ILUMINIZMI – UNIVERSITETE DHE AKADEMITË
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Natyralizmi apo studimi i natyrës – Natyralisti francez Zhorzh Byfon (Georges Louis Leclerc, Cont Buffon, 1707-1788) është autor i veprës “Historia e natyrës” (Histoire naturelle), enciklopedisë në 44 vëllime ku përshkruhen të gjitha njohuritë mbi botën natyrore. Kjo vepër u hartua në periudhën e viteve 1749-1804 dhe u përfundua prej bashkëkohësve pas vdekjes së tij. Kjo vepër dhe në veçanti vëllimet për mbretërinë e kafshëve, luajtën rol të madh në studimin e historisë së natyrës. Zhanri të cilit dukshëm iu rrit vlera është literatura shkencore. Natyralizmi apo studimi i natyrës bëhej gjithnjë më i popullarizuar ndër pjesëtarët e klasës së lartë. Disa prej punimeve të rëndësishme nga lëmi i studimeve të natyrës ishin “Historia natyrore e insekteve” (Histoire naturelle des insectes) e natyralistit, entomologut* dhe shkrimtarit francez të epokës së iluminizmit, Rene-Antuan Fersho dë Reomur (René-Antoine Ferchault de Réaumur, 1683-1757) dhe “Miologjia* komplete, ose përshkrimi i të gjithë muskujve të trupit të njeriut, 1746) e anatomistit, piktorit dhe grafikut francez Zhak Gotje d’Agoti (Jacques Fabien Gautier d’Agoty, 1716-1785).
Por, studiuesi francez i gjenealogjisë, Fransua-Aleksandër Ober dë La Shesnej (François-Alexandre Aubert de La Chesnaye, Desbois, 1699-1784) në veprën „Fjalori i fisnikërisë” (Dictionnaire de la noblesse, 1770), thotë se studimi i natyrës shpeshherë ka qenë çështje politike. Studiuesja amerikane E. C. Spary (1965-) thotë se klasifikimi që e kanë bërë natyralistët “rrëshqet midis botës natyrore dhe mjedisit shoqëror, me qëllim që të vendoset jo vetëm epërsia e profesionalizmit të studiuesve të natyrës, por edhe epërsia e natyrores ndaj shoqërores”. Nisur nga kjo, studiuesit e natyrës mund t’i ndërtojnë idealet shoqërore të veta, të bazuara në veprat shkencore të veta.
Publiku i synuar i studiuesve të natyrës (natyralistëve) ka qenë shoqëria e lartë franceze. Kjo, më tepër flet për diskursin specifik të zhanrit, sesa për çmimet përgjithësisht të larta të veprave për të. Me punimet e veta, natyralistët i plotësonin dëshirat e shoqërisë së lartë për erudicion. Duhet shtuar se shumë tekste kishin qëllim edukues eksplicit (të shprehur qartë). Por, ideja e shijes (le goût) ishte tregues shoqëror i vërtetë: Për të qenë vërtet i aftë për ta kategorizuar natyrën, duhet pasur shije të vërtetë, aftësi diskrecioni (takti, mase) që e kanë poseduar pjesëtarët e shoqërisë së lartë. Kësisoj, natyralistët apo studiuesit e natyrës përhapën shumë arritje shkencore të asaj kohe, por klasës dominonte i mundësuan një burim të ri legjitimiteti.
Jashtë ancien régime (regjimit të vjetër) të Francës, natyralizmi ishte një pjesë e rëndësishme e mjekësisë dhe e industrisë, duke përfshirë lëmenjtë si botanika, zoologjia, meteorologjia, hidrologjia dhe mineralogjia. M. D. Eddy thotë se në këtë kontekst, natyralizmi ka qenë synim i vërtetë i klasës së mesme dhe ka funksionuar si një fushë interdisiplinare e shkëmbimit të ideve shkencore të ndryshme.
Shënim:
- Entomolog – person që merret me studimin e insekteve; entomologji – degë e zoologjisë me merret me studimin e insekteve;
- Miologji (myologie) – pjesë e anatomisë që studion muskujt.
- Vepra „Fjalori i fisnikërisë” (Dictionnaire de la noblesse, 1770) jep pasqyrën e gjenealogjisë, të historisë dhe të kronologjisë së familjeve fisnike të Francës.
* * *
Revistat shkencore dhe letrare – Shumë revista shkencore dhe letrare (kryesisht recensione librash) të botuara në këtë periudhë, po ashtu janë provë e frymës intelektuale të iluminizmit. Shkrimtari dhe akademiku britanik Xhonata Izrael (Jonathan Irvin Israel, 1946-) sqaron se revistat profesionale, prej viti 1680 e këndej, kanë ndikuar në kulturën intelektuale të Evropës, më shumë se cilido inovacion kulturor tjetër. Revista e parë paraqitet në Paris në vitin 1665 dhe kjo është Journal des Sçavans (Revistë diturish). Por revistat nuk kanë mundur të prodhohen në mënyrë të konsiderueshme deri në vitin 1682. Gjuhët dominuese të revistave kanë qenë frëngjishtja dhe latinishtja, por vazhdimisht ka pasur kërkesa për materiale në gjuhën gjerman dhe holandeze. Në pjesën kontinentale të Evropës, kërkesa për tekste në gjuhën angleze ka qenë tejet e vogël. Por, edhe në Angli, kërkesa për revista në gjuhën frënge ka qenë e vogël. Për përhapjen e revistave, tregtia ndërkombëtare ka qenë më e rëndësishme se vetë gjuha. Për shembull, publikimet në gjuhët daneze, spanjolle apo portugeze kanë pasur sukses më të vogël. Kryesisht janë shfrytëzuar gjuhët që kanë qenë më të përhapura në tregti. Edhe pse në gjuhën gjermane janë botuar shumë publikime cilësore, megjithëkëtë, gjuha frënge dalëngadalë e zëvendësonte statusin e latinishtes si lingua franca e qarqeve intelektuale. Kjo e nxiti zhvillimin e industrisë së publikimeve në Holandë, ku shtypej pjesa më e madhe e këtyre revistave në gjuhën frënge.
Rëndësinë intelektuale të këtyre revistave, Xhonatan Izraeli (Jonathan Israel) e ndan në katër elemente. E para, roli i tyre për t’ia tërhequr vëmendjen publikut të kultivuar, larg autoriteteve zyrtare, kah ajo që është e re, inovacion dhe sfiduese. E dyta, ata kanë bërë shumë në nxitjen e idealeve iluministe të tolerancës dhe të objektiviteti intelektual. E treta, revistat kanë qenë kritikë implicite (e vetëkuptueshme) e ideve ekzistuese për të vërtetën universale, të monopolizuar nga monarkitë, nga parlamentet dhe nga autoritetet fetare. Këto revista, burimin e ri të diturisë e kanë nxitur nëpërmjet dijes (shkencës) dhe arsyes, gjë që i rrënonte burimet e vjetra të autoritetit. E katërta, ata e kanë paraqitur iluminizmin e krishterë që e vërteton legjitimitetin e autoritetit, të ardhur nga Zoti – Biblës – sipas së cilës, ndërmjet teorive biblike dhe teorive natyrore, duhet të ketë harmoni.
Shkollat dhe universitetet – Pjesa më e madhe e veprave të iluminizmit kanë qenë të prirë të theksojnë se ç’mendojnë intelektualët për arsimin dhe jo si ka qenë arsimi në shekujt XVII dhe XVIII. Teoricienët kryesorë të arsimimit, si filozofi anglez Xhon Lok (John Lockes, 1632-1704) dhe filozofi e shkrimtari francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques Rousseau, 1712-1778) theksonin rëndësinë e formimit të hershëm të mendjeve të reja (të fëmijëve). Në fazën e vonshme të iluminizmit u rrit kërkesa për qasje universale arsimimit, sidomos pas Revolucionit amerikan dhe Revolucionit francez. Në iluminizëm i mësonin fëmijët që t’i mbajnë në mend faktet nëpërmjet metodave gojore dhe grafike, të përcaktuara gjatë renesancës. Që nga viti 1750 e këndej, psikologji dominuese në arsim, sidomos në vendet e Evropës Veriore, ka qenë asociacionizmi, pikëpamje se mendja i asocion (i bashkon) dhe i disocion (i ndan) idetë nëpërmjet rutinës së përsëritjes. Përpos që i vinte në përdorim ideologjitë iluministe të lirisë, të vetëvendosjes dhe të përgjegjësisë personale, e jepte edhe teorinë praktike të mendjes, që u mundësonte mësuesve që format e kulturës së shtypit dhe të dorëshkrimeve t’i shndërrojnë në mjete grafike efektive të të mësuarit për klasën e ulët dhe të mesme. Shumë universitete me renome që i kishin prauar parimet përparimtare të iluminizmit, ndodheshin në Evropës Veriore. Midis tyre, më të njohura ishin universitetet në Leiden, Göttingen, Halle, Montpellier, Uppsalë dhe Edinburgh. Prej këtyre universiteteve, sidomos nga ai i Edinburgut, dolën profesorët, idetë e të cilëve kishin ndikim të theksuar në kolonitë britanike në Amerikën e veriut dhe më vonë, në Amerikë. Në shkencat natyrore, ekspertët e mjekësisë të Edinburgut, shquheshin në kimi, në anatomi dhe në farmakologji. Por, marrë në përgjithësi, universitetet dhe shkollat në Francë dhe në pjesën më të madhe të Evropës, kanë qenë bastione të tradicionalizmit dhe nuk kanë qenë të prira për iluminizmin. I vetmi përjashtim i madh në Francë ka qenë universiteti i mjekësisë në Monpelie (Montpellier).
Shënim: Universitetet më të vjetra në botë:
- Universiteti i Bolonjës (Università di Bologna) në Itali – është themeluar në vitin 1088 nga një grup i organizuar studentësh. Kurrë s’e ka ndërprerë punën. Është më i vjetri në botë dhe i pari në kuptimin e institucionit të arsimit të lartë e që ka dhënë diploma. Ka 85.000 studentë.
- Universiteti i Okfordit (University of Oxford) – Ndodhet në Oksford, Londër. Është themeluar në vitin 1096. Nga ky universitet kanë dalë 26 kryeministra të Britanisë, 20 kryepeshkopë në Kenterberi (Canterbury), 47 laureat të çmimit “Nobel”. Në vitin 2020 ka pasur të regjistruar 25.820 studentë.
- Universiteti i Sorbonës (Université de Paris, Sorbonne) – Ndodhet në Paris. Sipas disa të dhënave, është themeluar në vitin 1150. Sipas të dhënave të tjera, e ka themeluar në vitin 1253 teologu francez Rober dë Sorbon (Robert de Sorbon, 1201-1274).
- Universiteti i Kembrixhit (University of Cambridge) – Ndodhet Kembrixh (Cambridge), Londër. Është themeluar në vitin 1209 prej një grupi shkencëtarësh të cilët, për shkaqe politike, u tërhoqën nga Universiteti i Oksfordit. Edhe pse janë rivalë të njëri-tjetrit, Oksfordi dhe Kembrixhi i ruajnë marrëdhëniet e mira. Çdo vit organizojnë bashkërisht gara kanotazhi (lundrimi). Në vitin 2016 ka pasur të regjistruar 21.656 studentë.
- Universiteti i Sienës (Università di Siena) – Është themeluar më 1240 në qytetin Siena, rajon i Toskanës/Toscana, në Itali. Sot ka të regjistruar mbi 20.000 studentë.
* * *
Akademitë – Peter Barret (Peter Barret) thotë: “Gjerësisht është i pranuar mendimi se shkenca moderne është paraqitur në Evropë në shekullin XVII dhe ka bërë të mundur që bota e natyrës të kuptohet në një mënyrë të re.”
Historia e akademive në Francë fillon me themelimin akademisë së shkencave, në vitin 1635 në Paris. Ka qenë e lidhur fuqishëm për shtetin francez dhe për mungesë të shkencëtarëve të shtetit, ka vepruar si instrument i zgjatur i tij. Ka ndihmuar në motivimin dhe në organizimin e disiplinave të reja dhe ka arsimuar dijetarë të ri. Ka marrë pjesë në forcimin e statusit shoqëror të dijetarëve, duke i konsideruar “qytetarë më të dobishëm”. Akademia shfaqte interesim të madh për shkencën, me shekullarizim më të madh, gjë që shihet nga numri i vogël i anëtarëve nga radhët e klerikëve – rreth 13për qind.
Prania e akademive të Francës në sferën publike nuk mund të sqarohet me prejardhjen shoqërore të anëtarëve të tyre. Edhe pse pjesa më e madhe e anëtarëve i takonte borgjezisë, këto institucione ekskluzive kanë qenë të hapura vetëm për shkencëtarët elitarë të Parisit. Ata e kanë konsideruar veten “interpretues të shkencës për popullsinë”. Me një mendim të tillë, akademitë iu rrekën mohimit të teorisë pseudoshkencore të popullarizuar të mesmerizmit*.
Por, forma më e rëndësishme e pjesëmarrjes së akademive në sferën publike kanë qenë “garat akademike” (concours académiques) që i kanë sponsoruar ato në mbarë Francën. Në artikullin të botuar në Annales, “Vështrim mbi shekujt e iluminizmit; Gara akademike dhe kultura intelektuale në shekullin XVIII” (Prendre part au siècle des Lumières: Le concours académique et la culture intellectuelle au XVIIIe siècle), profesori i historisë në University of Alberta, Xheremi L. Karadona (Jeremy L. Caradonna) thotë se këto gara akademike kanë qenë mbase institucioni më i rëndësishëm gjatë iluminizmit. Karadona (Caradonna) është autor i veprës “Iluminizmi në praktikë” (Enlightenment in Practice) dhe “Qëndrueshmëri: Histori” (Sustainability: A History), 2014, Oxford University Press.
Akademia Franceze* (L’Académie française) e gjallëroi këtë praktikë e cila daton që nga mesjeta, kur shpallte gara publike kah mesi i shekullit XVII. Në fillim, objekti i garës ka qenë kryesisht nga tematika e religjionit apo e monarkisë dhe përfshinte esetë, poezinë dhe artin figurativ.
Shënim:
- Mesmerizëm – mjekim me magnetizëm, sipas mjekut austriak Franc Mesmer (Franz Anton Mesmer, 1734-1815). Ai pohonte se mund t’i mjekonte njerëzit duke i prekur me dorë, por mjekësia shkencore konstatoi se me këtë rast, në të vërtetë bëhej fjalë për hipnozë. Përdori për herë të parë hipnotizimin si një teknikë terapeutike, duke e quajtur magnetizëm shtazor ose mesmerizëm. Pas kritikave të një komisioni mbretëror, më 1784 Mesmeri u tërhoq.
- Akademia Franceze – Institucion i themeluar në vitin 1635 nga Kardinali francez Rishelje (Armand Jean du Plessis Richelieu, 1585-1642), në fillim që të caktonte rregullat e gjuhës frënge. Për këtë, në vitin 1694 ajo hartoi një fjalor i cili në fillim përfshinte vetëm fjalët e pranueshme në shoqërinë e lartë. Edhe pas botimit të nëntë, ai vijon të jetë vepër me autoritet. Veçanërisht gjatë shekullit XVII, Akademia ka vepruar edhe si arbitër për normat letrare.
* * *
Në vitin 1671, Akademinë Franceze të Shkencave e vizitoi mbreti Ligji XIV (Louis, 1638-1715), i mbiquajtur “Mbreti i Diellit”. Gjatë mbretërimit të tij, lulëzuan në Francë arti dhe letërsia. Mirëpo, rreth vitit 1725 temat e garave u zgjeruan rrënjësisht dhe u bënë të llojllojshme. Përfshinin edhe propagandën mbretërore, përplasjet filozofike dhe studimet kritike për institucionet shoqërore dhe politike të ancien régime (regjimit të vjetër). Nuk mbeteshin pa u përfshirë as temat kontradiktore. Si shembull, Karadona (Caradonna) citon teoritë e fizikanit, matematikanit dhe astronomit anglez, Isak Njutën (Isaac Newton, 1642-1727) dhe të filozofit, matematikanit dhe fizikanit francez Rene Dekart (Cartesius René Descartes, 1596-1650), tregtinë me robër, arsimimin e femrave dhe drejtësinë në Francë.
Duhet thënë se garat kanë qenë të hapura për të gjithë, ndërsa anonimiteti i detyrueshëm i çdo kontributi garantonte që gjinia apo statusi shoqëror të mos ndikojnë në vlerësim. Pjesëmarrësit në gara vinin nga shtresat shoqërore të pasura – piktorëve të lirë, klerit, pjesëtarëve të gjyqësisë, pjesëtarëve të profesioneve mjekësore. Por kishte raste kur publikoheshin edhe punime të pjesëmarrësve të klasave të ulëta, të cilët ndonjëherë dilnin edhe fitues të garave. Në gara merrnin pjesë dhe fitonin edhe një numër i konsiderueshëm i femrave. Prej gjithsej 2300 garave shpërblyese të mbajtura në Francë, në 49 prej tyre kanë fituar femrat. Sipas standardeve moderne, kjo mbase është numër i vogël, por tejet i rëndësishëm për një kohë kur femrat nuk kanë pasur arsimim akademik. Pjesa më e madhe e femrave fitonin në kategorinë e poezisë, për arsye se në arsimimin e emrave, kjo fushë stimulohej.
Në përhapjen e ideve të iluminizmit në sferën publike të Anglisë, rol të rëndësishëm ka luajtur Royal Society (Shoqata Mbretërore) e Londrës. Këtë shoqatë e themeloi një grup dijetarësh të pavarur në krye me fizikanin dhe kimistin, të lindur në Irlandë, Robert Bojli (Robert Boyle, 1627-1691), ndërsa në vitin 1662 mbreti i Anglisë u dha mirënjohje. Bojlit (Boyle) i takon në një pjesë të madhe merita e themelimit të kimisë si fushë shkencore serioze.
Royal Society ka luajtur rol të rëndësishëm në përhapjen e filozofisë eksperimentale të Robert Bojlit (Robert Boyle) nëpër Evropë dhe vepronte si qendër për përhapjen e korrespondencës intelektuale si dhe për shkëmbimin e informatave.
Historiani dhe sociologu amerikan, profesor në Universitetin e Harvardit, Stivën Shapin (Stiven Shapin, 1943-) dhe profesori i historisë dhe i filozofisë në Universitetin e Kembrixhit, Simon Shafer (Simon Schaffer, 1955-) thonë se fizikani dhe kimisti Robert Bojli (Robert Boyle) ka qenë “themelues i botës së eksperimentimit brenda së cilës jetojnë dhe veprojnë sot shkencëtarët”. Dituria e sistematizuar e Bojlit (Boyle) bazohet në eksperimentim, ku janë të pranishëm dëshmitarët e rezultateve të eksperimentit, gjë që bën të mundur legjitimitet empirik përkatës. Këtu Royal Society (Shoqata Mbretërore) luan një rol të rëndësishëm: Eksperimentimi para dëshmitarëve duhej të kishte qenë një akt kolektiv, ndërsa hapësirat e këshillit të Royal Society kanë qenë vend ideal për demonstrime pak a shumë publike. Mirëpo, jo çdo dëshmitar është konsideruar i sigurt. Profesorët e Oksfordit janë konsideruar më të sigurt se fshatarët e Oksfordshirit (Oxfordshire). Janë marrë parasysh dy faktorë: Njohuria paraprake e dëshmitarit nga ai lëmë si dhe integriteti moral i dëshmitarit. Me fjalë të tjera, publik për eksperimente ka mundur të jetë vetëm shoqëria civile.
Shënim: Përpos në Angli, eksperimente shkencore janë bërë edhe në Francë dhe gjetkë. Për shembull, shkencëtari francez, i quajtur baba i kimisë moderne, Antuan Lavuazje (Antoine Laurent Lavoisier, 1743-1794), bëri revolucion në kimi me përshkrimin e natyrës së vërtetë të djegies, me metodat e analizës. Një prej eksperimenteve të tij ishte edhe djegia e shkaktuar me intensifikimin e dritës së diellit. Përzierja e tij në grumbullimin e taksave jo të drejtpërdrejta, u bë shkas që gjatë Revolucionit francez të dënohej me vdekje me gijotinë.
* * *
Roli i salloneve dhe i kafeneve në epokën e iluminizmit – Në epokën e iluminizmit, kafenetë kanë qenë posaçërisht të rëndësishme për përhapjen e diturive. Ato ishin si një qerthull ku takoheshin dhe këmbenin ide njerëz mendimesh nga më të ndryshmet. Kultura e kafeneve haste në kritikën e fisnikërisë, e cila frikohej dhe neveritej nga një mjedis në ku shtresa dhe titulli me privilegjet e shoqëruara – shpërfilleshin. Një mjedis i këtillë, posaçërisht i frikësonte mbretërit, pjesa më e madhe e pushtetit të të cilëve buronte prej dallimeve apo konflikteve midis klasave shoqërore. Po qe se nën ndikimin e mënyrës iluministe të të menduarit, klasat bashkohen, atëherë atë do të mundë të hetonin shtypjen she shfrytëzimin gjithëpërfshirës nga pushtetet e mbretërve dhe në saje të numrit të madh të tyre, do të mundë të organizonin edhe rebelime. Mbretërit po ashtu refuzonin idenë që shtetasit e tyre të paraqiten si një, për të debatuar për çështje politike, sidomos për çështje të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera, monarkët konsideronin se çështjet politike janë në kompetencën ekskluzive të tyre, si rezultat i të drejtës hyjnore të tyre për pushtet.
Kafeneja e parë në Angli u hap në Oksford (Oxford ) në vitin 1650. Historiani, i lindur në Irlandë, Brajan Kouen (Brian Bernard Cowen, 1960-) thotë se kafenetë e Oksfordit u zhvilluan në “universitete penny”, duke u bërë vend i marrjes së njohurive që kanë qenë më pak formale se njohuritë e marra nga institucionet e strukturuara. Në jetën akademike të Oksfordit, universitetet penny kishin një pozitë të rëndësishme, për arsye se ato i vizitonin virtuozët. Sipas historianit Brajan Kouen (Brian Cowen), “kafenetë kanë qenë vendtakime të studiuesve tejet të fortë ku kanë mundur të lexojnë dhe të mësojnë nga debatet e njëri-tjetrit”. Por, ato nuk kanë qenë institucione universitare dhe diskursi i atjeshëm ka qenë i një niveli krejt tjetër nga mësimet universitare.
Edhe pse shumë padronë kafenesh kanë qenë dijetarë, një pjesë e madhe e tyre, nuk kanë qenë. Kultura e kafeve tërhiqte lloje të ndryshme njerëzish, jo vetëm pjesëtarët e arsimuar dhe të kamur të borgjezisë, por edhe ata që nuk ishin aq të arsimuar apo aq të pasur. Madje edhe klasën e ulët. Edhe pse dukej pozitive se padronët e arsimuar siç ishin mjekët, avokatët apo tregtarët i përfaqësonin pothuajse të gjitha klasat, mjedisi i kafenesë ndillte frikë te njerëzit që kërkonin ruajtjen e dallimeve klasore.
Sipas mendimit të historianit anglez, specialist i historisë së kulturës të Britanisë së Madhe të shekullit XVIII, bashkëpunëtor i Kolexhit Emanuel, Universiteti i Kembrixhit, Lorens Elliët Klajn (Lawrence Eliot Klein, 1950-), një prej kritikave të popullarizuara të kafeneve pohonte se “kafeneja mundëson një bashkësi të përzier (promiskuiteti)*, midis njerëzve pengesash të ndryshme në hierarkinë shoqërore, që nga zanatçinjtë deri te aristokratët”. Prandaj i ka krahasuar me Arkën e Noes (Noah), “e cila i pranon të gjitha llojet e kafshëve, të pastra dhe të papastra”.
Shënim: Promiskuitet – marrëdhënie seksuale e lirë midis më shumë vetëve; përzierje, rrëmujë.
* * *
Kjo kulturë unike ka shërbyer si katalizator për gazetarinë kur dramaturgu, eseisti dhe politikani anglez Zhozef Adison (Joseph Addison, 1672-1719) si dhe eseisti, dramaturgu, gazetari dhe politikani anglez Riçërd Stil (Richadr Steele, Dublin, 1672 – Carmathen, Wales, 1729) konstatuan potencialin që kishte ajo si publik lexuesish. Riçërd Stili (Steele) dhe Adisoni (Addison) botuan bashkërisht gazetën “Spektatori” (The Spectator), botim ditor që kishte për qëllim që nëpërmjet karakterit fiktiv të Mr. Spektatorit, të argëtojë dhe të shkaktojë diskutim për çështje filozofike serioze. Riçërd Stili (Steele) botoi në mënyrë të pavarur revistën britanike për letërsi dhe për çështje shoqërore “The Tatler”, që përfshinte në vetën e parë risitë dhe thashethemet (tratsch) e kafeneve të popullarizuara.
Kuzhinieri nga Sicilia Françesko Prokopio di Kolteli (Francesco Procopio dei Coltelli – François Procope ose Procopio Cuto, Palermo, Itali, 1651 – Paris, 1727), në vitin 1686 e themeloi në Paris të parën kafene, Café Procope. Ajo u bë e para kafene letrare në Paris. Deri në vitin 1720, në Paris kishte rreth 400 kafene.
Café Procope u bë qendër e iluminizmit ku vinin personalitete si Volteri dhe Rusoi. Café Procope është vendi ku Deni Didëro (Denis Diderot) dhe filozofi, fizikani dhe matematikani Zhan d’Alamber (Jean d’Alembert, 1717-1783) vendosën ta themelojnë “Enciklopedinë” (Encyclopédie). Me fjalë të tjera, shumë iluministë francezë, midis tyre edhe polihistori (i gjithëdijshmi) francez Kondorset (Marie Jean Antoine Condorcet, 1743-1749); lideri politik zviceran, shkrimtari dhe gazetari La Harp (Frédéric-César de La Harpe, 1754-1838); shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volter (François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778); filozofi dhe iluministi francez, Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784) takoheshin në Café Procope.
Posaçërisht historiani amerikan i kulturës dhe akademiku Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-) bisedat e kafeneve të Parisit i ka studiuar hollësisht. Ai thotë se kafenetë kanë qenë një prej shumë “qendrave psikiatrike” për publikun e thashethemeve, të pëshpëritjeve ose të llomotitjeve. Ky publik i thashethemeve kinse paskësh qenë burim informatash, shumë më i mirë se gazetat e asaj kohe. Përpos kësaj, me kafenetë është bërë një kthesë historike gjatë së cilës njerëzit kanë mundur të kuptojnë se mund të kenë një jetë shoqërore të këndshme brenda bashkësive të veta. Kafenetë për herë të parë janë bërë shtëpi jashtë shtëpive për shumë njerëz të cilët kanë dashur të marrin pjesë në debate me fqinjët e vet për të diskutuar për tema intriguese dhe ideore, posaçërisht për temat nga lëmi i filozofisë dhe i politikës. Ato kanë qenë tejet të rëndësishme për iluminizmin, ngase kanë qenë qendra të mendimit të lirë (të shpirtit liberal) dhe të zbulimit të vetvetes.
Shoqëritë e debateve – Shoqëritë e debateve që u paraqitën në Londër rreth vitit 1780, janë një shembull pothuajse i përsosur i sferës publike të epokës së iluminizmit. Historiania Dona T. Endrju (Donna T. Andrew, 1944-) thotë se ato burojnë prej katër realiteteve të ndryshme:
– Klubet prej pesëdhjetë e më tepër vetëve të cilët në fillim të shekullit XVIII kanë ardhur në pube dhe kanë debatuar për çështje të religjionit dhe për punët e shtetit;
– Klubet e gjykimit të simuluar, të shpeshta midis studentëve të drejtësisë, me qëllim të ushtrimit të retorikës;
– Klubet e deklamimit, janë themeluar për t’u ndihmuar artistëve në ushtrimin e roleve teatrore;
– Oratoriumi “Orator Henley” i klerikut anglez Xhon Hanli (John Henley, 1692-1756), i cili narracionet e papërmbajtura i përziente me pyetjet akoma më absurde, si “A do të kishte qenë Skocia, kudo në botë?”
S’ka dyshim se shoqëritë e popullarizuara të debateve, kaf fundi i vitit 1770 nisën të depërtojnë në “mjediset e fisnikëve apo në ato respektuese”. Kjo përbënte ndryshim që mundësonte përcaktimin e një standardi të ri me karakter shoqëror: “rend, mirësjellje, qëndrim liberal”, sipas fjalëve të Shoqërisë religjioze të Rrugës së vjetër portugeze.
Edhe të qenët i respektuar ka qenë i motivuar prej çmimeve të larta të pritjes dhe kjo ka ndikuar që institucionet e reja të jenë të përmbajtura. Dona T. Endrju (Donna T. Andrew) thotë se ana negative e këtij zhvillimi ka qenë “shpërthimi i interesimit për teorinë dhe praktikën e oratorisë publike”.
Shoqëritë e debateve kanë qenë ndërmarrje tregtare që i janë përgjigjur kësaj kërkese, ndonjëherë në mënyrë tejet të suksesshme. Disa shoqëri brenda një nate kanë pasur prej 800 deri në 1200 shikues. Këto shoqëri kanë debatuar për një spektër të gjerë temash. Një lëmë i gjerë kanë qenë femrat: shoqëritë kanë debatuar “për cilësitë e meshkujve dhe të femrave”, për vardisjen, për martesën dhe rolin e femrave në sferën publike. Është debatuar edhe për çështje politike, duke filluar prej ngjarjeve aktuale deri te natyra dhe kufizimet e autoritetit politik, deri te natyra e të drejtës për votë. Tematika është rrumbullakuar me debatet mbi religjionin.
Është me rëndësi të theksohet se kur gjatë shqyrtimit të temave janë shfaqur mendime kritike, por kjo nuk do të thotë se ato kanë qenë qëndrime opozitare ndaj pushtetit. Me fjalë të tjera, gjatë këtyre debateve shpeshherë është ruajtur status quo-ja.
Shoqëritë debutuese kanë qenë të hapura për publikun, kështu që shikuar nga perspektiva historike, kjo ka qenë një prej karakteristikave më të rëndësishme të tyre. Femrat kanë marrë pjesë, madje edhe e kanë marrë fjalën, pothuajse në çdo shoqëri debutuese, të cilat po ashtu kanë qenë të hapura për të gjitha shtresat e shoqërisë, me kusht që të paguanin biletën hyrëse. Në shoqëritë e këtilla, shikuesit kanë mundur të marrin pjesë në mënyrë tejet të barabartë, gjë që ka ndihmuar në përhapjen e ideve iluministe.