26/12/2024

INSTITUCIONI MAKS VELO

0
Zhiti-Velo

Nga Visar Zhiti

…do të donim që sonte Maks Velos të mundej t’i uronim datëlindjen e 88-të pranë një gote me verë në studio në shtëpinë e tij, mes veprave të shumta, pikturë dhe libra dhe të dëgjonim pakënaqësitë e tij prej intekektuali të lartë, nevrikosej shpejt dhe po ashtu qeshte çiltër, çelej dhe dukej më i bardhëllemtë.

Po si ta urojmë kur ka 4 vjet që ka ikur, veçse qiellërisht…

E njoha në burg, e kisha dëgjuar si arkitektin “postmodern”, që u dënua për pallatin kubist që projektoi ai për shkrimtarët dhe artistët e Realizmit Socialist në Tiranë. Kur e burgosën, ia dogjën pikturat.

– Po pallatin e shkrimtarëve nuk e hodhën në erë me dinamit si vepër e një armiku, – i thosha.

– Jo, jo, – lemerisej duke qeshur.  Le që na paskësh lindur në Paris, thoshin, si guxoi, shumë e dëmshme kjo për regjimin.

– Vërtet në Paris ke lindur?

– Dale, prit, e ç’të keqe ka? E keqja është që erdha, ha-ha-ha… kujdes, se po na afrohet një nga ata, spiunët.

Ishim miqësuar shumë. Dhe i kërkoja të bënte ndonjë kopertinë për librat që sajoja me fletë të grisura revistash dhe m’i qepte këpucari i burgut. Maksi u ngjiste gërmat apo ndonjë figurinë, edhe ai nga gazetat a revistat e Partisë i priste, e kam treguar në librin “Rrugët e ferrit”. Maksin e kam personazh të dashur.

Miqësia vazhdoi dhe pas burgut. Në ekspozita të tij donte të flisja veç unë në përurim dhe unë i kerkova të më bënte kopertinen e librit me poezitë e burgut, që mori dhe çmim…

Kur na erdhi në Romë në shtëpi, unë punoja në ambasadë atëhere, vizatoi tim bir, Atjonin e vogël.

Maksi vazhdonte të pikturonte ashtu siç e kishte nisur, impresionist parak, kishte diçka nga Paul Gauguin si në shpellat e tij, i veçantë, modern, silueta të zeza dhimbjesh me duart me pranga, e donte shumë ngjyrën e zezë, botoi albume, tregime e poezi, prozë të gjatë për burgun ikte jashtë shtetit, zemërohej me të gjithë, kritikonte politikanët, fanatikët, ishin më të shumtë ata që e donin, e ftonin kryeministra, presidentë, po edhe i shante, rebelohej, diskutonte në studioi televizive plot me gjestikulacione, ngiste makinën në moshë madhore nëpër Tirane, rrinte me vajza të reja, etj, etj.

Ishte plot me ide e imazhe, fliste ashpër kundër politikave të mbrapshta, antikulturore, korrupsionit, kaosit arkitektonik ashtu si dhe mendjet e çoroditura postdiktatoriale.

Europian në shije, institucion i gjallë, i thosha. Dhe njeri andej e tjetri këtej, e humbëm njeri-tjetrin.

Më në fund u bëmë prapë bashkë. Shkuam në Varshavë, na kishin ftuar në Senatin Polak, me mua ishte dhe Eda ime, që tregonte një përkujdes të veçantë për Maksin, në tryezën e ngrënies, në shëtitje. Mbas fjalës që ai mbajti, dhuroi në presidium albume të tij. Do të qeshte çiltër me fjalën time. Unë kisha thënë se vendi im politikisht i ngjan një “handicappati”, ka dy krahë të majtë, por njerin e ka ngulur djathtas, dy këmbë të majta, njërën e ka djathtas, por i sigurova të pranishmit në takim, përfaqësues nga Europa Lindore dhe Qendrore, se në vendin tim nuk kishte rrezik të kthimit të komunizmit, nga që s’kishte ikur akoma. Më përqafoi një delegat i Ukrainës.

Në aeroport na vunë në sallën e VIP-ve. Unë tregoja për Maksin. Ndillte adhurim, fytyrë gjerë si e gdhendur në gur, me ballin të lartë dhe të pjerrët, sy xixëllues me vetulla leshtore, trup madh si një Heminguej, kështu shkruajta një artikull tjetër në gazetën “Panorama”, Maks Velo – një institucion.

Takimi i fundit ishte në studio në shtëpinë e tij dy katëshe, të pasuvatuar nga jashtë, me lule dhe qen. Nuk kam shtëpi, ankohej, është e vëllait.

Na mahniten punët e tij te reja, por më shumë kur ai i dhuroi Edës të gjitha vizatimet që kishte për Nënë Terezën, skica, akrilik, vaj, madje me lejen e tij, Eda një portret të bukur të Shenjtes e dhuroi në SHBA, qendrës kulturore “Nënë Tereza”, pranë kishës shqiptare në Detroit.

Të ishte një amanet i tij? Se në vitin më pas iku… në Qiell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok