GODITJA QË KOSOVA I DHA SERBISË, ME REFUZIMIN DOMËTHËNËS
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Serbia kishte shpallur mbajtjen e Referendumit, për ndryshimet kushtetuese, kryesisht, në drejtësi. Si përherë, edhe kësaj radhe, zgjedhjet do të organizoheshin edhe në Republikën e Kosovës! Por, “pazaret ishin bërë pa hanxhinë!” Pra, nuk ishte pyetur i zoti i shtëpisë, Albin Kurti me shtetarët e tij. Presidentja Vjosë Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeminstri Albin Kurti, u konsultuan për rastin në fjalë. Dhe, dolën me një deklaratë të përbashkët publike: “Zgjedhjet për mbajtjen e Referendumit, për ndryshimet kushtetuese në Serbi, nuk mund të organizohen në qendrat e votimit, ku jetojnë komuniteti serb, përveç se në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë, në Prishtinë, si dhe me postë, ashtu siç voton edhe Mërgata jonë e përbotshme”.
Ngulmimi i shtetarëve të Serbisë se “ne i kemi organizuar zgjedhjet qendrore e komunale në Kosovë gjithmonë dhe pa pengesa”, duke numëruar edhe datimet ndër vite, përgjigja ishte e gatshme dhe bindshëm e arsyetuar: Pa e cituar kryekuvendaren Vjosë Osmani, kur në një seancë parlamentare, ua kujtoi deputetëve, një shprehje amerikane, se “Qyteti ka një sherif tjetër”, kryeministri Albin Kurti deklaroi prerazi: “Vërtet, Serbia, në të kaluarën, ka livadhisur në Kosovë, sepse nuk ka pasur kush ta ndalojë. Por, Qeveria ime është e vendosur, ta mbrojë kushtetueshmërinë dhe sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës”.
Shtetet e Quintit, paradoksalisht, përmes përfaqësuesëve të tyre në Prishtinë, ishin të njëzëshëm, se Referendumi i Serbisë, për ndryshimet kushtetuese atje, duhet të organizohet edhe në Kosovë, ashtu siç ishin organizuar edhe zgjedhjet serbe më parë. Shtetarët aktual të Kosovës, pa asnjë befasi nga deklarata e përfaqësuesëve të shteteve të Quintit, i pritën në takim ata, duke ua konfirmuar, por, edhe shpjeguar arsyeshmërinë e vendimit, absolutisht, sa të drejtë, aq edhe të ligjshëm, refuzimin e organizimit të zgjedhjeve për Referendumin e Serbisë, brenda territorit sovran të Kosovës. Dhe, palët në takim, mbetën në qendrimet e tyre.
Padyshim, qendrimi i çuditshëm, i “yndyrës” ndërkombëtare, që konsiderohen si Qendra të Vendosjes Ndërkombëtare dhe, në raste vendimtare, kanë shkëlqyer në vendimet e tyre, rasti konkret, ndërhyrja ushtarake, në mbrojtjen e qenies njerëzore në Kosovë, përgjatë luftës, për rastin e Referendumit serb, në Kosovë, zhgënjyen dukshëm.
Shtetarët e Kosovës, unik në vendimet e dhe veprimet e tyre, duke parë seriozitetin e çështjes, kërkuan thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit, për nxjerrjen e një Rezolute, që pamundëson mbajtjen e Referendumit serb në Kosovë. Rezoluta ishte e një rëndësie të veçantë, për ta parë edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, se kjo nuk është vetëm kërkesë e Qeverisë, por edhe kuvendarëve, si përfaqësues të drejtëpërdrejtë të popullit të Kosovës.
Deputetët, me zërin e tyre, të përkthyer në votë, betononte vendimin e tre shtetarëve, përkatësisht, presidentës Vjosë Osmani, kryekuvendarit Glauk Konjufca, kryeminstrit Albin Kurti. Dhe, vetëvetiu, amortizonte kundërshtinë e nxituar të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, që rreshtoheshin, apriori, në anën e Serbisë. Rezoluta ishte e qëlluar, përmbante 8 (pika), të cilat plotësonin njëra-tjetrën. Andaj, edhe u votua me 76 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, të deputetëve të pranishëm në sallën kuvendore.
I pari nga ndërkombëtarët, që do të reflektonte pozitivisht, ishte ambasadori amerikan, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, duke thënë se “Kosova, si shtet i pavarur, ka të drejtë të përcaktojë kushtet, për organizimin e zgjedhjeve të shteteve të tjera në territorin e saj”. Dhe, “sipari” u mbyll mrekullisht mirë.
Tandemi Hashimi-Isa nënshkruan marrëveshje fatale për Kosovën
Kundërshtia e vendosur e shtetarëve dhe e Qeverisë të Republikës të Kosovës, për refuzimin e organizimit të zgjedhjeve, për Referendumin e Serbisë, brenda territorit të Kosovës, ishte goditje zyrtare për shtetin mujëshor e arrogant serb. Veç kësaj, ishte një sinjal i qartë se Qeveria nuk lejon dhe nuk do të lejojë as në të ardhmen, të cenohet kushtetutshmëria dhe sovraniteti i vendit.
Qysh nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, më 2010, Serbia i ka dominuar, tërësisht, bisedimet. Ajo e filloi dialogun me njerëz të dosuar, për krime vrastare dhe hajni zyrtare. Thënë troç, me njerëz të shantazhuar, të kërcënuar, të frikësuar, nga dosjet me krime faktike. Hashim Thaçi, qoftë në rolin e kryeministrit, qoftë të presidentit, servilët partiakë të tij, pra PDK-ja dhe Isa Mustafa, me klanin e tij, u bënë logjistikë dhe patericë e Hashimit dhe e PDK-së së tij. Shantazhimi ishte zinxhirorë: Hashimi me shokë shantazhoheshin nga Serbia, ndërsa Isa i LDK-së, shantazhohej nga Hashimi dhe SHIK-u i tij. Si të tillë, ishin fort të pranueshëm nga Vuçiqi dhe Serbia.
Tandemi Hashimi-Isa nënshkruan marrëveshje fatale për Kosovën, duke shpërfillur popullin, anëtarësinë dhe vetë strukturat e partive të tyre. Rrjedhimisht, më shumë se dialog, ishte monolog i Serbisë. Ajo arriti ta fus në kurth Hashimin, duke e kthyer çështjen e Kosovës në parapavarësi. Ai hapi çështjen e kufijëve, të cilën e kishte përmbyllur shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, e pranuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Kulmon fakti, sa Hashim presidenti, “u zu me pelë për dore”, duke lobuar e paguar për ndarjen e Kosovës! Skajmërisht e trishtë, vetëm ta mendosh dhe lëre më të veprosh, kudo dhe kurdo që i është dhënë rasti, të agjitojë idenë e kobshme, morbide të ndarjes të Kosovës.
“Të zhbëhet Gjykata Speciale; të falën krimet reciproke; të bëhet pajtimi serbo-shqiptar”,- të shpalosur nga këshilltari i tij, Baton Haxhiu, ishte porosi e Hashimit. E gjithë kjo maskaradë bëhej për t`i shpëtuar Gjykatës Speciale, me bindjen se ky shpëtim ishte, eskluzivisht, në vullnetin e Vuçiqit.
Refuzimi i mbajtjes së Referendumit të Serbisë, brenda territorit sovran të Kosovës, është paralajmërim domëthënës për Serbinë dhe botën, se Kosova i denoncon dhe i kundërshton, me vendosmëri, “lojrat” e pista, që Vuçiqi dhe Serbia e tij, i bëri me shtetarët dhe qeveritarët e kaluar, rrast të shantazhuar, të Kosovës.
Lidhjet PDK-Lista Serbe dhe dëmet shkaktuar Kosovës
Ka pasur edhe shprehje habie: Si ka mundësi që deputetët e PDK-së, nuk e përkrahën Rezolutën e Qeverisë të Kosovës, për ndalimin e mbajtjes të Referendumit të Serbisë, brenda territorit të shtetit sovran të Kosovës?
Realisht, po ta shohim kronologjinë e sjelljeve të krerëve të PDK-së, njëherësh, edhe të mbështetjes – blanko-, të strukturave të saj, përgjatë këtyre dy dekadave, është rrjedhë logjike edhe distancimi i turpshëm aktual, nga votimi i Rezolutës. Me këtë rast, u njëjtësua me “Listën Serbe”, e cila bojkotoi votimin, duke e lëshuar sallën kuvendore, si rëndom, kur vendimet “nuk i shkojnë për shtati!”
Mosprania në sallën e Kuvendit të deputetëve të PDK-së, në seancën e jashtëzakonshme, ku votohej Rezoluta, në mbrojtje të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe dinjitetit shtetëror të Kosovës, flet shumë për katandinë e këtij subjekti politik, tashmë, të përfolur dhe të dëshmuar për krime vrastare, gjatë dhe pas luftës.
Aleanca e PDK-së, me “Listën Serbe”, është dëshmuar me miqësinë intime dhe intrigimet konspirative të liderit të saj, Hashim Thaçi, me Aleksander Vuçiq. Madje, dy qeveri të dyshimta, të lodhëta në Kosovë, janë krijuar me votat vendimtare të “Lista Serbe!”
Njëra nga arsyet pse Veriu i Mitrovicës u la në anarkinë e saj, është, pikërisht, bashkëpunimi kontrabandues i krerëve të PAN-it, me miqtë banditër të Vuçiqit. Kamionët me mallra kontrabandë, vinin nga Mitrovica, përshkonin Vushtërinë-Rakosh-Gurrakoc – tranzitonin në Vitomericë, duke anashkaluar Pejën, dhe përfundonin, shpengueshëm, në Deçan. Ora e kalimit nëpër Podgurë, ishte, gjithëherë, 24 – 01 e natës. Shoqërimi i kamionëve është bërë nga njerëzit e komandantëve.
Veprimet e Qeverisë Kurti në Veriun e Kosovës, për të vendosur rend dhe ligj, janë paragjykuar, qëllimshëm, nga PAN-i, sepse po ua prishte pazarin kontrabandistëve të Veriut, me pjesën tjetër të Kosovës. E gjithë kontrabanda kontrollohej nga politikanët të veshur me pushtet dhe në shoqërimin e njerëzve të uniformuar!
Për turpin e PDK-së, me aleatët e saj, donin dështimin e veprimeve të Forcave Speciale, të dërguara nga Qeveria në Veri. Sjellja brutale e banditeske, madje, e përsëritur nga serbët atje, gjithnjë, me urdhër të Beogradit, ndaj Policisë Speciale të Kosovës, deri në rrezikim të jetës, ishte një mesazh domëthënës për botën demokratike. Dhe, Shtëpia e Bardhë, përkatësisht, presidenti Biden reagoi me futjen në “Listën e Zezë”, të DASH, të krerëve të bandës në Veri. Pamëdyshje, pjesë e meritës për këtë masë ndëshkimi, është edhe Qeveria Kurti, me Policinë Profesionale, e cila, urtësisht, e menaxhoi një situatë provokative e banditeske.
Është hipokrizi e cinizëm e PDK-së, të pranosh se ka qenë përpjekje e Serbisë, për ta shkelur sovranitetin e Kosovës dhe, nga ana tjetër, të refuzosh, votimin e Rezolutës, e cila parandalonte Serbinë në qëllimet e saj errëtake. Justifikimet e poshtra dhe idioteske, të PDK-së, se: “Rezoluta nuk ishte e nevojshme; Qeveria e bënte për shou e spektakël, kamuflon ruajtjen, madje, me çdo çmim, të atyre lidhjeve, që kishte çimentuar Hashimi me shokë, me Vuçiqin dhe bandën e tij në Veri. Prandaj, turpshëm e pacipërisht, PDK-ja e mbron bojkotin e saj, kur thotë se bojkoti “Ka qenë interesi i shtetit, ka qenë i drejtë dhe i qartë!”
Akti i rëndë dhe i paparaprijës, siç është bojkotimi i Rezolutës, e cila ndalon mbajtjen e Referendumit në territorin e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes të kushtetutshmërisë dhe të sovranitetit shtetëror, nuk mund të kalojë pa pasoja për PDK-në, kur dihen lidhjet speciale që i ka kjo parti me “Listën Serbe”, Vuçiqin, Serbinë, që nismon me bojkotimin e luftës së Kosovës, me faktet e pakundërshtueshme, siç janë: pengimi i unifikimit të faktorit ushtarak; përçarja e popullit; vrasjet politike të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së; si dhe të kuadrove të hershëm të LPK-së, për arsye rivaliteti!
OVL e UÇK, kallëse e flamujve të Dardanisë, bashkëpunuese e Serbisë!
Së fundi, OVL e UÇK-së, vegël e PDK-së, kallëse e Flamujve të Dardanisë, u dëshmua si bashkëpunuese e Serbisë, duke i shpërndarë mediave të Kosovës, dosjet e Gjykatës Speciale, të sjellura nga Beogradi. Nga njëra anë, akuzojnë prokurorët e Specialës se bashkëpunojnë me Serbinë, nga ana tjetër, pranojnë dhe shpërndajnë dosjet e Hagës, të sjellura nga Serbia, për t`i zbuluar dëshmitarët dhe për ta penguar këtë Gjykatë, si shpresë e vetme, për të vënë drejtësi, për vrasjet politike, veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë, të ekzekutuar nga “komandantët” vrasës.
Krerët puçistë të LPK-së së re, me dominim klanin e Drenicës, përjashtuan kryesinë e vjetër të LPK-së; bojkotuan organizimin dhe futjen në luftë, me formacione ushtarake UÇK-në e LPK-së. Rrjedhimisht, komplotistët e LPK-së, tani, të konvertuar në PDK-e, respektivisht, PAN, në ujdi me disa shtete armike të Kosovës, e pensionuan UÇK-në e LPK-së në Hotel “Rogner”, duke ua mohuar dhe pamundësuar ushtarëve të gatshëm, angazhimin kontribues, në luftën e organizuar për çlirim!
Është koha që të fillojnë hetimet, për veprimtarinë kriminale të PDK-së, me dyshimin e bazuar për konspiracione, me sherbimet informative të shteteve armike të Kosovës. Asnjë shtet, asnjë shoqëri demokratike, nuk do ta pranonte dhe nuk do të lejonte, që një parti, bollshëm e inkriminuar, siç është PDK-ja, të bënte hije në politikë. Koha për veprim!