22/12/2024

GJON KRASNIQI DHE “STEMA E ARTË” E BAMIRËSISË

0
Ndue-Dedaj-Gjon-Krasniqi

– Me 12 Nëntor përmes një ceremonie në Rrëshen iu dha “Stema e Artë” e Bashkisë Mirditë –

NGA NDUE DEDAJ

Zakonisht shkruajmë për të huajtë, që japin ndihmesë humanitare prej vitesh në Shqipëri. Por nuk janë vetëm ata që ndërmarrin misione të tilla. Nënë Tereza e ka futur frymën e saj edhe ndër shqiptarët e vet, ani se e njohëm vonë motrën tonë të madhe sa bota.

Nuk kisha menduar të shkruaja ndonjëherë për Gjon Krasniqin, jo se nuk e meritonte, porse nuk është në stilin tonë të shkruajmë për miqtë. Kodi i miqësisë dhe ai dokësor i odave e kuvendeve të maleve tona na e “ndalon” këtë. Po pse atëherë po bëjmë një përjashtim nga rregulli? Sepse pati ndodhur ndarja e madhe, kundrahistorike i shqiptarëve në trojet e tyre, duke na përjashtuar nga njëri-tjetri. Jemi ende në kërkim të vëllezërve tanë kosovarë dhe ata në kërkimin tonë. “Ardhësh i bardhë, vëlla!” Kështu i patëm thënë në vitin 1991 Anton Çetës kur erdhi për vizitë në Mirditën e rrënjëve. Apo Ali Podrimjes, në vitin 2004, krijuesit e Mirditës, Lezhës e Kurbinit, kur ai erdhi dhe qëndroi disa ditë mes nesh. “Kemi njëqind vjet që e presim këtë ditë!” Me u pa në sy. Me fol vllaznisht. Me shkrue shqip. Me dëshmue travlimet e jetës. Me bashkëpunue për të mirën e kombit tonë. Dhe kosovarët, tetovarët, strugasit, ulqinasit, preshevasit vinin këtu duke puthur dheun, siç pati bërë dhe Gjoni kur hyri për herë të parë në Shqipëri nga Pogradeci në vitin1993. Polici kufitar i tha se kishte një parregullsi në lejen e kalimit e do të gjobitej, por Gjoni e kishte pranuar me “dashuri” atë gjobë, mjaft që të përkulej në tokën amë duke e prekur me buzë dhe shqiptuar fjalët e pathëna të motmoteve të mbetura peng brenda vetes.

Gjon Krasniqi, lindur më 22 maj 1961, me pasionin e pikturës që në vogëli, nis studimet për inxhinieri mekanike në Ferizaj, i ndërpret ato dhe emigron në moshë të re në Zvicër, si shumë të tjerë, në gjurmë të ungjit të tij, Tunës, ndër emigrantët e parë kosovarë në Europë. Pasardhës i burrave të njohur të kullës së Avdi, Sadri e Zef Smajlit – Krasniqi. Ajo kullë, dikur me 60 vetë, – siç shkruan publicisti Lekë Mrija, – ishte një vatër idealesh e ndjesish kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim, në të cilën shumë burra u mblodhën për pajtime dhe ndërmjetësime, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në fshatin Nepole në Lugun e Baranit, por dhe në zonën e Dushkajës, Lug të Drinit, Dukagjin etj.

Gjon Krasniqi, veprimtar i çeshtjes kombëtare në Kosovë dhe në diasporë, nuk ka pritur lavde dhe dekorata kur iu bashkua UÇK-së më 1998 për çlirimin e Kosovës, as më vonë kur sillte në Lezhë maunet nga Zvicra me pajisje spitalore e ndihma të tjera humanitare, për çka më 2015 do t’i akordohej titulli “Nderi i Qarkut të Lezhës”. Bash për shpirtin e tij human dhe të gjendurit pranë njerëzve në nevojë, ndokush e ka quajtur “lulja e fisit” të Krasniqes. Ai është mishërim i fisnikërisë së dy prindërve të tij, Markut dhe Vitores, por dhe i gjyshit Zef Smajli, ushtar i Bajram Currit dhe i Zefit të Vogël, mbeshtetës i Kishës së “Shën Antonit” të Gllogjanit dhe i gjyshes Manë Delia nga Tropoja, që pyetej nga burrat e krenët e fiseve, pa dallim feje, për çeshtje të ndërlikuara kanunore. Gjoni mbart një traditë të rrallë familjare bamirësie. Sadri Smajli mbante në shtëpinë e tij të madhe si në një “azil” (apo më saktë odë bamirësie) të sëmurë mendorë, të braktisur, skamnorë etj. Kur vdiste ndonjëri prej tyre i çonte fjalë familjes nëse do ta merrnin ata për ta varrosur, apo do ta varroste ai. Kjo është e padëgjuar, por ka ndodhur.

Personalisht Gjonin e kam njohur nga një tjetër dimension i tij, ai i marrëdhënies me librin. Kishte lexuar librin tim “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” që, siç thoshte ai, i kishte lënë mbresa të veçanta, ndaj dëshironte të njiheshim. Jemi takuar në Rrëshen e tash shihemi herë pas here në një shoqëri miqsh të përbashkët, nga Zvicra, Klina, Milano, Mirdita, Lezha dhe Tirana. Bota sot, falë teknologjisë së komunikimit dhe qarkullimit të shpejtë, është tepër e “vogël” për të qenë madhe. Gjoni kishte mbështetur botimin e disa librave, gjë qe bën në vijimësi. Bujaria e tij ishte shtrirë dhe tek bursat e nxënësve e studentëve në Gjakovë, Rubik etj., por me kushtin që, kur ata të mbarojnë studimet, të shërbejnë të paktën dy vite në atdhe. Edhe ditëlindjen e tij në dy raste ai i ka kremtuar me mirditorët, por anonim, duke iu dërguar njerëzve në nevojë dhurata përmes Karitasit Dioqezan të Rrëshenit. Emri i tij u shqiptua fort nga motër Adelina në koncertin e bamirësisë, organizuar kohët e fundit në Pallatin e Kulturës Rrëshen nga Unioni Mirdita, për kontributin që kishte dhënë krahas humanitarit tjetër kosovar në Zvicër Pren Kçira, biznesmenëve Nikolin Jaka, Violeta Gjoka, Andrea Zaja etj.

Para dy vitesh Gjon Krasniqi solli në Mirditë për të gjithë nxënësit e shkollave një komplet lapsash të dizenjuar nga i biri Zefi me stemën dhe flamurin e Pavarësisë së Kosovës. Ti e merr në dorë atë laps dhe nis e shkruan apo vizaton me të dhe të ngjan se ai është lapsi me të cilin Ibrahim Rugova ka nënshkruar jo vetëm studimet e tij letrare, monografinë e çmuar për Pjetër Bogdanin, por dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës. Është ai laps me të cilin udhëheqësit e rinj të Kosovës më pas nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008. Por ai laps simbolik është shumë më i “vjetër” se kaq, pasi aty është dhe dora e Ismail Qemalit e Isa Boletinit. Janë këto argumentet që sot Gjoni nderohet me “Stemën e Artë të Bashkisë Mirditë”. Për më tepër ai ka miqësi dhe bashkëpunim për nismat humanitare me mirditasit emigrantë në Milano, Mark Nikolli e Preng Gjoka nga Fani, Gjergj Margjini nga Oroshi etj.

Punët e mira të Gjonit nuk bëjnë “zhurmë” mediatike. Para pak kohësh ai mundësoi vënien në skenë nga fëmijët e Rubikut të pjesës teatrale me kukulla për fëmijë “Pika e ujit” të Naum Priftit, që ndikon drejpërdrejt në edukimin e tyre estetik. Nga Rubiku i vogël ky është një sinjal dhe për qytetet e mëdha që i kanë teatrot e kukullave. Dëshira për të kontribuar për fëmijët rikthen projekte edukative të vlefshme. Nëse nuk zhvillojmë veprimtari të tilla, atëherë më kot qahemi se fëmijët tanë nuk e lëshojnë telefonin nga dora etj. E Gjoni nuk është ndonjë pasanik, që ka në Zvicër ndonjë koorparatë që “prodhon” para për të. Jo, shpirti i tij është i pasur, ashtu si i gjithë humanistëve, bamirësve, filantropëve të kësaj bote. Dhantia e tij është institucionale, ajo nuk shkon dorë më dorë para kamerave, por përmes njerëzve të Karitasit troket në dyer të varfëra, për çka është falenderuar dhe nga ipeshkvi i Rrëshenit imzot Gjergj Meta. Nevojëtarët që marrin një pako me ndihma nuk e dinë emrin e atij që ka e dhënë dhe kjo është fisnikëria e kësaj gjëje. Gjoni më shumë se paradhënës për nevojëtarët dhe arsimin, kulturën është një shembull për të tjerët se si me dashuri të madhe bëhen gjëra të mira. Fryma nënëtereziane e tij është njëherësh e gjithë familjes, bashkëshortes Zojë, tre fëmijëve Magdalena, Arta dhe Zefi, vëllait Dr. Pal Krasniqit, që shërben si mjek anestezist në klinikë zvicerane dhe njëherësh menaxher. Për vepra bamirëse në shërbim të njerëzve dhe të kishës çifti Krasniqi, Gjoni dhe Zoja, kohë më parë morën bekimin e papnor: “Shenjtëria e tij Papa Françesku i jep me zemër Bekimin Apostolik Gjon Krasniqit e Zojë Marnikut, me rastin e përvjetorit të 35-të të martesës dhe thërret për familjen e tyre një derdhje të re hiresh qiellore për rritje të vazhdueshme në besim dhe dashuri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok