18/04/2024

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe raporti me prapavijë politike

0

Nga Bardhyl Mahmuti

Miratimi i rezolutës së lartpërmendur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe kërkesa e Këshillit të Sigurimit të OKB-së drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të sqaronte nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, trimëroi edhe më shumë Serbinë dhe qarqet e afërta me të.

Prezantimi i Kosovës si “shtet mafioz” dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje Kriminale” që gjoja ka kryer shitjen e organeve njerëzore, vazhdoi me intensitet edhe më të madh gjatë gjithë kohës kur pritej që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sillte vendim lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, në këtë rast, fushata propagandistike nuk mundi të ndikojë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pasi shqyrtoi të gjitha argumentet që kishin të bënin me kërkesën e shtruar në emër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara në 121 paragrafë të vendimit të vet, më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurtit 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.”

Përkundër faktit se ishte pikërisht Serbia dhe mbështetësit e saj që kërkuan nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë të sqaronte ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovë, vendimi i GJND-së i tërboi tërësisht dhe në vend që të pranonin qëndrimin e kësaj instance juridike ndërkombëtare, ata u lëshuan në akuza nga më të rëndat kundër kësaj gjykate.

Paralelisht me këto akuza, Serbia u orientua në përpilimin e raportit që ishte kërkuar nga Komisioni për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës. Pesë muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 12 dhjetor 2010, i ngarkuari i komisionit të lartpërmendur, Dick Marty, në emër të vet dhe të ekipit të tij, dorëzoi projekt-raportin e titulluar “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë”, që realisht ishte përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Për të mos lënë asnjë dyshim lidhur me atë se çka nënkuptohet me fjalën “Kosovë”, që në titull hartuesit e këtij raporti e shënjojnë me yll (*) fjalën “Kosovë” dhe bëjnë sqarimin në futnotë se “të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Kosovën, qoftë territori, qofshin institucionet apo popullata e saj, duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.”

Dick Marty, për të cilin shqiptarët e Kosovës nuk janë popull të cilit i takon e drejta për vetëvendosje, por, “shqipfolës që kishin shpa¬llur pavarësinë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare”;

Dick Marty, për të cilin “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara flet në tri vende për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është krahinë serbe që do të admi¬nistrohej përkohësisht nga ndërkombëtarët”;

Dick Marty, që deklaroi se “shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosovën”, nuk e kishte aspak të vështirë të vente emrin e vet në një raport që shpërfaq paragjykimet për Kosovën si territor, institucione dhe popullsi nën sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë saktësonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Pas debateve që u zhvilluan në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 16 dhjetor 2010 u miratua projekt-rezoluta e dorëzuar në emër të Dick Martyt. Menjëherë pas miratimit të këtij raporti, 34 deputetë të Parlamentit të Zvicrës, miq të Dick Martyt, pjesëtarë të Grupit Unioni Demokratik i Qendrës, dorëzuan një “postulat” drejtuar Këshillit Federal të Zvicrës. Nocioni “postulat” kryesisht njihet si nocion matematikor, që konsiston në domosdoshmërinë e pranimit paraprak të një parimi si të vërtetë, pa pasur nevojë për ta demonstruar vërtetësinë e tij. Në të drejtën zvicerane “postulati” është kërkesë e deputetëve drejtuar Këshillit Federal, që ky institucion shtetëror të shqyrtojë mundësinë t’i dorëzojë Parlamentit të Zvicrës për miratim një ligj apo një masë të caktuar.

Kur shihet përmbajtja e “postulatit” të deputetëve zviceranë, del në shesh se “postulati” i 34 deputetëve zviceranë është i ngjashëm me “postulatin” matematik! Në tekstin e e këtij “postulati”, deputetët nënshkrues e “informojnë” Këshillin Federal se “më 16 dhjetor 2010, Këshilli i Evropës u njoftua me raportin e Dick Martyt lidhur me trafikimin e organeve në Kosovë”, se “thëniet që përmban ky raport lidhur me trafikimin e organeve në Kosovë janë shumë të vërteta” dhe rrjedhimisht nuk kanë nevojë të vërtetohen! Për këtë arsye, nënshkruesit e këtij “postulati” e lusin Këshillin Federal të Zvicrës:

“1. Që ta rishikojë politikën e vet karshi Kosovës,

  1. Që të mendojë një politikë të re ndaj Kosovës, e cila duhet të marrë parasysh më mirë se deri tani interesat legjitime të Serbisë dhe të minoritetit serb në Kosovë,
  2. Që të presë rastin e favorshëm për të kontribuar në skenën politike ndërkombëtare në kërkim të një zgjidhjeje të re, të drejtë dhe të pranueshme për konfliktin mes Serbisë me Kosovën.”.

Në argumentimin e tyre, deputetët nënshkrues të “postulatit” përsërisin akuzat që përmban raporti në fjalë dhe sipas përpiluesve të “postulatit” “në dritën e këtij realiteti tronditës dalin në shesh dy gjëra: Së pari, kultura, qeverisja dhe praktikat e autoriteteve të Kosovës janë shumë larg nga kushtet minimale që duhet t’i plotësojë një shtet ligjor. Dhe së dyti, procesi që çoi në njohjen e diskutueshme të Kosovës pati si pasojë diskriminimin sistematik të Serbisë në krahasim me Kosovën. Këto dy elemente arsyetojnë rishikimin e politikës së Këshillit Federal ndaj Kosovës”.

Këshilli Federal i Zvicrës e hodhi poshtë këtë “postulat”, mirëpo momenti i dorëzimit dhe sidomos përmbajtja e tij janë tregues shtesë për motivet e vërteta politike të përpilimit të këtij raporti: rishikimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës!

Fatkeqësisht, më 7 janar 2011, raporti ideologjik me prapavijë politike i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë, i trafikuar me emrin e Dick Martyt, u dorëzua në formë rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe u miratua më 25 janar 2011. Ndërkaq, në përputhje me Rezolutën 1782 të Asamblesë së Për¬gjithshme të Këshillit të Evropës, John Clint Williamson u emërua shef i TASK Forcës Speciale të EULEX-it për të udhëhequr hetimet lidhur me pretendimet për tregti me organe njerëzore nga ana e UÇK-së.

(Vijon)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok