21/12/2024

INSTITUTI I STUDIMEVE SHQIPTARE (1940-1944)

0
Instituti-Studimeve-1940

Nga e majta: Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, At Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimitër Berati, At Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazër Shantoja

(Këtë studim ia kushtoj “At Giuseppe (Zef) Valentinit (1900-1979), sot në 52 vjetorin e krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)

Nga Paulin Z. Zefi

HYRJE

“Instituti i Studimeve Shqiptare (1940-1944)”, i njohur edhe si “Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare”, ka qenë institucioni shkencor dhe kulturor, që i parapriu Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nevoja e krijimit të një qendre të vetme të kulturës shqiptare e ka zanafillën që nga mesi i shek. XVIII, por çdo përpjekje e ndërmarrë në këtë drejtim nuk arriti objektivin e dëshiruar si rezultat i kushteve në të cilat gjendej vendi jonë gjatë periudhës së pushtimit osman. Ndërsa në vitet 20 dhe 30 të shek. XX, intelektualët shqiptarë, duke marrë si pikë referimi modelet e Akademive të Shkencave në vendet e Europës Perëndimore, në veçanti “Accademia Nazionale delle Scienze Italiana”, e njohur edhe si “Accademia dei XL”, e cila është themeluar në Verona, që në vitin 1782, u munduan të “skicojnë” krijimin një institucioni të tillë të ngjashëm. Mirëpo, si rezultat i vështirësive dhe sfidave të kohës, të gjitha përpjekjet shumëvjeçare të intelektualëve shqiptarë për krijimin e një qendre të vetme të kulturës shqiptare, do të bëhen realitet vetëm një vit pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Madje, ishin pikërisht vetë autoritetet shtetërore italiane, pra administrata e pushtuesit, që ofroi kushtet e favorshme dhe mori vendimin për krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Nëpërmjet këtij akti, Italia synonte të angazhonte intelektualet më të spikatur shqiptarë në projekte të perbashkëta me ata italianë, të udhëhequr nga mendimi se kjo ishte mënyra më e mirë për të afruar pranë vetes inteligjencën shqiptare. Vetëm kështu shpresohej se do të arrihej zbutja dhe kapërcimi I pezmatimit të madh, që kishte shkaktuar pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Ndërsa, vetë intelektualët shqiptarë, nga ana tjetër, vendosën për t’u angazhuar në një institucion të tillë, sepse ata kishin synime krejtësisht të tjera. Të udhëhequr nga mendimi se edhe në kushtet e veshtira të pushtimit do të mund të shfrytëzonin mundësitë që krijonte ngritja enjë institucioni të tillë në shërbim të studimeve në dobi të kulturës kombëtare, një pjesë e madhe e elitës intelektuale të vendit e mirëpritën ftesën për t’u bërë pjesë e Institutit. Siç konstaton me shumë të drejtë Prof.Dr.Romeo Gurakuqi kur flet mbi këtë çështje: “Mund të konsiderohen si pjesë e “arkitekturës institucionale” shkencore dhe kulturore që italianët u munduan të krijonin në Shqipëri, në mbështetje të politikës së tyre të lejimit të zhvillimit të patriotizmit ideal antik dhe nxitjes së studimeve albanologjike për të kamufluar politikat ekspansioniste, por që u shfrytëzua maksimalisht nga njerëzit e kulturës shqiptare, për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme, pa veshje fashiste, studimeve shkencore, të arsimit e kulturës shqiptare dhe nxitjes së jetës intelektuale.” Pra, me pak fjalë, ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, e cila e kishte themeluar Akademinë e saj të Shkencave dhe të Arteve që në vitin 1841 dhe Greqia, që e kishte themeluar Akademinë e Athinës në vitin 1926, duke u mbështetur mbi parimet e Akademisë historike të Platonit, a mund të refuzohej “ftesa e Pushtuesit Perëndimor” për t’u angazhuar në krijimin e një “Akademie Shqiptare”?!… Natyrisht që çdo intelektual patriot e largpamës nuk mund t’ia lejonte vetes ta humbiste një mundësi të tillë! Kjo pasqyrohet shumë qartë te lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Studimeve Shqiptare i mbajtur nga data 9-13 prill të vitit 1940, ku bien në sy disa nga personalitetet më të spikatur shqiptare të kohës.

  1. KRIJIMI I INSTITUTIT TË STUDIMEVE SHQIPTARE

Më 8 prill 1940 Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave miratoi krijimin e Fondatës (fondacionit) “Skanderbeg” si dhe statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Ndërsa, themelet e Institutit te Studimeve Shqiptare i hodhi Kuvendi i Studimeve Shqiptare i mbajtur në Tiranë nga data 9-13 prill të vitit 1940 me insiativën e Ministrisë së Kulturës Popullore. Siç vërehet nga masat e ndërmarra në këtë drejtim nga projektuesit italianë, duket shumë qartë se ata e kishin me ngut mbajtjen e këtij Kuvendi. Në fakt, qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë që të shmangej zemërimi dhe protestat e rretheve të dijetarëve shqiptarë të kohës, por gjithashtu të tërhiqej vëmendja e mbarë opinionit publik shqiptar, në rrethanat e përvjetorit të pushtimit fashist të vendit. Për këtë arsye, autoritetet italiane deklaruan se qëllimet zyrtare të këtij Kuvendi ishin:

1) një vendosje e parë e kontakteve mes studiuesve italianë, që merreshin me studime shqiptare dhe intelektualëve shqiptarë të fushave gjegjëse;

2) përgatitja e një plani pune të përbashkët për nevojat më urgjente kulturore;

3) përgatitja e një programi të detajuar për një kongres të studimeve shqiptare, që do të mbahej në Napoli, në muajin shtator të vitit 1940.

Pikërisht me këtë rast do të jepej edhe lajmi mbi krijimin në Tiranë, të një Instituti të Studimeve Shqiptare. Kuvendi i Studimeve Shqiptare realizoi takimin e parë midis studiuesve italiane te albanologise dhe intelektualeve shqiptare. Në këtë Kuvend, ku u diskutuan çështje të rëndësishme të Albanologisë Shqiptare si ato gjuhësore-letrare dhe historike, personalitetet e shquara të kulturës shqiptare dhe asaj italiane, që morën pjesë, ishin:

Shqiptarë: At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Frano Alkaj, Ali Asllani, Eqerem Çabej, Lef Nosi, Nebil Çika, Dhimiter Berati, At Marin Sirdani, Ethem Haxhiademi, At Filip Fishta, Mithat Frashëri, Vangjel Koça, Sotir Kolea, Karl Gurakuqi, Benardin Palaj, Stavro Frashëri, Anton Harapi, Lasgush Poradeci, Eqerem Çabej, Vangjush Miho, Kolë Kamsi, Tonin Guraziu, Mati Logoreci, Donat Kurti, Mikel Koliqi, Imzot Paolo Schiro, Ludovik Naraçi, Anastas Mio, Ndue Paluca, Terenc Toçi, Thoma Papapano, Namik Resuli, Odhise Paskali, Ekrem Vlora, Papas Sif Papamihali, Aleksander Xhuvani, Rosolino Petrotta, Petraq Peppo, Lazer Shantoja, Vinçens Prenushi, Ilo Mitko Qafzezi dhe Hasan Xega.

Italianë: Giuseppe (Zef) Valentini, Carlo Tagliavini, Sergio Bettini, Matteo Bartoli, Igino Epicoco, Angelino Corrias, Amedeo Giannini, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Lorusso Attoma, Gennaro Maria Monti, Gentilio Montanelli, Paolo Emilio Pavolini, Giusepppe Schiro, Mario Morandi, Papas Gaetano Petrotta, Domenico Mustilli, Carlo Alberto Straneo, Antonio Badacci, Nicola Loruso Attoma.

Në mesditën e datës 9 prill 1940, pjesëmarrësit në kuvend u pritën në Ministrinë e Arsimit nga Ministri Ernest Koliqi, që mbajti një fjalim të shkurtër dhe pasi falenderoi pjesëmarrësit shqiptarë dhe italianë, ai e vlerësoi këtë mbledhje si një përpjekje për lartësimin e kulturës shqiptare. Ernest Koliqit iu përgjigj në emër të të gjithë kongresistëve, Profesor Mati Logoreci, i cili pohoi rëndësinë e madhe të studimeve gjuhësore, duke shprehur me këtë rast kënaqësinë dhe falenderimin që organizatorët e Kuvendit i kanë kushtuar guhës shqipe. Më pas, vijoi përfaqësuesi italian, Carlo Tagliavini, i cili bëri një prezantim të detajuar të qëllimeve të punimeve të këtij Kuvendi, duke e vendosur theksin mbi cështjet që i perkasin fushës së gjuhësisë. Më pas e morën fjalën me rradhë, Eqerem Çabej, Sergio Bettini dhe Papas Sif Papamihali. Si President i Institutit të Studimeve Shqiptare u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, intelektual dhe politikan shumë i njohur, i cili ka qenë edhe firmëtar I Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë më 1912. Për meritat e tij në Albanologji u zgjodh si nënkryetar, Prof.Carlo Tagliavini, mbi rolin e të cilit flet gjerësisht Prof.Dr.Mimoza Priku. Në presidiumin e punimeve kanë qenë ulur i lartpërmenduri, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Carlo Tagliavini dhe Francesco Ercole. Si sekretarë kanë qenë Eqerem Çabej dhe Namik Resuli. Në ditën e parë të punimeve, në rend të ditës, Kuvendi i Studimeve Shqiptare shqyrtoi 3 çështje kryesore:

  1. Studime mbi gjuhën shqipe (Gjëndjen e punimeve te nisura, projekte pune për të ardhmen),
  2. Probleme të bashkimit të gjuhës letrare shqiptare,
  3. Studime mbi letërsinë italo – shqiptare.

Pra, që në ditën e parë të punimeve të Kuvendit u diskutua pikërisht për njehësimin e gjuhës letrare shqipe, një përpjekje me rendësi shumë të madhe për kohën. Pas kësaj, të shoqëruar nga Ministri Ernest Koliqi, kongresistët u drejtuan në Kryesinë e Këshillit të Ministrave, ku u pritën nga Kryeministri Shefqet Verlaci dhe më pas vijuan për në Mëkëmbësinë e Përgjithshme, tek Mëkëmbësi, Francesco Jacomoni di San Savino. Në orën 18:30, Mustafa Merlika Kruja mbajti në Teatrin “Savoja”, në gjuhën shqipe, një konferencë mbi problemin e unifikimit të gjuhës letrare shqipe, para një publiku të gjerë dhe para autoriteteve që kryesoheshin nga Francesco Jakomoni. Ndërsa në orën 20:30, në Rrethin “Skanderbeg”, Ministri Ernest Koliqi shtroi një darkë për të gjithë pjesëmarrësit. Veprimtaria e Institutit të Studimeve Shqiptare nën drejtimin e Mustafa Merlika Kruja, ka zgjatur nga 8 prilli i vitit 1940 dhe deri më 3 dhjetor 1941. Kapitali i dhënë ishte 8.000.000 lira italiane, prej të cilave 6.000.000 ishin investuar në dy ndërtesa dhe 2.000.000 lira, që do investoheshin në jetën e Institutit të Studimeve Shqiptare. Fondacioni “Skanderbeg”, i themeluar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretnisë Italiane, do të mbikqyrte administrimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Në fillimet e veprimtarisë së vet nën drejtimin e Mustafa Merlika Kruja, me vendim të Këshillit të Institutit të Studimeve Shqiptare, u formuan 3 komisione:

  1. Komisioni i Gjuhës dhe i Letërsisë,
  2. Komisioni i Historisë dhe i Gjeografisë,
  3. Komisioni i Arteve.

Instituti e ngarkoi komisionin guhësor të kujdeset për botimin e një të përkohshme tremujore me titull “Gjuha shqipe”, që do t’i kushtohej problemeve shkencore e praktike që i perkisnin gjuhës shqipe. Të gjitha shpenzimet për botimin e kësaj gazete i mori persipër vetë Mëkëmbësi i mbretit në Shqipëri, Z.Galeazzo Ciano, në mbledhjen e parë te Institutit më 13 prill 1940. Me ndihmën e Komisionit të Gjuhës do të perkrahej edhe botimi i një numri të madh veprash të rëndësishme, që do t’i shërbejnë mbarëvajtjes së punës së Institutit. Duhet të theksoj se me nismën e Institutit të Studimeve Shqiptare, që në vitin 1940 nisi edhe procesi i emërtimit të ri të rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit, duke pasur si kriter datat historike për Shqipërinë, emrat e dëshmorëve dhe të personaliteteve shqiptare në fushën e politikës, ushtrisë, letrave, artit e fesë, si dhe emrat e të huajve që i kanë shërbyer popullit shqiptar.

  1. INSTITUTI MBRETNUER I STUDIMEVE SHQIPTARE

Në muajin gusht të vitit 1942 me dekret mëkëmbësor, Instituti i Studimeve Shqiptare mori emrin Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare dhe kryetar i tij u emërua Ernest Koliqi. Instituti kishte 48 anëtarë të përjetshëm, që formonin Këshillin e Përgjithshëm me sekretar të përgjithshëm At Giuseppe (Zef) Valentinin. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare përbëhej nga katër komisione:

Komisioni i Letërsisë:

  1. Vinçens Prenushi,
  2. Sotir Kolea.

Komisioni i Shkencave Morale dhe historike:

  1. Marcos Milone,
  2. Dhimitër Pashko,
  3. Thoma Rollogai,
  4. Hasan Dosti,
  5. Kolë Dhimtri,
  6. G. Lorenzoni.

Komisioni i Shkencave natyrore, fizikë, matematikë:

  1. At Mark Harapi,
  2. Nikolla Lako,
  3. Vasfi Visoku,
  4. Michele Parrino,
  5. Ali Mihali,
  6. Jano Basho,
  7. Hamdi Sulçebe,
  8. Prof. Stefanuli.

Komisioni i Arteve:

  1. Odhise Paskali,
  2. At Lorenzo Tardo,
  3. Kristo Kono.

Në vijim, numri i anëtarëve të çdo komisioni do të përbëhet nga të paktën 8 veta dhe të gjithë këta kishin statusin e anëtarit të brendshëm. Çdo anëtar i brendshëm, i cili bën pjesë në një komision të caktuar, nuk ka të drejtë të bëjë pjesë në më shumë se një komision. Ky rregull pasqyron qartë seriozitetin me të cilin vepronte çdo komision. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare kishte katër nënkryetarë dhe nje administrator, që emerohej ndërmjet anëtarëve të brendshëm me dekret mekëmbësor dhe me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, mbasi të ketë dëgjuar kryetarin e Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Kryetarët, nënkryetarët dhe Administratorët përbëjnë Këshillin Akademik të Institutit. Nënkryetarët janë zgjedhur nga një për secilin komision dhe ata kryesojnë komisionin që u përket. Ndryshimet në statusin e Institutit bëhen vetëm me dekret mëkëmbësor, me propozimin e Kryetarit te Këshillit te Ministrave dhe të Kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Disa prej arritjeve kryesore të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare në vitin 1942 ishte botimi i “Fjalorit Terminologjik të Gjuhës Shqipe”, që u mundësua falë punës kolosale të gjuhëtarëve Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Paluca dhe At Giuseppe (Zef) Valentini. Po ashtu, pasi u mor në shqyrtim mënyra e të shkruarit të emrave të vendeve të Mbretërisë Shqiptare, u mor një vendim sipas të cilit: “Në shkrimin e emërtimeve të ndryshme do të përdoret emri i caktuar i vendeve shqiptare, model i cili është bërë publik edhe në shtypjen e hartës së re “Shqipnija ” të prefekturave dhe nnënprefekturave, Bashkive dhe komunave të Shqipërisë.” Në fund, dua të nënvizoj faktin se Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare ka luajtur një rol përcaktues në fushën e toponamastikës, por edhe në zëvendësimin e neologjizmave me fjalë në gjuhën shqipe, sepse asokohe neologjizmat kishin filluar të përdoreshin gjerësisht në jetën e përditshme.

  1. INSTITUTI SHQIPTAR PËR STUDIME DHE ARTE

Më 22 prill të vitit 1944, pas ndryshimit te regjimit në vend në atë që njihet si periudha e pushtimit gjerman të Shqipërisë, Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare u riorganizua. Nëpërmjet një dekreti të Këshillin të Naltë të Regjencës ai ndryshoi emertimin nga Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare në Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte dhe Kryetar u zgjodh At Anton Harapi.  Menjëherë pas riorganizimit të personelit dhe të zyrave, u caktuan Komisionet e përhershme dhe komisionet e Gjuhës dhe të Fjalorit të Botës Shqiptare. Veprimtaria e Institutit në këtë periudhë ndahet në dy hallka ose dy pjesë të ndryshme, por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: Veprimtari kulturore, e cila synonte nxitjen e një levizjë intelektuale me qëllim zhvillimin e shpirtit shqiptar dhe veprimtari gjuhësore, si: botime, përkthime, manifestime, Biblioteka etj. Pranë Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte u emëruan shumë anetarë të rinj, si:

Fan S. Noli, Mithat Frashëri, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi, Ali Asllani, Kristo Floqi, Arshi Pipa, Krist Maloki, Spiro Konda, Dedë Gostani, Gaspër Shoshi, Gjelosh Luli, Gjush Sheldia, Llukë Karafili, Rexhep Krasniqi dhe Vasfi Samini.

Ndërsa anëtarë korespondues ishin:

Dom Nikoll Gazulli, At Marin Sirdani, Hamdi Karazi, Dom Ndre Zadeja, Kostaq Cipo, Hamid Kokalari, Rexhep Krasniqi, Vangjel Meksi, Jakov Milaj, Osman Myderizi, llia Mitrushi, Hamdi Sulçebe, Mitrush Panariti, Vedat Kokona dhe Koço Tasi.

Me zgjerimin e fushave të kërkimit dhe të numrit të studiuesve, të cilët tashmë ishin vetëm

shqiptarë, të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Veprimtaria e

Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte, rezultoi në:

  1. Hartimin e listës emërore të intelektualëve shqiptarë, që merreshin me letërsi, arte

dhe shkencë, sipas profilit te tyre.

  1. U përgatit një fletë biblografie, e cila do të shërbente si nje statistikë për të

evidentuar dorëshkrimet origjinale ose të perkethyera që gjendeshin në vendin

tonë.

  1. U mor vendimi për botimin sa më shpejt të një fjalori të përdorshëm të gjuhës

shqipe të folur.

  1. Menjëherë filloi puna për hartimin e Fjalorit të Botës Shqiptare, që do të përbënte

një enciklopedi të së kaluarës sonë historike si komb dhe si racë. Kjo enciklopedi

do të shpaloste të drejtat tona kombëtare ndaj dhe iu kushtua një vëmendje e

jashtëzakonshme.

  1. Botimin e Historisë së Shqipërisë.
  2. Hartimin e një monografie udhëheqëse te Shqipërisë, e cila do të botohej edhe në

gjuhë të huaja.

  1. Përpilimin e Kalendarit Shqiptar që do të botohej çdo vit. Edhe ky kalendar ishte

një enciklopedi e të gjithë veprimtarisë shoqërore dhe kulturore të vendit tonë.

  1. Instituti studioi oportunitetin ose jo të ligjit mbi të drejtat e pronësisë intelektuale

dhe artistike.

  1. Drejtoria e Bibliotekës së Institutit përpiloi Biblografinë Shqiptare të vitit 1944

dhe do të punohet për biblografitë e viteve të mëparshme, duke i nxjerrë nga

vëllimet e botuara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

  1. Për të qenë sa më të moralshëm në punën e tyre, Institutit Shqiptar për Studime

dhe Arte ngarkoi anërarë që të përgatisin listën e pjesëve muzikore të huaja të

përshtatura në shqip, te cilët për fat të keq ose i veshin autorësinë e tyre ose i lënë

pa autorësi fare.

  1. Instituti bashkëpunoi me zyrën e statistikës për të nxjerrë një listë emërore të të të gjithë të diplomuarëve pas vitit 1912 për të nxjerrë në dritë përpjekjet e popullit shqiptar për kulturë, pavarësisht kushteve historike shoqërore dhe ekonomike.

Me pak fjalë, veprimtaria e Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte nën drejtimin e At Anton Harapit, ka qenë tepër e ngjeshur, dinamike dhe rezultative, duke vijuar punën e shkëlqyer të I.S.SH. dhe I.M.S.SH., por sidomos, duke lënë për pasardhësit një pasuri shumë të çmuar…

  1. KOMUNIZMI DHE FATI I INSTITUTIT

Pas një pune kolosale, Instituti i Studimeve Shqiptare e ndërpret veprimtarinë e vet në fundin e vitit 1944, menjëherë pas çlirimit të vendit tonë nga Gjermania naziste dhe ardhjes së komunistëve në pushtet. Këta të fundit, krahas konsolidimit të pushtetit diktatorial, morën një sërë masash edhe në fushën e kulturës, duke i cilësuar disa nga intelektualët më të spikatur që ishin anëtarë të Institutit të Studimeve Shqiptare si kolaboracionistë dhe tradhtarë. Siç edhe e kam trajtur në këtë punim, pranë Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë u mblodh e gjithë elita intelektuale e letrave shqipe, ku në mesin e tyre gjejmë disa nga patriotët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar. Mjerisht, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, pjesa më e madhe e kësaj elite intelektuale, ose do të eliminohet fizikisht brenda pak vitesh, ose do të detyrohet të largohet nga vendi. Vetë Kryetari i Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte, At Anton Harapi, pasi u arrestua dhe u burgos, ai u shpall prej Gjykatës Speciale në Tiranë si kriminel lufte, armik i popullit e sabotator I pushtetit dhe më 20 shkurt të vitit 1946 u ekzekutua me pushkatim. Dy ish-kryetarët parardhës të të ndjerit, At Anton Harapi, Mustafa Merlika Kruja dhe Ernest Koliqi, që ishin larguar me kohë nga vendi i shpëtuan arrestimit dhe dënimit të sigurt me vdekje. Pasi Partia Komuniste mori pushtetin në Shqipëri, ata krijuan në mërgim më 9 nëntor të 1946 partinë e “Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI)”, një grupacion politik i Mërgatës Shqiptare. Vetëm një numër shumë i kufizuar i elitës intelektuale, që kishin qenë pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe që nuk u larguan nga vendi, arritën t’i mbijetonin histerisë komuniste, kryesisht falë lidhjeve familjare dhe miqësore me njerëzit e pushtetit popullor ose duke u mbyllur hermetikisht në vetminë e tyre intelektuale brenda territorit të Shtetit Shqiptar, i njohur si Qeveria Demokratike e Shqipërisë (1944-1946) dhe më vonë, si Republika Popullore e Shqipërisë (1946-1976). Nga ana tjetër, ishin vetë komunistët, të cilët, menjëherë pas çlirimit të vendit nga Gjermania naziste, i rimorën idetë dhe parimet e Institutit të Studimeve Shqiptare, duke vendosur që të vazhdohej ecja në po të njëjtën rrugë, deri në vitin 1946 kur mbi themelet ekzistuese u ngrit Instituti i Studimeve. Në vitin 1948 ky institucion u riorganizua si Instituti i Shkencave dhe u bë një vatër shumë e rëndësishme e kërkimeve dhe veprimtarive shkencore. Për të rritur efikasitetin e tij, u rikthyen disa prej anëtarëve të mëparshëm të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe po ashtu, u përfshinë gradualisht edhe punonjës të rinj, duke rritur numrin e tyre. Kryetar ose drejtues i parëi i Institutit të Shkencave ishte Selahydin Toto. Mirëpo, deri në vitin 1972 në vendin tonë vepronin plot 25 institucione kërkimore-shkencore dhe në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar. Kështu, me dekretligjin Nr. 4993, datë 10 tetor 1972, Presidiumi i Kuvendit Popullor shpalli themelimin e Akademisë së Shkencave të R.P.SH. dhe ky institucion i lartë shkencor do të varej drejtpërsëdrejti nga Këshilli i Ministrave, i cili miratonte statutin, orientonte tematikën e punës shkencore dhe miratonte buxhetin e saj. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973 dhe kryetar i saj u zgjodh Prof. Aleks Buda. Krijimi i Akademisë së Shkencave të R.P.SH. ishte ngjarja më e rëndësishme në jetën shkencore të vendit gjatë periudhës së regjimit komunist. Pavarësisht se kurrë nuk i janë njohur atributet, gjithçka u ngrit mbi themelet e forta dhe solide, që hodhi Instituti i Studimeve Shqiptare (1940-1944), i cili përbëhej nga ajka e elitës intelektuale të kohës.

BIBLIOGRAFIA:

Burime arkivore:

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 1.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 5.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 6.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 7.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 8.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 9.

AQSH, F. 200, V. 1940, D. 10.

Libra:

DERVISHI Kastriot,- Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë: 55, 2006.

ERMENJI Abas,- Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, ALBANIA: Publiée

par le Comité national-démocratique “Albanie Libre”/E boton Komiteti Kombëtar

Demokrat “Shqipnia e Lirë”, Vëllim i veçantë: Në Mërgim, Roma: Tip. Di Lauro, 1968.

FISCHER Bernd J. & SCHMITT Oliver Jens,- Një histori e përmbledhur e Shqipërisë,

(Perktheu nga anglishtja: Col Mehmeti), Prishtinë: Artini, 2022.

GURAKUQI Romeo,- Shqipëria dhe Tokat e Lirueme, 1939-1946, Vëllimi I, Botime

“Jozef,” 2018.

Historia e popullit shqiptar. Vëllimi IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas

saj (1939-1990), Akademia e Shkencave e Shqipërisë/Instituti i Historisë, Tiranë: Toena,

2008.

JACQUES Edwin,- Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e

sotme, Tiranë: Kartë e Pendë, Fondacioni Abraham Linkoln, 1995.

NDOJ Gjet,- Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së II Botërore (1939 – 1944): Shqipëria

Etnike u bë nga nacionalistët, Tiranë: Fast Print, 2023.

PLLUMI Zef,- Françeskanët e mëdhaj, Shkodër: Botime Françeskane, 2017.

PRIKU Mimoza,- Carlo Tagliavini dhe studimet albanologjike rreth shqipes, Shkodër:

Camaj-Pipa, 2011.

ZAVALANI Tajar,- Histori e Shqipnis, Ribotim (Botimi i tretë), Tiranë: Plejad, 2019.

Studime doktorale:

KUMBULLA Vojsava,- Instituti i Studimeve Shqiptare 1940-1944, (Doktoraturë e mbrojtur në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Hiatori-Filologji, Departamenti i Historisë), Tiranë: 2021.

Përgatitur nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 10.10.2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok