I PAHARRUAR QOFTË KUJTIMI I MËSUES GJERGJ FRANIT!
HOMAZH
Nga Fran Gjoka
Nuk e besonim që do të vinte kaq shpejt ky moment, kur emri i mikut tonë, kolegut, mësuesit të nderuar dhe pasionant, krijuesit e hulumtuesit, Gjergj Frani t’i vihej emri në kronikën e zezë të ndarjes nga jeta në një moshë kur potenciali kulturor dhe intelektual i tij ishte në një stad të pjekur dhe mjaft aktiv dhe prodhues. U nda nga jeta, më 23 shtator 2021, në spitalin rajonal të Lezhës, pas disa kohësh i rënduar nga transplanti i veshkave, kuruar dhe operuar në Itali prej shumë vitesh.
Gjergj Frani ishte mësues i nderuar. Ai u lind në Fishtë të rrethit të Lezhës në vitin 1949. Arsimin bazë e mori në fshatin e tij të lindjes. Përfundoi studimet për mësuesi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe prej andej mësues i klasave të para dhe të katërta të shkollës 8 vjeçare në Fishtë dhe më vonë në Blinisht të Lezhës. Ka dhënë mësim në ciklin e ulët, duke siguruar çdo vit tregues të lartë dhe real të njohurive të nxënësve. Gjergj Frani radhitej në plejadën e mësuesve më me zë, që dhanë kontribut të veçantë të kësaj hallke bazë dhe shumë të rëndësishme të arsimit parauniversitar. Mësues Gjergji punoi me pasion të veçantë, kishte vullnet të çuditshëm, një ego të dallueshme dhe për t’u patur zili në kuptimin më të mirë të fjalës. Për 10 vjet me radhë drejtoi me profesionalizëm komisionin e lëndës, të cilët shërbenin si bërthama shkencore e katedra të vogla për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve. Gjergji, duke qenë me formim të plotë shkencor dhe profesional dhe me pretendime të larta për vete dhe punën, ka arritur që për 30 vjet me radhë s’pati kurrë nxënës mbetës, ndaj në çdo fillimviti mësimor kishte shumë kërkesa nga prindërit për t’i mësuar fëmijët e tyre mësues Gjergji. Nxënësit e tij dalloheshin për ruajtje të cilësisë mësimore, të përvetësimit të dijeve në ciklin e lartë të arsimit bazë dhe më tej. Gjithë jetën e tij 45 vjeçare në arsim është paraqitur si njeri me karakter të fortë, figurë të lartë morale në mësuesi, studiues dhe hulumtues i shkëlqyer, modest e shumë punëtor. Gjatë jetës së tij në punë e karakterizoi thjeshtësia dhe elokuenca e tij në të folur, njohuritë e thella që kishte jo vetëm në fushën e pedagogjisë e psikologjisë fëminore, por edhe në atë të letërsisë dhe të historisë, të problemeve shoqërore të kohës. Edhe pse kishte dalë në pension, erudicioni i tij bazë ishte libri, që nuk e shqiste kurrë nga duart. Në biseda me të, ai sillte fakte të panumërta dhe shembuj të shumtë të përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për shkollën dhe edukimin e brezave në vite si dhe pengesat që sillte koha. Vetëm kur dëgjoje rrëfimet e këtij mësuesi të respektuar për fshatin Fishtë dhe fshatrat përrreth, ku punoi e jetoi dhe që gjithë jetën ja kushtoi shkollës dhe edukimit të fëmijëve të vijnë në kujtesë se me ç’vështirësi janë përballur edukatorët e atyre viteve dhe ç’peripeci kanë kaluar ata gjatë sistemit totalitar të asaj kohe.
Më vonë Gjergji punoi mësues në Blinisht dhe në shkollën 9 vjeçare Troshan, që mban emrin e mirënjohur të At Gjergj Fishtës dhe që mbetet një ndër shkollat më të konsoliduara dhe me rezultate të larta ndër vite. Edhe në këtë shkollë, Gjergji, si përherë, i kushtoi vëmendje dhe vlerësoi punën për qëmtimin e përvojës së përparuar dhe përgjithësimin e saj përmes trajnimeve të mësuesve të ciklit të ulët. Gjithnjë lexonte e shkruante, mbante shënime dhe sa herë që i nevojiteshin dhe i vinte rasti, i shfrytëzonte për përgatitje kumtesash në veprimtari të ndryshme pedagogjike shkencore. Si intelektual dhe si pinjoll i Fishtës dhe kontribues në fushën e dijes, ka punuar plot përkushtim gjatë gjithë viteve të tranzicionit për organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të shumta kushtuar At Gjergj Fishtës në vendlindjen e tij tashmë të njohur. Ka botuar shumë shkrime në shtypin pedagogjik të kohës dhe atë të pavarur. Është me interes punimi i historikut të arsimit të fshatit Fishtë, duke trajtuar me vërtetësi historike ish nxënësit e Fishtës, të ilustruara me fotografi të kohës dhe aktiviteti studimor i Gjergj Franit vazhdon më tej, duke krijuar 900 poezi satirike e humoristike, pa llogaritur dhe 9000 aforizma dhe sarkazma të mbledhura me shumë pasion.
Kontribut të padiskutueshëm ka Gjergji në botimin e poemës kushtuar patriotit, atdhetarit, poetit e këngëtarit, satiristit e përrallëtarit, At Gjergj Fishta, vepër me vlera kombëtare, por që regjimi, për arsye që dihet, e kishte lënë Fishten e madh në harresë.
Kur merr në dorë punën krijuese të këtij mësuesi dhe shikon veprimtarinë e tij të dendur, lind natyrshëm pyetja se si u formua sistemi i punës të këtij hulumtuesi të shquar, që dha një rezultat kaq të madh në fusha të ndryshme të krijimeve artistike, etnografike, gjuhësore.
Ne jemi përpjekur që t’i japim përgjigje kësaj pyetje. Po të shprehemi përmbledhtas, del se sistemi i punës krijuese të Gjergj Franit lindi dhe u zhvillua në truallin ku lindi dhe hodhi shtat i madhi At Gjergj Fishta dhe aty e gjeti frymëzimin e tij mësuesi dhe krijuesi i talentuar. Ai, në sistemin e punës së tij mësimore edukative e ruajti me kujdes të madh raportin talent-punë, sepse udhëhiqej nga parimi se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu. Tek Gjegj Frani, talenti në mësuesi dhe në krijimtari artistike, i shoqëruar me punë të dendur, dha rezultate që flasin për vlerat e sistemit 40 vjeçar të punës së tij. Edhe pse s’u ndie mirë nga ana shëndetësore, përsëri në natyrën dhe psikologjinë e tij dëshironte të bënte çdo ditë diçka të frytshme. Kam kënaqësi kur thoshte se dhe pse kam dalë në pension, ndjehem përsëri mësues, sepse më nderojnë dhe më respektojnë kudo ish nxënësit, kolegët me të cilët punova, një komunitet prindërish që admirojnë rezultate të shkëlqyera që pati me nxënësit vite me radhë. Duke biseduar me këtë mësues pasionant, të dukej se dëgjoje zëra brezash në vite tek rrefejnë se mësues Gjergji ka bërë ç‘është e mundur të kryejë më së miri detyrën e mësuesit dhe edukatorit të vërtetë. Dhe me të vërtëtë ka ditur të futet në botën e brendshme të fëmijëve, t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore dhe të ecin bashkërisht në udhën e vështirë të dijes, duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, qytetësisë, mirësisë, dashurisë dhe humanizmit. Shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i tij i madh e bujar gjithçka për fëmijët, rrezatoi kulturë dhe me plot pasion për 40 vjet me radhë u dha dije e kulturë brezave. Lezhjanët dhe fshatrat përrreth tij ruajnë respekt të veçantë për Gjergjin jo vetëm si edukator dhe krijues, por edhe si njeri i paqes, që me natyrën e tij të qeshur e tejet njerëzore luante në mënyrë përfekte rolin e mediatorit kur konfliktoheshin fëmijët. Edhe kur ndjente lodhje nga ngarkesa e ditës dhe vitet e punës, ai shfaqej në mësim i qeshur dhe kompetent në mësimdhënie, nuk dinte kurrë të ofendonte njeri, nuk krijoi asnjëherë probleme me kolegët e tij të punës dhe stafin drejtues.Ndërsa shkruan këto rradhë, për këtë mësues të nderuar më vjen keq për harresën e organeve të pushtetit vendor. Kurrë s’ka punuar për lavdi në mësuesi, ndonëse lavdinë e fitoi me punë e sakrificë, emrin e mirë që la kudo, e meriton plotësisht pas vdekjes që t’i jepet, nga organet kompetente, edhe një titull tjetër nderi. Për njrëz të tillë të ditur, të emancipuar, tolerantë në sherbim të brezave për 40-vjet me rradhë, që mbajti titullin e lartë dhe të denjë Njeri si Gjergj Frani, sa shumë ka nevojë shoqeria e sotme shqiptare. Kuptohet, që është e vështirë që brenda një shkrimi të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figuren dhe vepren e gjërë e të gjithëanshme të një përsonaliteti të tillë si Gjergj Frani. Do të duhet që figura e mësuesit të talentuar të një modeli të cilësisë dhe dashurisë njërëzore të ndricohet më në thellësi si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të rinj të mësuesisë dhe historisë së arsimit tonë kombëtar. Pavarësisht problemeve të shumta shëndetësore, ai përpiqej përsëri të jetojë jetën në mënyrën e tij, për të cilën u ishte mirënjohës mjekëve që e kanë trajtuar dhe operuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithmonë ishte nën kujdesin e familjarëve të tij të nderuar, nga bashkëshortja Luçe, e cila nuk ju shkëput asnjë moment nga shoqërimi dhe kujdesi, duke mos vënë gjumë në sy e duke i qëndruar gjithmonë e në çdo çast ngjitur me dashurinë dhe kujdesin e saj. Djali i tij Fabiani dhe 2 vajzat Blerina dhe Arta, që me lotë në sy presin e përcjellin miq, shokë, kolegë e ish nxënës të babait të tyre të Nderuar, Gjergj Franit. Kujdes të vazhdueshëm dhe shumë cilësor treguan dhe bashkëshortja e djalit, Arta, një grua e vëmendshme, që e deshi deri në frymën e tij të fundit si babain e saj. E kështu do t’i rreshtonim me radhë që nga vëllezërit, kunatat, nipat e mbesat që i qëndruan pranë për të bërë gjithçka që ai të jetonte. Por jeta ka sfidat e saja dhe erdhi kjo ditë e dhimbshme për të gjithë.
I paharruar qoftë kujtimi i Gjergj Franit!