21/12/2024

Hora e arbëreshëve dhe interesimi i dardanëve!

0
u1_Gani-Mehmetaj

Mesha e madhe, ja po bije

e nga kisha mënt i shtije;

Dola: vashëzat po vinin.

qetë e lehtë në kishë hynin.

(Kënga e mallit të parë)

Nga Gani Mehmetaj

Kështu i këndonte Zef Serembe të dashurës. Mësuesi i letërsisë na thoshte se poeti temperament iu vu prapa Betrices së vet deri në Amerikën latine-Brazil. Ne adoleshentëve gjimnazistë në Pejë na linte pa frymë kjo dashuri, kur kapërceheshin dete e oqeane.

“Do t’i shkoje ti të dashurës prapa si arbëreshi i zjarrtë?”, me pyeti shoqja e bankës së parë, kur e shpjegonte mësuesi Zef Seremben. “Do t’i shkoja edhe në planetin tjetër”, i thash. “Vërtetë?” E ndali frymën ajo nga emocionet.

“Kënga e mallit” të parë me ka mbetur në kujtesë kohë të gjatë.

Kisha ka zënë vend të rëndësishëm në jetën e arbëreshëve: kisha e mallit të parë, kisha e kurorëzimit të dashurisë, pagëzimit. Arbëreshët kujtimin për kishën e të parëve dhe Gjergj Kastriotin e morën me vete, pasi e braktisën atdheun. Në atdheun tonë të robëruar osmanët e ndaluan gjuhën shqipe dhe e nxorën në ilegalitet Gjergj Kastriotin.

Kohë të gjatë na mbuloi errësira. Duhej të dilte Jeronim de Rada, themelues i Rilindjes kombëtare Shqiptare përtej detit me rilindasit e tjerë arbëreshë që të na zgjonte nga gjumi.

Arbëreshët pavarësisht rrebesheve të historisë e ruajtën gjuhën, e  kultivuan traditën si asnjë minoritet a etni në historinë evropiane, edhe pse arbëreshët në Itali ishin një pikë ujë në detin e italianëve.

Klisha (kisha) e Sanduvitit

Dhjetë vjet pasi ra Kështjella e Shkodrës, arbëreshët e Horës e ndërtuan Klishën (kishën) e Sanduvitit, që të mahnitë me bukurinë dhe në planimetrinë e ndërtimit. Sa breza arbëreshësh me gratë e tyre dhe familjet e kanë dëgjuar meshën, janë pagëzuar, janë fejuar e martuar në kishë. Mesha është mbajtur në gjuhën arbëreshe. Ishte shtylla e etnisë së tyre.

Në Horën arbëreshe bie në sy Kisha e Shëngjergjit, por janë edhe dhjetëra kisha të tjera. Kisha e arbëreshëve është katolike e ritit bizantin, ku mesha gjithnjë është meshuar arbërisht.

Në Horën Arbëreshe na thanë se janë nga Himara. Arbëreshët e Sicilisë përpiqen të flasin arbërisht dhe ta ruajnë traditën e të parëve, shqiptarët e Himarës përpiqen të flasin greqisht dhe të deklarohen grekë për një pjatë të bakllavave greke.

Kisha me shqiponjën dykrenore në ballë të portës

Palermo është qendër e madhe e Sicilisë, ku ka një komunitet arbëreshë, por është me rëndësi se aty është kisha më e madhe e tyre: Kisha e Shën Kollit të Arbëreshëve, në sheshin Bellini. Ka një shqiponjë dykrenore në ballë të kishës. Prifti që na priti me dashamirësi, na sqaroi me durim se kisha është Bashkë-Katedralja e Eparkisë së Horës të Arbëreshëvet, dioqezë shqiptare e ritit bizantin. Është pikë referimi për më shumë se 15.000 arbëreshë katolik të ritit bizantin që jetojnë në qytetin e Palermos. Në katalogun e kishës thuhet se është ndër kishat më interesante bizantine të mesjetës në Itali, është dëshmi për kulturën fetare dhe artistike të bërë nga arbëreshët  Ky ndikim ka lënë shenjën e tyre në pikturën e ikonave në ritit fetar, në gjuhën, në kostumet e tyre tradicionale.

Kishte diçka drithëruese dhe emocionuese kur futesh në brendësinë e kishës, me ikonat dhe enterierët që të linin pa mend.

Klisha e Shen Gjergjit†

Eparhia e Horës së Arbëreshëve, bashkë me dioqeza të tjera arbëreshe, ruan kisha shpirtërore, kultura tradicionale dhe liturgjike bizantine nga koha e Justinianit (shekulli VI) që zgjati deri në shekullin XV në Shqipëri. Ajo tani ka 15 famullitë dhe mbulon pesë vendbanime arbëreshe: Hora e Arbëreshëve (it: Piana degli Albanesi), Kundisa (it: Contessa Entellina), Munxifsi (it: Mezzojuso) dhe Pallaci,  Sëndastina.

Kisha arbëreshe dallonte nga kisha katolike e vendësve, ltinëve, sikurse u thonë arbëreshët italianëve. Arbëreshët  e pranojnë Vatikanin, janë Unit (A pati përpjekje nga Noli e Kristofer Kisi që të rreshtoheshin me Vatikanin?)

Delegacione të ndryshme arbëreshe shkojnë në Shqipëri, mbase vijnë edhe nga Tirana në Horën Arbëreshë në Sicili, por nuk di të kenë shkuar delegacione nga Dardania në Sicili, pos vizitave individuale a grupi, sikurse kjo e jona e organizuar nga Agjencia turistike “Aventuro” nga Prishtina. Në vizitën e fundit ishin rreth 50 shqiptarë nga Presheva në Dibër.

Po ashtu nuk e di shkojnë shoqatat kulturore në mënyrë të organizuar, apo studentët e Letërsisë e të Gjuhës Shqipe nga Universiteti i Prishtinës që të prekin historinë. Ndërkaq, do të duhej të shkonin.

Po kisha katolike i thërret sivëllezërit e tyre arbëresh në Dardani? Prapë me mungojnë informacionet. Është vëllazëruar ndonjë qytet i yni me Horën Arbëreshe, Palermon apo me Kalabrinë? Prishtina, Peja, Shkupi a Mitrovica?

Para dyzetë vjetësh shkonin delegacione shkrimtarësh, gazetarësh dhe studentësh nga Prishtina në Sicili. Kush i pengon të shkojnë tash? Televizioni i Prishtinës bëri reportazhe të shkëlqyeshme nga autor Skënder Blakaj dhe Ali Llunji me 1977-78. Mund të merren shembull edhe për sot.

Pse Ipeshkvi i Dardanisë nuk shkon në kishën e arbëreshëve në Palermo, apo në kishën e Shën Gjergjit në Horën Arbëreshë, apo ipeshkvi i arbëreshëve në katedralen  “Shenjtorja Terezë ?

Kemi misionarë italianë në Kishën Protestante të Dardanisë, kemi edhe në kishën katolike, por nuk di që e kanë thërritur ndonjë misionar arbëreshë.

Sa ishte i entuziazmuar arbëreshi Lishe (Alesandri) kur tregonte për vizitën në Kosovë, ndërsa i kishin mbetur në kujtesë kullat e Junikut.

Arbëreshët dikur ishin komuniteti më i dashur për ne. Liberalizimi i vizave na i çeli rrugët…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok