21/12/2024

I MADH PËRKTHYESI YNË I DANTES: PASHKO GJEÇI…

0
Pashko-Gjeci

Nga Visar Zhiti

Pasi lashë Firencen e Dantes, erdha në shtëpi, në Tiranë me diçka danteske brenda vetes dhe po doja të shfletoja Veprën e tij Hyjnore, e kam edhe në gjuhën e tij, dhe në gjuhën time.

Në shqip na e solli madhërishëm Pashko Gjeçi. Dhe ai ka ferrin e vet, të rëndë, që e sfidoi, – madhërishëm, do them prapë, por ai s’është më rrugëve të Tiranës, ku dhe e shikonim, rrallë, por sot ka një datëlindje, dua ta kujtoj, prandaj po sjell dy copëza nga librat e mi për të, po e nis nga:

KARTELA

TË REALIZMIT TË DËNUAR

– ajo e Pashko Gjeçit (1918–2010) –

Jo me Virgjilin, por me Pashko Gjeçin si udhërrëfyes erdhi Dante në

ferrin shqiptar.

Në mes të shtegetisë së kësaj jete

u gjeta në një pyll krejt errësi,

se kishe humbë rrugën e vërtete.

…nga Shkodra ishte, jetim mbeti dhe ky me nënën dhe dy motrat dhe

nisi shkollimin në Kolegjin Saverian dhe, pasi mbyllen shkollat fetare

me “Ligjin Ivanaj”, kalon në gjimnazin e Shkodrës. Ka shokë klase ata që

do të futeshin burgjeve Arshi Pipën, Lazër Radin, etj. Kolë Ashtën…

Nis të përkthejë nga Dante, Petrarka, Leopardi, etj dhe po shkruante dhe

vetë me emrin letrar Surgens.

Duke qenë nxënës me rezultate të larta, Ministria e Arsimit i jep një

gjysmë burse për të studiuar Letërsi dhe Filozofi në Romë. Diplomohet

në vitin 1942 me tezë diplome poetin Ndre Mjeda dhe merr gradën

Doktor i Shkencave. Duan ta mbajnë asistent pedagog, por dhe me këshillën e shkrimtarit Ernest Koliqi kthehet që të punojë në atdhe.

Kur vijnë partizanët në pushtet, ishin familjarisht nga Shkodra në

Durrës dhe jep lëndën e letërisë në gjimnazin e qytetit dhe zgjidhet

kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Durrësin. E arrestojnë në vitin 1947 me akuzën se ishte pjesëmarrës në një grup kundër

pushtetit të ri dhe e dënojnë me 5 vjet burg.

E çojnë në burgun e tmerrshëm të kënetës së Maliqit, por duke qenë

shumë i dobët, mezi punonte dhe si për të mbijetuar ndryshe, i hyn

përkthimit me mend të Dantes. Kërkonte rima për tercinat dhe policët

dyshonin ç’thoshte ashtu nëpër dhëmbë dhe e ndëshkonin, i binin ku të mundnin me bishtin kazmës.

Pasi lirohet në vitin 1952, rikthehet në Shkodër. I kërkojnë përkthime,

ca librete. Shkon mësues në Fushë–Krujë në një shkollë 8 vjeçare dhe i

përvishet punës për të kompletuar përkthimin e “Komedisë Hyjnore”.

Që ta mbaronte i duheshin ca kushte dhe i shkruan diktatorit. E sjellin në gjimnazin e Tiranës, që i kishin vënë emrin e dëshmorit “Qemal

Stafa”, që e kishte patur shok klase. Banonte në rrënoja, i duheshin për

përkryer “Ferrin”.

Komedia Hyjnore botohet e plotë në vitin 1962. Pas dy vjetësh martohet. Por veç një dhomë kanë, nëna, ai, nusja, foshnja, e pamundur të

jetonin ashtu bashkë. Jep latinisht në fakultetin e mjeksisë, ndërkohë

botohet “Komedia Hyjnore” dhe në Kosovë në vitin 1969.

Martohet sërish. Latinishtja hiqet nga programi. Punon si korrektor

te libri shkollor, ku dhe del në pension në 1978. Heshtje deri sa bie perandoria komuniste.

Në vitin 2000 ribotohet Dante-ja i tij dhe disa kryevepra që i kishin

mbetur në dorëshkrim, “Odiseja”, “Andromaka”, “Fausti”, për të cilin Ministria e Kulturës i dha dhe një çmim.

Shoqata italiane “Dante Aligieri” qysh në vitet ’70 e kishte shpallur

“Komedinë Hyjnore” të Pashko Gjeçit si ndër tre përkthimet më të mira

në botë dhe Presidenti Italian, Ciampi, do ta dekoronte në 2004 me “Ordine della stella della solidarieta Italiana”.

E pashë një ditë në rrugë në Tiranë, përkthyesi i Dantes, ma treguan. Si me ca “purgator” m’u duk, ferrin e kishte lënë në njërën anë dhe pa-

rajsën në anën tjetër, të pa mbërritshme. Kishte humbje kujtese, më pëshpëritën.

Vdiq 91 vjeç në vitin 2010.

DHE FERRI I ÇARË

– një rrëfim me përkthyesin Pashko Gjeçi dhe diktatorin Enver Hoxha –

– Si the, ai ta mësoi Danten?

– Po, po, në burg. Kam qenë në një qeli me Ejëll Çobën. Lexonim “Ferrin”…

– Dhe?

– Dhe një ditë, – vazhdoi të tregonte Uran Kostreci, teksa po pinim kafen tjetër dhe borsalinën e çoi një karrige më tutje, – më pyeti se ç’është më e rëndësishmja që kemi humbur, duke na futur në burg. “Liria”, – thirra. “Jo”, – më tha Ejëlli. “Jeta”. Jo. “Të dashurit?” “Jo, jo.” “Po çfarë, o Engjëll, mos më mundo!” – i thashë. Kishte studiuar 13 vjet në Firence ai. Dhe e di si m’u përgjigj? “Kur të dalim, a do të dimë të qeshim?” Se do të na kujtohen shokët e vdekur në duart tona, të vrarët…

– …torturat, dhuna, uria, të çmendurit, absurdi, – shtova unë dhe heshta.

Teksa ikja, ndieja hidhësirë në buzë, jo prej kafes. A do të dimë të qeshim? Se vetëm njeriu e ka këtë aftësi. Ndryshe… Po si më tha: ai ma mësoi Danten? Jo, jo, ne e mësuam Danten, ia treguam ferrin që do të vinte, paçka se jemi disa shekuj më pas se ai, të prapambetur vazhdimisht, dhe ai, Dantja, nuk guxoi, e rroposi ferrin thellë nën tokë.

Ç’i thoshte Dantes, kur e përkthente Pashko Gjeçi? Se, teksa kërkonte me mend një rimë, polici i burgut i binte me dru ku të mundte, puno, i dënuar, i bërtiste, mos e lësho lopatën nga dora.

E kisha takuar dhe unë Pashko Gjeçin, para apo pas vdekjes? Pas duhet të ketë qenë, se ishte i dobët, pa kujtesë, pa asnjë mëri. Edhe diktatori e kishte thirrur njëherë. Kujtoi se do ta arrestonin prapë dhe veshi dy pallto, dy palë pantallona, siç bëjnë ata që i dinë këto punë, t’i kishte për në birucë. Kur makina me nja dy civilë të rreptë, që heshtnin, ndaloi në Komitetin Qendror. Të kërkon shoku Enver, i thanë. Gati i ra të fikët, ujë dua, tha, dhe një kafe.

– Si jeni, profesor, – e pyeti buzagaz Enveri, ndërsa ulej në kolltukët e tij të rëndë. – Hiqe xhaketën, paskeni dy, po pse?

– I kam, mos me u ftof… – iu mor goja atij.

– Ke përkthyer Danten, më thanë, urime!

– Po e mbaroj, e kisha nisur në burg.

– Po pse ju dënuan? – u shqetësua Enveri i qeshur.

– S’e di.

– Si s’e di, te ne nuk dënohesh kot, profesor.

– Ashtu asht, ashtu, – s’po e merrte veten profesori, – kam marrë pjesë n’nji mbledhje kundër qeverisë.

– Ku?

– S’e di, kurrë s’kam ken atje, as emnin s’ia kisha ndi. – Enveri qeshi prapë. Dukej sikur donte të hetonte se deri ku kishte arritur diktatura e tij, ç’bëhej me intelektualët, sa frikë kishin, sa fajtorë ndiheshin.

– Po ne do ta botojmë Danten tënd, – tha Enveri sikur të ishte meritë e tij përkthimi. – Po ku punon?

– Jam pa punë…

– Si? Ma thirrni ministrin e brendshëm! – urdhëroi Enveri. – Merreni profesorin të jap mësim italishteje te ju.

Nga dërrasa e zezë, kur kthente kokën e shikonte klasën, njihte oficerët që e kishin torturuar. Ju lutem, lutej, m’çoni mësues në ndonji fshat, jo këtu. Po italishtja, si gjuhë kapitaliste, nuk mësohej gjëkundi tjetër.

E kush na e mësoi Danten? Më kapi një si trill dhe u ktheva vrik për te kafeneja ku kisha qenë që t’i thosha kujtdo që do të gjeja atje, se Dantja, – dhe do ta ngrija zërin, – na tregoi një ferr tjetër, atë të Zotit, ku mbyllen njerëz të vdekur, por jo atë të njeriut, që njerëzit mbyllin njerëz të gjallë, madje edhe Zotin vetë. Ky është ferri i jetës, më i tmerrshmi!

Edhe Dantja ka qenë diplomat, pse mërzitesh ti, le të thotë ç’të dojë ai, i shtëpisë së qenit. Pse, nga i do diplomatët ai, ata që caktonte Komiteti Qendror? Në burg Visar Zhitin – të kujtohet? – s’lejohen tani gjuhët e huaja, pse, jashtë do t’ju çojmë diplomatë, ë? Ja, ai miku yt vazhdon atë thirrje, të policëve, ka atë kompleks. Eh, ai dhe Dantes do t’i thoshte jo vetëm që ç’pate ti që u bëre diplomat, nuk ke qenë i tillë, por dhe pse e shkrove Ferrin, në burg kam qenë unë, duhet të ma kishe lënë mua…

Qetësohu, ç’ke, më pyetën. Pashë Amik Kasoruhon përballë, i hollë, me pamje fisnike, me leshrat e bardhë, që ia merrte era, ka qenë në burg edhe ky, me babanë të pushkatuar. Danten po përkthen dhe ti? Jo, Kafkën, më tha. Po njëlloj janë, thashë.

Ej, a ka njerëz pa ferr ky vend? Të gjithë kthyen kokët nga erdhi thirrma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok