04/10/2024

Ndue Dedaj

 

Triptik poetik

 

KY MOTMOT

 

Ky motmot po bdaret si muzg i vranët!

Bie borë a diell, s’duam t’ia dimë për motin,

Presim motmotin e ri me brohorimë!

 

Aq fort në 365 ditë jemi sharë e lëvduar…

Ç’matematikë pa muzikë! Ç’vringëllimë fjalësh!

Asnjë sonatë dimri s’u luajt në dy mijë vjet:

Të zymtë ditën e fundit të vitit që ikën,

Të lumturuar ditën e parë të vitit që vjen.

 

Erdhi dhe sot babagjyshi shakaxhi,

Nga cili mit doli plakushi me mjekër e kapuç?

Duarploti që bujaria e ktheu në shenjt?

A thua pati lindur ashtu me shkop?

Si s’erdhi njëherë një jo-plak me shtatin si bredh?…

 

Nuk ishte krejt i murrmë motmoti që po shkon!

Pamë aq shumë ëndrra ku tirrej e nesërmja!

Ëndrrat i vetmi planet i gjallë ndër yje

Që rrotullohet rreth nesh dhe ne rreth tij!

Ëndrrën sërish vitit tjetër ia la testament…

 

Ky motmot po tret, tjetri nga dritarja thërret.

Oh, jo! Motmotet janë trill i kalendarëve,

Viti i Ri as shkon, as vjen…

 

Dhjetor 2023

 

 

DËLLINJA E KRISHTLINDJEVE

 

Dëllinja ime e Këshnelleve, pa asnjë zbukurim

Gjelbërim pabjerrë qysh nga epoka e gurit,

Mund të kem mbetur parak me këtë pemë

As krejt pagan, as krejt i krishtenë!…

 

S’asht një dru i ftohtë sintetik sallonesh

Me grimca pambuku si fluria mbi kurorë,

Mbi dëllinjën time bie borë e njëmendët

Cicërojnë ca zogj të lashtë dimërorë.

 

Juniperusi im rritur mes lisash në shpat

S’mban gogla, xhingla, tollumbace ndër degë

S’ndizën në të llambushka si yjez të smeraldë

Si n’gjithë pemë-krishtlindjet e rruzullit.

 

Do ta marr time mbesë Beatris nga qyteti

T’i rrëfej pemën tonë pellazgjike në bjeshkë,

Për pjellorinë e drithit e tamlit t’motit tjetër

Trungu i saj në prushin e buzmit digjej eshkë.

 

Ajo do qeshë me mua, dëllinjën time rituale

As krejt e krishtenë, as krejt pagane.

 

Dhjetor 2021

 

 

31 DHJETOR

 

Ditë barsë që do të lindë me 1 janar

të njëjtin diell që kishim dhe sot,

paçka retorikës sonë të përvitshme

për një tjetër diellnajë mbi botë.

 

Ditë e bortë për të bërë ski në mal

ditë kryepreme e gjelit të detit

ditë e lume për të pirë verë të kuqe

ditë-vit për aritmetikën e shekullit

 

nga një deri në njëqind…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok