26/12/2024
Zhiti-Gjergj-Hani

Nga Visar Zhiti

Nuk e kisha parë, që nga atëhere, kur e sollën në burgun e Qafë-Barit, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa unë isha duke pritur lirimin, pas shumë vitesh vuajtje të dënimit.

– Kaq i vogël, gjimnazist, në burg politik, e nga është?

– Nga Durrësi. Donte të arratisej, i vetëm, e kapën në Liqenin e Pogradecit, në kufi…

Guximi i tij s’kishte qenë thjeshtë një aventurë adoleshenti, por bindje, të ikte nga diktatura idiote shqiptare në Perëndim, atje ku ishin liria dhe dija, kështu ëndërronte, por nuk pati fat.

Fati i erdhi në burg. Bëhet një amnisti e detyruar, që atë “e kapi” dhe e lirojnë prej moshës fare të re dhe pritën të bëhej 18 vjeç që ta burgosnin prapë. Kur e sollën sërish në Qafë-Bari, unë  ndërkaq kisha dalë dhe s’u pamë më.

…Dhe shëmbet Muri ndarës i Berlinit, befas, kështu na u duk neve, ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri u zhbë dhe ai doli sërish nga burgu…

Është Gjergji, Gjergj Hani, bashkëvuajtësi, jeton në Tiranë, duhej takuar patjetër, nuk ishte vetëm malli, kisha biseduar me të së voni, nga larg, me këto mjetet moderne, ishim shkruar, i lexoja meditimet dhe esetë e tij, ia dija sinqeritetin dhe mençurinë, konservatorizmin dhe idetë, që shkonin lart, jo te shteti, se janë ca që atë kanë lartësinë më të madhe, por në Qiell, në universin me mistere dhe shpirt.

Gjergji tani mbart përvojën e 20 viteve në Itali, punën në një gazetë të djathtë atje dhe dëshirën serioze t’i shërbejë vendit të tij. Demokracisë, konservatorizmit, madje, ashtu pa bujë e urtësi e me guxim qytetar të bashkojë të djathtën shqiptare, pse jo, edhe pse duket e pamundur dhe të sjellë atë që ka munguar në politikën shqiptare, frymën perëndimore të të burgosurve të ndërgjegjes, të të pushkatuarve të idealit, megjithese e di që të mbyt duhma e enverizit, e atyre që e kanë ende idol enverin, edhe pse u duket se bëjnë ndryshe, por ia hedhin veç vetes, kanë mbetur trutredhur si në socializmin e parë, kur ngjireshin nga hosanatë e tyre të pështira si shëllira e djathit me tallona…

Nuk pranojnë të mësojnë asgjë nga mëshira Kristiane, feja është opium për popullin, besojnë me kokëfortësi, puna e tyre kjo, por duan të përtallin të tjerët që s’janë si ata, vuajtjen nën sistemin e tyre duke mbetur vetë të përtallurit proverbialë si dje dhe sot dhe me çdo kusht duan ta asgjesojnë kundërshtari me plumb, bajontë dhe qytë, tani me pengesa e shpifje dhe zilira siç kanë mësuar në zboret e realizmit socialist, ku ishin oficerë rezervë të Partisë, po fali, o Zot se s’dinë ç’bëjnë!

Ndryshimin mund ta sjellim së bashku, thotë Gjergji, vetëm nuk mundet askush, tha dhe gjatë fushatës për kryetar të PD-së, kur mbeti vendi bosh dhe i tillë duket ende. Nuk doja postin, por desha të zgjoj, ngulmon i qetë, desha të tregoj që ne jemi dhe e dimë çfarë bëhet…

Dhe rrinte dinjitoz dhe modest përballë njerëzve, jam njeri nga ju, u thoshte, pyetjet tuaja janë dhe të miat.

Do përgjigjemi se bashku ashtu siç jemi dhe përgjegjës…

E ç’mund të thoshim më parë në takimin tonë? Trashedentalja, metafizika janë shqetësime të Gjergjit.

E dëgjoja me ëndje. Mirësia i lodronte në fytyrë dhe dritëhijet e pasdites, por dhe të mendimit filozofik, sytë vështronin shumë më përtej, me një trishtim nga ato të mosshpresës, por ai ka më të fortë jetën e brendshme se përditshmërinë, edhe pse nuk i shmanget asaj, e ka të qartë ç’është mbijetesa dhe ç’është jeta e vërtetë, për këtë kulturë është, politikë të moralit dhe moral të politikës. I njeh ata eunukë të socrealizmit, aktivizimin sharlatan të tyre, mbrojta më e mirë është sulmi, i ka mësuar Stalini ata, dhe “fletë-rrufetë” e dikurshme i rimojnë dhe i zbardhin në bejte demokratike, est-etika e tyre trashanike, etika-e-lindjes-së-kuqe, sa kurajo kanë marrë nga Kina tani, po thoshim, të vjen keq, por edhe turp, kur ata s’kanë as turp e as nuk skuqen nga e kaluara e tyre, edhe pse janë ende të kuq dhe dinë të nxijnë… Duhej të flisnim dhe për këtë dukuri, që po bën çmosin të duket… dhe nduket. Ka një ndotje tjetër të mjedisit mendor, kur humbësit banalë kreshpërohen si fitimtarë dhe duan të sundojnë realitetin si të ishte veç i tyre, si i lënë trashëgim nga enveri, madje duke e quajtur veten donkishotërisht si nga ana e drejtë e historisë, kur s’janë të drejtë as me ata që kanë pranë. Dhe ia dalin… Do t’i vuajmë si kapterat e burgut, vazhdimi pandemik i tyre janë, por kafshimet prej qensh s’na dhëmbin më, kështu po thoshim. Fali, o Zot, se s’dinë ç’bëjnë, apo e dinë shunë mirë, po thoshim.

Ne do vazhdojmë në rrugën tonë, njerëzisht, thjeshtë… nuk do marrshojmë, do ecim, me ëndrrën prej dore…

Shoh Gjergjin përballë si për të marrë forcë prej tij. Hija e borsalinës i bie mbi fytyrë si një metaforë dhe më dukej se përhapet gjithandej për mirë. Dhe më vjen të them:

– Sa vonë është vendi ynë dhe ti je shpejt, Gjergji im!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok