Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë
Në 7 -vjetorin e ndarjes nga jeta
Nga Gjekë Gjonaj
U bënë shtatë vjet nga vdekja e parakohshme, në moshën 56 vjeçare, të Husein Bato Dukaj, regjisorit të parë të shkolluar në Mal të Zi, me të cilin kam punuar disa vite në TVMZ. Dhe këtë përvjetor të shtatë mu kujtua ky koleg e mik i dashur me vlera të larta njerëzore e profesionale i cili i donte shumë njerëzit, por edhe jetën, për ta nderuar të paktën pas vdekjes, për kontributin e tij të madh si regjisor në realizimin e shumë filmave dokumentarë , festivaleve për fëmijë e shumë emisioneve televizive që ka themeluar dhe drejtuar, por mbi të gjitha për serialet që janë dëshmi prekëse për botën e fëmijëve dhe qindra arritje të tjera, përmes të cilave ai shprehu entuziazmin dhe aftësinë e tij artistike.
“Per mortuis aus ben aus nihil” (për të vdekurin ose fol mirë ose mos fol hiç) thoshin latinët. Por rasti i ndarjes së papritur nga kjo jetë e një njeriu të virtytshëm, që sot tek ne janë “specie të rralla” që kanë mbetur në këtë vend më “ lehtëson” mundësinë për të folur dhe shkruar mirë pa fund . Gjithsecili nga ne që e njihnim ndjen dhimbje për këtë humbje të madhe , e cila na la më të varfër nga ç ’ jemi, duke na hequr shpresën e një takimi të mundshëm nën qiellin e kësaj bote. Vdekja e kësaj figure të dalluar të artit ishte humbje e madhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, veçmas për Televizionin e Malit të Zi, ku për tridhjetë vite dha aq shumë nga shpirti, mençuria dhe arti i tij i papërsëritshëm. Na la pas vepra e leksione të mëdha mbi mjeshtërinë artistike.
Husein Bato Dukaj la gjurmë të pashlyeshme dhe të forta tek të gjithë shqiptarët, por edhe tek komunitetet tjera që jetojnë në Mal të Zi, duke ndërtuar ura bashkëpunimi , komunikimi e afrimi midis tyre përmes emisioneve të shumta të Redaksisë për Minoritetet. Këtë personalitet e vlerësojnë jo vetëm bashkëkombësit e tij ( malësorët-shqiptarët), por të gjithë njerëzit që e njihnin së paku përmes ekranit. Vlerësimet më të larta vijnë nga përfaqësuesit e komunitetit të artistëve dhe njerëzve që kanë punuar në grup me të. Ata e cilësojnë regjisorin e ndjerë si figurë të papërsëritshme dhe të pazakontë. Vdekja e regjisorit Husein Bato Dukaj është përjetuar si humbje e rëndë, shumë e rëndë, e një njeriu me zemër të madhe që të bënte të ndjehesh krenar. Ishte një humbje tejet e madhe për të gjithë. Nga sa e kam njohur unë ai ishte një figurë e pazakontë, e veçantë, një figurë artistike , i papërsëritshëm. Kishte shumë energji , shumë vullnet dhe shumë fuqi artistike dhe ja na la pa e menduar fare vdekjen e tij.
Kolegët që kemi punuar dhe jemi shoqëruar me Bato Dukaj, edhe sot pas shtatë vitesh, e kemi të vështirë të pajtohemi me largimin e tij. Nuk e besojmë se është larguar, sepse ka rrezatuar energji. Ai në fillimet e sëmurjes së tij na thoshte se asgjë nuk mund t’i ndodhte. Ai nuk mund të flinte gjithë natën dhe të nesërmen në orën shtatë ishte në vendin e tij të punës dhe të bënte gjithçka pa asnjë problem. Prandaj, na duhet ende kohë për t’u mësuar e për t’u pajtuar me vdekjen e tij.
E mbajmë mend si njeri që i donte pa masë njerëzit dhe e donte jetën, por e donte gjithçka që bënte deri në frymën e fundit. Gjithmonë ishte i gëzuar, i buzëqeshur, i sinqertë, plot humor. Ishte shumë e thjeshtë. Të gjitha këto veti i mbajti deri në ditën e fundit. Bato Dukaj ishte një madhështi e madhe njerëzore, një njeri i madh. Një njeri që nuk shikonte kush ishte dhe çfarë besimi kishte. Ky intelektual ishte ajo që e solli nga shtëpia e njohur në Malësi e më gjerë e Selman Jukut, dhe nga edukata e babait Ramo Dukaj, njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të kohës në Mal të Zi, nga fshati Dinoshë (Grudë – Malësi).
Husein Bato Dukaj objektivisht na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë, dhe, jo rrallë, ka qenë edhe frymëzim për shumë artistë shqiptarë, kudo që kanë jetuar. Po ashtu ishte një baba i dashur, një bashkëshort i mrekullueshëm i një djali të mrekullueshëm dhe një vajze të mrekullueshme. Ai la pas një vepër që kapërcen shumë jetë. Këtë njeri fisnik do ta kujtojmë me nderim. Aq më tepër ata që kishin privilegjin të punonin dhe të rrinin me të.