02/05/2024

Hiri i bukurisë së gruas, liria e magjepsjes që mbeti e “ngujuar” në shkëmb

0

Nga Albert Vataj

Koha ka ndalur. Daltat dhe çekanët kridhen përdhe mbi copëza gurësh dhe pluhur shkëmbi, si armët në fushëbetejë. Mjeshtri fshin djersën dhe lëshohet në ëndje i rraskapitur. Mijëra goditje mbi shkëmb, ofshamë e drithërima, prekje dhe prehje të gurta, që e ndezin në çdo frymëmarrje, e prushin në çdo ngulm që ai bëri, për të ç’burgosur nga ngujimi, atë, më të hirshmen bukuri që ka shkrepëtirë në sytë e adhurimit. Goditje pas goditje, ajo del nga shkëmbi, si nga imagjinata. Shpërfaqet e hyjshme dhe e dlirë, e epshme dhe ngasëse. Diku të sheh në sy, tjetërkund vështrimi saj është i praruar. Gjoksi kërcen në pupthin e frymëmarrjes që zgjohet. Trupi i derdhet në linjat që i blatohen joshjes. Heshtja u flet me gjuhën e gjithë ligjërimeve ku ajo është përkunduar dhe ka ëndërruar, ku është derdhur dhe shndërruar në frymë.

Dhe… jemi ashtu të shastisur dhe të trishtuar, të joshur dhe ngurues. Shohim me ngulm dhe prekim me ndrojtje. Ndjejmë thellë, ftohtë dhe zjarmshëm. Tundohemi dhe hezitojmë. Për një çast, vetëm shohim. Nuk marrim frymë. Përpiqemi të hyjmë në një zgjim të ri të kohës së skulptorit dhe presim, ndërsa ai do të vazhdojë punën e lënë në mes, ta çlirojë nga shkëmbi gruan që duam të na përkasë, bukurinë që dëshirojmë të na jepet, epshit që padurueshëm të na rrëmbejë.

Pritja është si të gjitha pritjet që pajtohen me ardhjet e pamundura. Dhe ne ikim, duke marrë vetëm aq liri dhe përjetim, aq sa ç’ka dashur dalta e shpirtit të poetikës mizore të na japë. Ikim për të mbetur edhe ne të ngujuar në atë madhështi çlirimi, për t’u ngërthyer prej asaj çfarë, ndoshta një grua dëshiron të japë, asgjë më shumë, vetëm aq. Sepse vetëm atë ajo ka për të ofruar, vetëm kësisoj ajo i ngaset ëndjes dhe magjepsjes. Vetëm aq liria e saj kërkon të jetë e lirë në një botë ngujimesh mizore dhe çlirimesh sfiduese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok