08/11/2024

HOMERI – “ODISEA”

0

Nga Xhelal Zejneli

Sikundër “Iliada”, edhe “Odisea” fillon me një figurë retorike, me një apostrofë. Në të dyja poemat, poeti thërret hyjneshën, muzën për t’i dhënë frymëzim të këndoj në të parën, mërinë e Akilit, ndërsa në të dytën, bredhjet e pafund e plot rreziqe të Odisesë.

Epopeja luftarake “Iliada” ka 24 këngë (sipas numrit të shkronjave të alfabetit grek) dhe 15.696 vargje, heksametra. Në të pasqyrohet viti i dhjetë, i fundit i luftës para mureve të Trojës midis heronjve grekë dhe trojanë. Vepra jep edhe një pasqyrë të ngjeshur për të kaluarën e largët të jetës shoqërore. Studiuesit thonë se poeti i madh gjenial, Homeri, “Iliadën” e shkroi në të ritë e vet, ndërsa “Odisenë” – kah fundi i jetës së tij.

Edhe “Odisea” ka 24 këngë dhe 12.103 vargje, heksametra. Në të pasqyrohen bredhjet dhjetëvjeçare të kryeheroit Odisesë, kthimi në shtëpi në ishullin e Itakës ku e priste gruaja besnike Penelopa dhe i biri Telemaku, si dhe ndëshkimi i rreptë i atyre që donin t’ia merrnin gruan. Poeti flet njëherazi edhe për rreziqet e shumta me të cilat u ballafaqua gjatë rrugës heroi i shumëvuajtur dhe mendjemprehtë.

*   *   *

Lidhur me fatin e Trojës dhe të heronjve që morën pjesë në luftë, kanë shkruar edhe autorë të tjerë, por veprat poetike të tyre, nuk kanë arritur deri në ditët tona.

Një prej krijuesve të panjohur i ka kënduar dinakërisë, me ndihmën e të cilës grekët ia dolën ta pushtojnë Trojën. Këta ndërtuan një kalë vigan prej druri në të cilin u fshehën disa prej luftëtarëve më trima. Grekët e lanë kalin para mureve të Trojës dhe me anijet e veta u larguan në ishullin Tenedos.

Në një vepër tjetër flitet sesi trojanët e soditin një kohë të gjatë kalin e drunjtë dhe bisedojnë ndër vete se ç’duhet të bëjnë me të. Ndërkohë, falltari Laokoon del para turmës dhe u thotë se kali duhet shkatërruar pa hamendje. Mbrojtësja e grekëve, Atena, u thotë trojanëve se kali është një dhuratë e grekëve, duke shtuar se Laokooni gënjen. Si ndëshkim, ajo i dërgon atij dy gjarpërinj të llahtarshëm të cilët e mbysin atë bashkë me dy fëmijët e tij. Nga skena që panë, trojanët u tmerruan. Ishin të bindur se falltari Laokoon u dënua si gënjeshtar, ndërsa kalin e futën në qytet. Natën, të gjithë kishin rënë në gjumë të thellë. Grekët që ishin fshehur në barkun e kalit të drunjtë, dolën që aty, i vranë rojet dhe ia çelën portat ushtrisë greke. Me të hyrë në qytet, grekët vranë, dogjën dhe rrënuan gjithçka. Troja u mbyt në gjak dhe u shkrumbua. Disa që shpëtuan, mezi ia dolën të largohen. Midis tyre, ishte edhe Eneu, djali i hyjneshës Afroditë dhe i Ankisit, njeri i rëndomtë.

Në rapsodi të tjera të ciklit epik që kanë të bëjnë me legjendën trojane, flitet për luftën e Akilit kundër mbretëreshës së Amazoneve, Pentesilesë, që kishin ardhur t’u ndihmonin trojanëve. Flitet edhe për vrasjen e Akilit nga Paridi, për grindjen ndërmjet Odiseut dhe Ajaksit se kujt i takonin armët e Akilit, për vrasjen e Agamemnonit nga gruaja e tij, Klitemnestra dhe nga dashnori i saj, Egisti. Shumë nga këto ngjarje u trajtuan më vonë edhe në tragjeditë e tragjedianëve të mëdhenj grekë.

*   *   *

Në Këngën I të poemës së dytë të Homerit “Odisea” bëhet fjalë për kuvendin e perëndive. Ata janë të shqetësuar për Odisenë, i cili ndonëse kishin kaluar dhjetë vjet nga mbarimi i luftës së Trojës, ende nuk po kthehej në atdhe.

Pas luftës së Trojës, shumë luftëtarë grekë u kthyen në atdhe. Por, Odiseu, me një grup luftëtarësh bredh dhjetë vjet rresht nëpër dete dhe vende të ndryshme. Ai ndiqet nga zoti i detit, Poseidoni i zemëruar, të cilit Odiseu ia kishte verbuar të birin, ciklopin Polifem. Kështu poeti, duke gërshetuar fantastiken me realen, poezinë me dramën, ka krijuar një roman madhështor në vargje. Janë vargje të freskuara nga aroma e njelmët e detit, të ndriçuara nga dritat dhe ngjyrat e bukura të agimeve dhe të muzgjeve mesdhetare.

Subjekti i poemës “Odisea” ndërtohet në tri linja: Bredhjet e pafund dhe plot rreziqe të Odiseut; pritja e gjatë dhe plot shqetësime e Penelopës; rravgimet e Telemakut për të kërkuar dhe për të gjetur të atin. Me kompozicion që ka, poema vazhdimisht e mban gjallë kureshtjen e lexuesit. Nëpërmjet këtyre tri linjave hapet një botë e gjerë, e pasur me ngjarje, episode dhe tablo të bukura të natyrës.

“Odisea” është poemë e pritjes së një kthimi, që s’ka të sosur. Midis pritjes dhe kthimit  shtrihet ura vigane e mallit dhe e ankthit. Është malli dhe ankthi i Odisesë, i Penelopës dhe i Telemakut. “Odisea” është poemë e ëndrrës së dashurisë. Është dashuria e Nausikës. Është poemë e pendimit të thellë të gruas që rrëmbehet nga pasioni dhe lë vatrën familjare. Është pendimi i Helenës.

Heroi nuk ka mundur të kthehet në Itakë, ngase në ishullin Ogigia, e mbante rob nimfa Kalipso, e cila kishte rënë në dashuri me Odisenë. Më në fund, me urdhrin e Zeusit, ajo e liron heroin.

Në anën tjetër, i biri i Odisesë, Telemaku, vazhdon të bredhë nëpër qytete të Greqisë për të mësuar prej luftëtarëve të tjerë në dinë gjë për babanë e tij.

Pas ndarjes nga Kalipsoja, Odiseu, i përndjekur nga Poseidoni, e vazhdon udhëtimin e tij nëpër det. Ngjarjet e sipërthëna pasqyrohen në pesë këngët e pata të poemës. Për ndodhitë përpara episodit me Kalipson, mësojmë nga rrëfimi i vetë Odisesë, të bërë në formë digresioni.

Në këngën e gjashtë valët e detit e flakin heroin në vendin e feakëve ku sundon mbreti Alkino. I lodhur dhe i rraskapitur, sapo del në breg, Odiseu bie në një gjumë të thellë. E zgjojnë britmat e vajzave të cilat dëfreheshin dhe i lanin rrobat në grykën e lumit. Midis tyre ishte edhe Nusika, e bija e mbretit Alkino. Ajo e merr Odisenë dhe e shpie në pallat ku shtrojnë për të një darkë madhështore. Rapsodi i oborrit, Domodoku, u këndon heronjve të luftës së Trojës dhe bëmave të tyre. Odiseu mëson prej tij se grekët ia kanë dolë ta shtinë në dorë qytetin vetëm me dredhi, duke futur brenda mureve të tij kalin e drunjtë, të njohur me emrin kali i Trojës. Kënga që këndoi Demodoku e preku thellë Odisenë, autorin e kësaj dredhie. Atij iu ngjallën kujtime të vjetra, e pushtuan dhembje e brenga, nga faqet i rrëshqitën lot.

Mbreti Alkino, me të parë lotët e heroit, i lutet të tregojë se kush ishte dhe ç’kishte ndodhur me të. Odiseu filloi të tregojë për të gjitha ato që kishte përjetuar dhe vështirësitë me të cilat ishte ballafaquar rrugës së kthimit për në atdhe, derisa valët e rrëmbyeshme të detit të trazuar e nxorën në ishullin Skeria të feakëve. Është një rrëfim fantastik për vende dhe qenie përrallore, si: lestrigonët njerëzngrënës, ciklopët, nimfat, sirenat. Ai tregon për popuj dhe fise të ndryshme të pellgut të Mesdheut, për doket dhe zakonet e tyre. Me plot ngjyra të gjalla dhe të larmishme, ai tregon për një botë mesdhetare, që nga brigjet e Azisë së Vogël deri në brigjet greke, që nga ishujt e Egjeut dhe të Jonit deri në Spanjën e largët. Aty shndrit bardhësia e velave që rrëshqasin mbi kaltërsinë e qetë detare, ngryset qielli, shfryjnë stuhitë dhe trazojnë detin, ndërsa valët frikësuese duket se do ta përpijnë për një çast lëvozhgën e drunjtë me të cilën lundronte Odiseu.

Midis dritës dhe errësirës, midis shpresës dhe vdekjes që i ngre kurthe heroit në çdo hap të lundrimit të tij nëpër detin e pafund, qëndron pezull ankthi i pritjes dhe i kthimit. E kanë quajtur poemë të detit, por edhe poemë të pritjes. Pret heroi të zbret në brigjet e Itakës, pret i biri të atin, gruaja burrin e vet.

Rrëfimi i Odisesë për të gjitha që kishte përjetuar gjatë udhëtimit plot rreziqe e fatkeqësi, i preku të gjithë që e kishin dëgjuar në darkën të shtruar për nder të tij. Mbreti Alkino urdhëron që ta pajisin heroin me gjithçka të nevojshme dhe me lundrat e tyre të shpejta ta shpijnë në Itakë.

Me të mbërritur në atdhe, Odiseu së pari takon bariun plak Eumeun. Aty vjen edhe i biri Telemaku. E bëjnë planin e hakmarrjes dhe nisen për në pallat ku hanin e pinin bijtë e parisë së Itakës. Ata i kishin rënë në qafë Penelopës për ta detyruar të martohej me ndonjërin prej tyre. Pas dhjetë luftimesh të përgjakshme para mureve të kështjellës trojane dhe dhjetë vjet odiseade nëpër dete, sa të qeta aq edhe të trazuara, heroi i luftës së Trojës iu kthye gruas dhe të birit. Nga largimi i burrit të saj, kishin kaluar plot njëzet vjet. Penelopa nuk e njohu luftëtarin trim, derisa nuk ia pa vragën që kishte pasur në këmbë. Poema merr fund me vrasjen e atyre që kishin tentuar t’ia cenonin ndrin trimit.

*   *   *

Veprimi në “Odise” zhvillohet brenda dyzet ditëve. Por ngjarjet për të cilat mëson lexuesi nëpërmjet rrëfimeve të luftëtarit trim në formë digresionesh, i japin poemës një hapësirë të gjerë kohore dhe hapësinore. Në krahasim me “Iliadën”, stili i “Odisesë” është më i shtruar dhe më i qetë. Kjo bëhet më e qartë po të hiqet një paralele midis dy heronjve të të dy poemave, Akilit dhe Odisesë.

I pari, Akili, me zemërimin e tij, është një ortek që lëshohet së larti dhe shkatërron çdo gjë që i del përpara. Pasi ngihet me hakmarrje, ai qetësohet. Por, pas kësaj ndjen dhimbje për fatkeqësinë e të tjerëve.

I dyti, Odiseu, në çdo situatë vepron ngadalë dhe me mençuri dhe u bën ballë fatkeqësive që ia shkaktojnë të tjerët. Dallimet që kanë të bëjnë me subjektet e poemave kanë përcaktuar edhe dallimet në stilin e shtjellimit të ngjarjeve, në mjetet shprehëse dhe në karakteret e personazheve.

Odiseu është një figurë mjaft reale dhe tokësore, më pak e idealizuar se personazhet e “Iliadës”. Forcë lëvizëse e bredhjeve të tij të gjata dhe plot rreziqe është kureshtja, të cilën poeti i madh italian i kapërcyellit të Mesjetës dhe shekullit të ri, Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321) e ka kënduar bukur në veprën e tij “Komedia hyjnore” (1307-1321). Dante thotë: “Odiseut, as dashuria për të birin dhe për gruan e tij Penelopën, nuk mundën t’ia shuanin dëshirën e flaktë për të njohur botën, vende e njerëz të ndryshëm me veset dhe me virtytet e tyre”.

Krahas guximit dhe trimërisë, Odiseu dallohet edhe për mendjen e tij të mprehtë dhe dinakërinë. Kjo e ndihmon atë për të krijuar me fantazi situata dhe mjete rrethanore për t’u bërë ballë kurtheve që i ngrenë në çdo hap, natyra e egër dhe armiqtë e tij, njerëz dhe hyjni. Përvoja jetësore e ka shtyrë atë që të jetë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm ndaj mjedisit që e rrethon.

Një figurë që tërheq me bukurinë morale të saj është gruaja e Odisesë, Penelopa,   simbol i besnikërisë bashkëshortore. E mençur, madhërisht e qetë dhe plot dinjitet para bijve të parisë së Itakës që i vardiseshin, ajo qan natë e ditë për të shoqin që s’ka të kthyer. Megjithëkëtë, s’i humb dot shpresat se një ditë burri i saj do të kthehet. Për besnikërinë ndaj dashurisë së saj, ajo e thuri dhe e shthuri pëlhurën plot 20 vjet.

Helena e bukur shkaktoi një luftë për dashurinë, ndërsa Penelopa, me besnikërinë e saj, e ka magjepsur ndër shekuj mbarë njerëzimin.

Një frymë magjepsëse dhe të kaltër si deti, në thellësitë e të cilit jetojnë, sjellin në poemë edhe qeniet e mbinatyrshme siç janë sirenat, Kalipso, Cirçe. Ato kanë rënë në dashuri me Odisenë, ndaj përpiqen ta mbajnë rob të tyre. Këtë tablo lirike e plotëson sidomos figura shumë njerëzore e vajzës së mbretit Alkino, Nausika. Ajo jeton në një botë të pastër ëndrrash që marrin dritë nga ndjenja e dashurisë për Odisenë.

Figura të tjera në poemë janë edhe djali i Odisesë, Telemaku i cili s’la vend pa kërkuar për ta gjetur të atin. Figurë e dashur është edhe skllavi besnik Eumeu, dadoja plakë dhe e dhembshur Euriklea.

Sa i përket anës morale, në poemë njerëzit qëndrojnë më lartë se hyjnitë. Hyjnitë janë plot vese dhe synojnë t’u bëjnë njerëzve vetëm të këqija. Cirçja është e pabesë, ciklopi Polifem – egërsirë që ha njerëz, sirenat – joshëse dhe tinëzare. Ndaj tyre, poeti mban njëfarë qëndrimi kritik.

Forca e artit të Homerit qëndron në gërshetimin e botës fantastike të hyjnive me botën reale të njerëzve, në shkrirjen e të mbinatyrshmes me njerëzoren. Kjo ndikon që të gjitha ngjarjet të rrjedhin natyrshëm dhe të bëhen të besueshme e bindëse.

Në “Odise” ka shumë motive folklorike që janë të njohura edhe në epikën popullore dhe në përrallat shqiptare, si ai i djalit që niset të kërkojë babanë, motivi i rinjohjes nga ndonjë shenjë e veçantë, ai i verbimit dhe i vrasjes së përbindëshave që gllabërojnë udhëtarë, i sirenave që i magjepsin udhëtarët për t’i shpënë drejt vdekjes, i burrit që i qëllon të ndodhet në dasmën e të shoqes etj.

*   *   *

Poemat homerike janë vepra që dëshmojnë për gjeninë krijuese të popullit. Ato kanë edhe rëndësi historike të madhe. Janë pasqyrë e gjallë e mënyrës së jetesës, e marrëdhënieve midis njerëzve dhe e epokës kur kanë ndodhur ngjarjet e përshkruara. Eposi homerik paraqet tablonë e rendit fisnor në periudhën e shpërbërjes së tij. Në krye të çdo fisi qëndronte mbreti apo vasileusi, siç quhej në greqishten e vjetër. Mbreti kishte pushtetin politik dhe ushtarak. Me autoritet të plotë, ai i printe ushtrisë në luftë. Të tillë ishin mbreti i Argosit dhe i Mikenës – Agamemnoni, mbreti i Spartës – Menelau, mbreti i Itakës – Odiseu.

Burim pasurimi i aristokracisë fisnore kanë qenë luftërat grabitqare dhe kusaria nëpër dete, gjë shihet edhe në poemat e Homerit. Etja për plaçkë e pasuri ishte forca lëvizëse që i shtyri fiset greke drejt mureve të Trojës. Akili i zemëruar me komandantin e përgjithshëm të ushtrisë greke, Agamemnonin, i cili pa të drejtë ia rrëmbeu skllaven e bukur, Briseidën, i thotë këtij: “Si kryekomandant i ushtrisë, të takon ty pjesa më e madhe e plaçkës, ndonëse barra e luftës së egër bie më tepër mbi mua”.

Në epokën që përshkruan Homeri, puna çmohej nga të gjithë. Por, për shoqërinë homerike ideal më i lartë ishte lavdia dhe trimëria në fushëbetejë për të mbrojtur atdheun, familjen dhe nderin. Kur Hektori e sheh vëllain e vet Paridin të tërhiqet dhe të fshihet pas shokëve kur pikas Menelaun që i sulet, e fyen me fjalët më të rënda. Fjala e dhënë, mikpritja dhe miqësia konsideroheshin detyrë e shenjtë dhe çmoheshin ndër breza. Trimi i çartur grek, Diomedi, e ul shpatën dhe nuk e vret kundërshtarin e tij, Glaukun, kur mëson prej tij se etërit e tyre ishin miq. Në mbretërinë e feakëve ku e hedhin valët e detit, Odiseu gjen një pritje bujare.

Nëpërmjet “Iliadës” dhe “Odisesë” mësojmë jo vetëm për epokën dhe për shoqërinë, por edhe për artin e tyre të fuqishëm me të cilin poeti ka paraqitur tablo realiste të gjalla. Aty qarkullojnë njerëz, sa legjendarë aq edhe realë, me veprimet, ndjenjat, gëzimet dhe fatkeqësitë e tyre. Paraqitja artistike e tyre është e rrallë në letërsinë botërore.

Që në lashtësi, Homerin e kanë quajtur mjeshtër të të gjitha arteve. Në “Poetikën” e vet, Aristoteli e ka thënë prerazi se në poezinë e tij gjendet burimi i të gjitha gjinive letrare të mëvonshme. Në poemat homerike kemi një lirizëm të hollë, dialog të shkathët, konflikte të fuqishme, karaktere monumentale të heronjve, thurje të përkryer të ngjarjeve, analizë të botës së brendshme të personazheve, forcë retorike dhe ligjërim të bukur. Pikërisht për këtë mund të thuhet se tek arti i madh i Homerit zënë fill poezia lirike, drama, romani dhe oratoria.

“Iliada” dhe “Odisea”, të parat kryevepra të letërsisë botërore, shquhen për pasurinë e madhe të mendimeve dhe të ndjenjave njerëzore më të bukura, për virtytet dhe cilësitë morale, për optimizmin dhe dashurinë për jetën, për çdo gjë fisnike dhe të madhërishme që gjithmonë mbetet aktuale dhe që ruan vlera mbarënjerëzore.

Poemat e Homerit janë vepra madhështore, dëshmi e gjallë e gjenisë krijuese të popullit, i cili ndër shekuj ia ka dhënë njerëzimit thesaret më të çmuar të poezisë së madhe dhe të pavdekshme.

EPOSI SHQIPTAR I KRESHNIKËVE

Trashëgimia folklorike shqiptare më e hershme – eposi i kreshnikëve, njihet edhe me emërtimet eposi heroik legjendar, cikli i kreshnikëve, cikli verior, cikli i Mujit dhe Halilit. Kjo trashëgimi është studiuar nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si: studiuesi amerikan Milman Parry (1902-1935), profesori i letërsisë krahasuese në Universitetin e Harvardit Albert Bates Lord (1912-1991), albanologu austriak Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963), gjuhëtari dhe historiani shqiptaro-amerikan Stavro Skëndi (1905-1989), figura poliedrike Arshi Pipa (1920-1997) etj.

Profesor Albert Lordi është autor i veprës të njohur në qarqet folklorike botërore “The Singer of Tales” (1960). Bashkë me studiuesin Milman Parry themeluan atë që u quajt “Parry-Lord Theory” që u bë bazë e shpjegimit të origjinës së poemave të Homerit, “Iliadës” dhe “Odisesë”. Mori pjesë në simpoziumin e Shoqatës së studiuesve të Evropës Juglindore, të mbajtur në Tiranë në vitin 1966.

Heronjtë e eposit të kreshnikëve e quajnë veten trima ose agët e Jutbinës. Ata mbrojnë kufijtë e trojeve të të parëve. Muji dhe Halili i mbrojnë të vetët prej një rreziku që vjen nga veriu, nga brendësia e gadishullit, kurse Gjergj Elez Alia është një dalzotës i fisit i cili e mbron atë prej rrezikut që vjen nga deti. Në këngët epike legjendare jehonat vijnë prej epokave të lashta. Kreshnikët qëndrojnë përballë Shkjaut, Osmanit, Harambashit, Harapit të Zi etj. Konflikti sundues në epos është ai me krajlitë, ndërsa antagonistë të agëve të Jutbinës janë kreshnikët e krajlive. Për këtë arsye, studiuesit mendojnë se eposi duhet të jetë krijuar në kohën e dyndjes së sllavëve në Ballkan. Mu si në epopenë e lashtë sumere dhe në atë greke, heronjtë qendrorë të eposit të kreshnikëve janë dy. Muji zgjedh fuqinë, sikurse Akili, por heroi tjetër, Halili, shënjon kultin e bukurisë, jo të dijes si Odiseu. Në eposin shqiptar të gjitha konfliktet janë paraosmane. Në tërësinë e tyre këngët e kreshnikëve ruajnë një frymë të krishterë. Në kohën e mbërritjes së faktorit osman në Ballkan, eposi shqiptar ishte një vepër tanimë e mbyllur. Epopeja sllave ndërkaq zhvillohet brenda botës osmane. Në eposin e kreshnikëve nuk ka hapësirë dhe kohë të përcaktuar historike. Jutbina është një atdhe shpirtëror i rapsodëve. Kjo dëshmon se eposi i kreshnikëve ka prejardhje vendase.

Muji (Gjeto Basho Muji) dhe Halili (Sokol Halili, Sokoli iRi) janë vëllezër, kryeheronj të këngëve të eposit shqiptar të kreshnikëve, shokë armësh në të gjitha bëmat. Tek ata janë ruajtur të gjitha analogjitë e lashta ilire të atij çifti vëllezërish heronj që ndeshen edhe te popujt e tjerë, si te grekët (Dioskurët), gjermanët, indasit (Açvins), armenët (Sanazar e Aslimelik) etj. Muji është luftëtari që jeton e vepron në mjedisin tipik të malësive shqiptare. Tek ai mishërohen vlerat e larta shpirtërore e fizike të popullit shqiptar, si besa, burrëria, trimëria, qëndresa përballë vështirësive e armiqve, krenaria, dashuria për lirinë e vendit të vet. Falë forcës që i japin Zanat, Muji bëhet i pamposhtur, me tipare të jashtëzakonshme. Vëllai më i vogël Halili, i bindet autoritetit të vëllait më të madh, por vrulli rinor e bën të shpërthejë në veprime të papërmbajtura. Bëmat heroike i japin figurës së tij një madhështi legjendare, si ajo e heronjve të luftës trojane, e kënduar në poemat e Homerit të verbët.

Krijimet folklorike, poetike dhe muzikore shqiptare u quajtën me emra të ndryshëm: këngë të vjetra, të moçme, trimash, kreshnikësh, burrash, këngë lahute etj. Në rapsodi këndohen ngjarje të mëdha të së kaluarës, por edhe të së sotmes. Sipas natyrës së temave, motiveve dhe formës artistike, ato mund të jenë këngë popullore historike, dashurie, dasme, kurbeti etj. Rapsodët i kanë kënduar në gjininë letrare epike, lirike dhe liriko-epike.

Poema epike historike Lahuta e Malcís, Shkodër 1937 me 15.613 vargje, vë në qendër luftën për pavarësi, e në veçanti ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga viti 1858 deri në vitin 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar në fillim midis viteve 1902 dhe 1909 dhe e punuar nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare, është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Autorin e saj, Gjergj Fishtën (1871-1940) e quajtën Homeri shqiptar.

ULIKSI SHQIPTAR – BEKIM FEHMIU DHE PENELOPA ARVANITASE IRENE PAPAS

Producenti i famshëm italo-amerikan i filmit Agostino “Dino” De Laurentis (1919-2010) ia ofroi Bekim Fehmiut (1936-2010) rolin kryesor në serinë televizive “Odisea”. Seria spektakolare u realizua në vitin 1968. Në  këtë spektakël, aktori me famë botërore, Bekimi luajti rolin e Odisesë (Uliksit). Për hir të këtij roli, njërin prej dy djemve të tij e pagëzoi me emrin Uliks. Rolin e mbretëreshës së Itakës, Penelopës, e luajti aktorja greke me famë botërore, me prejardhje shqiptare, Irene Papas (1926-). Në hapësirat e Ballkanit, personaliteti i Bekimit mori përmasat e mitit. Për interpretimet brilante në filmin “Odisea” figura e Bekim Fehmiut dhe e legjendares Irene Papas, u gdhendën në historinë e kinematografisë botërore. Në vitin 1972 Bekim Fehmiu vizitoi Shqipërinë ku u prit me nderime. Nacionalistët serbomëdhenj, përkundër përpjekjeve, nuk ia dolën ta pengojnë Uliksin shqiptar – Bekimin për t’i dhënë një kontribut artistik kinematografisë botërore, si Aleksandër Moisiu (1879-1935) dhe Xhon Bellushi (John Belushi, 1949-1982) dikur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok