22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Muzg.

Nga Kamza drejt Tiranës.

Deri te Instituti Bujqësor nuk e vuajta dhe aq trafikun e dendur. E kalova duke kqyrur aeroplanat që ulen e ngrihen nga Rinasi si pikat e shiut.

Sa kalova Institutin, më kapi bezdia.

Kur udhëtoj në këtë rrugë në këtë orë për të ardhur në Laprakë ku banoj, trafikun nga Ura e Kamzës te Casa Italia e evitoj duke u kthyer majtas pa hyrë në urë, te kthesa e Paskuqanit. Ky variant më i gjatë dhe me më pak trafik nuk ma kursen gjithmonë kohën. Por e përdor sepse ndjehem më mirë të kaloj duke lëvizur se sa duke pritur i ngecur.

Këtë herë, nja dyqint metra pa arritur te Ura dhe Kthesa e Paskuqanit, u ktheva majtas te një rrugë e asfaltuar pa trafik paralel me rrugën ku kthehem zakonisht, atë që të çon në Paskuqan.

U futa në këtë rrugë dhe vazhdova nëpër kthesa si ma rroku rradakja.

Ndërkohë ishte errur.

Nga një kthesë në tjetrën, mu duk se po vija rrotull si kali në lëmë. Por nuk u epa. Vorbulla e kthesave, dritave, reklamave, më thithi në një shetitje ëndërrash prej Walt Disney.

Kthehu e rrotullohu mes vilave dhe kangjellave, e humba fare fillin.

Kë të pyes për vendndodhjen nga dy navigatorët, atë të celularit apo atë të makinës ?

Tu thaftë gjuha. Unë mezi pres t’i thyej t’i bëj copa.

Të marr në telefon ndonjë mik që e njeh më mirë këtë zonë ? Jo. E vret ëndrrën. Si thotë i ububushmi Oscar Benton; Po të flemë te i njëjti shtrat, nuk shohim të njëjtën ëndërr.

Sillu e sillu, një herë më dukej sikur ndodhesha te Fresku, pastaj te Astiri, pastaj te Blloku.

Benza dhe Toyota pa numurim.

Majtas, djathtas, para, mbrapa, markete, karburante, supermarketa, kafenera, restorante, shërbime nga më të ndryshmet, gjithfarë ndërlikimesh që i sheh vetëm nëpër metropole.

As Parajsa s’mundet me qenë kaq llamburitëse, me kaq ngjyra, drita, shirita, figurina, forma të sheshta dhe hapsinore, reklama kompanish dhe produktesh anglisht dhe Italisht.

Nga t’ja mbaja mes kësaj zallamahije shumngjyrëshe marramendëse ?

Thash se luajta mendsh.

Ditën në këtë zonë orientohem me lehtësi.

Natën krejt tjetër gjë.

Pash ç’pash, diku ndala makinën në pritje të asgjëje, kot, pa e ditur çfarë.

Kur papritmas shoh dikend që vjen më këmbë përballë. I therres.

-Hë, tha Shën Marku, mbrojtësi i udhëtarëve në hall, që kanë humbur rrugën, si e ke hallin ?

-Ku ndodhem ?

-Në Bathore.

Ma ftofi trurin.

Un kujtova se ndodhesha në Milano ose në Londër. Shenjtori shpëtimtar më thotë se jam në Bathore.

Unë dua ëndërra të mos ndalet, ky ma ther gjumin. He ç’më gjeti.

Rruga e Bathores në njërin skaj del te Bulevardi Blu, në tjetrin te vorrezat e Bathores në Zallherr.

E thjeshtë me dalë nga Bathorja

Por un shyqyr që humba. Nuk du me dalë nga deti i dritave dhe ngjyrave.

Për mos me e vra ëndërrën, lujta rolin e budallait, jo se s’jam.

-Më ndihmo të dal në Laprakë.

-Me kënaqësi.

Hyri brenda.

Nja dyzet. Qefull. Pa pik dhjami.

-Nga je ?

-Nga Kalaja e Dodës.

-Po ju të Kalasë së Dodës sikur jeni të gjithë në Angli, apo gabohem ?

-Nuk gabohesh. Jemi të gjithë njëkohësisht në dy vende, edhe në Angli edhe në Shqipëri.

-Ke bërë Vilë, basen të kaltër, panel diellor, kopësht, kangjella ? A ke Benz me timon djathtas ?

-I kam bërë këto dhe të tjera. Kam dy Benza me timon djathtas dhe majtas. Eja te vila ime ta pimë një kafe. Kam njerëz në Angli. Shkoj dhe vetë kur më teket.

-Keni bërë ndonjë Shtëpi Bari andej nga Londra, Birminghami, Manchesteri ?

-Jo. Ne të Kalasë së Dodës nuk bëjmë nga këto pisllëqe.

-A më shoqëron deri në Laprakë se s’po di nga t’ja mbaj ?

E rrejta për mos me mu ndal ëndërra.

E kapi në ajër hilen rrenacake.

Më rrotulloi nja një orë nëpër një lukuni rrugë e rrugica e kthesa, edhe më të llamburitura, edhe më magjike sa Bathorja. Diku më tha,

-Ik drejt, kthehu djathtas nën urën e madhe që po ndërtohet mbi lumin e Tiranës. Shtëpinë s’ta tregoj ku e ke. Gjeje vet.

E falenderova. Ika.

Unë që vdes të humb por nuk humb dot, unë që nuk humb edhe me më zhyt në fund të detit, edhe me më mbyll në një kafaz plumbi, humba në Bathore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok