu, ushtria etoliane ka përdorur rrugën në lindje të Pindit dhe pika e parë e kontaktit me fiset epirote shënohet në Luginën e Sipërme të Vjosës (Aoos). Dorimahu hyri në pjesën e sipërme të Epirit duke realizuar synimin e tij pa i shkaktuar ushtrisë asnjë dëm. Dhe ashtu ndodhi. Kronika e Polibit nuk na jep ndonjë detaj që ushtria epirote dhe ajo etoliane u ndeshën me njëra-tjetrën. Kjo dëshmi e Polibit e vendos Dodonën në veri të Epirit, sikundër e ka përshkruar.

Shohim se si e ka komentuar këtë dëshmi të Polibit një tjetër autor, në fjalorin e tij gjeografik. Duhet theksuar se duhet t`u besojmë studiuesve sipas profesioneve të tyre. Një historian, nuk ia lejon vetes të ngatërrojë datat me njëra-tjetrën. Një gjeograf nuk mund t`ia lejojë vetes të gabojë me pozicionet gjeografike apo kufijtë e krahinave njëra me tjetrën.

William Smith, Dictionary of Greek and Roman Geography (1854)

“E dhëna e shkatërrimit të Dodonës nga Etolianët tregon se ishte në frontin lindor të Epirit. Polibi thotë se Etolianët marshuan në pjesën e sipërme të Epirit, fjalë të cilat janë të njëllojta me Epirin e Sipërm ose pjesët më të largëta nga deti në drejtimin qendror të vargmaleve”6).

“The account of the destruction of Dodona by the Aetolians also shows that it was on the eastern frontier of Epeirus. Polybius says (l.c.) that the Aetolians marched “into the upper parts’ of Epeirus)” (εἰς τοὺς ἄνω τόπους τῆς Ἠπείρου), which words appear to be equivalent to Upper Epeirus, or the parts most distant from the sea towards the central range of mountains”.

Gjeografi William Smith e ka marrë të plotë dëshminë e Polibit dhe ka përcaktuar koordinatat e Dodonës:

1- ishte në frontin lindor të Epirit.

2- ishte në pjesën e sipërme të Epirit

Të dy këto të dhëna e vendosin Dodonën në verilindje të Epirit. Në verilindje të Epirit është lugina e Përmetit. Lugina e Carakovistës është në mes të Epirit.

Manipulimi i dëshmisë së Polibit është shembulli më i qartë se si ka vepruar Karapanos. I ka hequr dëshmisë të dhënat gjeografike. Mungesa e këtyre të dhënave e bën dëshminë të pavlefshme dhe me të tilla manipulime Dodonën mund ta vendosësh ku të duash, por jo në vendndodhjen e saj reale.

3- Karapanos ka vendosur një lumë në luginën e Carakovistës, ndërsa ky lumë nuk ekzistonte

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 150.

”Një lumi të cilit disa autorë të vjetër i japin emrin Dodon dhe që ishte formuar nga një pjesë e ujërave që dilnin në këmbët e malit Tomaros, rridhte në luginën e Dodonës”7).

“ Une rivière, à laquelle quelques auteurs anciens donnent le nom de Dodon, et qui était formée par une partie des eaux jaillissant aux pieds du Tomaros, coulait dans la vallée de Dodone 2 Shënimi 2. Steph. Byz. In v. Dodoni et Eustath., Comm. In Homer., Il., B., v. 750 (v.  page 130, note 1)

Po a ka lumë në luginën e Carakovistës? Sigurisht që nuk ka. Aq më tepër që ky lumë të kalojë pranë faltores së orakullit ku e vendosin autorët e antikitetit. Vazhdojmë më tej arsyetimin e Karapanos

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878

“Tokat e kësaj pjese të fundit janë të përmbytura plotësisht gjatë dimrit nga ujërat e burimeve që dalin në këmbët e malit Tomar. Një pjesë e madhe e këtyre ujërave nuk pushojnë gjatë gjithë verës dhe sipas dëshmisë së fshatarëve gjysma e fushës formonte, para 30 vjetësh, një kënetë të përhershme”8).

“Les terres de cette dernière partie sont submergées presque en entire pendant l`hiver par les eaux des sources qui surgissent au pied du Tomaros. Une grande partie de ces sources ne tarissent pas, même pendant l`été, et, d`après le témoignage des villageois, la moitié de la plaine ne formait, il y a  une trentaine d`années, qu`un marais permanent”.

Pjesa e poshtme e luginës, e gjatë vetëm 5 km., vetëm sipas dëshmisë së banorëve të fshatrave të luginës, ishte e përmbytur. Kjo do të thotë që në kohën e Karapanos, fusha nuk ishte vend moçalor. Po e pranojmë dëshminë e fshatarëve që 30 vite para vitit 1878, (pra, para viteve 1850), gjysma e kësaj lugine ishte një vend moçalor. Po nëse ekziston sipas Karapanos orakulli dhe vendi moçalor, nuk ekziston lumi, që është e dhëna më e rëndësishme që na vjen nga autorët e antikitetit dhe që pranohet edhe prej Karapanos: orakulli i Dodonës ndodhej pranë një lumi. Mungesa e lumit në këtë pjesë të poshtme të luginës vërteton që në këtë pjesë të luginës së Carakovistës nuk ka orakull të Dodonës pellazgjike.

Por duhet të theksojmë se në këtë pjesë të poshtme të luginës nuk ka patur as vend moçalor.

William Martin Leak, që e kishte vizituar këtë luginë 70 vite më parë se Karapanos, dëshmon se kësaj lugine i mungonte ujët “deficient in water”9), duke vërtetuar në këtë mënyrë se dëshmia e Karapanos për një vend moçalor 30 vite para tij,  nuk ka qenë e vërtetë.

Po ekzistencën e lumit në luginën e Carakovistës e ka rrëzuar dhe Akademia e Athinës. Në librin e botuar prej saj “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997, është vendosur dhe harta e Epirit. Në atë hartë shohim që asnjë lumë nuk kalon pranë Dodonës. Në luginën e Carakovistës mungon lumi.  Degët lumore janë formuar jashtë kësaj lugine. Në juglindje është fillimi i lumit Luros dhe në veriperëndim dega e lumit Kalamas fillon tek vendi i quajtur Psina.

Akademia e Athinës nuk mund të vendoste lumë, atje ku nuk ekzistonte.

Në përfundim të shqyrtimit të këtyre tri dëshmive e kemi të qartë se si u arrit që Dodona të vendosej në luginën e Carakovistës. U manipuluan prej Karapanos dëshmitë e autorëve të antikitetit. Jemi para të njëjtit fakt: ashtu si në një proces gjyqësor, kur një dëshmitar apo palë jep dëshmi të rreme. Nëse provohet që një vendim gjykate është marrë mbi bazën e dëshmive të manipuluara, çështja rishikohet.

Pra, lind e drejta që çështja të rishqyrtohet. Të tri këto dëshmi të manipuluara prej Karapanos përbëjnë dhe dëshmitë bazë mbi të cilat institucioni shkencor francez e certifikoi Dodonën në luginën e Carakovistës. Në kohën që këto dëshmi bazë provohen si dëshmi të manipuluara, praktikisht është rrëzuar dhe vendimi i institucionit shkencor që e çertifikoi luginën e Carakovistës si vendndodhjen e Dodonës. Ndodhemi para një procesi të ri vlerësimi.

Pjesa e dytë

Dodonën në luginën e Carakovistës nuk e vërtetojnë as gjetjet arkeologjike.

Gërmimet arkeologjike në luginën e Carakovistës të bëra prej Karapanos iu paraqitën institucionit shkencor francez që bëri dhe certifikimin e Dodonës në këtë luginë. Në këto gjetje arkeologjike nuk gjen tek asnjëra prej tyre ku të shkruhej qyteti i Dodonës. Në mbishkrimet e tjera, sidomos në ato që quhen petëza orakullore, vërtetohet se ato i drejtoheshin Di Naios, që do të thotë se ky qytet nuk i përket Dodonës e cila nderonte Di Dodonen. Oponentët e Karapanos: M. le Baron de Witte anëtar i Institutit, M.E. Egger dhe Leon Heuzey, nga moria e dëshmive arkeologjike nuk veçuan ndonjërën trej tyre për ta sjellë si provë për ekzistencën e Dodonës në Carakovistë, por e morën të mirëqënë Dodonën në luginën e Carakovistës, kurse dëshmive historike pothuajse iu shmangën fare.

Certifikimi i Dodonës në luginën e Carakovistës, në vendin e gabuar, përbën një nga gabimet më të rënda që shkenca ka bërë deri më sot. Tjetërsimi i Dodonës është tjetërsim identiteti, gjë që e futi shkencën historike në një rrugë të gabuar. Nuk mund të ketë kurrë përfundime shkencore, kur ato ngrihen mbi dëshmi të manipuluara.

Një nga momentet kur Dodona do të mund të shënonte kthesën e saj, ka qenë simpoziumi shkencor nën drejtimin e Pierre Cabanes: L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand,  22-25 octobre 1984.

Ndërmjet referuesve në këtë simpozium do të veçoj atë të arkeologut grek Sotirios Dakaris.

Sotirios Dakaris: Organizimi politik dhe urbanistik i qytetit në Epir

“…Vendi i shenjtë i epirotëve ishte qendër e Aleancës Epirote (343/2 deri në vitin 234/3) dhe më vonë Koinion i Epirit (234/3 deri në vitin 168). Në fillim të shekullit të III-të ose pak më herët, Buleterioni u vendos në lindje të teatrit (43,60 x 32,50 metra). Trualli në pjerrësinë e brendshme ishte rregulluar si një teatër, me disa ndenjëse guri. Disa qindra persona që mund të vendoseshin brenda në Buleterion, i cili e kapërcente shumë numrin e atyre që duheshin për të përfaqësuar fiset e Aleancës apo të Koinionit. Nga fundi i shekullit të III, pranë tribunës ndodhej altari i Zeus Buleus. Aleanca drejtohej nga mbreti Molosisë, prostati dhe 10-15 magjistratë, anëtarë të fiseve. Pas rënies së fuqisë molose, Aleanca u zëvendësua nga Koinioni, në të cilin merrnin pjesë më shumë fise epirote.  Ndoshta kjo rritje shkaktoi shtesën në krahun lindor, me dhoma shtatë vendesh në ndërtesën O, që shërbente për prytanët ose hoteleri për t`iu përgjigjur kërkesave më të mëdha të vendit të shenjtë.

Jashtë anës lindore të Buleterionit gjendeshin gjashtë baza me dekrete nderi të Koinionit epirot, ato mbanin disa statuja bronzi” 10).

Më tej arkeologu Sotirios Dakaris solli përmasat e disa qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë së Jugut, ku mund të veçojmë

Kasope

a-muri rrethues 2630m + shtesë e mëvonshme

b- sipërfaqja 30 ha + 6 ha nga shtesa e mëvonshme= 36 ha.

c- popullsia 10,000-12,000 banorë.

shtëpitë me mure katror rreth 230 m2

Goumani ( Gitana).

a-muri rrethues 2400 m.

b- sipërfaqja   28 ha.

c- popullsia  8.000 banorë

Bylysi

a-muri rrethues  2600 m.

b- sipërfaqja   28 ha

Dodonë

a-muri rrethues 750 m.

b- sipërfaqja 3,5 ha.11)

Ky qytet i luginës së Carakovistës kishte kryer funksionin e qendrës së institucioneve epirote.  Përmasat e tij ishin dhjetë herë më të vogla se qytetet e tjera në Epir dhe Iliri, pra Dodona e pretenduar ishte sa një lagje e këtyre qyteteve. Kjo mospërputhje solli reagimin e arkeologut Pierre Cabanes:

“Për sa i përket Dodonës ju i keni datuar gjithmonë ndërtimet e para të vendit të shenjtë rreth mesit të shekullit të IV; ajo që të habit me Dodonën janë përmasat shumë të ngushta të akropolit të qytetit, shumë herë më të vogla se qytetet e tjera për të cilat ju folët” 12).

“Quant à Dodone, vous avez toujours bien daté les premières constructions du sanctuaire vers milieu du IVe siécle ; ce qui étonne  à Dodone, ce sont les dimensions très restreintes de l` acropole, de la ville, beaucoup plus petite que toutes les autres cités dont vous avez parlé”.

Nga ndërhyrja e Pierre Cabanes ngushtohen akoma më shumë kufijtë e së ashtuquajtur Dodonë në Carakovistë. Mesi i shekullit të katërt, kur janë dhe ndërtimet e para të vendit të shenjtë, do të thotë se ky qytet dhe tempull datojnë sipas arkeologut grek Dakaris aty nga viti 343 deri në vitin 168 para Krishtit. Jetëgjatësia e këtij qyteti është vetëm 175 vite, që e lidh vetëm me lindjen dhe  rënien përfundimtare të institucineve të zgjedhura epirote.

Pra, ky qytet dhe tempull janë ndërtuar kur fuqinë në Epir e zotëronin plotësisht molosët. Duke qenë se ishte një qytet që pati vetëm dy shekuj jetëgjatësi dhe i përcaktuar që të kryente funksionin e Selisë Epirote, shpjegon dhe faktin që ishte një qytet i ndryshëm nga të tjerët. Ishte gati 10 herë më i vogël se Kasope apo 8 herë më i vogël se Bylysi. Nëse do të llogaritim banorët e qytetit të Carakovistës (sipas përllogaritjes që Dakaris bën më lart për qytetet e tjera të Epirit) mezi arrin 1 mijë banorë. Këto të dhëna e vendosin këtë qendër të banuar midis qytetit dhe fshatit. Ky numër kaq i vogël është një tjetër dëshmi që ky qytet në luginën e Carakovistës nuk ka lidhje me Dodonën pellazge. Ndërhyrja e Pierre Cabanes e vërteton këtë. Nëse Kasope kishte një sipërfaqe 36 ha, Dodona ishte vetëm 3.5ha. Si mundej që Dodona pellazge të ishte sa një lagje e këtyre qyteteve, kur në burimet historike përmendet si qytet ku në përbërje të tij jetonin shumë fise të përziera dhe që kishte vlerën e një kryeqyteti në Epirin e vjetër?  Ndaj dhe vërejtja e Pierre Cabanes ishte në një farë mënyre e tillë: ndajeni mendjen, ky qytet në përmasat e një lagjeje antike, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe qytet i Dodonës, edhe qytet i institucioneve epirote, siç ishte në të vërtetë dhe që u dokumentua në kumtesën e tij nga Sotirios Dakaris.

Pjesa e tretë

Në vendndodhjen e vërtetë të Dodonës

Një nga studimet që kërkon të sjellë një tablo të plotë të autorëve shqiptarë të cilët kërkojnë të provojnë origjinën e tyre pellazgjike është dhe studimi:

“La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce” i kërkuesit shkencor francez Gilles de Rapper.

Në studimin e tij ai ka sjellë disa nga ato prova që shqiptarët kërkojnë të vërtetojnë lidhjen midis pellazgëve dhe shqiptarëve siç është xhubleta apo këngët e vajtimit, sidomos në jug të vendit ku përfshihet dhe krahina e Çamërisë 13)

Një nga provat më të rëndësishme, me të cilën shqiptarët kërkojnë të provojnë lidhjen e tyre me pellazgët është kryeqendra e tyre: Dodona. Kësaj provë autori Gilles de Rapper, i ka kushtuar vëmendje duke sjellë autorët kryesorë që janë marrë me vendndodhjen dhe përkatësinë e saj etnike. Autori sjell pasazhin e Homerit tek Iliada (XVI, 233-235) në të cilin Akili i bën një lutje kryeperëndisë pellazge që nderohet në Dodonë me fjalët: “O Zeus, mbret i Dodonës pellazgjike, Pellazg,  që banon larg dhe kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë Selët”. Nisur nga kjo dëshmi e Homerit, por dhe ato të autorëve të tjerë antikë, studiuesit shqiptarë që janë marrë me pellazgët, pohojnë njëzëri që Dodona i ka përkitur kombit të pellazgëve. Këtë e vëren dhe autori i këtij studimi duke nënvizuar:

Gilles de Rapper, La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce

“Mbi këtë bazë, një pjesë e literaturës pelazgiste nuk heziton ta aneksojë Dodonën dhe ta bëjë atë ‘kryeqytetin kulturor’ të Pelazgëve (Aref 2004: 38)” 14).

Dodonën nuk e bëjnë kryeqytet kulturor të pellazgëve autorët e sotëm shqiptarë të përmbledhur në etiketën “pellazgjistë”. Dodonën si kryeqytet të Pellazgëve e kanë konsideruar autorët e antikitetit dhe ata të mëvonshëm duke i vënë në dukje fuqinë e saj politike, kulturore dhe fetare. Dodona ka kryer rolin e kryeqytetit të Pellazgëve dhe kjo ka qenë e pranuar nga autoritete politike dhe shkencore si Kostandin Porfyrogjeneti, perandor i Bizantit, (shek X pas Krishtit)

“Kryeqyteti i Epirit të Vjetër është qyteti i Dodonës, ku gjendet lisi që flet për misteret e perëndive”15)

Po a mund ta ketë dikush tjetër këtë të drejtë, përveç pellazgëve, për ta patur Dodonën kryeqytet të tyre? Ne jemi të detyruar të njohim identitetin e Dodonës si pellazge, ashtu siç e njihnin dhe ishte në antikitet.

Hesiodi (shek. VIII-VII para Krishtit)

Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve16).

Herodoti  (shek. V para Krishtit)

1-Pellazgët kishin zakon t`u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë 17).

2-Më pas helenët i morën këto emra (emrat e perëndive) nga pellazgët 18).

Efori  (shek. IV para Krishtit)

Orakulli i Dodonës është ndërtuar nga pellazgët19).

Janë këta autorë të antikitetit dhe shumë të tjerë që nuk na lejojnë t`i japim Dodonës identitet tjetër. Po absurditeti që kërkojnë t`i japin Dodonës identitet helen shtohet, kur provat vërtetojnë se Dodona nuk ekziston në luginën e Carakovistës, që do të thotë se çfarëdo konkluzioni që ka dalë në lidhje me të është i gabur. Të nxjerrësh konkluzione mbi një objekt që ka tjetër identitetit, do të thotë të japësh opinione që janë shumë larg së vërtetës.

Gilles de Rapper, La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce

“Disa shkrimtarë Pelazgistë përpiqen të tregojnë se vendi i shenjtë në Dodonë, i njohur kryesisht nga arkeologët dhe historianët si një vend i shenjtë helenik, është fillimisht një kopje ose shtojcë e një orakulli pelazgjik në anën tjetër të kufirit, në zemër të territorit aktual shqiptar (Cenollari nd [2009])”20).

Po cilët janë këta arkeologë dhe historianë që e njohin Dodonën si një vend helenik? Ky është Karapanos që e emërtoi Dodonën si faltore helene dhe institucioni shkencor francez që e pranoi tezën e Karapanos. Me ndonjë kundërshtim në Greqi, që nuk e ka pranuar vendndodhjen e Dodonës në luginën e Carakovistës siç mund të përmendet Zoto Mollosi, në të dy këto vende: Franca dhe Greqia, kanë qenë që pas viteve 1878 mbështetësit e tezës se Dodona na paska qenë helene. Edhe pse kanë kaluar 140 vite pas certifikimit që iu bë Dodonës si një faltore helene, shumë dëshmi dhe fakte kanë dalë në dritë që provojnë si vendndodhjen e gabuar të Dodonës në luginën e Carakovistës, ashtu dhe emërtimin e gabuar të saj si një faltore helene.

Gilles de Rapper, La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce

Duke folur për vendndodhjen e Dodonës Gilles de Rapper nënvizon:“Disa i përkasin lokalizimit tradicional pranë qytetit të Janinës (Spahiu 2009), ndërsa të tjerë propozojnë rezultatin e tyre, për shembull pranë fshatit Këlcyrë, në luginën e Vjosës (Mateli 2011).

Pas perëndeshës Athena dhe tragjedisë, është radha e orakullit të Dodonës që të tërhiqet në anën tjetër të kufirit në të njëjtën lëvizje: gjithçka që është e vjetër në Greqi ka një origjinë pelazgjike dhe prandaj ka të ngjarë të lokalizohet, në një version më autentik dhe më popullor në Shqipëri, sepse në Shqipëri qytetërimi pelazgjik ka pësuar më pak ndikime të jashtme 21).

Autori vë përballë dy grupimet që lidhen me Dodonën: atë tradicionalin që e vendos Dodonën pranë qytetit të Janinës dhe atë më të riun që e vendos në rrethinat e qytetit të Këlcyrës. Në këtë ballafaqim midis dy grupimeve, autori nuk tërhiqet nga grupimi tradicional dhe ta shohë me mëdyshje grupimin e ri që e vendos Dodonën në luginën e Vjosës, në rrethinat e Këlcyrës. Autori e di që në atë territor ku janë vendosur grekët e sotëm kanë jetuar pellazgët, sepse është e provuar nga burimet historike. Po autori pranon se në tokën shqiptare gjenden gjurmë të qytetërimit pellazgjik, madje këto gjurmë janë më të qarta në tokën shqiptare se në atë greke.

Gilles de Rapper pranon se qytetërimi pellazgjik është ruajtur më mirë në tokën shqiptare se në atë greke. Populli grek që ishte i ndryshëm nga ai pellazg, e përthithi qytetërimin pellazgjik duke bërë sundues qytetërimin e tij, ndaj dhe gjurmët pellazgjike nuk janë të ruajtuara mirë. Tek shqiptarët që janë i njëjti popull dhe qytetërimi i sotëm duke qenë vazhdimësi e qytetërimit pellazgjik, e ka të ruajtur atë qytetërim dhe autori sjell si shembull malin e shenjtë të Tomorit.

“Mali  Tomor,- thotë Gilles de Rapper,– është një mal ‘i shenjtë’ për shqiptarët, për dy arsye: në fund të gushtit është një pelegrinazh dhe është kënduar dhe personifikuar si ‘babai’ i shqiptarëve nga poetët e Rilindjes, sepse kulti i tij daton në një kohë para ndarjes së shqiptarëve në të krishterë dhe muslimanë.”22)

Autori e di mirë se ky është një rit pellazgjik dhe, nëse  shqiptarët e sotëm do të ishin të ardhur në kohë të mëvonshme, nuk do ta praktikonin këtë rit pellazg, ashtu siç nuk e praktikojnë dhe popujt e tjerë. Dodona është një realitet historik dhe gjeografik: ka qenë qytet me emrin Dodonë që kishte tempullin dhe orakullin dhe që nuk mund të lëvizin nga njëri vend në tjetrin nga dëshira e njerëzve. Nuk ka lëvizje të Dodonës nga Janina në Këlcyrë, sepse Dodona nuk ekziston në luginën e Carakovistës. Ajo që nuk ekziston realisht, nuk mund të lëvizë, veçse në imagjinatë. Shqiptarët kërkojnë Dodonën historike që ka një territor gjeografik, që ka një popull që e krijoi dhe e solli deri në shekullin e V pas Krishtit. Tashmë shqiptarët ia kanë gjetur vendndodhjen dhe ajo gjendet në rrethinat e qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë.

Përfundim

Franca është vendi që përgjatë këtyre dy shekujve të fundit ka shfaqur interesim të veçantë për Dodonën. Arsyeja është se Dodona nuk paraqet vetëm qytetërimin më të vjetër në hapësirën ballkanike, por është një pikë kulmore e këtij qytetërimi, që nëpërmjet orakullit të saj tërhoqi vizitorë edhe përtej hapësirës evropiane.

Mjafton të kujtojmë orakullin që athinasit morën nga Dodona pak kohë para pushtimit të Greqisë nga Maqedonia. Greqia ishte e ndarë dhe e përçarë sipas organizimit në qytete-shtete dhe orakulli i këshillon athinasit se, nëse spartanët zihen robër prej tyre të mos vriten, se robi është i shenjtëruar me veprimin e faljes që ai vetë kërkon apo sipas tregimit të Eskilit, kur danajt e ardhur nga Egjipti kërkuan strehë në Peloponez, Pellazgu që ishte Zot i vendit u bëri strehë dhe i trajtoi si të gjithë banorët e tjerë. Këto janë parime që kërkohen nga Evropa e këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Janë parimet e larta të këtij qytetërimi që u krijuan si ligje të shenjta në Dodonë dhe u zbatuan në praktikë, fakte që e bëjnë atë një nga pikat më kulmore të qytetërimit evropian. Ndaj interesimi i Francës për këtë qytetërim ka qenë i hershëm dhe vazhdon deri në ditët e sotme. Pas gabimit që Franca bëri duke e certifikuar Dodonën në vendin e gabuar në vitin 1878, siç duket ka një brerjeje ndërgjegjeje tek francezët dhe kjo u reflektua tek kundërshtimi i Pierre Cabanes në vitin 1984 se përmasat tepër të ngushta të atij qyteti që pretendohej si Dodona në luginën e Carakovistës, ishin larg për një qytet si Dodona që ishte me famë në antikitet.

Është me interes të vërehet se si trajtohet vendndodhja e Dodonës nga Gilles de Rapper. Ky autor nuk e kundërshton ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës, por në të njëjtën kohë nuk kundërshton as Dodonën në luginën e Vjosës. Ai mendon se Dodona mund të tërhiqet në anën tjetër të kufirit, pra në tokën shqiptare. E thënë më qartë do të ishte që vendndodhja reale e Dodonës mund të zbulohet në tokën shqiptare ku dhe dëshmitë pellazgjike janë të ruajtura më mirë. Unë mendoj se të dy autorët francezë (Pierre Cabanes dhe Gilles de Rapper) e kanë thënë fjalën e tyre dhe secili sipas mënyrës së vet e ka shprehur dyshimin për vendndodhjen e Dodonës në rrethinat e Janinës.

Nga ana tjetër edhe shqiptarët kanë përcaktuar qartë vendndodhjen reale të Dodonës duke përcaktuar luginën e Dëshnicës si vendndodhje të orakullit të Dodonës, kurse qytetin në shpatin e malit Trebeshinë dhe kalanë antike sipër tij si qytetin dhe tempullin e Dodonës pellazgjike. Që të dy vendet: Shqipëri dhe Francë janë më afër se kurrë për zbardhjen e së vërtetës. Tani pritet që njëri nga të dy vendet të marrë përgjegjësinë dhe të zbardhë vendndodhjen reale të Dodonës nëpërmjet institucioneve të tyre shkencore.

Bibliografi

1- Karapanos, Konstandin, “Dodonë e ses ruins” fq. 148

2-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, fq.168

3-Zoto Molossi, Ipeirotikai Meletai, Athinë 1878, faqe 44, 17. dhe fq.45,1

4- Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 170

5-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, 2002, fq. 56

6-Dictionary of Greek and Roman Geography, 1854. Zëri Dodona

7- Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 150

8- Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 9

9- Ëilliam Martin Leak Travels in Northern Greece, Volume 1, fq. 267-268

10- Pierre Cabanes, “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand,  22-25 octobre 1984, fq.73-75

11- Po aty, fq. 71-78

12- Pierre Cabanes, “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand, 22-25 octobre 1984, fq. 80

13-Gilles de Rapper La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce  fq. 5-7

14- Gilles de Rapper Po aty, fq. 8

15- Koço Bozhori-Filip Liço, burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë shek X-XV, Tiranë 1975, fq. 18-19

16-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, fq. 160

17-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë, 2002, fq. 16

18-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, 2002, fq. 17

19- Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, fq. 160

20- Gilles De Rapper La frontière ré-enchantée. Imaginaire national et pratiques de la frontière entre l’Albanie et la Grèce, fq. 9

21- Gilles de Rapper, po aty, fq. 9

22- Gilles de Rapper, po aty fq. fq.9

Ky studim është shkëputur nga libri “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë” , Tiranë 2020, faqe 183-208

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok