19/04/2024

Imazhi i Arbërisë Mesjetare në Evropë

0

Nga Dorian Koçi

Betejat  ushtarake të Gjergj Kastriot-Skënderbeut kundër osmanëve  ndikuan në imazhin e Arbërisë dhe arbërëve në Evropë. Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht  është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman, (1539-1591). Gravura më e rëndësishme e Jost Ammanit në këtë botim  të vitit 1578 të Frankfurtit është ilustrimi i një beteje të osmanëve në muret e Krujës. Në një nga këtë gravurë kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si një qytet mesjetar europian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.[1] Jost Amman nuk ka qenë në Arbëri por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë europiane të kohës. Ky vizatim i Amman nën ndikimin e frymës humaniste përforcon një proces historik më të hershëm që kishte filluar në territoret e Arbërit. Në brigjet e Adriatikut lindor  evolojnë qendrat urbane në  qytete republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok