17/11/2024

HAPJA E SHKOLLËS  PRIVATE NË GJUHËN SHQIPE NË SLLATINË TË TETOVËS

0

Shkolla fillore në Leshkë, ku është edhe Osman Ef. Abdullahi. Fotogafi e vitit 1932

Shkruan Syrja ETEMI

Si gjithkund ndër trojet shqiptare, ashtu edhe tek shqiptarët e Iliridës, si: në Ohër, Strugë, Dibër, Rekë e Epërme e, në veçanti  – në nahinë e Tetovës, pikërisht në Shipkovicë me Rexhep Vokën, madje  edhe në Sllatinë, nevoja dhe dëshira e zjarrtë për t’u arsimuar apo për të pasur shkollën shqipe, ishte po aq e madhe sa edhe nevoja dhe dëshira përgjëruese për lirinë. Përpjekjet dhe sakrificat e popullit tonë për realizimin e këtyre aspiratave ishin konsistente. Populli ndjente fuqinë e dijes, andaj e kërkonte atë duke paguar edhe me çmimin më të lartë dhe më sublim. Patriotët dhe arsimdashësit që u vunë në shërbim të dëshirës së përflaktë për të pasur shkollë e edukim në gjuhën shqipe, u ballafaquan me rreziqe të mëdha në hapërimin e tyre, e disa nga ata  sakrifikuan edhe veten.

Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën gëluese për të pasur shkollë shqipe, apo për të mbjellur farën e gjuhës shqipe në fillim të shekullit XX, në Sllatinë të Rrethit të Tetovës, padyshim ishte hoxha i fshatit, Osman ef. Abdullahi.

Të dhëna biografike për Osman Efendi Abdullahin

Pollogu gjithmonë ka lindur njerëz të cilët e kanë identifikuar dhe sfiduar kohën. Njëri ndër ta është edhe Osman Efendi Abdullahi, i cili u lind në Sllatinë në vitin 1888 në një familje të njohur për edukim dhe arsimim, sidomos atë fetar. Që si i vogël i bie në sy me zgjuarësinë e tij kushëririt, Ismail Efendi Saiti, i cili ishte Shef i Katedrës Teologjike në “Fati” të Stambollit. Kështu në librin: “Çështje gjuhësore”, Dr. Remzi Nesimi, shkruan: “Nga Tetova dhe rrethi i saj, përveç Rexhep Vokës që njihet si veprimtar i shquar, në Stamboll ishin shkolluar edhe Selim Efendi Sheapi, Osman Abdullahi nga Sllatina e shumë të tjerë, të cilët, të frymëzuar nga idetë e Rilindasve, e vazhduan me zell punën rreth mësimit të alfabetit shqip dhe të gjuhës shqipe”. Njëkohësisht njihet edhe si bashkëpunëtor i ngushtë i intelektualit nga Shipkovica, Efendi Rexhep Voka.

Ismail Efendiu e merr Osmanin e ri për ta shkolluar në Stamboll, ashtu siç janë shkolluar shumica e rilindasve tanë shqiptar. Këtu, efendiu i njohur me pikëpamjet e tija iluministe, e regjistron Osmanin në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Stambollit, në të cilin studijoi tre vite. Kur i vdes babai, i ndërpret studimet dhe kthehet në fshat. Është me rëndësi të theksohet se, gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, bëhet vullnetar në anën e ushtrisë së sulltanit. Kthehet në vendlindje me gradën “toger”. Ai meqë kishte mbaruar Medresenë e Stambollit me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1906, po në Stamboll, pos mësimeve fetare, siç cekëm më lartë, kishte lexuar edhe Rilindasit tanë që vepronin në StambolI. I  motivuar nga veprat e tyre patriotike e atdhedashëse, tek ai edhe më tepër i ndizej dëshira e madhe për arsim në  gjuhën shqipe, edhe pse kushtet dhe                                                                                                                                                                                                      rrethanat e atëhershme ishin mjaft  të vështira për veprim e për të hapur një  shkollë shqipe ku do të arsimoheshin fëmijët e moshës shkollore të fshatit të tij të lindjes. Meqë këtë nuk mund ta bënte në ndonjë objekt arsimor të finansuar nga shteti, ai e shndërroi shtëpinë vet në shkollë (që e themeloi më 1912) , ku mblodhi disa fëmijë dhe u jepte shkrim-këndim në gjuhën shqipe.

Pos këtij aktiviteti, në grahmën e fundit të Perandorisë Osmane, me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave tjera shoqërore e politike, më vonë do të  punojë edhe si profesor në shkollën: “VELIKA MEDRESA” të Shkupit, ku mësohej edhe lëndë shkencore. Me themelimin e shkollës fillore (1932) në Leshkë, tani më me përvojë solide prej pedagogu, do të punojë me honorar: me nga dy orë në javë. (Këtu mësimi zhvillohej në gjuhën serbe edhe për fëmijët shqiptarë, kurse Osman efendiu mbante ligjërimin në gjuhën shqipe). Kështu, me punë arsimore ai u morr deri në fund të jetës së tij, deri më 1939. Ka  njohur për mrekulli, përveç gjuhës shqipe, edhe gjuhën turke, franceze  dhe serbo-kroate.

Puna e tij e palodhshme, qoftë si edukator i mirëfilltë, qoftë si veprimtar i devotshëm, nuk shihej me sy të “mirë” nga pushteti i atëhershëm dhe gjithnjë ishte në shënjestër të pushtetit. Por, pa marrë parasysh këto obstruksione pushtetore, por edhe “anatemat” klerikale të kohës, ai nuk dorëzohej e servilohej. Ai bagazhin e madh të mësimeve që e kishte fituar gjatë shkollimit, e vinte në funksion të shpjegimeve të shumë fenomeneve e problemeve, të cilat binin ndesh me paragjykimet predomionante të kohës. Por, sido që të ishte, do të thoshte hoxha: “Toka është e rrumbullakët, dhe se, ajo sillet rreth boshtit të vet dhe rreth Diellit. “Shpjegim ky që, për atë kohë ishte në kundërshtim me dogmat dhe predikimet e shumë klerikëve profanë, qofshin ata myslimanë, qofshin të krishterë.

Që në atë kohë kur shqiptarët e këtyre viseve e quanin veten “turk elhamdulilah”, Osmani i jepte përparësi kombit e mandej fesë. “Pa vatan nuk ka iman”, do të shprehej pa mëdyshje efendiu i madh, i cili gjithnjë e më tepër zgjeronte miqësinë me njerëzit më me ndikim në këto treva. Ai, përveç që shoqërohej me persona me influencë në fshat, si me Jusufin e Muçës, Mulla Ferikun etj. bashkëvepronte edhe me Mulla Veselin e Nerashtit, me Selim Sheapin nga Tetova, madje Ismail Spahiun, Idriz Ibrahimin etj.

Mulla Osmani kurrë nuk ka qenë klerik fanatik, por gjithnjë ka qenë luftëtar i rreptë kundër disa klerikëve dhe interpretuesve të verbër e injorantë. Mundohej që njerëzve të kredhur në skëterrën e paditurisë t’u shpjegonte gjërat dhe dukuritë në mënyrë shkencore, pasi këto njohuri ai i pat fituar që në Kolegj, nga lëndët: gjeografi, matematikë, astronomi, Kur’an etj. Këto ide për kohën e atëhershme ishin “paradokse” dhe “laike” por nuk vononte shumë dhe të gjitha “heretizimet” dhe “profkat” e Efendiut të madh, shndërroheshin në realitet.

Ai, përveç literaturës fetare, siç përmendëm edhe më sipër, me ëndje të madh lexonte librat e Rilindasve tanë e, në veçanti ato të shkruara me alfabetin turko-arab. Prandaj, qysh atëherë u frymëzua thellë me idetë iluministe që burimin e kishin në Europën e përparuar, e në veçanti tek iluministët francez. Kështu, duke kuptuar rëndësinë e arsimit për civilizimin e një populli, Osmani qysh në vitet tridhjetë (në kohën e Serbisë) e shkolloi djalin e vet: Hysniun.

Prandaj, mund të përfundojmë se madhështia e punës dhe veprimtarisë së Osman Abdullahit, nuk qëndron vetëm në konsistencën dhe konsekuencën ndaj idealit dhe botëkuptimeve të tij, por edhe në papërkulshmërinë kundruall ndërkombëzave intriguese të regjimeve të huaja dhe linçimeve të klerikëve të instrumentalizuar.

Për atë që bëri ai, bashkë me veprimtarët që përmendëm, sot duhet të kujtohet me respektin më të madh  nga brezat  e këtij nënqielli.

Rrethanat historike dhe shoqërore-politike që ndikuan në themelimin e shkollës private shqipe

Për rastin e themelimit të shkollës në gjuhën amtare në Sllatinë, më së pari duhet kuptuar rrethanat shoqërore politike të kohës, të cilat favorizuan çeljen e saj.

Do të kridhemi pakëz në histori…

Meqë më 17 qershor të vitit 1912 qeveria e Sait Pashës ua lëshon vendin  liberalëve, për të cilën edhe cekëm më sipër, kryengritësit shqiptarë  parashtruan disa kërkesa (peticion) me një program prej 14 pikësh, në mes të cilave edhe  pika (kërkesa) për Mësimin e lirë të gjuhës shqipe dhe organizimi i shkollave private shqipe. Qeveria turke, e gjendur nën presione të  shumanshme, e sidomos nga frika se mos  përhapet kryengritja edhe në vendet tjera nën Turqinë, u pajtua të pranojë 14 pikat e parashtruara të kryengritësve shqiptarë (në përjashtim të vetëm dy pikave: 1. që kishte të bënte  me kthimin e armatimit të konfiskuar  dhe 2. gatishmëria, përkatësisht mosgatishmëria për të dënuar dy qeveritë pararendëse të xhonturqve).

Duke marrë parasysh pikat të cilat kanë të bëjnë me “lejimin e hapjes së shkollave private në gjuhën shqipe”, Osman Abdullahi, si një personalitet i cili njihte mirë rrethanat e krijuara të kohës, në kushtet e pamundësisë për ndërtimin e ndonjë objekti – shkollë, ku do të shërbente për mësimin në gjuhën “e nënës” të vogëlushëve sllatinasë (por edhe të fshatrave përreth), ai adaptoi një dhomë në shtëpinë e përbashkët me kushërinjtë e tij.

Prandaj, kjo gjendje nuk do të ndikojë te  efendiu që ai të “vajtonte” situatën e të  humbte kohën mjaft të çmuar. Ëndrra e tij, patjetër të realizohej, përkundër gjendjes së vështirë ekonomike e sociale: “Një mashën me kashtë do të ndërtoj, vetëm fëmijët shqip t`i mësoj” , do të citonte ai Rexhep Vokën, dhe  do të shtonte:

“Buk` e krejp du ham, gjene, e po t` rojm` në k`solla,

Për talebe, si kejt dunjaja, t`bojm mektep` e shkolla.”

Kështu, i frymëzuar nga shkrimet e Vokës, nga njëra anë, e duke ndjerë gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në anën tjetër, Mulla Osmani ishte konsistent dhe me vullnet të fortë për të bërë diç për popullin e tij, pa marrë parasysh situatën e krijuar nën  këto kushte e rrethana, duke porositur katundarët: ”Do t’vijë nji kohë, ku buk’ e gojës, nuk do të fitohet vetëm me shat, por edhe me shkollë e kalem”…

Pretendimet e Osman Abdullahit  për çeljen e shkollës private në gjuhën shqipe, jo vetëm që nuhateshin nga bashkëpunëtorët që e nderonin dhe kishin besim në konsistencën dhe zotësinë e tij, por, hapi i tij ndiqej edhe me dozë dyshimi dhe injorohej nga shumë njerëz të mashtruar, e, që, në mënyrë të verbër u bënin “temenara” me plot elozhe krerëve “religjiozë”, të cilët pretendonin se ndiqnin rrugën e “Zotit” dhe “qitapet” e shenjta, dhe që shumica prej tyre nuk kishin as ndjenjën minimale kombëtare. Hoxha, sido që të “pandehej” nga njerëzit e profesionit të tij të bukës, ai kishte pasionin dhe vizionin e tij të qartë. Mund të thuhet se ai ishte “shumë para kohës”, që, shumica dërmuese e popullatës, jo vetëm sllatinase, por edhe më gjërë, as që e kishin të qartë konceptin e kohës dhe hapësirës ku jetonin. Ai do t`i qëndrojë konsekuent idealit të tij; do të ndiqte “yllin  polar në horizont…” madje, do të provojë edhe praktikimin e metodave konspirative efikase për  veprime të efektshme në ilegalitet, të paktën të mos “pikasej” nga “argatët” e Padishahut, të cilët kurrë nuk derdhën as një pikë energjie në dobi të kombit e të çështjes kombëtare në përgjithësi, që në shumë raste kur gjenin “qemallin”, sidomos në  drekat dhe darkat që organizonin njerëzit e thjeshtë e të varfër (në emër të ceremonive fetare, si mevlude e hatme,etj.) nga 10 herë i shtinin  në xhehnem e 9 herë e nxirrnin nga ky Ferr. S`dinin tjetër veç “dersit” me gjuhë të farmakosur që vjellte vetëm lemeri e frikësime mbi popullatën edhe ashtu të molisur e të raskapitur nga sundimi i huaj. Në çdo takim të kësaj natyre, populli apo turma e  pafajshme “qerasej” me   zjarr e flakë, që do ta gjente  në botën tjetër të Xhehnemit. Këto dumatje e shantazhe përplot horrore e terrorizime, dhe shumë tmerre e ndëshkime tjera psikologjike, që topitnin gatishmërinë e po këtij populli  të pashkolluar për  të   çuar  kokën lartë për të parë  botën me sytë  dhe të rezononin me trurin e tyre, Mulla Osmani, jo vetëm që nuk i gjente në fjalorin e tij të ligjërimit me njerëzit e thjeshtë, por ai e luftonte aq sa mundej këtë “retorikë frikësuese”, me të cilën ligjëronin disa shërbyes fetarë, si në Sllatinë, por edhe më gjërë.

Në vorbullën e këtij mentaliteti të krijuar në popull, Efendiu i Madh duhet të merr hapin e guximshëm për ndryshimin e kësaj mendësie. Vetëm me “edukimin e mendjes, me dritën e fiqirit, njeriu do të sheh dhe do të shkojë përpara,” do të thotë teologu i shquar. Mendja e robëruar nga fanatizmi dhe botëkuptimi i mykur, nuk mund të rrezatojë dritë e mençuri. Dritë e mençuri përhap shkolla, arsimi, dituria dhe feja e pastër me njerëz të ditur e të arsimuar. Prandaj, arsimimi duhet të fillojë nga fëmijët, sepse të moshuarit (të moçmit) më “kanë shartu shtrembër…”  Prandaj, një njeri më mirë të jetë fare i pamësuar, sesa i mësuar keq”…

Për këtë arsye,ai u thoshte njerëzve që kishte besim:

“Buk` e krip` du ha

se vak`t me hup nuk ka

nji shkollë da  kavetoj

e caullët ship di mcoj…”

Sido që të jetë, kushtet objektive e materiale janë faktorë të cilët mund të kapërcehen, diku me më  pak e diku me më shumë peripeti e angazhim, por beteja me paragjykimet predominante që kishin trullosur shumë koka të bashkëfshatarëve të  vendbanimit ku jeton, të zhytur deri në fyt në ujërat e pista të injorancës, ishte shumë, shumë e vështirë… Këtë fakt Hoxha e dinte shumë mirë, por ai nuk zbrapste hapin në davaritjen e tisit të zi të skëterrës që po pllakoste mbi popullatën rezidente të provincës ku jetonte edhe vet. Përkundër këtyre barrierave, Mullai nuk do të dorëzohet, i mblodhi  disa fëmijë (përkatësisht: 7* )  për t’i mësuar në shkollë – shtëpi (sidomos fëmijët e prindërve që kishte raporte të ngushta dhe që bashkëpunonte).

NXËNËSIT QË KANË MËSUAR NË SHKOLLËN E OSMAN ABDULLAHIT:1.SADIK BEQIR ASANI (1903), 2.ISLAM ZENDEL IDRIZI(1903), 3.ABDULLAH SELIM ABDULLAHI (1903), 4.HAKI PAJAZIT IBISHI (1904), 5.RAMIZ IDRIZ IDRIZI (1904), 6.JUSUF PAJAZIT JUSUFI (1903) , 7.SALI MAHMUT SALIHI (1902)

Kështu, mësuesi i përkushtuar për mësimin e fëmijëve në gjuhën amtare, nuk do të lejojë t`i ik nga “bebëza” dielli që Ai  shihte në horizont. Sa për kushtet teknike, ai vet do të adaptojë një dhomë – klasë në shtëpinë e përbashkët për krejt familjen Abdullahi. Me bashkëpunëtorët e vet të ngushtë që kishte (Mulla Beqirin, Asan Çaushin, Mulla Ferikin, etj.), Ai e pasuroi “klasën” me një dërrasë të zezë, 1×2 m. (katrorë) të përforcuar në mur, në të cilën shkruante me shkumës  të kuq prej qeremideje. Edhe puna e fshisave “llasa” (partall) për pastrim që i siguronte Hoxha, nuk paraqiste problem, madje as ulëset (shkëmba) për vogëlushët që akomodoheshin e ndiqnin me admirim mësuesin e tyre, nuk do të  sjellnin kokëçarje, sepse sensi dhe vullneti i Hoxhës dhe ndjekësve të tij për mësim e dije që dukej si aurorë në kokën e mullait, ishte i fortë, mu si Kepi i Hutit në Sharrin e lashtë, dhe me këtë  do të demolonte e do të shembte edhe fortesën e gjykimeve të parakonceptuara, që ishin çmërsuar  në kokat e mykta të disa njerëzve, e prej të cilëve disa  pretendonin bile edhe se janë “të k`nushëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok