06/03/2025

GRATË ARVANITASE – BUBULINA, KAPITENIA E LAVDISHME

0
Bubulina

Bubulina

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Në shoqërinë tradicionale arbëreshe, gratë ishin si malet e forta që ngriheshin mbi horizontin e jetës së përditshme, me forcë dhe ndikim që tejkalonte pritshmërinë. Ato nuk ishin thjesht pjesë e zjarrit të familjes, por bartëset e historisë, të së tashmes dhe të ardhmes. Në krahët e tyre, ato mbanin jo vetëm fëmijët, por edhe tokën, armët dhe nderin e farës. Në një botë ku trashëgimia zakonisht rridhte përmes burrave, gratë arbëreshe gjenin rrugët e tyre për të ecur përpara, duke kapërcyer kufijtë e zakonit dhe duke sfiduar rregullat e ngurta të kohës.

Ato nuk prisnin në hije; përkundrazi, dilnin në dritë, në vendimet dhe betejat e jetës publike, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë e tyre. Si gurë të çmuar në kurorën e historisë së arvanitasve, gra si Laskarina Bubulina u ngjitën në pozita udhëheqëse, duke shfaqur se fuqia e tyre nuk ishte e kufizuar vetëm në shtëpi. Bubulina, një heroinë e vërtetë e kombit, qëndronte si simbol i kësaj fuqie dhe vendosmërie që gratë arbëreshe mbanin brenda vetes—një shembull i gjallë se forca e tyre nuk mund të mposhtej nga asnjë ligj a zakon, duke mbartur brenda tyre shpirtin e guximshëm të një kombi të tërë.

Kush ishte Laskarina Bubulina

Të shkruash për arvanitasit e Greqisë e të anashkalosh Bubulinën – një shpirt kaq të lartë e të pamposhtur – do të ishte një mëkat i thellë.

Ndaj vendosa t’i kushtoj disa faqe të denja për veprat e saja madhështore, duke i ngritur në piedestalin e merituar të arvanitëve. Në këtë përkushtim më ndihmoi edhe enciklopedia e lirë, Wikipedia, prej së cilës kam sjellë pasazhe që përthyhen në dritën e këtij libri, për ta ndriçuar edhe më shumë këtë figurë të lavdishme.

Bubulina lindi në vitin 1771, në zemër të Konstandinopojës, si bija e Stavrianos Pinotsit, një kapiten krenar nga ishulli i Hidrës, dhe Skevos Kokkini, e trashëgimisë së bujshme bizantine të familjes Kokkinis. Kjo familje e shquar kishte rrënjë të thella në Zakynthos, ndërsa origjina e babait të saj vinte nga arvanitasit e Hidrës. Fatkeqësisht, pak kohë pas lindjes së saj, babai i saj ndërroi jetë, duke e lënë Bubulinën dhe të ëmën që të ktheheshin në Hidra, ku më pas u vendosën në ishullin e Spetses kur ajo ishte vetëm katër vjeçe.

Nëna e saj u martua përsëri me Dimitrios Lazarou-Orlov, një njeri që mbante në shpirt një përkushtim të thellë për kauzën e Orlovit dhe ndaj Rusisë, dhe që e frymëzoi Bubulinën të sfidonte kufijtë e normave shoqërore. Fëmijëria e saj ishte e mbushur me dashuri ndaj natyrës dhe lundrimit – noti i valëve të kaltra, peshkimi i heshtur, hipja e fuqishme mbi kalë, dhe këngët kleftike që këndonte me një zë të lirë e bënë të dallohej nga të tjerat.

Njerku e inkurajoi që të ndiqte shtegun e lundrimit, ndikuar edhe nga admirimi që ndiente për perandoreshën Katerina e Madhe të Rusisë. Bubulina u rrit mes librave që ndriçonin mendjet e asaj kohe, të filozofëve të Iluminizmit, ku Schilleri dhe Voltaire e ngacmonin me mendime për lirinë dhe fuqinë e shpirtit njerëzor. Ajo formësohej për t’u bërë figura e fuqishme dhe e paepur që historia do ta kujtonte përjetë.

Ajo u martua me kapitenin e stuhishëm Dimitrios Yiannouzas dhe i lindi tre fëmijë, një shpresë të re, një pasuri qëndrese nën yjet e Egjeut. Por Yiannouzas ra si hero në dallgët e hidhura të detit, në një betejë të egër kundër piratëve algjerianë, duke lënë pas një boshllëk që vetëm deti e di si e mbush.

Më vonë, zemra e saj gjeti strehë tek një tjetër detar – kapiteni Dimitrios Bouboulis, pronar anijesh me shpirt aventuresk. Ata krijuan një botë të re nën mbiemrin e tij. Por fati, si një stuhi e papritur, i mori edhe këtë lumturi më 10 maj 1811, kur Bouboulis humbi jetën në një betejë të ashpër po me piratët algjerianë, afër brigjeve të Lampeduzës.

Pas këtij hidhërimi, Bubulina nuk u thye; ajo u ngrit, si një valë që vjen me forcë të re. Mori në duart e saj biznesin e kapitenit dhe anijet Speciot, duke e kthyer trashëgiminë në një fuqizim për veten. Në vitin 1814, me forcë dhe vendosmëri, udhëtoi drejt Kostandinopojës, duke sfiduar rreziqet që e prisnin në udhëtimin e saj.

Osmanët, duke parë pasurinë që ajo kishte trashëguar, përpiqeshin ta burgosnin atë, duke kërkuar një arsye për të konfiskuar pronat e saja. Në vitin 1816, me guxim të pashoq, Bubulina u kthye në Kostandinopojë për të mbrojtur të drejtën e saj, duke kërkuar ndihmën e ambasadorit rus dhe të Sulltanit Valide. Ky i fundit, duke admiruar qëndresën dhe guximin e saj, arriti të bindë zyrtarët osmanë që Bubulina të ruante gjithçka që kishte trashëguar.

Kështu, ajo doli nga kjo përballje jo vetëm si trashëgimtare e pasurisë, por si një mbretëreshë e shpirtit të lirë, e fortë, e pamposhtur nga stuhitë e jetës.

Në vitin 1818, shpirtin e zjarrtë të Bubulinës e vizitoi prifti i flaktë, nacionalisti Papaflessas. Takimi i tyre ndezi një zjarr të ri brenda saj, një forcë për të parë përtej kufijve të kohës. E mbushur me një frymë të re, ajo bëri një vizitë të tretë në Kostandinopojë, ku iu bashkua Filiki Etaireia – një rreth i fshehtë që po përgatiste Greqinë për revolucion, si agimi i një epoke të re kundër sundimit osman. Dokumentet dëshmojnë për pjesëmarrjen e saj, edhe pse historia rrallë e përmend në listat e kësaj organizate, sikur vetë hija e saj të jetonte në fshehtësi.

E kthyer në Spetses, Bubulina, e palodhur dhe sfiduese, urdhëroi ndërtimin e një anijeje – të madhe, më të fortë se ç ‘mund të përballonte zemra e rregulloreve osmane. Osmanët, duke u ndier të kërcënuar, dërguan admiralin Husein për të kontrolluar qëndrueshmërinë e saj ndaj ligjeve të perandorisë. Por shpirti i saj rebel nuk u përkul. Duke përdorur zgjuarsinë e saj, ajo ia doli t’i jepte ryshfet Huseinit, i cili, i përulur para vendosmërisë së saj, nënshkroi një raport ku anija përshkruhej si një anije tregtare që lundronte mbi valët e largëta.

Por Agamemnoni nuk ishte thjesht një anije. Aji ishte e pajisur me 18 topa të fuqishëm, ajo u bë luftanija e parë e Greqisë moderne, një shenjë e lirisë që po vinte, e ndërtuar nga duart e një gruaje të pathyeshme, një pasqyrë e forcës dhe guximit që çdo det i vërtetë duhet të mbajë mbi dallgët e tij.

Me shpërthimin e flakës së Luftës për Pavarësinë Greke, Bubulina u ngrit mbi dallgët me Agamemnonin – anijen krenare që djali i saj, Yiannis Yiannouzas, e komandonte. Ata lundruan drejt Nafplionit, ndërsa gjysmë vëllai i tij, Manolis Lazarou-Orlov, udhëhiqte një anije tjetër në krah, dhe më 4 prill 1821 vendosën bllokadën detare mbi qytetin. Si një kapitene e padiskutueshme, Bubulina dhe luftëtari Staikos Staikopoulos apeluan tek Speciotët, të cilët iu përgjigjën thirrjes me shtatë anije të tjera për të forcuar rrethimin.

Në mesin e revolucionarëve, ajo fitoi respekt të pakufishëm – e thërrisnin me përulje “Kapetanisa” dhe “Kyra,” të dyja emra që flisnin për zemrën dhe shpirtin e saj si një grua dhe një udhëheqëse.

Por më 10 prill, osmanët, të ngujuar dhe të pashpresë, përfituan nga momentet e gëzuara të Pashkëve Ortodokse, kur rojet greke ishin të zhytura në festime, dhe thyen bllokadën. E pashqetësuar nga dështimi i përkohshëm, Bubulina zbriti në Myloi dhe kalëroi për në Argos. Aty, me një guxim të pathyeshëm, solli ndihma për rebelët, para e municion që shtonte frymën e pavarësisë ndër ta.

Në Argos, ajo u bë pjesë e një kuvendi të rëndësishëm, një konferencë ku komandantët dhe koxhobashët grekë u mblodhën për të vendosur të ardhmen e luftës. Së bashku, vendosën të rrethojnë sërish Nafplionin, të bashkuar nga guximi dhe vendosmëria që Bubulina, Kapitenia, bartte me vete – një simbol i asaj lirie që tashmë po ndizte zemrat dhe horizontin e tyre të lirë.

Rrethimi i Nafplionit qëndroi i palëkundur, derisa një lajm i errët u përhap ndër radhët e kryengritësve – Kehaya Beu, me fuqinë e tij, kishte mbërritur në Korint, i përgatitur për të shpërndarë rrethimin. Yiannis Yiannouzas, me një zemër të fortë si e nënës së tij, mblodhi luftëtarë nga Argosi, Spetsesi dhe Kranidi për të frenuar përparimin e armikut. Në maj, në betejën e zjarrtë jashtë Argosit, Yiannis u vra. Në dhimbje të thellë, Bubulina kalëroi drejt fushës së betejës për të mbledhur eshtrat e djalit të saj të dashur, kokën e të cilit e kishin prerë armiqtë. Hollandezi Taitbout de Marigny dëshmon se gjatë ceremonisë së varrimit, me një shikim që digjte si flaka e lirisë, Bubulina kishte ekzekutua me dorën e saj tre të burgosur osmanë – si një rit lamtumire për të birin e saj të rënë.

Pasi Kehaya Beu dështoi në kapjen dhe djegien e Argosit, ai forcoi garnizonin e Nafplionit dhe vijoi drejt Tripolitsës. Por Bubulina, e palëkundur si stuhia e detit, rifilloi bllokadën detare të Nafplionit. Në maj të vitit 1821, Agamemnoni u drejtua për në Monemvasia për ta bllokuar, ndërsa anijet e tjera nga Spetsesi qëndruan përballë Nafplionit. Garnizoni i Monemvasisë u dorëzua më 25 korrik, në të njëjtën kohë kur një anije e saj rifurnizoi Galaxidin.

Emri i Bubulinës me kohë kaloi kufijtë e Greqisë; bëmat e saj mbërritën në veshët e shumë të huajve të dashuruar me lirinë greke, të cilët donin për ta takuar atë heroinë. Gjatë një prej këtyre takimeve në Astros, një vullnetar i huaj, Maurice Persat, i tregoi një litografi nga Parisi, ku Bubulina përshkruhej me plot dramë dhe zbukurime që s’i kishin hije të vërtetës. Duke parë atë pasqyrë të romanizuar dhe të pabesueshme, Bubulina kishte shpërthye në të qeshura, si vetëtima që thyen errësirën, duke përqeshur mitet e kota që donin ta përfaqësonin më ndryshe nga ajo që ishte në të vërtetë: një luftëtare dhe një nënë, një grua me guximin e detit dhe shpirtin e lirisë së pamposhtur.

Në shtator të vitit 1821, Bubulina mbërrin në Tripolitsa, aty ku trupat e gjeneralit Kolokotronis kishin mbyllur rrethimin e tyre të hekurt. Osmanët tashmë të gjunjëzuar, luteshin për një marrëveshje: të shpëtonin zyrtarët e lartë bashkë me haremet dhe disa të burgosur të pafajshëm. Më 18 shtator, Kolokotronis thirri komandantët e tij për një kuvend, ku vendosnin për fatin e qytetit. Mes burrave dhe zërave të vendosur, Bubulina ndërhyri me një thirrje të guximshme, kërkoi shpëtimin e grave të haremit të Hursit, duke dëgjuar kërkesën e vetë Valide Sulltanit.

Kolokotronis pranoi të lëshonte vetëm zyrtarët shqiptarë që të dilnin të gjallë nga muret e qytetit. Por më 21 shtator, qyteti ra nën pushtetin e grekëve që, të etur për hakmarrje dhe triumf, masakruan popullsinë myslimane, duke e kthyer qytetin në rrënojë dhe plaçkë lufte. Përfshirja e Bubulinës në këtë episod u pa si e dyshimtë, dhe ajo u akuzua për pjesëmarrje në grabitjen e pasurisë, një zakon i paepur i atyre kohëve të turbullta, si nga grekët, ashtu edhe nga osmanët.

Por pas fitores dhe rënies së Tripolitsës, me shpirt ende të pathyeshëm, Bubulina i ktheu sytë sërish nga deti i lirë. Ajo udhëtoi drejt Nafplionit për të vazhduar bllokadën me vendosmërinë e një kapitenes që nuk lejon asgjë të shpëtojë pa miratimin e saj – një mbrojtëse e vërtetë e atdheut të lirë, me detin si shtratin e saj të betejës.

Në dhjetorin e vitit 1821, Bubulina u rreshtua në sulmin detar kundër Nauplisë, ku shkëlqeu si një dritë trimërie mes dallgëve, edhe pse fati nuk i buzëqeshi. Megjithëse biografët nuk sjellin rrëfime për veprimtarinë e saj gjatë netëve të ftohta të Ekspeditës së Dramalit, as të Betejës së Nauplisë që përfliste atë shtator të 1822-it, emri i saj kishte mbetur i lartë në kujtesën e bashkëluftëtarëve.

Më 22 nëntor 1822, pas shumë ditësh të rrethuar nga një breshëri trimërish dhe thirrjesh lirie, osmanët dorëzuan kështjellën Palamidi, dhe vetëm pak ditë më pas, më 3 dhjetor, popullsia osmane e Nauplisë mori rrugën e gjatë drejt Azisë së Vogël, duke i lënë qytetin në duart e grekëve që kishin ëndërruar këtë çlirim për breza të tërë.

Bubulina u caktua të jetë pjesë e komisioneve që ndanin pasuritë e braktisura, një detyrë e ngarkuar me përgjegjësi dhe mundësi, ku – sipas gojëdhënave të kohës – mund të ketë përfituar për hir të vetes, duke gërshetuar kështu idealin e lirisë me përfitimet e një lufte që, si çdo përleshje, shpesh linte dhe hijet e saj në fatet e të fortëve.

Më pas, Bubulina u vendos në një shtëpi të re në Nafplion, ku, si një pëlhurë që thur bashkim mes dy shtyllave të forcës, martoi vajzën e saj Eleni me Panos Kolokotronis, djalin e gjeneralit të njohur Kolokotronis. Nëpërmjet kësaj lidhjeje, ajo u bë një nga figurat më të fuqishme në rajon, veçanërisht pasi Panosi mori drejtimin e garnizonit të qytetit.

Gjatë qëndrimit të saj në Nafplion, Bubulina mbështeti tërë zemër fraksionin e Kolokotronis edhe në luftën civile të vitit 1824. E rrethuar nga forcat qeveritare më 8-20 mars, e mbërthyer në det nga Miaoulis dhe flota e tij, dhe në tokë nga 500 luftëtarë Kranidiotë dhe Poriotë, Bubulina qëndroi e pathyeshme. Më 7-19 qershor, pas marrëveshjes së përfundimit të përleshjes, Panosi dorëzoi kështjellën dhe iu bashkua babait të tij në Karytaina.

Por, në rrjedhat e politikës së ashpër, të fuqishmit filluan të përçahen për fatin e Bubulonës. Presidenti Koundouriotis kërkoi dëbimin e saj nga Nafplioni, ndërsa Zaimis dhe Londos u përpoqën të ndërmjetësonin për mbrojtjen e saj – një përpjekje që përfundoi pa sukses. Shtëpia e saj në Nafplion u konfiskua dhe Bubulina u kthye në Spetses, ku kaloi edhe kohë në burg, nën akuza për herezi dhe magji të fabrikuara nga kundërshtarët e saj ishullorë, derisa më në fund u çlirua nga prangat e padrejtësisë që i rëndonin shpirtin e lirë.

Më 22 nëntor 1824, në rrëmujën e luftës së dytë civile, u raportua se Panos Kolokotronis humbi jetën, i rrëzuar nga një plumb armik, ose ndoshta tradhtuar nga trupat pro-qeveritare.

Por fatkeqësitë për Bubulinën nuk kishin mbaruar. Më 22 maj 1825, një ditë e kobshme e solli fundin e saj të trishtuar. Djali i saj, Georgios Yiannouzas, së bashku me Eugenia Koutsin, një e arratisur që ishte detyruar të fejohej kundër vullnetit të saj, gjetën strehë në shtëpinë e Bubulinës. Kur anëtarët e armatosur të familjes Koutsis u paraqitën për të kërkuar çiftin, Bubulina, nga ballkoni, me zemër të fortë dhe shpirt të pamposhtur, i sfidoi ata. Por një armë shpërtheu, dhe një plumb i verbër e rrëmbeu shpirtin e saj – një fund tragjik për Kapitenen e ndritur që nuk u përkul kurrë përballë asnjë stuhie.

Disa ditë pas ndarjes së saj nga kjo botë, një delegacion rus e nderoi atë me titullin e lartë të Admiralit të Marinës Ruse, një dhuratë e Car Aleksandrit I, që e bëri atë ndoshta gruan e parë në historinë detare botërore që mban këtë gradë të lavdishme. Vitet kaluan, por kujtimi i saj qëndroi gjallë; në vitin 2018, Bubulina mori titullin e Kundëradmiralit në Marinën Helenike, një njohje për guximin dhe kontributin e saj të çmuar.

Figura e saj heroike u përcoll në histori, duke u shfaqur në anën e pasme të kartëmonedhës greke 50 ₯ të vitit 1978, dhe monedhës 1 ₯ që u lëshua nga 1988 deri në 2001. Një statujë e mahnitshme e Bubulinës, e skalitur nga Natalia Mela-Konstantinidou, gjen strehë në bregdetin e Spetses, një vend që përherë e ruan kujtimin e saj.

Në Tinos, një bust i saj, krijuar nga artisti Lazaros Lameras, tregon lavdinë e saj, ndërsa një kopje e tij zbukuron Pedion tou Areos. Një tjetër bust i saj ndodhet në kryqëzimin e rrugës Bubulina dhe Emmanouil Sofroni në Nafplion, duke e mbajtur gjallë emrin e saj në çdo hap të qytetit.

Kinematografia greke gjithashtu e nderon, me filmin dramatik “Bouboulina,” me Irena Papas në rolin kryesor, i cili u publikua në vitin 1959 dhe ishte një krijim i Kostas Andritsos. Më vonë, në vitin 2005, një film dokumentar, “The Brave Stepped Back: The Life and Times of Laskarina Bouboulina,” debutoi në Festivalin Armata në Spetses, duke sjellë një narrativë të re për jetën dhe veprat e kësaj heroine të paharrueshme. Bubulina, një emër që vazhdon të frymëzojë, mbetet një simbol i guximit dhe sakrificës, një yll që ndriçon historinë e deteve dhe e shpirtit grek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok