22/12/2024

HARADIN VIDISHIQI- E KEQJA MË E MADHE E KËSAJ TOKE JANË OKUPUESIT DHE ZULLUMQARET PARTIZANO-ÇETNIKËT, QË DONË TË GLLABËROJNË ÇDO GJË SHQIPTARE

0
Sabile-Basha

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1895-e mbytën në shkurt 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Haradin Vidishiqi u lind më 1895 në fshatin Vidishiq të Shalës së Bajgores. Ishte fëmijë i dytë i Kahriman Fazliut dhe Shahes, e lindur Bahtiri. Qysh në fëmijëri familjarët e vërejtën se sa i zgjuar ishte fëmija i tyre. Ndaj librave e tregimeve tregonte dashuri të madhe. Vinte nga një familje e kamur fshatare. Andaj, oda e Vidishiqëve ishte çdoherë e hapur për mysafiret që ishin të shpeshtë në këtë shtëpi. Si fëmijë, Haradini pati fatin të takohej me shumë njerëz të mençur e patriot të kombit, të cilët lanë gjurmë të thella në jetën e tij. Si i ri i donte edhe armët, që babai i tij i kishte në shtëpi, të cilat ishin tepër të nevojshme për familjen ngase mbroheshin nga sulmet çetnike që ishin të shpeshta në atë anë. Mu nga këtu lindi edhe dashuria e madhe ndaj lirisë dhe atdheut, dhe urrejtja e madhe ndaj okupuesit dhe robërisë. Para mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kalon për  katër vjet në Shkodër dhe përsëri ilegalisht  kthehej në Vidishiq. Më 1932 martohet me Mihane Berishën, me një grua bujare nga Lushta e Mitrovicës. Me të pati dy djem. Fillimisht merrej me bujqësi. Por, duke e parë se atdheu i tij ishte në rrezik, merr pushkën për ti mbrojtur tokat shqiptare.

Haradin Vidishiqi qysh i ri filloi të shoqërohej me trima të kohës siç ishte Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Adem e Hetem Voca e shumë të tjerë. Me një trimëri të rrallë, ata mbrojtën kufirin etnik verior nga çetnikët dhe morën pjesë në të gjitha luftërat që ndodhën në Novi Pazar, Kollashin e vende të tjera ku jetonin shqiptarët.

Lufta e Dytë Botërore, Haradinin e gjeti të përgatitur për të mbrojtur vendin. Ishte kundër komunizmit dhe i luftonte partizanet dhe thoshte shpesh se e keçja më e madhe e kësaj toke janë okupuesit dhe zullumqaret partizano-çetnikët, që donë të gllabërojnë çdo gjë shqiptare. Por, nuk do ia dalin, premtonte trimi i Shalës së Bajgores.

Pushteti  i cili u instalua në Mitrovicë, duke e parë guximin e pashoq të Haradinit, e emërojnë komandant të Postëkomandës së Xhandarmërisë Shqiptare në Sanxhak, por ndodhte shpesh që ai ndërronte zyrat gati në tërë zonën që ishte nën pushtetin gjerman. Miqësia e madhe me shokët e pa ndarë me Bislim Bajgoren e  Hetem Vocën solli edhe rezultatet e para ngase këmbë çetniku për një kohë nuk kaloi kufirin për të sulmuar fshatrat shqiptar. Është i njohur sulmi çetnik që bënë çetnikët në verën e vitit 1943, afër fshatit Keçekollë. Të cilët me një befasi të madhe sulmojnë kosëtarët në livadhet e Keçekollës. Në këtë sulmi vriten dy kosëtar shqiptarë, ndërsa falë trimërisë së Haradin Vidishiqit, i cili posa kupton për këtë, del në vendin e sulmit, dhe reagon shpejt. Çetniket duke parë rrezikun, strehohen në një shpellë, të cilët me atë rast, Vidishiqi i likuidon që të gjithë. Haradin Vidishiqi ishte luftëtar dhe strateg i sulmeve guerile, andaj çetniket posa kuptonin se në anën tjetër të sulmeve ndodhej Vidishiqi, largoheshin dhe nuk ktheheshin më.

Haradin Vidishiqi, në veprimtarin patriotike, ishte mik e shok i madh i Profesor Ymer Berishës. Mori pjesë në të gjitha aksionet e veprimtarit atdhetare që organizonte profesori. Ymer Berisha. Dhe duhet përmendur se njëra ndër organizatat që zhvilloi veprimtari të dendur, që la gjurmë, e bëri jehon por që e tërë veprimtaria e saj ishte afatshkurtër, ishte organizata politike-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” e udhëhequr nga patrioti dhe atdhetari i shquar profesor Ymer Berisha. Organizata patriotike “Besa Kombëtare” u formua me 28 nëntor 1944, ne fshatin Abria e Epërme të komunës së Skenderajt, ne ndërtesën e Shkollës fillore te këtij fshati. Profesor Ymer Berisha, me shumë patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës Normale-Gjimnazit “Sami Frashëri” kishin ardhur nga Prishtina, për të organizuar dhe mbajtur: Kuvendin e parë të organizatës “Besa Kombëtare”

Ky Kuvend u mbajt si rrjedhojë e parapërgatitjeve të bëra qysh ne Mbledhjen konstituive të  12 shtatorit 1943-ës, të mbajtur në Pejë. Në Kuvendin e Drenicës, morën pjesë shumë delegatë të “Besës Kombëtare” si dhe mysafirë e te ftuar, ne radhët e te cilëve dalloheshin : kolonel Sylejman Shkoza-Vuçiterna, tribuni Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Ahmet Selaci, Adem Voca, Haradin Vidishiqi, Mulla Mustafë Fazliu, Sherif Tërstena, Aziz Zhilivoda, Lahë Luboveci, Ismail Murtez Lushta, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari i Astrazupit, Zef Gjidoda me çeten e tij luftarake, Marije Shllaku, e cila edhe e mbajti procesvërbalin e  Kuvendi, si dhe mbajti një fjalim. Mehmet Gradica, Ukë Sadiku me Çetën e tij i siguroi rojet për mbajtjen e këtij Kuvendi pa pengesa. Aty ishin edhe Sadik Lutani, Rexhep Gjeli, Sadik Zeneli, Hamit Emini – “Doktorri”, Alush Smajli – “Qerrataja”, Feriz Boja, Mulla Ilijaz Broja e shumë të tjerë e sidomos përfaqësuesit e Drenicës së Epërme. Ne Kuvend u ftuan edhe mysafirë të tjerë, kështu që numri i pjesëmarrësve ne këtë Kuvend arriti ne 243 veta. Në këtë tubim madhështor rol të dukshëm pati Haradin Vidishiqi i cili ishte i pa ndarë me prof.. Ymer Berishën.

Në Kuvend u vendos qe te punohej për shkëputjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia; te sabotohej çarmatimi i popullit shqiptar nga pushtuesit e rinj, e që do të bashkohej me Ushtrinë e ardhshme kombëtare shqiptare. Këtu, në këtë Kuvend u zgjodh edhe Kryesia e Organizatës “Besa Kombëtare”, me kryetar prof. Imer Berishen, sekretar Ismail Ymer Thaçi nga Zakuti i Podujeves, si dhe u aprovua një program i qartë kombëtar dhe u caktuan kahet e organizimit për shtrirjen organizative te saj, sidomos ne radhët e rinisë kosovare

Shkuarja e prof. Ymer Berishës nga Prishtina në Drenicë, kishte për qëllim zhvillimin e aktivitetit politik e ushtarak në ato fshatra, dhe kishte mshtetjen, ngase kishte fjalën e Haradin Vidishiqit, i cili kishte bërë sigurimin e sigurt për mbarëvajtjen e Kuvendit. Qëllimi i kuvendit ishte edhe për të bërë aktivizimin e lidhjeve të vjetra të luftës së përbashkët të Drenicës dhe anës se Rrafshit të Dukagjinit, por edhe të Mitrovicës, Vushtrrisë, Shalës së Bajgores dhe Llapi. Ndërsa në Prishtinë kishte vënë lidhje edhe me Adem Gllavicën, ngaqë ai ishte kryetar komiteti. Prof. Ymer Berisha në Prishtinë bëri përgatitjen e nevojshme: siguroi armatim të nevojshëm dhe njerëz që do të shkonin në Drenicë. Haradin Vidishiqi e dinte se organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare”, ishte e formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare. Andaj, nuk kursente asgjë që e tërë ky aktivitet të kishte suksese. Por, deri në mars të vitit 1945, organizata shumë pak ose fare pak zhvilloi ndonjë aktivitet në teren, ngase kushtet ishin tepër të vështira, por në pjesën e dytë të vitit 1945, situata ndryshoi, anëtarët e saj zhvillojnë një aktivitet të dendur, dhe luajti një rol të rëndësishëm në ilegalen shqiptare.

Në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin Popoviqit (13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë që OZN-a, haptas justifikoi terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Prijësit e Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare të Frontit Nacional Shqiptar, të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të shndërrohen në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.

Prof. Imer Berisha, edhe pse në kushte tejet të vështira, zhvillonte një aktivitet të dendur në çdo pëllëmbë të Dukagjinit dhe në Kosovë në tersi. Ai punonte me ngulm e vendosmëri që të bënte lidhjen e të gjithë krerëve të rezistencës si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri. Këtij qëllimi ia arriti me kontaktimin e Pashkë Bibë Mirakajt, i cili ishte njëri ndër udhëheqësit më me ndikim në lëvizjen e rezistencës që zhvillohej në Shqipërinë Veriore. Të njëjtat qëllime dhe dëshira për një unitet sa më të madh të lëvizjes, i ushqente dhe i përkrahte edhe Pashkë Bibë Mirakaj, që ishte vëllai i Kolë Bibë Mirakajt, i cili ishte ministër gjatë kohës së Italisë, dhe ndodhej në mërgim në Itali. Që të dy, edhe prof. Imer Berisha e edhe Pashkë Bibë Mirakaj ishin të vetëdijshëm se pa një unitet të përbashkët të të gjithë ilegales shqiptare nuk do të ketë Shqipëri Etnike. Në mars të vitit 1945, Pashkë Bibaj i dërgon një letër profesorit, me të cilën kërkon të takohet me të. Korrieri duke e dërguar letrën në rrugë e sipër bie në pritë, dy prej tyre vriten, por megjithatë letra bie në duart e profesorit. Takimi ndërmjet tyre realizohet, por me shumë vonesë ngase që pritej dhe çdo vonesë në takim ishte shumë e dëmshme për lëvizjen.

Pas takimit që pati prof. Imer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945, në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët e lëvizjes ishte i pamohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në vendin Mirëditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në Dobërdol.

Haradini mori pjesë edhe në Kuvendin e Vidishiqit, që u organizua më 22 janar 1945. Pasi në fillim të Janarit 1945, udhëheqësit e lartë në Prishtinë, kërkonin të takoheshin në Prishtinë e të bisedonin me Parinë e Shalës. Adem Voca atyre u parashtroi këto kushte: 1. Brigadat kosovare të komandoheshin nga shqiptarët; 2. Komandimi të bëhen në gjuhën shqipe; 3. Brigadat kosovare të luftonin vetëm nën Flamurin shqiptar; 4. Në të gjitha vendbanimet, ku shumica e popullatës është shqiptare, Kryetari, Sekretari dhe Komandanti të jenë shqiptarë. Udhëheqja  e lartë në Prishtinë i kishin pranuar formalisht kërkesat e shaljanëve dhe Adem Vocës, por në të vërtetë kjo qe edhe një tradhtia e radhës, dhe kjo ” marrëveshje ” nuk u respektua, nga ana e tyre dhe tregoi qartë fytyrën dhe pabesinë e tyre. Kështu që shaljanët në Vidishiq, mbajtën më 22 Janar 1945, Kuvendin, në të cilin u morën vendime të rëndësishme. E këto vendime ishin: 1. Batalioni i komanduar nga Ahmet Selaci, t’i sulmoi forcat partizano-çetnike dhe ta çliroi Mitrovicën. 2. Batalioni i komanduar nga Adem Voca, të siguronte rrugën Vushtrri – Mitrovicë, nga sulmet eventuale që do të vinin nga ajo anë. Siç u tha më sipër kushtet e mjerueshme ekonomike dhe atmosferike i detyruan Ahmet Selacin dhe udhëheqësit tjerë të qëndresës të përpilonin një strategji të përshtatshme për të mundur ta vazhdonin rezistencën dhe ta çlironin Shalën. Andaj ata vendosen që të veprohet në grupe, kështu që u themeluan:1. Grupi i Ahmet Selacit- numerikisht ishte më i madh; 2. Grupi i Ukshin Kovaçicës; 3. Grupi i Bislim Bajgorës; 4. Grupi i Boletinëve; 5. Grupi i Osman Bunjakut dhe 6.Grupi i Hazir Gjakës.  Haradin Vidishiqi në ndërkohë bashkë me Bislim Bajgorën kishin krye shumë aksione kundër bandave çetnike dhe atyre komuniste. Haradin Vidishiqi, Bektesh Mehmeti dhe Sadri Isufi, që të tre ishin nga fshati Vidishiq, dhe përbënin treshen më besnike të Organizatës “ Besa Kombëtare”, në emër të së cilës këta kishin krye disa aksione me rëndësi të veçantë.

Më vonë Haradin Vidishiqi hyri në grupin e Vocajve, që zgjati deri më 9 shkurt 1945, kur ata vendosën të shkojnë në kullat e tyre, në Pasomë, afër Vushtrrisë, ku u ngujuan dhe për tri ditë luftuan trimërisht. Ademi, si komandant e kishte vendos ashtu dhe urdhri duhet zbatuar. Pas likuidimit të Adem Vocës dhe familjarëve të tij dhe vrasjes në pusi të dy shokëve të Haradinit dhe pas vrasjes së prof. Ymer Berishës, në vjeshtë të vitit 1946, Haradini e kalon natën  në fshatin Novosell e Begut të Vushtrrisë te vëllezërit Rizah, Rifat e Ferat Bunjaku. Bunjakët ishin një familje e ndershme, të besës dhe Haradinin e kishin mik, ngase motra e tij Shaha ishte fejuar për djalin e tyre Feratin. Ata e pranuan ashtu siç pritet miku, nuk hezituan fare se pranimi i tij në shtëpi sillte edhe rreziqe të mëdha. Atij, ia ndërtuan një bunker në ahurin e bagëtive duke e siguruar me një gyp për ajrosje që nga jashtë nuk dukej, sepse ishte i maskuar mirë. Aty Haradini qëndroi tetë muaj derisa një spiun nga fshati Vidishiq, e lajmëron tek OZN-en e Mitrovicës dhe shpreh dyshimin, se njeriun që po e kërkonin, mund të jetë strehuar tek familja Bunjaku. Posa shprehet ky dyshim, komandanti i divizionit ndëshkues-Milija Kovaqeviqi, i njohur me nofkën “Çiça”, urdhëron një batalion çetniko-komunist që të nisen për fshatin Novosellë e Begut dhe rrethojnë shtëpinë e vëllezërve Bunjaku.

Dimri i acartë i muajit shkurt, i vitit 1947, mbrëmje e ftohët- akull, me plotë borë dhe stuhi, do të mbahej gjatë në mend nga fshataret e fshatit Novosellë e Begut e më gjerë. Shtëpia u rrethua në të katër anët. Oznashët hynë në odën e mysafirëve, ku i zoti i shtëpisë, axha Rizah, ishte duke marrë abdes për të fal akshamin. Njerëzit e OZN-es e rrëmbejnë pa paralajmërim duke e sjelltë zbathur dhe e lidhin në oborr bashkë me dy vëllezërit tjerë. Ndërsa, gratë e fëmijët të tmerruar i kapin, i qesin në oborr duke i kërcënuar se do ti vrasin të gjithë me radhë nëse nuk e dorëzojnë Haradin Vidishiqin. Duke e parë situatën e nderë që u krijua, e merr përsipër vet axha Riza që ta njoftoj Haradinin se çfarë kishte ndodhur. Por paraprakisht i tregon se ata nuk e kishin tradhtua “dhe na nuk të kemi dhanë bukë me sherr, por ti sa për neve mos u dorëzo, sepse na qysh në fillim e kemi llogarit edhe me këtë. Pra, jemi gati që të vdesim i madh e i vogël, por besën e dhënë nuk e thejm”. Haradini, duke e parë situatën e pa rrugëdalje dhe në anën tjetër nuk deshi që ta rrezikojë mikun më besnik që kishte pasur, vendosi që të dorëzohej. Por, ai pati një të vetme kërkesë për komandantin e atyre ushtarëve, që mos të përdorin dhunë ndaj tij, para grave, fëmijëve dhe burrave të shtëpisë. Ata i premtuan se do të jenë shumë korrekt  gjatë arrestimit të tij por, i thanë se po qese ndodhë që ai të tentoj që të përdor armët, i thanë se tërë familjen do e pushkatojnë.

Haradini doli nga bunkeri dhe hodhi pushkën dhe katër bomba dore në tokë. Ushtaret e lidhen. Dhe ashtu të lidhur e vendosen në një trinë se bora ishte tepër e madhe dhe nuk kalohej dot. E nisën për Vushtrri por nuk e futën në burg. Milija Kovaqeviqi urdhëroi që ky batalion, bashkë me Haradin Vidishiqin të nisën për Shalë të Bajgores. Arrijnë në fshatin Tërstenë. Komandanti me disa xhelatë të tjerë vendosen në kullën e  Mustafës, ndërsa trimin e Shalës e kishin lënë në mëshirën e dy xhelatëve, një jevgu e një serbi nga Gojëbula, të cilët për tri ditë rresht  e kishin rrahur dhe malltretuar si është më keq. Po ashtu, edhe për ekzekutimin e tij u kujdesën ata dy xhelatët famëzinj. Ekzekutimi i Haredinit u krye në një kodër mbi Tërstenë, përkatësisht ndërmjet Gumnishtës dhe Tërstenës. Trupin e pa jetë të atdhetarit të madh, OZN-a, e lejon tek pas tri javëve, që ta sjellin në shtëpi. Dhe, është për tu habitur, se trupi i pa jetë i Haradin Vidishiqit, ishte i ruajtur dhe thuajse ishte në një gjumë të thellë, veç  72 therjeve me thikë që kishin mbetur si dëshmi në trupin e tij, që tregonin se Haradinin e kishin mbytur në mënyrën më mizore. Varrimi i tij u bë pas tri javësh, ndërsa djemtë e tij pas 54 vjetësh ia ngritën një lapidar në vendin atëherë ku është varrosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok