22/12/2024

Hyrja e Skënderbeut në histori

0
Keka-Kastrioti

Nga Gjon Keka*

Zakonisht, hyrja në histori e njerëzve të mëdhenj nuk ka qenë nga e njëjta derë apo nga e njëjta udhë, por secili e ka shtruar dhe ndërtuar udhën e tij për ta përjetuar veten para botës që vëzhgon. Koha shkruan dhe i regjistron ngjarjet historike në analet e saj, nëpërmjet veprave të lavdishme që ata kanë bërë. Hyrja në histori e njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë botërore ka qenë e para shënuar, që ata të ecin asaj udhe lavdie për njerëzimin dhe botën.

Edhe hyrja e Gjergj Kastriot Skënderbeut në histori ka qenë e para-shënuar, që ai t’i kthehet atdheut të tij dhe ta bëjë atë me emër të madh, si dhe mbrojtës të civilizimit mbanë europian. Me rikthimin e tij në Krujë, Skënderbeu tregoi atë që ishte para shënuar, por sidomos e shfaqur në vizion të nënës së tij Vojsavës, para se të lindte Dragoi i Arbërisë. Pikërisht Skënderbeu hyn vrullshëm në histori me rikthimin e tij në Krujë për çlirimin e atdheut nga barbarët turq. Këtu nis edhe shfaqja e tij e plotë si një strateg i madh, vizionar, trim, burrështetas etj.

Po të mos kthehej në Krujë, Skënderbeu do të kishte mbetur vetëm një Skënderbe pa histori dhe lavdi, pra një Skënderbe brenda oborrit të Sulltanit dhe jo jashtë tij, një Skënderbe i huaj për arbërorët dhe historinë e Arbërisë, Europës e botës. Ndërkaq, hyrjen e tij në histori e kanë nënvizuar pothuajse të gjithë kronistët, autorët e ndryshëm dhe historianët e mëdhenj europianë e botërorë. Kjo për faktin se hyrja e tij në histori ishte kthesa më e madhe jo vetëm për kombin arbëror, por edhe për vetë kontinentin europian. Ai ishte restauruesi, lideri, mbreti, vizionari, mbrojtësi, atleti fizik dhe shpirtëror i kombit arbëror dhe i besimit të përbashkët të kombeve europiane, strategu dhe diplomati e politikani i urtë i përmasave jo vetëm europiane, por edhe të atyre botërore.

Skënderbeu ishte liberal, i moderuar, i guximshëm për kohën në të cilën jetonte, si dhe i barabartë mes popullit të tij arbëror që e udhëhiqte me urtësi e vizion. Ai ishte një hero i madh dhe një shtetar largpamës i formatit europian. Ai është i ankoruar thellë në kujtesën e popullit shqiptar. Emri i tij është përdorur më shumë se një eliksir për veprën kombëtare të Shqipërisë. Një mit i vërtetë e ka rrethuar këtë emër. Ky ishte Skënderbeu, për të cilin gurët e Krujës flasin, emri i të cilit mbeti gjallë brez pas brezi në memorie dhe në krenarinë e popullit, pavarësisht katërqind vjetëve të sundimit turk.

Skënderbeu i tejkalon të gjitha figurat në historinë e popullit shqiptar, i cili i ka dhënë shumë njerëz të mëdhenj botës. Muret e Krujës panë fitoret e tij më heroike, panë artin e vërtetë ushtarak, panë burra të pashëm kryelartë, trima dhe bujarë, prandaj edhe qyteti malor në shpatin e Malit të Skënderbeut është gjithashtu shenjtërorja e Shqipërisë. Pra jo rastësisht u bë Kruja shenjtore e Shqipërisë, ndërsa pas vdekjes së Skënderbeut edhe Lezha, si vend i shenjtë për arbërorët. Në këto dy qytete historike flet, më shumë se çdo gjë tjetër, vetë vepra e Gjergjit të Madh dhe e kuvendarëve të tij, në Lezhë flet varri i Skënderbeut pa mbishkrim, për shkak të mos përdhosjes nga otomanët barbarë, thjesht aty flet vetë historia e vërtetë arbërore.

Historia prej kohësh na e ka bërë të ditur se Gjergj Kastrioti hyri në histori si triumfuesi i të gjitha betejave me pushtuesin turk, pasi misioni i tij ishte mision në shërbim të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së tij. Ashtu siç edhe vetë historia na mëson, misioni më fisnik në historinë e personaliteteve që kanë lënë gjurmë është misioni i lirisë dhe i të drejtës e pavarësisë së popullit të tij. Emri i Skënderbeut ishte i pandashëm nga emri i fitoreve që arbërorët e tij trima korrnin kudo ku luftonin. Skënderbeut i printe ushtrisë së trimave të tij dhe kudo ku ai shkelte mbizotëronte siguria e popullit, ndërsa fitorja ishte e qartë përballë armiku, kudo dhe në çdo vend beteje. Ai ishte strateg i madh që i njihte udhët e gjarpëruara të perandorisë së errët otomane (turke), sepse vetë ishte rritur në oborrin e sulltanit, i kishte mësuar dhe i kishte të njohura pothuajse të gjitha sekretet e artit ushtarak otoman, si dhe planet e zeza djallëzore të sulltanit ndaj popujve të tjerë e, aq më tepër ndaj popullit arbëror. Prandaj ai me urtësi, strategji e vizion doli fitimtar i betejave kundër armikut turk. Këto fitore ua shtuan besimin patriotëve shqiptarë te fuqia dhe udhëheqja prej strategu të prijësit të tyre të shkëlqyer, Skënderbeut, i cili tani ishte në vëmendje edhe jashtë Europës Juglindore. Rezistenca e shqiptarëve e vonoi marshimin e gjysmëhënës në Vjenë, Venecia dhe Romë.

Për një çerek shekulli, Skënderbeu e udhëhoqi këtë rezistencë, e cila nuk iu nënshtrua osmanëve, por që u mund nga sëmundja e përhapur në Shqipëri, nga malaria e pabesë. Një nga fitoret më të spikatura të epokës së Skënderbeut padyshim është mbrojtja kundër tre rrethimeve të kështjellës malore të Krujës. Në këtë simbol të luftës për pavarësi, Perandoria Osmane përqendroi elitën e trupave të saj. Ata dikur ishin udhëhequr nga Sulltan Murati II, më pas nga pasardhësi i tij Mehmeti II, pushtuesi i Konstandinopojës. Por edhe angazhimi i tyre (sulltanëve) personal nuk i ndihmoi armët turke për fitore, për sa kohë që kishte një Gjergj Kastriot aty. Skënderbeu ishte shtylla kurrizore e luftës së armatosur për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve, aq më tepër edhe në zemër të tyre. Historia i ka dhënë atij vendin e merituar si misionar i lirisë së atdheut të tij dhe ideator i unitetit si brenda shtetit arbëror ashtu edhe të vetë Europës së asaj kohe. Veprat e tij flisnin më tepër se lavdia, ai u bë pjesë e historisë së fitoreve të mbretërve, jo pse ai e rimori mbretërinë e Atit të tij, pasi u rikthye, porse u bë liberator i vendit të tij, pastaj si hero i heronjve, u bë mbrojtësi i vetëm i kohës së tij jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por edhe i vetë kontinentit europian.

Por shumë kombe europiane, princër e mbretër e kuptuan thirrjen e tij me afshin e zemrës, për bashkim të forcave të kombeve europiane, vetëm pasi ai kishte vdekur dhe rreziku turk po u trokiste atyre në dyer. Por tanimë ishte tepër vonë. Megjithatë, ende në disa kombe të Europës kishte shpirt liberatori, trimi, vizionari e shpëtimtari, ashtu sikurse ishte Princi Eugen. Ndërsa Arbëria mbeti fushë, e cila tanimë ishte djegur e shkrumbuar nga dora e demonizuar e pushtuesit turk dhe e sulltanëve tiranë.

Arbëria u fut në zgjedhën e rëndë të perandorisë barbare otomane dhe në këtë zgjedhë ajo u bë ferrë turku, sepse gjaku i pafajshëm arbëror rridhte pa u ndalur. Edhe në këto kushte aq të rënda për jetën e vështirë, populli nuk dëshironte të pranonte heqjen dorë nga identitetit i vet arbëror, nuk donte ta mohonte besimin e krishterë dhe t’i nënshtrohej skllavërimit nën këmbën barbare të tiranit turk. Populli shqiptar gjatë shekujve të ardhshëm nuk e ndërpreu luftën e tij kundra pushtuesve dhe, në këngët e tregimet e tij e ruajti portretin e falshëm të udhëheqësit popullor, të komandantit ushtarak e të vizionit politik të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Vendosmëria, guximi dhe vetëmohimi ishin bërë më se imperative, ishin bërë frymë dhe, si njeriu që pa frymë asfiksohet, po ashtu edhe shqiptari pa këto virtyte moralisht ishte i pajetë. Këto virtyte Skënderbeu i çmonte në vleftën e tyre të vërtetë shpirtërore dhe morale e në luftën e tij të madhe çlirimtare. Faktikisht, shtëpia e Kastriotëve ka qenë e bekuar nga Providenca e Hyjit për të qeverisur mbi popullin arbëror, dhe kjo qeverisje apo mbretërim i tij ishte plotësisht i natyrshëm. Ata ishin fisi më frytdhënës i kombit, që nxori të madhin dhe të pavdekshmin Gjergj Kastriot Skënderbeun. Gjithmonë me fat kundër këtyre armiqve të emrit të krishterë, Skënderbeu i mundi duke i detyruar që ta braktisnin me turp rrethimin. Arbëria, e mbrojtur nga një hero dhe nga ushtarët që besonin në paprekshmërinë e trojeve të tyre, e poshtëroi krenarinë e Sulltan Mehmetit çdo ditë. I bindur se nuk mund ta kapërcente atë, ai u përpoq ta vriste Skënderbeun pas shpine (me anë të spiunëve të dërguar të tij), por kur kjo pabesi u zbulua, vrasësit e dërguar nga sulltani barbar pësuan vuajtjen e tyre të fundit. Skënderbeu i pamposhtur i vetëm u mbijetoj edhe këtyre përpjekje djallëzore të demonit sulltan turk. Ashtu si Goffredo di Buglione, Skënderbeu kishte një fuqi të jashtëzakonshme. Ata përmendin fakte që janë pothuajse të pabesueshme, porse ishin vepra mrekullie që dilnin nga ai. Megjithëse Kruja ishte kryeqyteti i shtetit Arbëror, edhe pse Skënderbeu rrallë qëndroi atje, në asnjë vendbanim të qëndrueshëm, por duke e gjetur veten kudo ku prania e tij ishte e nevojshme. Në frontin e armikut ai ishte ditë e natë mbi kalë, herë për të zbuluar lëvizjet e armikut, herë në fushën e tij për të vizituar të gjitha lagjet dhe për të siguruar saktësinë e shërbimit; gjithmonë i pari në beteja, gjithmonë i fundit kthehej nga betejat. Edhe pse ishte prijës e komandant, si dhe burrë shteti i Arbërit, ai luftoi si një ushtar i thjeshtë. Shfaqja dhe veprat e tij, si një njeri i thjeshtë, kudo ku këmba e tij shkelte, ka qenë ndoshta për të nxitur guximin te populli i tij. E gjithë kjo strategji që si zotëronte, të gjitha këto cilësi prej strategu, e bënë atë një udhëheqës të shkëlqyer kombëtar. Por Skënderbeu është njohur nga bashkëkombësit edhe si njeri që kishte disiplinë të rreptë, ndërsa popullariteti, bamirësia dhe bujaria e bënë atë të jetë idhull për ushtarët e tij, si dhe për shumë mbretër e princër të kombeve europiane. Skënderbeu ishte tmerri i turqve, pasi kishte fituar për njëzet e pesë vjet në më shumë se njëzet e dy beteja. Pikërisht në kohën kur Europa u drodh para otomanëve barbarë, këto fitore dhe fuqi absolute të tij treguan se fuqia e Skënderbeut duket se ishte hyjnore, se vinte nga lart. Si një komandant i patrembur, siç ishte heroi arbëror, ai do ta kishte penguar rënien e Konstandinopojës dhe vendosjen e dhunës së pushtuesit otoman, në qoftë se venedikasit e, veçanërisht fuqitë e krishtera të kombeve europiane, do ta kishin ndihmuar atë me ushtarë dhe thesaret atyre të nevojshme. Gjergj Kastrioti ishte udhëheqësi i pamposhtur i ushtrisë arbërore, edhe pse ndaj tij u mësynë shumë ekspedita, mashtrime e tradhti. Porse turqit pushtues nuk arritën ta pushtojnë tokën që e kishte nën mbretërim dhe nën autoritetin e tij ky Atlet i Krishtit, i quajtur nga Papa Kaliksti.

Shumë vende europiane, princër, perandorë e mbretër e shikonin me admirim dhe shpresë luftën e princit të palëkundur arbëror, por fatkeqësisht mbështetja financiare apo ushtarake nuk iu ofrua, edhe pse ai kishte vite që me anë të diplomacisë së tij aktive i njoftonte ata për kërcënimin turk në Europë – duke dërguar letra për mbështetje. Edhe pse i vetëm, përpara fuqisë më të madhe të kohës, Skënderbeu asnjëherë nuk e hoqi shpatën nga dora, por luftoi vetëm me një mbështetje të vogël të trupave të dërguara nga Papa apo venedikasit. Fitorja më e madhe e Skënderbeut, megjithëse më e përgjakshmja, ishte beteja në Shqipërinë Jugore, në tokën e Tomoricës, në vitin 1457. Ai arriti papritur në malet e kampit të ushtrisë turke, e cila u shkatërrua pothuajse nën këmbët e tij. Mbi 15.000 ushtarë turq mbetën të vrarë dhe 1500 të tjerë u burgosën. Skënderbeu gjithashtu mori disa armë dhe plaçkë të tjera lufte nga armiku që kishin mbetur, të cilat në mënyrë të konsiderueshme e forconin ushtrinë arbërore financiarisht.

Me talentin e rrallë të intelektit, por edhe me forcën dhe harmoninë e trupit dhe shpirtit, si dhe guximin e pamposhtur, Skënderbeu i shpejtë dhe i qartë qëndroi midis furtunave të ndryshme gjithmonë i palëkundshëm, duke e frenuar tërbimin e perandorisë otomane pushtuese. Në kuadër të gjithë kësaj, duhet nënvizuar edhe se Gjergj Kastrioti ishte tepër vigjilent. I lindur me dhuntinë e zgjuarsisë, të nuhatjes së situatave që mund të ndodhnin papritur e pa kujtuar, ai ishte edhe shumë i fortë fizikisht. Skënderbeu nuk hyri në histori si një personalitet i përgjumur, por si një engjëll mbrojtës që rri zgjuar për t’u kujdesur për popullin dhe shtetin e tij. Përgjegjësia që ai mbante mbi vete e bëri atë që sytë e tij të mos e njihnin gjumin, por të jenë syçelë e të gatshëm për të vëzhguar natë e ditë, madje edhe për ta ndjerë pulsin e vendit, duke mos e lënë atë pa frymën mbrojtëse në luftën kundër armikut turk. Kështu ai u bë frymëmarrja dhe mburoja, pa të cilën Arbëria nuk mund të mbrohej e të jetonte. Dhe kjo u pa e u vërtetua menjëherë pas vdekjes së tij, kur vendi mbeti pa të zotin dhe pa engjëllin mbrojtës.

Ky është Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili ka hyrë në histori për të mos vdekur kurrë. Edhe nëse ne nuk do të flisnim e shkruanim për këtë figurë monumentale legjendare mbarë botërore, do të fliste vepra, do të shprehej qielli, do ta kujtonte Kruja, Lezha, do të dokumentonin betejat dhe fitoret, do të rrëfenin malet, gurët dhe e gjithë gjithësia shqiptare.

Gjergj Kastriot Skënderbeu deri në fund të jetës së tij prej trimi i shërbeu atdheut dhe të mirës së tij të përgjithshme; ai kurrë nuk e bëri vëlla armikun e tij, edhe pse rininë dhe edukimin e kaloi dhe i mori në oborrin e tij, por e ruajti identitetin si dhe vlerat e kombit të vet arbëror europian. Ai hyri në histori si një Çlirues i madh i atdheut të tij dhe mbeti në histori si një Hero i madh i Shqipërisë dhe Europës. Skënderbeu nuk luftoi ekskluzivisht për fe, por për lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tij. Ai në fakt iu rikthye fesë që mbante Ati i tij, familja e tij, populli arbëror në përgjithësi, dhe me rikthimin e tij në shtëpinë ku lindi, në atë të arbërorëve, ai nuk bëri mëkat, por iu rikthye folesë së atdheut dhe fesë së popullit të tij. Ai bëri luftë të drejtë në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së vendit të tij, ai nuk iu rikthye Krujës si pushtues i saj, por si çlirues; thjesht, me anë të veprave të tij, ai iu kthye atdheut të tij për ta restauruar atë dhe për ta vendosur atë në udhën e mbarë të suksesit dhe të famës. Rikthimi i tij në Krujë me fjalët “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, tregon qartë se për çfarë ishte rikthyer Skënderbeu në atdheun e tij. Ai nuk u tha bashkëqytetarëve të tij “Fenë nuk ua solla unë, por atë e gjeta në mesin tuaj”, por përmendi fjalën e shenjtë për çdo njeri të gjallë të kësaj toke, fjalën Liri. Lirinë që popullit i mungonte, dhe me këtë liri sigurisht që nënkuptojmë lirinë shpirtërore dhe atë fizike të vendit.

Në fakt, në ditët e sotme Skënderbeu jo vetëm që është i gjallë ndër arbërorët, por edhe i vetmi që duhet ndjekur. Aq më tepër në ditët e sotme Gjergj Kastrioti ka nevojë më tepër për dishepuj sesa për fjalët tona të mëdha për të. Kombi ynë ka nevojë të ecë në udhën që ai trasoi, udhë kjo që na shpie drejt unitetit brenda kombëtar dhe rikthimit me trup e shpirt në familjen tonë të kombeve të qytetëruara e demokratike europiane dhe botërore.

*(Shkëputur nga libri i autorit me titull: ”Autoriteti dhe fama e Skënderbeut (Dorëshkrime të papublikuara më parë nga arkivat dhe bibliotekat) ”ShB Lena Graphic, Prishtinë 2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok