22/12/2024

GJITHMONË QOFSH ME FAQE TË BARDHË, RAMUSH HARADINAJ

0
Ramush-Haradinaj-UCK

Nga Frank Shkreli
Unë nuk jam as gjykatës, as prokuror dhe as avokat, për të vendosur ose për të mbrojtur fajësinë ose pafajësinë e kujdo qoftë. Por është mbresëlënse reagimi –si njeri dhe si politikan – i Kryeministrit-në- detyrë -i Kosovës, Z. Ramush Haradinaj ndaj ftesave për paraqitje në Gjykatën e Hagës, për t’iu përgjigjur pretendimeve të sajuara nga Serbia, për gjoja krime lufte nga antarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haradinaj doli të mërkurën para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, pasi disa ditë më parë, kishte dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit të Kosovës. Kjo nuk ishte paraqitja e parë e Ramush Haradinajt në Hagë dhe as dorëheqja e parë e tij e tij nga detyra e Kryeministrit, në përgjigje të kërkesës së Hagës për t’u përballur me pretendimet kundër tij për krime lufte. Më heret, Z. Haradinaj është shpallur dy herë i pafajashëm nga Gjykata Ndërkombëtare dhe pas paraqitjes të mërkurën, ai është shprehur për median se edhe kësaj radhe nuk pret ndonjë ndryshim nga pafajësia e shpallur më heret.
Ramush Haradinaj, po zbaton ligjin, si qytetar i thjeshtë dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ai iu përgjigj ftesës së Prokurisë së Posaçme në Hagë, si qytetar i Kosovës, por jo si Kryeministër i vendit, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, para se të niseej për në Hagë, me arsyetimin se e konsideronte dorëheqjen e tij si të domosdoshme dhe në interes të vendit. Haradinaj tha për median se pas ftesës për tu paraqitur në Hagë, ai dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit me përgjegjësinë e plotë se nuk donte që madje edhe simbolikisht, të dukej sikur po hetohej dhe gjykohej vet qeveria dhe Republika e Kosovës. Ai u shpreh se, “Kryetari i qeverisë kur del para një hetuesi, ka dalë qeveria, ka dalë shteti. Janë me rëndësi këto tema, të kemi kujdes, për këtë arsye për të respektuar shtetin të cilin me zor e kemi krijuar dhe ende është në rrugë e sipër për t’u bërë i barabartë me të gjitha shtetet në arenën ndërkombëtare, në OKB, në BE dhe e kam dhënë një shembull të respektimit të ligjit”, tha zoti Haradinaj.
Kryesisht, unë nuk kam asnjë preferencë të veçantë politike ndaj udhëheqsve politikë shqiptarë. Por me dorëheqjen e fundit si dhe dorëheqjet e mëparshme kur është thirrrur nga gjykata, Ramush Haradinaj, në traditën më të mirë të patriotëve shqiptarë, ka dhënë shembullin më të mirë–me faqe të bardhë –duke venë interesat e Kosovës dhe të Kombit, para interesave të tija personale dhe partiake. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditët e fundit, Z. Haradinaj tha se, ai “E ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë” dhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të cilën e mbajti nga viti 2017, “Për ta ruajtur nderin e shtetit dhe të kryetarit të qeverisë”. Gjëja që të bën përshtypje në rastin konkret, është fakti se, Z. Haradinaj e konsideron dorëheqjen e vet – ndryshe nga shumica tjetër e politikanëve shqiptarë — si pjesë e procesit demokratik, si të pritshëm dhe normal, në një vend ligjor e demokratik, në mbështetje të sigurisë dhe paqës në vend dhe në përputhje me kushtetutën dhe me aspiratat e Kosovës për integrimin e saj në organizmat euro-atlantike, përfshirë antarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Zoti Haradinaj, me ketë vendim tregon gjithashtu se nuk ka frikë as nga verdikti i votuesve të Kosovës, duke ua lënë atyre vendimin përfundimtar për të vendosur se kush do t’i qeverisë ata në vitet e ardhëshme. Pas dorëheqjes nga detyra e kryeministrit, ai ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, me plot besim në procesin demokratik dhe të konkurencës midis partive politike, duke shtuar se edhe ai do të jetë pjesë e atij procesi, por duke thekësuar se nëqoftse populli nuk i jep atij besimin, Ramush Haradinaj deklaroi se, në atë rast, fituesve “u dëshiroj sukses në marrjen e besimit kushdo qoftë, por Kosova do të ecë përpara”.
A e keni dëgjuar një deklaratë të tillë nga ndonjë politikan tjetër të karjerës, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri? Cilido qoftë vendimi i popullit të Kosovës në zgjedhjet e ardhëshme ose verdikti i Gjykatës së Posaçme, Ramush Haradinaj, si patriot i vërtetë, na thotë qysh tashti: Rroftë Kosova dhe Shqiptaria edhe pa mua si politikan, vetëm “Kosova le të ecë përpara”, siç u shpreh ai këto ditë.
Ramush Haradinaj ka luftuar për Atdhe, familja e tij ka flijuar për Atdhe dhe tani ai ka vendosur që të mos pushojë së punuari për Atdhe, duke nderuar Atdheun.
E kam thënë shpesh se shqiptarët duhet të zgjohen nga kllapia dhe të marrin fatin e vet në dorë, pas sundimeve kriminale dhe të mbrapshta për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe pas 30 vjetë post komunizëm – e njohur si një periudhë e konflikteve politike midis partive –, nëqoftse duan të përballen me sfidat dhe të shënojnë përparimet e nevojshme për shekullin 21. Në marrveshje me njëri tjetrin, shqiptarët duhet të ndërmarrin një fillim të ri politik, duke kërkuar nga përfaqsuesit e tyre të zgjedhur, që mbi të gjitha, t’i shërbejnë Atdheut. T’u shërbejnë interesave të popullit e jo interesave partiake, personale dhe korrupsionit mbarë kombëtar, ndërkohë që, si pasojë, shqiptarët, e sdimos rinia, po largohet masivisht nga trojet e veta, si pasojë e mjerimit ekonomik, korrupsionit, konflikteve plitike dhe mosmarrveshjeve që kanë dalluar klasën politike të 30-viteve të kaluara. Zgjedhjet, pse jo edhe të parakohshme, normalisht, do të duhej të shërbenin për një fillim të ri, duke përfshirë njerëz të ri në politikë me programe dhe ide të reja, me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe me përkushtim serioz ndaj shërbimit publik dhe të mirës së përbashkët.
Fatbardhësisht, shqiptarët në përgjithësi, deri tani gëzojnë ende mbështetjen e miqëve perëndimorë, sidomos mbështetjen e vazhdueshme të miqëve tradicionalë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Por shqiptarët, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, nuk do t’i marrë kush seriozisht nëse vazhdojnë të veprojnë të ndarë e të përçarë politikisht, sidomos kur kemi të bëjmë me interesat madhore të Kombit, siç janë ndarja ose shkëmbimi i territoreve, e mbi të gjitha sovraniteti dhe pavarësia e dy shteteve shqiptare. Këto janë çështje madhore rreth të cilave e mbarë politika shqiptare duhet të flasë me një zë. Për zgjedhsit shqiptarë, është ora për t’u zgjuar, para se të bëhet vonë.
Rasti i fundit i Ramush Haradinajt dhe i ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së nga Kosova, të thirrur për tu paraqitur në Hagë, është pjesë e një plani ogurzi e të errët që kanë hartuar armiqtë e Kombit shqiptar, në përpjekjet e tyre për të minuar legjitimitetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, sidomos në fushën ndërkombëtare. Do të ishte fatzi fakti nëqoftse politika zyrtare e Tiranës dhe Prishtinës do të bëhej — dashtë e pa dashtë–pjesë e përpjekjeve të pabesa të Serbisë e të Rusisë, jo vetëm ndaj interesave të dy shteteve shqiptare, por edhe ndaj vetë ekzistencës në trojet e veta dhe identetitetit kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta. Gabim janë ata udhëheqës shqiptarë – qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë — që jetojnë dhe veprojnë në një realitet romantik mashtrues.
Zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë thirrjen e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Z. Ramush Haradinaj dhe ish-antarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u marrë në pyetje në Hagë, kërkon bashkpunimin e domosdoshëm të gjithëve pa dallim si dhe angazhimin e plotë politik dhe diplomatik të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, për të mbrojtur, jo vetëm lirinë dhe të drejtat e çdo shqiptari kudo — por mbi të gjitha, për të mbrojtur të drejtat, sovranitetin dhe kufijtë e dy shteteve shqiptare. Çdo gjë më pak se kaq, do të ishte thikë në shpinë ndaj interesave të Kosovës, të Shqipërisë dhe të mbarë Kombit.
Me qëndrimet dhe veprimet e tija të fundit, përfshirë dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit, me thirrjen për zgjedhje të reja në Kosovë dhe paraqitjen e tij vullnetarisht përsëri në Hagë, Z. Ramush Haradinaj ruajti, jo vetëm nderin e shtetit dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës, por doli edhe vet me faqe të bardhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok