21/12/2024

Hebrenjtë në Mitrovicë dhe Lufta e Dytë Botërore

0
2-Hebrenjte-Vrare-Shqiperi

Prof. Ass. Dr. Pajazit Hajzeri,

UBT – University for Business and Technology,

Prishtina, Kosova

pajazit.hajzeri@ubt-uni.net

Abstrakt:

Qyteti i Mitrovicës shtrihet në pjesën më veriore të Ultësirës së Kosovë, nëpër të cilën kalojnë katër rrjedha lumore, si Ibri, Sitnica, Lushta dhe lumi Trepça. Përveç rrjedhave ujore, ky rajon njihet edhe me pasuri të shumëta minerale. Gjithashtu rrjedhat ujore i japin luginave të tyre tokë aluviale shumë pjellore, e cila ishte shumë e përshtatshme për banim dhe lakmohej nga komunitete të ndryshme qysh në perudhat antike kur Zotë të saj ishin veq Dardanët.

Në shekujt e parë të milenjumit të kaluar këtej paraqiten romakët, më pas kjo trevë sikur pjesa më e madhe e trevave ilire mbetet nën Perandorinë Bizantine, pastaj atë Osmane, këtu përmenden edhe serbet, sasët, raguzanët, hebrenjtë e shumë të tjerë që vinin dhe shkonin por elementi Dardan – Arbër – Shqiptar asnjëher nuk mungi në këtë pjesë deri në ditët tona.

Fjalët kyqe: Antikitet, lokalitet, pasuri, trevë, hebrenjtë.

Hebrenjtë në Mitrovicë dhe Lufta e Dytë Botërore

Përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar kulmuan me luftën e përgjithshme, e cila nuk ka pushuar deri në agun e shek. XXI. Pushtimi i egër otoman për 500 vjet radhazi ua kishte lidhur lakun në fyt shqiptarëve, duke ngulfatur çdo ndjenjë të tyre për liri e pavarësi. Në fillim të shek. XX Perandoria Osmane po numëronte ditët e fundit të sundimit të saj në katër vilajetet e banuara kryesisht me shqiptarë.

Një goditje shumë e rëndë për shqiptarët ishin dëbimet masive të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit në dimrin e vitit 1877-1878 dhe në verën e vitit 1878. Me këtë rast, Milan Obrenoviqi u thoshte ushtarëve të vet serbë: “Sa ma shumë të vrisni e të shpërngulni shqiptarë, aq më të mëdha do të jenë meritat e juaja ndaj atdheut!”[1] Kjo i kushtoi popullit shqiptar, përveç humbjeve të tjera, shpopullimin e rreth 998 fshatrave[2] dhe shpërnguljen e rreth 212.950 banorëve shqiptarë.[3]

Kjo gjë e preku edhe qytetin e Mitrovicës ku një numër shumë i madh nga kjo popullat vendoset në qytet dhe në rrethinat e tij. Mirpo, ardhaja e hekurudhës Selanik – Shkup – Prishtinë – Mitrovicë – Beograd solli edhe një zhvillim më të hivshëm për qytetin e Mitrovicës. Me këtë rast fillojnë edhe vendosja e kolonëve serb dhe malazez në këtë pjesë.

Edhe një komunitet i vogol hebrenjë gjeti streh po në këtë qytet rreth shek. XIX. Në mes fshatit Boletin dhe Zhazhë gjenden disa varreza të mbuluara me nga një pllakë guri vendor, e që në popull njihen si varrezat qifute. Kjo gjë e vërteton faktin se në fshatin Boletin kishte një komunitet hebre i cili ishte sjellur aty nga familja Boletini të cilët ishin në shërbim të po kësaj familje.

Familja e Isa Boletinit, kishte një ndërmarrje, e cila merrej me përpunimin e gurëve për mullinj. Isa Boletini i kishte sjellë në pronat e tij disa familje hebrenje, për të ndihmuar në udhëheqjen e ndërmarrjes së tij, për të cilët thuhet se janë të njohur në gjithë Mesdheun. Një familje herrenje, e cila merrej me ndihmës – udhëheqjen e ndërmarrjes, vendoset fare pranë shtëpisë së Isa Boletinit te vendi i quajtur Guri i Tupanit, ndërsa familjet tjera vendosen jo fort larg kësaj familje, që kryesisht janë marrë me punimin e tokës dhe ruajtjen e bagëtisë së familjes Boletini.[4]

Kësaj familje i mundësohet të shfrytëzojë një objekt të vogël kulti të lënë pas dore nga boletinët pasi që ky objekt ishte një kishëz e vogël të cilën boletinët e përdornin deri sa praktikonin fen krishtere, ndërsa pas rikthimit të boletinëve në pronat e tyre kjo kishëz nuk u shërbente meqenëse boletinët tashmë ishin konvertuar në mysliman.

Këtë objekt kulti boletinët ju ofruan komunitetit hebre që ta shëndrronin në sinagogë të cilët tashmë veq ishin të vendosur në këtë fshat. Studiues të tjerë mendojnë se ky objekt kulti më parë ishte një kishëz katolike, pronë e familjes Boletini para islamizimit të kësa familje, apo ndonjë objekt i vogël kulti që ndërtohet për të plotësuar kushtet e komunitetit hebre të sjellë në këtë fshat, e kurrsesi ndonjë kishë serbe e ndërtuar në shek. XIV si propagandohet nga politika ditore dhe shkenca perfide serbe.[5]

Pas pushtimit të Kosovës nga serbët, ky komunitet hebre asimilohet dhe gradualisht serbizohet. Të njëjtin fat e përjetoi edhe familja e Avramit që e kishte shtëpinë te Guri i Tupanit.[6] Objekti i kultit të tyre u shndërrua në kishë ortodokse, e cila, pastaj i zgjeroi pronat e saj, me konfiskimin e pronave të Isa Boletinit. Në vitin 1953, atë kishë e zgjeruan dhe e modifikuan, duke ia ndërruar edhe hyrjen dhe bashkangjitur edhe një pjesë tjetër pothuajse sa ishte kisha më parë. Se kisha ishte një objekt fare i vogël, është lehtë e kuptueshme për ata që e kanë vizituar ose e kanë analizuar nga fotografitë e lëshuara në internet. Pas kësaj periudhe u bënë investime të mëdha, u falsifikua historiku i kësaj kishëze të vogël dhe ajo u pagëzua në me emrin Manastiri i grave në Sokolicës në vitin 1956.[7]

Sipas statistikës turke në vitin 1911 në fondin Komiteti i Kosovës në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27 theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetonin 2009 hebrenj, prej tyre në Shkup 1343, në Prishtinë 547, në Kumanovë 93, në Mitrovicë 26 dhe disa persona të vetmuar në Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Sipas statistikës së Komitetit të Kosovës të cekur më lartë dosja 22 nga viti 1913 në Shkup jetonin 567 hebrenjë, por nuk shënohen hebrenjtë tjerë në qytete tjera të Kosovës. Në regjistrin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenjë, në Mitrovicë 104, në Prizren 1, dhe 1 në Rahovec. Në regjistrimin e vitit 1931 në Prishtinë jetonin 373 hebrenjë, në Ferizaj 3, Në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6, dhe në Pejë 3 hebrenjë.[8]

Sipas dokumenteve ushtarake serbe në vitin 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, më 1915 vetëm 298 hebrenj jetonin në Vilajetin e Kosovës, çka do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur në Turqi. Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës në vitin 1937 jetonin 506 hebrenj.[9]

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore – ishte një ogurzi veçanërisht për hebrenjtë. Fati i njejt i gjeti ata edhe në viset ballkanike, mirëpo, trevat shqiptare ishin streha më e sigurtë e këtij komuniteti.

Pushtimi i Kosovës nga nazi-fashistët ishte një mundësi e mirë për shqiptart që të frymonin pak më lehtë se sa që ishin nga pushtimi serb deri në atë kohë. Megjithatë, jo se kishin shumë gjëra në dorë, sepse qeveria kuislinge serbe kontrollonte shumë çka në këtë pjesë.

Në dhjetor të vitit 1941 Hebrenjtë e Mitrovicës u mblodhën në kazermën e qytetit dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre mundi të ikte pa u burgosur në këtë kazermë. Dy djem të rinjë hebrenjë u qëlluan për vdekje duke tentuar për tu larguar nga ky burg.

Nga shtërngimi i pozitës së tyre Hebrenjtë fillojnë dhe shpërndahen kush ku të mundet. Nëpër gjithë Kosovën gjejmë familje të cilat i strehojnë Hebrenjtë madje i mbajnë në gjirin familjar edhe me vite të tëra.

Shala e Bajgorës një rajon kodrinoro-malor, me një pozitë gjeostrategjike shumë të favorshme, ishte shpresë për strehim dhe shpëtim të shumë Hebrenjve. Nga të dhënat e marra nga terreni, mësojmë se në fshatin Vllahi kishim së paku në tri familje hebrenjë të strehuar. Në familjen e Rizah (Ejup) Hajzeri, për një periudh kohore kishim disa hebrej të strehuar, po ashtu në familjen e Hajriz Hajzerit kishim hebrenjë të strehuar.[10]

Në vitin 1942, rrugës nga Mitrovica për në fshatin Vllahi, Emin (Hazir) Ademi po nga ky fshat në vendin e quajtur Gjelbishtë (tek kroi i njelmët), në malin me akacie takon një hebre të quajtur Semir. Në bisedë e sipër Semiri i tregon se kishte ikur nga ndjekja e serbve dhe gjermanëve, gruaja e tij kishte shkuar disa ditë më parë tek familja e vet në Gjakovë, ndërsa ai vet kishte mbetur i pastrehë. Semiri banonte në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, aty ai e kishte shtëpinë dhe një sinagogë të vogël të cilat i kishte lënë në mëshirë të fatit.

Emin Ademi i ofroi strehim në familjen e vet ku jetonin 25 anëtar të kësaj familje. Semirit për tri vjet radhazi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botëtore. Emini, Semirin e prezantonte në fshat si nipin e tij, që lufta e kishte sjellur atje. Ndërsa Semiri merrej me punët e shtëpis sikurse 25 anëtarët e tjerë të kësaj shtëpie. Punonte tokën, ruante bagëtin, siguronte dru për ngrohje dhe ndihmonte në çdo lloj punësh që bëheshin në fshat.[11] Mbajtja e Hebrenjve në atë kohë ishte me rrezik të madh, pasi që rrezikoheshin të gjithë familja në rast se do gjendej një hebre në cilëndo familje.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Semiri kthehet në qytetin e Mitrovicës, ku hap një biznes të tij privat, hap në Argjentari, ku shiste ari dhe argjend. Në lokalin e tij kishte një karrige që e mbante vetëm për Emin Ademin që sa herë që Emini zbriste nga fshati në qytet zakonisht dita e shtunë në Mitrovicë ishte ditë pazari, dhe fshatarër sillnin produktet e veta për t’i shitur dhe furnizuar me gjërat e nevojshme nga qyteti. Emini shkonte e vizitonte Semirin. Sa herë që ai ishte në qytet, shkonte pushonte dhe bisedonin për kohët e vështira të luftës.[12]

Edhe djemt e Eminit ruajten kontaktin me Semirin. Ramadani deri në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar e kujton Semirin kur shkonte e vizitonte po në lokalin e tij në rrugën e Kovaqëve në Mitrovicë.[13]

Lufta e Dytë Botërore sillte të papritura gjithandej, më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, kryeshef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimoviq. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyrë të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Iliq, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dergonte raport atij dhe Millan Nediqit për rrethana në Kosovë. Stevan Iliq u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Iliqi bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.[14]

Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për kontrollimin “mirëmbajtjen” e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nediqit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashkë, në Podjevë, Vushtërri dhe Novi Pazar.

Disa qindra hebrenjë nga Prishtina dhe Mitrovica u depërtuan në kampin e Zemunit, e pastaj në Bergen-Belsen. Bazuar në këto të dhënë nga Muzeu i Zagrebit, në Kosovë thuhet se ka pas 550 hebrenjë, prej tyre janë vrarëë 210 ose 38,2%. Nga kjo e dhënë kuptojmë se bëhet fjalë për vrasjen e 210 Hebrenjve, shifër kjo që qarqet e ndryshme sllave u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve.[15]

Nga të dhënat e cekura më lartë mundë të pohojmë se edhe nëse është bërë kjo vrasje dhe dorëzim i Hebrenjve, këtu nuk kanë dorë shqiptarët sepse me shumë shembuj konkret dëshmohet virtyti i shqiptarëve dhe sakrifica e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Shqiptarët e Kosovës edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane u gjenden në pozita të larta shtetërore atje dhe po të ishin vrasës dhe ndjekës të Hebrenjve këtë do ta bënin edhe në Shqipëri. Shtohet pyetja a thua fati i 210 hebrenjve ishte vepër e forcave çetnike që vepronin në Mitrovicë dhe rrethinë të cilët në atë kohë bashkëpunonin me forcat gjermane. Kjo bënë të mendohet se këta hebrenjë ishin nga Serbia të cilët u penguan që të hyjnë në Kosovë nga koloboracionistet serb, duke i kthyer prapë në Serbi-Zemun për t’i dërguar pastaj në kampin e Bergen Belzenit, sigurisht se shqiptarët nuk i dërguan në Zemun as prej Zemuni në kamp për vrasjen e tyre.

Lista e familjeve dhe personave nga komunitet Hebre në Mitrovica që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore (në vitin 1942) në kampin e Sajmishtjes dhe kampin e Batajnicës – Beograd

Hebrenjt e Mitrovicës të vrarë në vitin 1942 ishin nga 25 familje me gjithësejt 85 persona të moshave të ndryshme nga 2 deri në 70 vjeçare.

Dr. Nehemija SHENFAJN sipas dokumenteve është gjetur me dy vite të ndryshme të lindjes, njëri e jep vitin e lindjes 1892, tjetri vitin 1886.[16]

Mosha mesatare e gjithë të ekzekutuarve të komunitetit Hebraik në vitin 1942 ishte 33.09 vjeç

(vite gjithësejt 2836:85=33.36 vjeç mosha mesatare e Hebrenjve të vrarë)

Ne po i referohemi të dhënave që japin vitin 1892 si vit të lindjes së Dr. Nehemija Shenfajn se lindi në Ostrogh të Ukrainës. Shkollën fillore, të mesme dhe fakultetin e kreu në Ukrain në vitin 1917. Ndërsa në Kosovë erdhi në vitin 1922 pas Luftës së Parë Botërore, me ekspeditën e Kryqit të Kuq që erdhën në Ballkan, për t’i ndimuar të plagosurit në vendet e shkatrruara që kishin dale nga lufta. Në fillim doktori u vendos në Prishtinë, ndërsa pas një viti vendoset në Mitrovicë. Shumë shpejt mëson edhe gjuhën shqipe dhe komunikoj me popullatën shqiptare pa asnjë problem.

Banorët e Shalës së Bajgorës që e mbanin mend doktorin tregonin për bujarin e tij, përveq që i vizitonte pacientët nga ky rajon ai ju japte edhe para për t’i blerë barnat e duhura.

Doktor Nehemija Shenfajn ishte i martuar me një grua zvicerane Headwing, dhe kishte dy vajza. Mendohet se familja e tij u arratis nga një kampi i përqendrimit pas vuajtjeve mizore që përjetoi, ndërsa doktori pushkatohet në vitin 1942 në Serbi bashk me 84 hebrenj të tjerë.

Shtëpia e Dr. Nehemija Shenfajn, gjendet edhe sot në qendër të qytetit të Mitrovicës, dhe është në mbrojtje të përkohshme si Monument Kulture.

Me urdhër të nazistëve, të gjithëve Hebrenjve ua vunë në krah një shirit të bardhë me shkronja të zeza ku shkruhej fjala “Jud”. Në të gjitha banesat dhe dyqanet e hebrenjve kishin vendosur nga një flamur gjerman. Në letërnjoftime na kishin shtamposur një “J” me ngjyrë të kuqe. Kur erdhën Gjermanët në Mitrovicë u kërkuan autoriteteve italiane t’u dorëzonin izraelitët e Prishtinës. Ndër izraelitet dhe popullsinë vendase u dha alarm. Shqiptarët e Prishtinës, përfshi edhe ndonjë nga autoritetet e vendit, shkuan menjëherë në komandën e karabinierisë italiane dhe iu luten që të mos i dorëzonin, por të gjenin rrugë e mundësi për t’i shpëtuar duke i nisur për në Shqipëri. Italianët që tregoheshin më humanë e tolerues e morën parasysh këtë kërkesë dhe grupe grupe i nisën në Shqipëri.[17]

Lista e Hebrenjve nga Mitrovica që shpëtuan në Luftën së Dytë Botërore

Hebrenjtë e Mitrovicës që shpëtuan dhe u shpërngulën për në Izrael në vitin 1948, deri më tani kemi të dhëna për 17 përsona, nga 5 familje, prej moshës 1 deri në moshën 48 vjeçar.

Sipas të dhënave nga një tablë e cila ndodhet në Muzeun Historik kushtuar Holokaustit në Yad Vashem në Izrael, në shqipëri janë vrarë vetëm 200 hebrenj, pjesa më e madhe e tyre ushtarë pranë Ushtrisë Nacional Çlirimtare në luftë kundër nazi-fashistëve.[18]

Fatin e Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore e psuan edhe shqiptarët dhe boshnjakët në fund të shek. XX. Gjenocidi nuk e bënë asnjë errësit të paimagjinueshme, asnjë shkatrrim të pamundur. Këtë e dëshmojnë spastrimi etnik pas Holokaustit në Kosovë dhe gjenocidet në Bosnje dhe Ruandë.[19]

Fig. 1. Lista e Hebrenjve të vrar Europë, gjatë Luftës së Dytë Botrore Yad Vashem, Holocaust History Museum

Bibliografia:

Ademi, Ramadan [2023]. (76 vjeqar) intervistuar më 16/09/2023, Mitrovicë;

Destani, Bejtullah [2019]. Muhagjirët, Dosja Britanike, Spastrimi etnik i Toplicës, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës, 1878-1884, Prishtinë;

Hajzeri, Pajazit [2021]. Përmbledhje Studimesh nga Historia I, Prishtinë;

Hajzeri, Pajazit [2021]. Përmbledhje Studimesh nga Trashëgimia Kulturore II, Prishtinë;

Hajzeri, Pajazit [2023]. Vizitë e realizuar në Yad Vashem, Holocaust History Museum, Izrael.

Hajzeri, Shaban [2015]. (79 vjeqar), intervistuar në vitin 2015, Mitrovicë;

Namani, Qazim [2023]. Në vitin 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenjë, https://www.izraelisot.com/2023/01/09/dr-qazim-namani-ne-vitin-1905-ne-vilajetin-e-kosoves-jetonin-3000-hebrenj/

Namani, Qazim [2021]. Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore,

https://www.zemrashqiptare.net/news/56254/qazim-namani-kontributi-i-shqiptareve-per-shpetimin-e-hebrenjeve-gjate-luftes-se-dyteboterore. html?fbclid=IwAR0jvGBGyMsDfVsF0CAL1icE44N5DPtD72VvCky_KmKx3iUXtQaasCfkhQQ

Murati, Sylejman [1983]. Monografi, Luftëtarët e rënë dhe viktimat e terrorit fashist të Mitrovicës së Titos dhe rrethinës, 1941 – 1945, Mitrovicë;

Preteni, Dr. Bajram [2022]. Intervistuar në vitin 2022 në Mitrovicë;

The Holocaust Chronicle, A history in Words and Pictures, [2001]. Publications International, Ltd, Illinois, USA;

 

[1] Pajazit Hajzeri, Përmbledhje Studimesh nga Historia I, Prishtinë, 2021, p. 144

[2] Bejtullah Destani, Muhagjirët, Dosja Britanike, Spastrimi etnik i Toplicës, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës, 1878-1884, Prishtinë, 2019, p. 268.

[3] P. Hajzeri, Vep

[4] Pajazit Hajzeri, Përmbledhje Studimesh nga Trashëgimia Kulturore II, Prishtinë, 2021, pp. 82, 83.

[5] Ibid.

[6] Qazim Namani, Hebrejt në Kosovë, Vjetar, Arkivi i Kosovës, XXXVII – XXXVIII, Prishtinë, 2007, pp. 98, 111

[7] https://manastiriusrbiji.com/manastir-sokolica/

 

[8] Qazim Namani, Në vitin 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenjë, https://www.izraelisot.com/2023/01/09/dr-qazim-namani-ne-vitin-1905-ne-vilajetin-e-kosoves-jetonin-3000-hebrenj/

[9] Ibid.

[10] Shaban Hajzeri, intervistuar në vitin 2015.

[11] Ramadan Ademi, (76 vjeq) intervistuar më 16/09/2023, Mitrovicë

[12] Ibid

[13] Ibid

[14] Qazim Namani, Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, https://www.zemrashqiptare.net/news/56254/qazim-namani-kontributi-i-shqiptareve-per-shpetimin-e-hebrenjeve-gjate-luftes-se-dyte-boterore.html?fbclid=IwAR0jvGBGyMsDfVsF0CAL1icE44N5DPtD72VvCky_KmKx3iUXtQaasCfkhQQ

[15] Ibid

[16] Dr. Bajram Preteni, intervistuar në vitin 2022.

[17] Qazim Namani, Kontributi i shqiptarëve, punim i cituar.

[18] Pajazit Hajzeri, Vizitë e realizuar në Yad Vashem, Holocaust History Museum, Janar, 2023.

[19] The Holocaust Chronicle, A history in Words and Pictures, Publications International, Ltd, Illinois, 2001, p. 19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok