21/12/2024

Intelektuali e atdhetari Jahja Fusha (1919-1944)

0
Jahja-Fusha2

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

JAHJA FUSHA- “JAM DELEGAT I NJI POPULLSIE, QË NUK KA PAS, NUK KA AS NUK DO TË KETË VEÇ SE NJË DËSHIRË TË PANDRYSHUESHME NGA ASNJË FUQI NË BOTË: TË BASHKOHET DHE TË JETË PJESË TANËSORE E SHQIPNISË”.

(1919- pushkatohet me 27 dhjetor 1944)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Intelektuali e atdhetari Jahja Fusha u lind më 27 dhjetor, 1919 në Podujevë. Ishte i biri i Sahitit dhe nënës Shehide. Jahjaja i vogël u rrit e u edukua në një familje të brumosur me taban kombëtar. Vinte nga një familje e pasur llapjanë, dhe kontaktin e parë me Abetaren shqipe  e pati në familjen e tij, ngase dihej se babai i tij, veq librave të shumta në gjuhën shqipe që sillte nga Tirana, ai ishte njeriu i parë që solli Abetaren në Llap. Babai i tij dallohej për burrëri e për trimëri, dhe duke u nisur nga këto virtyte të larta njerëzore, populli i Llapit e caktoj kryetar të Podujevës e që ishte kryetari i parë shqiptarë në këtë qytet. Nëna Shehidja, Jahjan e rriti me një dashuri e kujdes të madh në kushtet e asaj kohe. Babai i Jahjas ishte arsimdashës i madh, andaj edhe pritej se djalin e tij do ta shkollonte dhe do ta arsimonte në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shkollën fillore e mbaroi në Podujevë, ndërsa për të vazhduar shkollimin familja e dërgoi në Shkup. Atje përfundoi shkollën Normale që për kohën ishte një arritje e madhe. Studioi filozofin e drejtësinë, por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, qe i detyruar që të ndërpret shkollimin, se zëri i atdheut ishte më i fuqishëm se të gjitha punët tjera që mendonte ti përfundonte. Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja që i përdorte në kontaktet që i mbante në Shkup. Gjatë studimeve pati takime të shumta me student përparimtar dhe mu nga këto biseda e kuptoi se sa e vështir ishte jeta nën robëri. Takimet e tija filluan të shpeshtoheshin sidomos me intelektual e patriot të mëdhenj shqiptarë. U bë mik e shok me Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën Luan Gashin, Bedri Gjinajn, Bedri Pejanin, Esat Berishën e shumë të tjerë. Aktiviteti i tij patriotik vije në shprehje sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku edhe e caktojnë Nënprefekt të Rrethit të Llapit. Jahja Fusha dallohej për organizimin dhe strategjinë luftarake që kishte. Ai me sukses të madh dhe me pak humbje në njerëz mbrojti dhe komandoi me forcat luftarake në mbrojtje të brezit kufitar mes Krahinës së Llapit dhe Serbisë nga çetnikët e partizanët, që nga Kepi i Krypës në Reçicë e deri në Orllan, duke e mbrojtur popullsinë llapjane nga masakrat e spastrimi etnik.

Më 16-20 shtator 1943, kur u organizua dhe u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Jahja Fusha se bashku me Hoxhë Visoken ishin caktua si delegat të popullsisë së Llapit që të marrin pjesë në të. Gjatë punimeve të kuvendit, Jahja Fusha ishte aktivë dhe gjatë atij takimi e shfrytëzoi edhe për të bisedua me shumë krerë të rezistencës kombëtare. Ndërsa në Kuvend, në mbledhja e tretë të Kuvendit, e cila u mbajt më 18 shtator 1943, në sallën e shkollës “Bajram Curri”. Sipas gazetës  “Kosova”, Tetuer 1943, Vitit i III, Nr. 51, 52, 53. Citojë se “Kryetari i Kuvendit, Z. Musa Shehu, mbasi konstaton se Delegatët janë të gjithë ndër vendet e tyne, hap mbledhjen dhe i ep, mandej, detyrën të ushtrimit të Kryesisë Nënkryetarit Z. Dr. Rexhep Krasniqi, i cili ven në rend të ditës së bisedimeve të Kongresit pikën e dytë të Programit: Bashkimi i Mitrovicës me Shqipni. Z. Krasniqi përfiton nga rasa që i epet për të tërhequn vërejtjen e mbledhjes rreth randësisë së madhe që ka pika e dytë e Programit të kongresit, çashtje e cila, në lidhje me vendimin e djeshëm të marrun me zane të përbashkëta, për bashkimin e Kosovës, Dibrës dhe Strugës me Shqipni, do të jetë nji plotësim i idealit të të gjithë Shqiptarvet: realizimi n’atë anë i andrrës së të gjithë atdhetarve: sigurimi i kufijve ethnik.

“Rendi i Ditës – thekson Kryetari, tue i dhanë fund bisedës së tij të shkurtën – e difton vetvetiu randësinë e vet. Aj thotë: Bisedim mbi çashtjen e bashkimit të Mitrovicës, Podujevës, Vuçiternës, Pazarit të Ri, Senicës e Zonës Neutrale me Shqipni”. Për fjalë paraqitet përfaqësuesi i Llapit, Jahja Fusha, i cili në mes tjerash dhe në mes duertrokitjeve nga të pranishmit fillon diskutimin “Un jam Delegat i Llapit (Podujevë), t’atij vendi që, ndonse vuejti shekuj nën zgjedhen e Perandorisë Osmane, ndonëse hoq nji mijë e e nji të zeza nën shkelmin e Klikës Ushtarake imperjaliste të Beligradit, nuk flet, as nuk din të flasë, prej njij skaje në tjetrën të gjanësisë së vet, tjetër gjuhë veç gjuhës s’onë amtare: Shqipes së pavdekshme; jam delegate i Llapit, i atij vendi qind për qind shqiptar, që padrejtësinat e Fuqive imperjaliste t’ Europës kishin dënue si shumë vende të tjera thjesht shqiptare me nji padrejtësi të randë: që të vuente ndonse qind për qind shqiptare, nën shkelmin e tiranisë imperjaliste të serbve; jam përfaqësues i Llapit, t’atij vendi që ka përbri zonën ku zotnon Kost Peçanasi, kjo vegël e verbtë e imperjalizmit serb që ka vra e pre shumë shqiptarë, pa kurrnji faj tjetër veç fajit se ishin, si gjithë vendi i jonë, si të gjithë ne të mbledhun këtu: Shqiptarë dhe që edhe sot e kësaj dite, nuk ban tjetër veç se sendergjue shfarimin e Fisit t’onë; jam Delegat i njij popullsije që ndër të gjitha mjerimet dhe përpjekjet e saja nuk ka pasë, nuk ka as nuk do të ketë veç se nji dëshirë të pandryshueshme nga asnji fuqi në botë: të bashkohet dhe të jetë pjesë tanësore e Shqipnisë”.

Pastaj, Jahja Fusha, në diskutimin e tij u mor, mandej gjatë e gjatë, me përshkrimin e hollësishëm të sulmeve të zhvilluara, herë mbas here, nga ana e fuqive imperialiste serbë dhe malazezë kundra krahinave të ndryshme të Prefekturës së Mitrovicës duke theksua, njëherë qëndresën të patundshme shqiptare në përballimin e sulmeve të përsëritura dhe mbrojtjen kreshnike të tokës së tyre, tokë të cilën nuk kanë pushua së lami me gjakun e tyre bujar për të mund m’e pa krejt të lirë dhe të lidhur përjetësisht me tërësinë jetësore të Dheut Arbënor. Dhe krejt në fund, Jahja Fusha, fton Kuvendin që të vendosë marrjen e të tëra masave që do të gjykohen të përshtatshme për të sigurua lidhjen e bashkimin e Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Podujevës, të Tregut të Ri dhe të Senicës me Shqipni…”

Ndërsa, në tubimin e organizuar nga Halim Spahija , më 26 qershor 1944, në Prizren, ku formohej Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare, Jahja Fusha avancohet në gradën e gjeneral majorit të Ushtrisë Shqiptare dhe caktohet që të organizoj mbrojtjen e vijës kufitare: Kumanovë- Vranjë- Topallë- Merdar- Prepallac- Kopaonik.

Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak të Mbrojtjes të Tokave Etnike Shqiptare përbëhej nga:

  1. Komandanti Suprem: gjeneral Qazim Komoni dhe
  2. Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare;
  3. Gjeneralmajori Fuad Dibra ishte përgjegjës për mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër-Manastir- Shkup;
  4. Major Shefqet Kapiteni, emërohet të mbroj vijën kufitare Shkup- Kumanovë;
  5. Gjeneralmajori Jahja Fusha, do të emrohet që të mbroj vijën kufitare: Kumanovë- Vranjë- Topallë- Merdar- Prepallac- Kopaonik;
  6. Majori Adem Voca, emërohet që të mbroj vijën kufitare Kopaonik-Jeni Pazar
  7. Profesor Ymer Berisha, caktohet që të mbroj vijën kufitare Jeni Pazar- Tivar.

Gjatë mbrojtjes së kufirit komandant i Regjimentit IV të Prishtinës, i cili me zotësinë dhe me mjeshtrin e një drejtuesi të përsosur, kishte detyrua shumë herë që të ikin Brigadat e Divizionet e armikut. Madje në vjeshtën e vitit 1944, kur lufta kishte hy në fazën përfundimtare, në rast të një sulmi kundër forcave nacionaliste në sektorin e Podujevës, ishin shkatërruar tri Divizione bullgare të motorizuara, të udhëhequra nga komunistët. Edhe nga ana e ushtarëve vullnetar, viktimat nuk ishin të pakta.

Në fund të vitit 1944, e fillimi i vitit 1945, Kosova ngadalë, po sigurt po binte në prehrin e Serbisë e të Jugosllavisë. Për atdhetaret filloi një etapë e errët e një kalvar i vërtet. Shumë nga atdhetaret qen të detyruar që të lëshonin atdheun, disa nga ata i pushkatuan, e disa të tjerë për të rezistuar dolën maleve.

Pas hyrjes së forcave partizane në Kosovë, Xhafer Deva dhe shumë patriot të tjerë e lusin me javë të tëra Jahja Fushën që të largohet bashkë me ta  nga vendi dhe të presin situata më të volitshme për tu kthye në atdhe dhe për të  fillua aktivitetin kombëtar. Jahja Fusha ishte kategorik në qëndrimet e tija dhe assesi nuk pranon që të largohej nga vendi duke thënë se: “Unë nuk mund ta thej Besën që ia  kam dhanë Popullit se do të jemi bashkë në të mirë apo të keqe, unë do të qëndroj me Popullin tim. Nuk kam ba asnjë të keqe, kam luftue për Liri. Lufta për Liri ashtë e drejtë themelore natyrore e njeriut e Popullit… Nëqoftëse bishat çetnikokomuniste e fajsojnë dike le të më fajsojnë mue, nëqoftëse e dojnë jetën time, nuk më dhimbet do ta jap dinjitetshëm por nuk do ta jap Popullin tim e as një nga bashkluftëtarët e mi… “,  ai e kishte lidhë fatin e vet me popullin e vet, dhe ikja nga vendi e quante tradhëti. E për tradhti ai nuk kishte lindur dhe gjithmonë i kishte urryer dhe luftua tradhtarët.

Jahja Fusha ishte i martuar me Luçia Gio-Fusha, me kombësi gjermane. Në kohën kur e arrestuan Jahjan, oznashet arrestuan edhe gruan e tij të bukur e burrërore. Edhe pse ishte shtatzënë e pushkatuan, vetëm e vetëm pse ishte gruaja e Jahja Fushës dhe deri në fund të jetës nuk deshi të largohej nga ai. Pushtetarët i ofruan gjithçka, duke filluar që nga postet e ndryshme, kthimin nga kishte ardhur e shumëçka tjetër, por gruaja e tij ishte mishërim i besës dhe i dashurisë me Jahjan. Nuk pranoi asgjë, bile disa oznash i kishte fyer rëndë, duke i quajtur sa të egër por edhe të mjer.

Sa më shumë që afrohej përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, aq më shumë zhvisheshin synimet e komunistëve jugosllavë, të cilët deri atëherë propagandonin çlirimin nacional, ndërsa në këtë kohë çdo kush që përhapte këtë qëndrim shpallej nacionalist dhe antijugosllav, ndërsa për të tillët nuk mungonte as plumbi.

Më 18-19 nëntor 1944 forcat gjermane largohen nga Kosova, dhe në vend të tyre u vendosën çetnikët që ishin konvertuar në partizan. Siç dihej pjesa më e rrezikuar në Kosovë ishte zona e Llapit ngase ajo ndodhej në pjesën kufitare me Serbin, andaj çetniket i kishin duart e lira që të vrisnin e të plaçkitnin shqiptaret dhe pasurin e tyre. Me qëllime të caktuara ndaj shqiptarëve Titoja kishte shpall amnisti më 21.11.1944,  për të gjithë ata që nuk kishin bërë krime, të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se atyre nuk do iu mungoi as qimja e flokut. E qëllimi dihej. Në këtë mënyrë mendonin se do i joshin patriotet dhe brenda një kohe të shkurtër do i likuidonin ata. Qëllimi ishte që në mënyrën më të lehtë ta arrestonin Jahja Fushën e Hoxhë Visokën e shumë të tjerë.

Jahja Fusha u arrestua gjatë muajit dhjetor 1944. Së pari e dërgojnë në burgun e Podujevës, pastaj e dërgojnë në burgun e Prishtinës. Po gjatë këtij muaji e arrestojnë edhe axhën e Jahjas- Aliun, dhe më vonë e pushkatojnë. Po ashtu edhe mikun e shokun e Jahjas, Hoxhë Visokën e pushkatojnë pa gjyqe. Në burg, Jahjaja nuk qëndroi gjatë. Pjesëtarët e OZN-es e morën disa herë në pyetje duke e rrahur në mënyrën më shtazarake. E akuzuan se ai kishte bashkëpunua me gjerman dhe se kishte krye vrasje të shumta ndaj popullatës serbe në Llap. Sa qëndroi në burg, Jahja Fusha, njerëzit e pushtetit tentuan që ta bindin atë që të bashkëpunoi me ta, në  mënyrë  që  të  punojë  kundër  interesave  kombëtare por   përkundër  të  gjitha  atyre  torturave  më  të  egra Jahjaja qëndroi i pathyeshëm në bindjet e tij  patriotike. Jahja Fushën, anëtarët e OZN-es nuk munden ta bindin as me hire as me pahir që të bashkëpunonte me ta. Andaj me 27 dhjetor 1944, mu në ditëlindjen e 25 të tij, e dënojnë dhe e ekzekutojnë me pushkatim në vendin e quajtur Taukbahqe në Prishtinë. Pas vdekjes së atdhetarit e tërë pasuria e tij iu konfiskuan nga pushteti gjëja se në emër të një reforme agrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok