22/12/2024

Gjuha e fshehtë “Meshtrovski” e muratorëve bullgarë, një dialekt i panjohur i shqipes

0
Manastiri-i-Riles

Nga Elvi Sidheri

Në gjuhën tonë shqipe, shquhemi veçanërisht për dialektologjinë e theksuar, të përhapur qytet më qytet, rajon më rajon, katund më katund, e jo rrallë, edhe lagje më lagje.

Gjuha shqipe sakaq, nuk do të ishte kjo që është, nëse nuk do të gjallonte përmes larmisë së dialekteve të saj, që sendërtojnë qenësinë thelbësore të gjuhës sonë, duke i dhuruar asaj pasurinë e fjalëve dhe shprehjeve pafund, që e shndërrojnë shqipen në një gjuhë të lashtë, por edhe moderne njëkohësisht, me një fjalor të admirueshëm që arrin t’i bëjë ballë kohës, duke iu përshtatur ndryshimeve dhe huazimeve të huaja, pa humbur kurrësesi aftësinë për të mbetur burimore.

E teksa flasim për dialektet e gjuhës shqipe, një i tillë syresh, pavarësisht se ky fakt mund të tingëllojë fort i habitshëm, në zgripin e të pabesueshmes, flitet akoma edhe nga njerëz që nuk janë me kombësi shqiptare (ose që dikur, shekuj më parë, mund të kenë patur ndoshta një origjinë shqiptare).

Bëhet fjalë për dialektin shqip të quajtur “Meshtrenski” apo “Meshtrovski”, që flitet në disa fshatra të zonës së Rodopeve në Bullgari, dhe që arrin gjer në ditët e sotme përmes një rrugëtimi shekullor që buron kryesisht nga muratorët shqiptarë që mërguan larg trojeve amtare duke ndërtuar shtëpi e dëshmuar aftësitë e tyre në këtë mjeshtri të veçantë ndërtuese, që paskëtaj do t’i jepte emrin edhe kësaj gjuhe unike, këtij dialekti të panjohur e thuajse të humbur tashmë të gjuhës shqipe.

Janë disa fshatra në Bullgari, ku disa banorë akoma sot e kësaj dite, e flasin këtë gjuhë, e ka ndër ta disa syresh, që janë rrekur të mbajnë shënime, me qëllim që kjo trashëgimi gjuhësore mos të humbë duke mbetur veç një kujtim nostalgjik, i pafolur nga askush.

Një ndër këto fshatra, ku ende ruhen gjurmë të kësaj gjuhe, këtij dialekti të mistershëm të shqipes, është fshati Momçillovci, në zonën e maleve Rodope, një resort skijimi pranë Smolianit, në jugun e Bullgarisë.

Në këtë ngulim të përhumbur mes malesh, akoma dëgjohen gojëdhëna për një gjuhë të çuditshme që siç tregohet brez pas brezi, ishte folur thuajse ekskluzivisht nga muratorët profesionistë, për t’u marrë vesh njëri me tjetrin, pa u kuptuar nga të tjerët, pronarët e tyre apo kushdoqoftë.

Kjo gjuhë e huaj e habitshme, në ditët e sotme është thuajse e zhdukur dhe flitet ende veç nga disa muratorë e ndërtimtarë të moshuar, ndërkohë që siç tregojnë folësit e saj, dikur kjo gjuhë me rrënjë shqipe pati qenë kaq fort e përhapur, saqë atë e përdornin në komunikimin e përditshëm edhe bashkëshortet e muratorëve dhe punonjësve të ndërtimit.

Meshtrovski/meshtrenski (Mещровски/Мещренски, në bullgarisht) vijon të mbetet përherë një gjuhë e fshehtë, si vazhdimësi e qëllimit të përdorimit të saj.

Studiuesit e saj të shumtë (bullgarë kryesisht), janë të bindur se kjo gjuhë, ky dialekt, është shpikur nga artizanët shqiptarë të Mesjetës së vonë, që dikur jetonin në pikëbashkimin etnik mes shqiptarëve dhe bullgarëve, në zonën e Maqedonisë së sotme, deri në Kostur më në jug.

Gojë më gojë, dialekti Meshtrovski, që nuk domethënë gjë tjetër, përveçse gjuha e “mjeshtërve” të punës, me rrënjë nga fjala shqipe “mjeshtër”, më tutje do t’u përçohej edhe bullgarëve që punonin krah këtyre mjeshtërve ndërtues shqiptarë, e pastaj edhe familjeve të tyre, duke gjetur një përhapje të rrallë dhe mbijetuar gjer në kohët e sotme.

Më vonë, kjo gjuhë do të shndërrohej në një mjet të përkryer që ndërtuesit shqiptarë e bullgarë në këto rajone do ta përdornin edhe kundër turqve, të cilët nuk arrinin të kuptonin asnjë fjalë të vetme të kësaj gjuhe që flitej nga rajatë e shtypur prej zgjedhës së tyre.

Jo rastësisht, mençuria që pasqyrohej edhe në gjuhën e folur, përbënte mbrojtjen më të vyer, gjatë mërgatave të përvitshme nëntë mujore të burrave të fshatit Momçillovci.

Me kalimin e kohës do të kompozoheshin edhe këngë dhe do të krijoheshin histori të ndryshme nga banorët vendas për mjeshtërinë e këtyre ndërtuesve, të cilët me kalimin e kohës, duke u strehuar në fshehtësinë e gjuhës së tyre Meshtrovski, dhe fjalorit të saj shqip, në kohë lufte e kryengritjesh, do të formonin çeta e banda të tyre, ndërsa në fushën e sipërmarrjes, do të organizoheshin, gjithmonë falë lidhjeve unike të ofruar nga kjo gjuhë që flisnin, dhe ndjesisë së përkatësisë që ngjizej rrjedhimisht, edhe ndërmarrje e kompani të tyret në biznes.

Zanati i ndërtuesit, ashtu si edhe gjuha Meshtrovski mësohej qysh herët, në moshë të mitur dhe u trashëgohej brezave të rinj, ndërsa ndërtimtarët nga Momçillovci do të punonin në mërgim në qytete të tjera bullgare si Sliveni, Stara Zagora, Plovdivi, Haskovo, Kardzhalli, Ksanthi në Greqi, e qytete të largëta buzë Egjeut.

“Të paktë kemi mbetur neve që jemi gjallë dhe që akoma dimë të flasim Meshtrovski”, – ankohet Todor Kanevski, banor i moshuar i fshatit Momçillovci.

Ky mjeshtër ndërtimi rreth të tetëdhjetave, e pati mësuar dhe kish filluar ta fliste gjuhën Meshtrovski me rrënjë shqipe qysh në vitin 1954, kur pati nisur të merrej me ndërtimari. Këtë gjuhë e kish mësuar nga ndërtimtarët e moshuar.

Gjysh Todori është njeri plotësisht autodidakt në këtë profesion të fisëm, që gjatë jetës pati punuar në mënyrë të palodhur në zonën e Kardzhalli dhe në rajonin e Smoljanit, duke folur përherë në Meshtrovski.

Vetë profesioni i ndërtimtarisë sakaq do të shndërrohej në profesionin kryesorë të banorëve të këtij fshati diku nga fundi i shekullit XVII. Gjer nga viti 1750, banorët vendas merreshin kryesisht me tufa dhensh, kujdeseshin për delet, të cilat i rrisnin për llogari të pashait turk të zonës së Egjeut.

Por, pas disa periudhash me ngordhje të shumta të dhenve, fshati do të kishte fatin që një mjeshtër shqiptar nga zona e Maqedonisë së sotme, që sipas gojëdhënave vendase quhej Mitre Rajçe, i mbiquajtur “Arnautina”, (domethënë qartësisht “Shqiptari”), do të vinte në këtë ngulim, duke sjellë me vete mjeshtërinë e ndërtimtarisë që do t’i jepte bukë këtij fshati për breza të tërë me radhë, por edhe gjuhën e tij amtare shqipe.

Mitre Rajçe Arnautina, thuhet të ketë qenë me origjinë nga Gorno Krushene në Maqedoni, dhe bashkë me shumë ndërtimtarë të tjerë shqiptarë, ai pati ardhur në Bullgari për të ndërtuar konaqe dhe çifligje për llogari të pasanikëve vendas të zonës së Rodopeve.

Sipas këtyre gojëdhënave, kjo zonë, në atë kohë qeverisej nga një Aga turk i quajtur Salih, që jeton gjer në vitin 1838. Mjeshtri ndërtimtar shqiptar Mitre, do t’i ndërtojë këtij agai edhe konakun e tij, por gjithaq ky shqiptar i zoti ndërton edhe plot ura në këtë rajon. Në fund ai ndërton edhe një urë përmbi lumin Hubça që rrjedh nga burimi pranë fshatit të afërt Sokolovci.

Siç thuhet në legjendë, Salih Agai ishte kaq i kënaqur nga ndërtimet e Mitre Arnautina, saqë e pati pyetur nëse donte një mal të tërë së shpërblim. Ndërkaq Mitre, i pat kërkuar agait që ndërtonte një mulli me ujë në burimin e lumit Hubça dhe agai i kërkon mjeshtrit shqiptar që të ndërtojë edhe një për të. Si përfundim Mitre Arnautina ndërton tre syresh, që mbajnë emrat Arnautska, Hadzhiskata (për vëllanë e agait Salih) dhe një tjetër, të cilët kanë ekzistuar gjer në vitet 30 të shekullit XX.

Pas ndërtimit të këtyre mullinjve me ujë, Mitre Aranautina do të vendosej për të jetuar në Momçillovci dhe nis të merret me ndërtimin e shtëpive vendase. Veçoria e Mitre Rajçes dhe ndërtimtarëve të tjerë shqiptarë, ishte se ata i ndërtonin shtëpitë nga themelet gjer te çelësi i derës, me mure të trasha, gurët e të cilëve i nxirrnin vetë nga guroret.

Pikërisht nga Mitre shqiptari, ngjizet një nga fiset e mëdhenj të këtij fshati, por edhe gjuha shqipe e përçuar përmes dialektit Meshtrovski.

“Ai përdorte shumë fjalë shqipe si “shkretë”, “bukë”, “brekë”, “prift”, etj” – tregon gjysh Todori, që mezi arrin të kujtojë tashmë rreth dyzetë fjalë të kësaj gjuhe.

Ndërkaq, edhe në kohën e regjimit socialist në Bullgari, rreth 300-400 ndërtimtarë e flisnin gjuhën Meshtrenski, duke i bërë qëndresë kështu orvatjeve të zyrtarëve komunistë dhe kuadrove të Partisë, të cilët asnjëherë nuk patën mundur t’i kuptonin çfarë flisnin banorët vendas.

Gjysh Todori është njeriu i vetëm në fshat që i ka mbajtur shënim fjalët që mban mend të gjuhës Meshtrovski, duke i ruajtur nga harresa. Fjalë si “Çupë”, “Zhokë”, për pirjen e lëngjeve (në shqipen e sotme ka një fjalë “Zhukë”, që domethënë burim uji), “Duhan”, “Llapaçka” për hajën e mëngjesit (në shqipen e sotme, kemi fjalën “Llapazhar” për dikë që ha shumë, pa zgjedhur çfarë), “Druna” për shkopin, “Dua”, “Puna”, “Trasha” për trastën në shqipen e sotme, “Nuska” për gruan në përgjithësi, “Hajë” për të ngrënët, “Rajço” për diellin, ndoshta nga fjala shqipe “Rreze””Fljasam” për flas, “Dos” për dosën, si në shqipen e sotme, “Mekra” për mjekrën, etj.

Për shembull, për të thënë: “A ju ushqen mirë bashkëshortja/gruaja?” – në Meshtrovski do të thuhej: “Shkevali ubovo nuskana?” – nga “Shkeva” – ushqej në shqipen e sotme dhe “Nuska”, pra nusja, gruaja, dhe fjala bullgare “Hubavo”, pra bukur.

Ose një tjetër fjali: “Puli se, shule, punatar shte haesh drunata!” – që në shqip domethënë: – Shiko punën, djalosh, se do hash dru!”

Nga fjalët shqipe “Pulit” sytë, i hap e mbyll me shpejtësi, “Shul”, pra njeri me trup të ngjeshur”, “Puna” dhe “Haesh Drunata”, pra “Do hash dru”.

Në mes të shekullit XVIII, shqiptarë të zonës së Kosturit, Korçës dhe Tikveshit, për shkak të paqendrueshmërisë politike e ekonomike, nisin mërgimin drejt Lindjes. Vala e parë i takon vitit 1760 dhe e dyta viteve 90 të këtij shekulli, ku marrin pjesë rreth 150 familje.

Shumë prej këtyre familjeve vendosen në fshatin Bracigovo në zonën e Pazardzhikut.

Këta banorë të rinj, si fillim patën jetuar ndarazi nga vendasit bullgarë në lagje të veçanta, në pjesën më të lartë të Bracigovos dhe nga vendasit quheshin bashkërisht “Arnauti”, pra shqiptarët.

Edhe në këtë ngulim, mjeshtërit ndërtimtarë shqiptarë do të sjellin plot risi dhe zhvillim, duke themeluar edhe profesionet e druvarëve, prodhuesve të sapunit, por gjithaq edhe vreshtarinë, që do të nisë pikërisht nga një mjeshtër shqiptar, Kërsto Sotirov.

Edhe në këtë fshat do të ruhej gjuha Meshtrovski nga e cila ruhen akoma rreth 390 fjalë, shumica me rrënjë shqipe, që mund të qëmtohen në Muzeun Etnografik të Bracigovos.

Ndër arritjet më të shquara në fushën e ndërtimtarisë së këtyre mjeshtërve janë për shembull, Manastiri i mrekullueshëm i Rilës, ku patën punuar një grup prej 60 ndërtimtarësh shqiptarë të Bracigovos, me në krye mjeshtrin Isidor, të cilët pavarësisht terrenit tejet të koklavitur, ia patën dalë të ndërtojnë një kompleks vërtet të mahnitshëm.

Gjithashtu këta ndërtimtarë janë ndërtuesit edhe të kishë Sveta Nedelia në Sofie, të kishës katolike “Sveti Ludvig” në Plovdiv, të çarshisë së Karlovos, si dhe të shumë kishave, shkollave, bibliotekave në Bullgari dhe vendet fqinje.

Ndërkaq, nëse vizitoni Sofien, kryeqytetin bullgar, vepra të këtyre ndërtimtarëve me origjinë shqiptare janë edhe ndërtesa e vjetër e Parlamentit Bullgar, ndërtesa e Këshillit të Ministrave dhe ndërtesa e Presidencës në qendër të qytetit.

Për ta mbyllur këtë shkrim, siç pohon mjeshtri i moshuar ndërtimtar nga fshati Momçillovci, Nikolla Mollov: “Këtë gjuhë e kemi folur gjer disa kohë më parë, por tanimë thuajse gjysmën e fjalëve të saj mezi arrijmë t’i kujtojmë. Kur të vijë koha që të mos të jemi më neve të moshuarit, neve mjeshtërit ndërtimtarë të vjetër, atëherë edhe vetë gjuha jonë ka për të vdekur bashkë me ne”.

Gjuha e sjellë (shpesh, por jo gjithmonë) edhe e folur nga brezat e mëtejshme të shqiptarëve ndërtimtarë të mërguar në malet Rodope, rrezikon të zhduket, prandaj ky shkrim rreket ta dëshmojë historinë e saj.

Manastiri i Rilës, i rindërtuar nga mjeshtërit e Bracigovos

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok