21/12/2024

GJON SERREÇI “KFETRA”: “TË GJITHA DHE GJITHÇKA VETËM PËR NANËN SHQIPNI”

0
Gjon_Serreci1

TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Gjon Serreçi ka qenë njëri ndër intelektualët dhe personalitetet më të shquara dhe më me ndikim të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës. Gjoni, ishte i biri i Gjergj Serreçit. Lindi në Ferizaj më 11 shkurt të vitit 1920. Nëna e Gjergjit quhej Ankica, e gjinisë  Kurti, nga Prizreni. Mësimet e para i mori në vendlindje. Duke qenë se shquhet për zell dhe talent të veçantë, babai, Gjergji, e regjistron në Seminarin peshkopal në Prizren, por megjithatë Gjoni përfundon gjimnazin më 1939\40 Po në këtë vit ai vazhdon studimet në Universitetin e Zagrebit- Fakulteti Filozofik. Pas një viti qëndrimi, kthehet në Kosovë, ku edhe e gjen kapitullimi i Jugosllavisë. Në prill të vitit 1941, këtë herë niset për Itali, në qytetin e Pizës vazhdon studimet në të njëjtin fakultet si në Zagreb, por pas gjashtë muajve largohet përsëri për të shkua në qytetin e Firencës. Më 1943 përsëri kthehet në Kosovë dhe emërohej kryetar i komunës në Babush, Rrethi i Nerodimes. Më 1944 arrestohet nga policia gjermane SS. Së parie deportojn në Kampin e Prishtinës “K-16”. Aty qëndron deri në janar 1945. Në qershor 1945 kthehet në Ferizaj. Po në këtë vit fillon të punojë si profesor i Gjimnazit  “Sami Frashri” në Prishtinë, dhe qëndron deri më më 27 prill 1946, nga këtu kalon në ilegalitet.

Profesori i ri, Gjon Serreqi, posa kthehej në Kosovë i vëren të gjitha padrejtësitë e mëdha që iu ishin bërë shqiptarëve dhe Kosovës, andaj me ndihmën e profesor Sylejman Drinit angazhohej në lëvizjen ilegale shqiptare. Gjoni ishte iniciator për formimin e Komitetit të Rinisë Shkollore  i NDSH-së, në të cilën u angazhua një numër i madh nxënësish dhe i profesorëve. Kontribut të çmuar në këtë organizatë dhanë si: Hamdi Berisha, Lazër Josipi, Hamdi Mustafa, Shefki Çitaku e shumë të tjerë. Sa ishte profesor Gjoni në gjimnaz, komiteti i rinisë shkollore zhvilloi një aktivitet të dendur dhe një veprimtari të bujshme patriotike. Gjatë punës së vet, Gjon Serreqi mbante lidhje direkt me KQ të NDSH-së në Shkup dhe me anëtarët e komitetit , si me Azem Moranën dhe Hasan Bilallin. Sipas direktivave të tyre Gjon Serreqi braktisë detyrën e profesorit dhe më 27 prill 1946 kalon në ilegalitet duke iu bashkangjitur grupit të Ajet Gërgurit. Gjatë punës në male, Gjoni ishte sekretar politik i organizatës No.2. të NDSH-së, ndërsa kryetar ishte Ajet Gërguri.

Sa ishte në male Gjoni e kishte pseudonimin “Kfetra”, ai ishte angazhuar në masivizimin dhe formimin e komiteteve në terren. U angazhua posaçërisht në përhapjen e propagandës kundër rendit shtetëror. Më 25 korrik 1946 mbahet kongresi V i NDSH-së në Blinaj (Lipovicë). Profesor Gjoni ishte bartësi kryesor i tërë organizimit. Së bashku me Ajet Gërgurin dhe Hilmi Zariqin përgatitën e përpiluan  programin dhe udhëhoqën punën e kongresit. Referatin kryesor e mbajti Gjon Serreqi. Pas përfundimit të kongresit, Gjon Serreqi kalon në terrenet e Nerodimes, të Kamenicës e të Preshevës. Gjatë tërë kohës sa  qëndroi në këto vende ai nuk qëndroi duarkryq, me të madhe u angazhua në formimin e komiteteve  të organizatës.

Nuk mund të thuhej se Gjon Serreqi kishte ngelur i vetëm në malet e Desivojcës, por kishte ngelur ngase tërë bashkëluftëtarët ishin arrestua. Dhe një gjë e tillë pritej ngase e thotë edhe Sinan Hasani në librin tij “Kosova, të vërtetat dhe mashtrimet” se në pjesën e dytë të viti 1945, nuk kishte organizatë apo grup që nuk dinte OZNA dhe që nuk i kishte në mesin e tyre bashkëpunëtorët e vet. Gjon Serreqi e Osman Abazi përcilleshin këmba-këmbës që nga Prizreni dhe vetëm pritej momenti i volitshëm për tu arrestua. Gjatë këtij rrugëtimi Gjon Serreqi disa herë ishte shumë afër për tu zbulua. Në bunkerin e Shipashnicës e shpëtoi popullata besnike e kësaj ana, polici Isa Dujaka që ishte në shërbimin e tij. Në malet e Desivojcës e pranuan dhe e ruajtën fshataret. Rrethi që kishte krijua UDB-eja me bashkëpunëtorët e vet po mbyllej andaj edhe u arrestua. Por mos të harrojmë rrethanat dhe kushtet në të cilat veproi  Gjon Serreqi, dhe çfarë situate politike mbretëronte në vitin 1947,  por assesi nuk mund të thuhej se u braktisë nga bashkëluftëtarët. Gjon Serreqi u arrestua më 24 shkurt aty diku kah ora 21 e natës, më 1947. Atë e arrestuan, dy oficer të OZN-së: Aleksa Vuçiniq dhe Dragutin Papoviq me katër policë serbë përcjellës të cilët arrijnë ta kapin Gjonin para se të aktivizonte bombat e dorës.

Sipas shumë të dhënave arkivore, thuhej se në mes të natës së 24-25 shkurtit 1947, në afërsi të fshatit Desivojcë arrestohet Gjon Serreq, aty diku kah ora 21 e natës. Ate e arrestuan, dy oficer të OZN-së: Aleksa Vuçiniq dhe Dragutin Papoviq me katër policë serbë, përcjellës të cilët arrijnë ta kapin Gjonin para se të aktivizonte bombat e dorës.

Në procesin gjyqësor të mbajtur me 22-27 prill 1947, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nr. 66\47, Gjon Serreqi s’bashku me Ukë Sadikun, Ajet Gërgurin e Osman Bunjakun dënohen me vdekje-pushkatim. Edhe pse iu ankuan Gjyqit Suprem të Serbisë, ajo e refuzoi atë me vendimin KZH 989, më 3 korrik 1947. Po ashtu edhe Presidiumi i Kuvendit të Serbisë me vendimin Rez.nr. 3202 të datës 13 gusht 1947.

Gjon Serreçi shpallet fajtor dhe dënohet me vdekje, pushkatim. Organet e RSFJ-së, Gjon Serreçin e pushkatuan, më 31 gusht të vitit 1947, në orën tre pas mesnatës, në vendin e quajtur Strelishte, te “Vorret e hebrenjve” në Tauk-Bahqe të Prishtinës. Po atë natë, në të njëjtin vend pushkatohen edhe Osman Bunjaku, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri. Të katërtit varrosen në një varr të përbashkët.

Pas gjykimit dhe dënimit me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vendimin për pushkatim e kanë vërtetuar:  udhëheqësit e Shërbimit të Seksionit të Punëve të Brendshme:

Hashim Mustafa,

Gligorie Sharanoviq,

Sadri Doçi dhe

Vaso Jovanoviq.

Udhëheqës i Seksionit  Mazllum Nimani, kapiten  dhe Prokurori publik për Kosovë e Metohi, Ali Shukriu.

Gjon Serreqi ishte një atdhetar dhe një idealist i pa përmirësueshëm . Ai zakonisht nisej nga  motoja e jetës “TË GJITHA DHE GJITHÇKA VETËM PËR NANËN SHQIPNI”. Dhe çka është e vërteta ai jetoi shkurt por atë segment jete e jetoi intensivisht duke i falur çdo gjë atdheut dhe për atdheun duke mos kursyer as jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok