18/11/2024

HYSNI RUDI-KAPITENI QË JETOI E VDIQ NË MBROJTJE TË TOKAVE SHQIPTARE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1917- e pushkatuan më 19 maj, 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i shquar i çështjes kombëtare Hysni Rudi, u lind më 1917 në Mitrovicë, nga babai Muharrem, i cili kishte prejardhje nga Gjakova dhe nëna Nerxhivane Ibrahimi, që ishte nga Mitrovica. Hysni Rudi ishte i martuar me Ajshe Boletinin, vajzën e Musa Boletinit, djalit të Isa Boletinit. Pas ripushtimit të Kosovës nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene më 1918, familja e tij nga presioni i madh që kishte nga pushteti i atëhershëm u detyruan të shpërnguleshin për Shqipëri, dhe u vendosen në Shijak. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe përfundimit të gjimnazit në Tiranë, ai vazhdoi shkollimin në Romë, duke përfunduar Kolegjin Ushtarak më 1936,. Në Torino më 1938, përfundoi Akademinë Ushtarake, dhe më 1942 përfundoi Shkollën e Lartë Ushtarake të Inxhinierisë në Romë. Hysni Rudi nga shkollimet e shumta që pati, ai gjatë rrugëtimit të tij të gjatë shkollor, u angazhua në mësimin dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja. Andaj ai njihej edhe si njohës i madh që fliste shumë gjuhë. Ai fliste pastër dhe i shkruante: gjuhën shqipe, atë serbe, turke, italishten dhe gjuhën frënge. Veç shkollimit, ai njihej edhe si një atdhetar i madh dhe i devotshëm. Dhe, pas përfundimit të shkollimit, vendos të kthehej në  atdhe dhe caktohej komandant i forcave vullnetare ku luftoi pa kompromis për mbrojtjen e kufijve etnik nga  sulmet çetnike serbe e malazeze, por duhet cekur se ai i ndihmonte edhe forcat e LNÇ-së.

Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalavar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pa¬faj¬shme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Edhe pse ishte pushtuar, Kosova trajtohej vazhdimisht si zonë e rrezikshme dhe e pa sigurt për shkak se banohej me një popullsi jo sllave. Me këtë gjendje të im¬ponuar, ku “liria” dhe “barazia” e popullit shqiptar ishin shndërruar në robëri nga një pakicë kombëtare- serbët dhe malazezët, kuptohet se po-pulli liridashës nuk ishte i kënaqur. Meqë shqiptarët e Kosovës përgjatë tërë kufirit me shtetin amë, edhe zyrtarisht ishin shpallur si element i pa¬besueshëm, për këtë arsye edhe ndiqeshin, burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin të shpërnguleshin, madje edhe vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi. Fundja të gjitha masakrat, që iu bënë shqiptarëve, ishin të zyrtarizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Na¬çër-tania” e Garashaninit, Elaboratet e I. Andriqit, I. Vukotiqit, Elabora¬tet I e II të Vasa Çubrilloviqit. Të cilat vazhduan të zbatohen me përpikëri deri më 1999.

Hysni Rudi duke e parë këtë padrejtësi me pasoja tragjike angazhohej me të madhe për lirimin e tokave shqiptare dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Më 1944 caktohet komandant i Komandës së Vendit në Istog dhe komandant i Divizionit të Artilerisë në Prishtinë. U caktua anëtar i Shtabit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë.

Më 3 maj u arrestua dhe u internua nga gjermanët si antifashist në Kampin e Prishtinës ku qëndroi deri në shtator të vitit 1944. Pas lirimit, u bashkohet forcave partizane dhe u caktua komandant i Komandës së Vendit në Istog (dhjetor 1944-mars 1945). Deri sa kryente punën si komandant, ai u mundua që të mbronte popullatën e pafajshme shqiptare nga dhuna e terrori i punëtorëve të OZN-es, që nuk kalonte ditë pa pasur ndonjë të vrarë apo të malltretuar. Duke e parë angazhimin e tij për të mbrojtur popullin dhe territoret shqiptare, ai në ndërkohë kishte hetua se edhe jeta e tij ishte në rrezik. Prandaj e largojnë nga Komanda e Vendit dhe e caktojnë komandant të Divizionit të Artilerisë në Prishtinë dhe në Pejë (16 mars-16 qershor 1945).

Më vitin 1945, në gjysmën e dytë të qershorit, caktohet instruktor në Brigadën V dhe VI të Shqipërisë në Ohër dhe në Korçë, detyrë që e mban deri në fillim të nëntorit 1946, kur divizionet shqiptare duhej të ktheheshin në Shqipëri. Prej andej e dërgojnë në Shtabin e Armatës V jugosllave në Shkup dhe e caktojnë në Divizionin 24 në Prizren.

Gjendja e rëndë që u krijua në Kosovë pas aneksimit të saj dhe në trevat e tjera shqiptare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pas tradhtisë dhe gjenocidit të paparë që bënë dhe po bënin ndaj popullit shqiptar forcat e instaluara të sistemit të ri jugosllav,  bëri që të marrë hov rezistenca e popullit shqiptar kundër shtypjes dhe okupuesit të ri. Hysni Rudi më 26 maj 1946 vullnetarisht u demobilizua. Organizata Nacional Demokratike Shqiptare edhe pasi përfundoi lufta do ta vazhdojë aktivitetin e vet. Në fillim të vitit 1945 formohet ilegalisht ONDSH-ja. Kjo organizatë hap një kaptinë të re në lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Mirëpo, pas vitit 1945 rrethanat dhe kushtet kishin ndryshuar, andaj imponohej një strategji e re veprimi. Themelues të kësaj organizate ilegale ishin prof. Ymer Berisha, ideolog i Lëvizjes për ruajtjen e tërësisë etnike shqiptare dhe iniciues për formimin e organizatave ilegale në Kosovë e Maqedoni. Hysni Rudi iu bashkohet këtij vargoni të gjatë të atdhetarëve.  Zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike të Shkupit dhe Si anëtar i KQ të ONDSH-së të Shkupit, u përpoq për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare në të cilën u emërua komandant i saj. Angazhimi i Hysni Rudit në ONDSH të Shkupit do të kërkohej nga prof.. Gjon Serreqi që të mbetet e fshehtë. Për të dinin vetëm një numër i vogël i anëtarëve të ONDSH-së si: Hamdi Berisha, Azem Marana dhe Qemal Skënderi. Në mënyrë decidive vet Gjoni kishte kërkua në një takim në mes Azem Maranës e Hysni Rudit dhe kishte porositur që për Rudin nuk duhet të dinë të gjithë anëtarët e organizatës.”

Hysni Rudi u arrestua nga organet e Sigurimit Jugosllav, me 22 korrik 1946, në shtëpinë e tij në Prizren. Fillimisht qëndroi në burgun e Prizrenit, e më vonë e dërguan në burgun e Kalasë së Shkupit në të cilin burg ishin vendosur më herët edhe anëtarët tjerë të KQ të NDSH-së. Sipas aktgjykimit me numër- K.nr.8/7, Gjykata e Qarkut në Shkup iu shqipton dënimin 19 patriotëve shqiptarë me vite marramendëse burgimi.  Azem Marana, Hysni Rudi, Qemal Skenderi dhe Mehmet Bushi iu shqiptuan dënimin me vdekje- pushkatim. Po ndërkohë, Gjykata Supreme e Maqedonisë, Qemal Skënderit i ndryshon vendimi dhe ai dënohet me 20 vite burg. Ndërsa, disa ditë para se të mbahet kongresi i V i ONDSH-es në Blinajë, atdhetaret e mëdhenj të kombit shqiptarë i ekzekutojnë me 19 maj, 1947, në ora 23. Edhe sot nuk dihet varri i tyre.

Literatura:

Sabile keçmezi- Basha, Lëvizja Ilegale Patriotike Shqiptare në Kosovë 1945-1947, Prishtinë 1998

Hysen Azemi, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, Vëllimi I, 1945-1947, Prishtinë 2014

Ismet Dërmaku, Gjon Serreqi dhe NDSH-ja, Prishtinë 1996

https://www.botasot.info/kultura/1125507/nje-emer-i-eklipsuar-qe-ben-drite-ne-faqet-e-historise-sone/

https://www.zemrashqiptare.net/news/62978/sabile-basha-atdhetari-i-madh-azem-marana.html

https://revistashenja.com/me-rastin-e-100-vjetorit-te-lindjes-se-atdhetarit-te-shquar-shqiptar-azem-idriz-marana/

https://telegrafi.com/shpaloset-pllaka-perkujtimore-e-azem-moranes-dhe-patrioteve-te-tjere/

https://www.epokaere.com/vendimet-e-kongresit-te-shkupit/

https://www.hasanprishtina.info/e-verteta-mbi-azem-maranen/

https://limit.al/2018/03/24/kapetan-rudi-qe-luftoi-ne-qafe-te-cakorrit/

https://pashtriku.org/pashtriku-pse-shume-emra-te-personaliteteve-e-ngjarjeve-historike-nga-viset-shqiptare-jashte-shqiperise-londineze-mbeten-jashte-fjalorit-enciklopedik-shqiptar/

https://ekonomiaonline.com/isa-boletini-fati-i-trishte-i-familjes-dhe-pasardhesve-se-tij/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok