22/12/2024

Idiotët e dobishëm të Serbisë rikthehen te ideja e ndarjes së Kosovës!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, është bërë personazh i një gazete austriake për shkak të rihedhjes së idesë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe ndonjë tjetër që këto kohët e fundit ka dalë me këtë propozim. Ndërsa ideatorët e origjinës së kësaj ideje, Thaçi, Edi Rama, Baton Haxhiu e të tjerë heshtin. Nuk duan t’i bashkëngjiten këtij propozimi, derisa të kuptojnë se nga do të anojë balanca e diskutimit dhe e vendimmarrjes përfundimtare!

Ramë Buja e ka justifikuar shkëmbimin e territoreve, pra ndarjen e Kosovës, me mendimin e tij se „më mirë është ndarja e Kosovës, sesa krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë”! Ndërsa politikanët e Kosovës flasin për marrëveshjen me Serbinë përmes gërshërës ose krijimit të një Republika Srpska, në Beograd askush nuk ka pohuar se do të donte njohjen e shtetit më të ri në Evropë. Ndërsa politikanët shqiptarë janë kaq shumë të shqetësuar për fatin dhe favoret e Serbisë në Kosovë, asnjëri prej tyre nuk ka merakun më të vogël, nëse Serbia do ta firmosë njohjen ose jo!

Është shumë interesante dhe bota po habitet me ne shqiptarët: – Si është e mundur që luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Ramë Buja, të jenë të gatshëm t’i japin armikut, me të cilin luftuan, pjesë të territorit të vendit të tyre?!!! A janë këta, pikërisht ky Buja dhe miqtë e tij, që në prillin e vitit 1999 e shpallën Ibrahim Rugovën “tradhtar”, pse presidenti historik u mor peng nga Milosheviçi?!! Është e natyrshme që në rrethana të tilla të kërkohet burimi i këtij qëndrimi! Dhe në një analizë të thjeshtë, duhet kuptuar se edhe Ramë Buja do të jetë marrë peng. Ndoshta dikush ia tund prangat e Gjykatës Speciale të Hagës dhe për këtë shkak është detyruar të elaborojë idetë e Beogradit për Kosovën! Nuk ka dhe nuk mund të ketë arsye tjetër!

Le ta arsyetojmë këtë indicia për pengmarrje! Ta zëmë se mendimi i Ramë Bujës, sipas të cilit “është më mirë ndarja e Kosovës sesa asociacioni serb”, është me vend dhe i bazuar në logjikën e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë! Por nënkryetari i një partie, që mbart pas saj imazhin e përkrahjes së tradhtisë kombëtare të themeluesit dhe ish-liderit të saj, nuk mund të fliste kaq lirshëm dhe kaq herët për një opsion të tillë. Nëse e keqja më e vogël do ishte ndarja, diskutimi për këtë do të vinte në finishin e bisedimeve. Sepse vetëm në finish do të dukej se çfarë përfaqëson asociacioni, si do të jetë ai, cilat do jenë kompetencat e tij, cili do të jetë raporti i tij me shtetin dhe institucionet e vendit etj.

Nëse ajo që duket nga fizionomia e asociacionit duket e dëmshme për Kosovën, atëherë ndoshta dikush mund të hidhte një alternativë zgjidhjeje të konfliktit. Më tej duhej pritur për të parë se cili është qëndrimi i qeverisë, i presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti. Nëse këta do ta pranonin një asociacion me kompetenca ekzekutive ose jo! Nëse këta do të ofronin një zgjidhje alternative, e cila përjashton asociacionin! Duhej pritur edhe të diheshin reagimet e Serbisë, të qeverisë dhe presidentit të saj. Nëse ata janë ose jo të gatshëm ta ndryshojnë kushtetutën dhe ta njohin shtetin e Kosovës!

Megjithatë Ramë Buja nuk priti aspak të shohë se çfarë ka në projekt, se cili do jetë opsioni i zgjidhjes. Ai thjesht hodhi një gur në bunar dhe qindra burra të tjerë nuk po mundin ta nxjerrin atë gur nga bunari. Bëri pikërisht atë gjë që do të donte Serbia e Aleksandër Vuçiq. Pse ndodhi kjo? Kush ishte kumbarë i këtij propozimi për të ringjallur idenë e Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës?! Gjithkush e di se politikanët e rangut të tillë nuk flasin rastësisht, nuk cicërojnë gjithashtu në favor të armikut të kombit të vet pa xhixha, pa favore personale! Ose këta politikanë imponohen në qëndrimet e tyre, sepse kanë hyrë në politikë përmes rrugëve kriminale!

Rasti i Ramë Bujës ka tërheq vëmendjen e medies në Perëndim. Kjo do të thotë se ai qoftë dhe vetëm për këtë shkak ka bërë efektin e vet anti-Kosovë. Të hysh si pykë në momentin më të vështirë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të propagandosh idenë serbe të zgjidhjes, është kjo një nga aktet më të trishtueshme të Kosovës. Dhe për të evituar këto zhvillime aspak të këndshme mazhoranca duhet të iniciojë një rezolutë dhe ligj, me të cilin t’ua ndalojë politikanëve diskursin për shkëmbime territoresh dhe ndarjen e Kosovës. Jo thjesht se ndryshimi i kufijve në Kosovë shkakton tragjedi të reja. Por edhe për shkak se territori është i shenjtë dhe mbrohet me kushtetutë.

Nga ana tjetër, idiotët e dobishëm të Serbisë në Kosovë duhet të kuptojnë se edhe nëse krijohet asociacioni i komunave serbe i shoqëruar me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, kjo do të thoshte se territori i Kosovës do të garantohej nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Serbia me njohjen nuk do ta kishte kurrë të drejtën e saj të rivendikonte territorin e vendit fqinj. Ndërkaq asociacioni do t’i nënshtrohej marrëdhënieve korrekte me institucionet e Kosovës!

Prandaj Rama dhe Ramët e tjerë nuk mund ta përdorin asociacionin si gogol, për të rivendikuar ndarjen e territorit të vendit. Kosova nuk mund të rikthehet te Hashim Thaçi me Hashimin në Hagë!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok