07/11/2024

NJË E DIELË ME HOMERIN

0

NGA NDUE DEDAJ

Ku nuk të kërkova, mor burrë, që të më gjeje Homerin, por, për fat e gjeta te kioska e gazetave, – më foli buzagaz fillerojtësi i moshuar me kapë mbi ballë. S’e kisha parë prej kohësh, që kur kishte dalë në pension nuk vinte më në Postë, por merrej me kopshtin në fshat.

Sot kishte zbritur në qytet për Homerin. Dhe e kishte gjetur te kioska e gazetave. Po ç’kërkonte Homeri aty? Kishte shkuar të blinte ndonjë gazetë? Në kohën e tij nuk kishte të tilla. Shkruhej në pllaka dheu. Dheu atëherë ishte industria e kohës. Me të piqeshin tjegullat e tullat. Me dhé përgatiteshin dhe fletët e librave. Vetëm heshtat nuk bëheshin prej dheu…

Fillerojtësi hapi plastmasin që mbante në dorë, brenda tij ishte “Iliada” e Homerit. Tha se e donte për nipin e tij, pasi e kishte në mësim dhe duhej të përgatitej për të nesërmen. E ftova për kafe, por ai tha se nuk kishte kohë, se i nipi e donte një minutë e më parë Homerin. Iku i gëzuar, por më i gëzuar mbeta unë këtë mëngjes, aty në sheshin e qytetit. Një nip që kërkonte me lexue Homerin dhe një gjysh që vraponte nga fshati në qytet për me ia gjet rapsodin e madh të botës të nipit. Kjo do të thotë se Homeri është gjallë, nuk ka dhënë shpirt tash dy – tri mijë vjet. Këtë e kuptova këtë të dielë. Vërtetë, a kishte kalendar atëherë? A kishte të Dielë, si sot, në kohën kur rroi Homeri, apo asokohe kishte një tjetër kohëmatje, të tjerë kohëtregues?…

Po pse u dashka ta vras mendjen unë për këso gjërash? Ishte historia për këto. Ama që Homeri nuk u gjet në shtëpinë e tij, por te “komshiu” (kioska e gazetave), kjo nuk është diçka e denjë për kohën tonë, që ia ka hequr atij çatinë mbi krye. Shqip, që nuk ka më librari! Gjyshi nuk mund të priste të hënën që të hapej Biblioteka, ku Homeri rri në krye të vendit, se nuk e linte i nipi. Ku më i gjetë nipa të tilla që të nxjerrin nga shtëpia që më natë, për me iu sjellë në shtëpi Homerin, Danten, apo… Hang Kang, nobelisten e fundit.

Nipër të tillë paçim! Se mbesat lexojnë dhe pa i uruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok