21/12/2024

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU – SHOK ME TË MËDHENJTË E MË TË MËDHENJËVE

0
Gjergj-Kastrioti


“Matchable to the greatest of the great”-Edmund Spenser (poet i periudhës Elizabetiane).

Nga Joseph J. DioGuardi

Nga viti 1443, kur Kështjellës së Bardhë të Krujës iu kthye triumfalisht, e deri në shtratin e vdekjes në Lezhë, në vitin 1468, Skënderbeu la pas një trashëgimi të paharrueshme të heroizmit të madh në mbrojtje të lirisë. Gjergj Kastrioti, jetoi dhe vdiq për ato që ai besonte me tërë qenien të ishin vlera të shenjta të besimit, virtytit, nderit, lirisë, guximit dhe dashurisë ndaj atdheut. Këto vlera universale së bashku me filozofinë e tij të thellë për jetën, vërehen qartë në korrespondencën, në fjalimet dhe në veprën e tij të jashtëzakonshme.

Kush ishte Gjergj Kastrioti? Përse është figurë e rëndësishme historike? Çfarë mund të mësojnë sot shqiptarët nga jeta dhe bëmat e tij? Përse ai sot nuk njihet sa duhet në botë? Kastrioti ishte biri i princit shqiptar, Gjon Kastriotit, sundimtarit të tokave shqiptare në gadishullin e Ballkanit, në fund të shekullit të 14-të dhe në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë. Gjoni u kishte vënë turqve otomanë pritë për më shumë se njëzet vjet, për t’u detyruar më në fund në vitin 1422 që ta nënshkruante një traktat dëshpërues paqeje me Sulltan Muratin e Dytë, me qëllim që popullin e tij ta shpëtonte nga zemërimi i Perandorisë Otomane, ndërkohë që sulltanit do t’i shërbente si mburojë e ushtrisë për Evropën Juglindore. Për të garantuar marrëveshjen, Sulltani i mori Gjonit peng djalin e vogël, Gjergjin, të cilin e dërgoi në Stamboll, kryeqytetin evropian të Perandorisë Otomane. Këtu Gjergji u dërgua në akademinë ushtarake të Perandorisë, ku ai shkëlqeu në të gjitha drejtimet dhe në shenjë respekti për zotësitë iu dha titulli “Iskander Bey” – Lordi Aleksandër, sipas Lekës së Madh. Cilësitë e shkëlqyera akademike dhe ushtarake të Skënderbeut i ranë në sy Sulltanit shumë shpejt, prandaj i dha titullin e gjeneralit ende pa i mbushur njëzet vjet. Sukseset ushtarake të Skënderbeut kundër armiqve të Perandorisë Otomane u bënë legjendare, ashtu siç përmasa të tilla legjendare arritën edhe dekoratat dhe dhuratat që i jepeshin atij pas çdo triumfi të jashtëzakonshëm. Një pikë kthese e rëndësishme në jetë Skënderbeut i erdhi në vitin 1443, kur nga Kruja i erdhi lajmi pikëllues për vdekjen e të atit. Gjoni i kishte sfiduar dhe ua kishte prishur planet otomanëve për më shumë se 50 vjet me radhë, prandaj Sulltani e shikonte me dyshim dhe shqetësim potencialin e Skënderbeut për trashëgimin e vendit të të atit të ndjerë, sepse e dinte se ai nuk do të reshte së punuari për ta përjetësuar një Shqipëri të Lirë, ani se tashmë Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Serbia ishin dorëzuar tërësisht. Skënderbeu e nuhati rrezikun që i kanosej atij dhe popullit të babait të tij dhe prandaj, në nëntor të vitit 1443, kur iu ngarkua detyra ushtarake për t’i mposhtur hungarezët që drejtoheshin paoshtu nga një luftëtar tjetër i madh i lirisë (dhe halë në sy të Sulltanit), Janosh Huniadi. vendosi ta shfrytëzonte rastin. Në vend që ta bënte punën e ndyrë të Sulltanit në Nish (sot qytet në Serbi), ai i mashtroi bashkëkomandantët otomanë dhe së bashku me treqind kalorës të tij shqiptarë besnikë, nga fushëbeteja e Nishit u nis drejt Krujës. Dy javë pas hyrjes triumfale në Dibër të Shqipërisë, Skënderbeu iu vërsul Kështjellës së Bardhë të Krujës dhe më 28 nëntor të vitit 1443 e largoi prej andej guvernatorin otoman që kishte zënë vendin e të atit të tij.

Njëzet e pesë vitet pasuese do të ishin dëshmitare të disa prej luftërave dhe akteve heroike më madhështore ushtarake që janë parë ndonjëherë kundër Perandorisë më të fuqishme të kohës, që atëbotë ishte në rritje të pandalshme, kundër Otomanëve. Otomanët mundën ta pushtonin Shqipërinë vetëm pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468. E mbetur pa liderin e saj të madh, lufta kundër otomanëve ngeci, u dobësua shumë dhe humbi forcën e saj, derisa në vitin 1488 arriti pikën kur shkaktoi rënien përfundimtare të tokave shqiptare nën pushtimin otoman. Ky pushtim zgjati 425 vjet, derisa Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912 ngriti në Vlorë flamurin e Skënderbeut me shkabën dykrenore.

Kush në të vërtetë ishte ky kalorës i shenjtë

Kjo është njëra anë për të cilën shqiptarët sot mund të krenohen dhe mund ta falënderojnë dhe nderojnë Gjergj Kastriotin. Por le të ndalemi për pak çaste e ta shohim se kush në të vërtetë ishte ky kalorës i shenjtë dhe cila ishte gjenia e ushtarake e heroit tonë kombëtar e parë nga ata që e njihnin atë nga afër. Pasi që tashmë kam lexuar shumë për Skënderbeun, më është bërë e qartë se prifti katolik nga Shkodra, Marin Barleti, i ka lënë shënimet më të qarta, më të plota dhe më gjithëpërfshirëse për jetën dhe veprën e Skënderbeut. Vepra e tij përbëhet prej dymbëdhjetë vëllimesh dhe në të përfshihen letërkëmbimi i Kastriotit, fjalimet dhe filozofia e tij për jetën, për fenë dhe për kombin. Me që Barleti ishte bashkëkohës i Skënderbeut, ai kishte informata të dorës së parë për fushëbetejat, për arkivat e Romës dhe për shumë të dhëna të tjera nga dëshmitarët që i njihnin zotësitë dhe mjeshtëritë e jashtëzakonshme të Kastriotit, karakterin dhe karizmin e tij. Vepra prej dijetari e Barletit, e shkruar në origjinal në gjuhën latine, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë gjuhën frënge dhe angleze dhe kjo u ka mundësuar shumë njerëzve të mësojnë për bëmat legjendare të Skënderbeut. Poeti amerikan i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Henry Wadsworth Longfellow, ishte mrekulluar duke lexuar për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të Gjergj Kastriotit. Poema e tij epike “Scanderbeg – Skënderbeu” i jep një përshkrim të gjallë kthimit triumfues të Kastriotit në Krujë, më 28 nëntor të vitit 1443: …Anon from the castle walls/ The crescent banner falls,/ And the crowd beholds instead,/ Like a portent in the sky,/ Iskander’s banner fly,/ The Black Eagle with double head …/ And shouts ascend on high/ …”Long live Scanderbeg”.

Nga kështjella shpejt ka rënë/ Flamuri me gjysmë-hënë/Edhe populli shikon/që në vent të tij valon/Flamur’ i Skënderit n’erë/Shkabë e zezë me dy krerë…/… Dhe ai zë me gas me bujë/oshëtin brek më brek/“Rrofsh, o Skënderbeg” (marrë nga Albumi i Nolit).

Nga shumë ekspertë ushtarakë, gjenia ushtarake e Skënderbeut është krahasuar me gjeninë ushtarake të Lekës së Madh. Gjeneralmajori James Wolfe, komandant i ushtrisë angleze në rrethimin e Kuebekut në Kanada, i shkruante Lordit Sidnei se “Skënderbeu ua kalonte të gjithë oficerëve, të lashtë dhe modernë në udhëheqjen me një ushtri të vogël defensive”. Këtë e kam takuar në historinë turke dhe askund tjetër, – shkruante Wolfe më tej duke iu referuar gjenialitetit ushtarak të Skënderbeut. Në veprën e tij “Tatëpjeta dhe rënia e Perandorisë Romake”, historiani Edmund Gibbon thoshte: “Në listën e heronjve, Janosh Huniadi dhe Skënderbeu së bashku kanë merituar vëmendjen tanë, me që arti i tyre ushtarak e ka vonuar shkatërrimin e Perandorisë Bizantine … Princi shqiptar me të drejtë mund të shquhet dhe lavdërohet si kampion i pavarësisë së tij kombëtare. Entuziazmi i tij prej kalorësi dhe mbrojtësi të besimit e kanë renditur atë përkrah emrave të Lekës së Madh dhe Pirros …”. Edhe poeti i epokës elizabetiane, Edmund Spenser, në parathënien e tij për përkthimin e Barletit në gjuhën angleze, thoshte se Skënderbeu ishte “shok me të mëdhenjtë e të mëdhenjve”. To one whom later age has brought to light,/ Matchable to the greatest of the great:/Great both in name and great in power and might,/ And meriting a mere triumphant feat -/ The scourge of Turks, and plague of infidels,/ Thy acts, O’ Scanderbeg, this volume tells./ Ty që në dritë të solli shekull i ri,/Që rri përkrah më të mëdhenjve që u thuren lavdi:/I madh në emër, madhështor në fuqi,/I denjë për lavdin triumfues në histori -/Tmerri i turqve dhe ndëshkimi i atyre që s’kanë fe,/Për veprën tënde flet kjo përmbledhje, o Skënderbe! Dhe së fundi, midis përshkrimesh të shumta për heroin shqiptar, i kthehemi për një çast figurës së letërsisë angleze të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Lordit Bajron, i cili kishte rënë në dashuri me gjithë ç’kishte parë në Shqipëri. Ashtu si Kastrioti, edhe Bajroni ndjente dashuri të thellë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Në poemën e tij “Shtegtim i Çajld Haroldit”, Bajroni shkruante: Land of Albania, where Iskander rose,/Theme of the young, and beacon of the wise,/And he, his namesake, whose oft-baffled foes/Shrunk from his deeds of chivalrous emprise./Land of Albania, let me bend mine eyes/ On thee, though rugged nurse of savage men!/ O Shqipëri ku lindi Iskanderi,/këngë e rinisë, fanar i t’urtëvet! -/Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi/Përherë armiqtë me Kordhn’ e tij kreshnike: Shqipëri, lejomë të kthenj syt e mi/O nënë e rreptë burrash t’egër!“

Gjergj Kastrioti ishte një gjeni i papërsëritshëm ushtarak

Thënë shkurt, Gjergj Kastrioti ishte një gjeni i papërsëritshëm ushtarak, me besim dhe guxim të madh, filozof dhe njeri që mbajti gjallë dhe ushqeu si askush tjetër lirinë personale dhe pavarësinë kombëtare. Ai është subjekt i shumë librave, poemave e madje edhe i një opere nga Vivaldi. Sot figura e tij e madhërishme, me shpatën në dorë i hipur mbi atin e tij madhështor, u jep nur kryeqyteteve të Italisë, të Austrisë dhe të Hungarisë. Dhe në gjashtëqindvjetorin e lindjes së tij, një rezolutë kongresionale që u paraqit në Dhomën e Përfaqësuesve amerikanë, forumi më demokratik në botë, rikujton shumë bëma dhe rëndësinë e tij, si një figurë historike, jo vetëm për shqiptarët dhe Ballkanin, por edhe për Evropën Perëndimore, të cilën ai e shpëtoi nga pushtimi i otomanëve.

Ajo që shqiptarët mund të mësojnë sot nga jeta dhe veprat e Skënderbeut është e pafund. Si njeri me besim të patundur, tek përballej pafundësisht me vështirësi aq të pakalueshme, ai vuri vetën në mëshirën e Perëndisë së madhe. Në njërin prej këtyre rasteve, kur, Sulltan Murati i dërgoi Skënderbeut, që tani qëndronte si pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Perandorisë Otomane drejt Evropës, një letër kërcënuese, pasi që më parë e kishte mposhtur ushtrinë hungareze në Varna, në vitin 1445, Skënderbeu, si lider madhështor dhe njeri i Zotit që ishte, me vizion dhe besim të patundur në lirinë e popullit të tij dhe të gjithë Evropës, ia kthen Sulltanit dhëmb për dhëmb: Mbaje gjuhën dhe kërcënimet plot helm, e mos na fol për fatkeqësinë që pësuan hungarezët, Sulltan. Të gjithë e kanë të shkruar fatin e tyre … dhe kështu me durim e besim të palëkundur, ky fat do të përmbushet në përputhje me atë që na ka shkruar Zoti. Ndërkohë, u njoftojmë se për drejtimin e punëve tona, armikut as i kërkojmë këshilla as paqe dhe me ndihmën e Zotit do të korrim fitore!

Sot, udhëheqësit shqiptarë, veçanërisht ata të Kosovës, që po kërkojnë pavarësinë e plotë nga Serbia, do të bënin mirë që të qëndronin të vendosur ashtu siç qëndroi Skënderbeu, i paepur në mbrojtje të vizionit që kishte për lirinë e popullit të tij. Ai nuk i la shteg hapur asnjë kompromisi me armiqtë e tij dhe tregoi vendosmëri të pafund për të triumfuar qoftë edhe përballë një kundërshtari aq të frikshëm, siç ishte Perandoria Otomane. Ai e bëri këtë jo vetëm duke u mbështetur në shkathtësitë e tij prej lideri të madh kombëtar dhe strategu ushtarak, por e bëri duke u mbështetur edhe në besimin që kishte në providencën e Perëndisë. Sot, ne të gjithë sa jemi, mund të mësojmë shumë nga shembulli madhështor i Skënderbeut për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare. Skënderbeu e tregoi sërish besimin e tij të madh në Zot dhe besnikërinë e thellë ndaj miqve, pas vdekjes së mikut të tij të madh Alfonsit, mbret i Napolit në Sicili, në vitin 1460. Italia u zhyt në gjakderdhje dhe rebelim, dhe Ferdinandi i Parë, i biri i Alfonsit dhe pasardhës i tij, u sulmua sërish nga francezët. Duke ndjerë obligim të thellë moral për të shpaguar miqtë dhe aleatët e tij në bregun tjetër të Adriatikut, në verë të vitit 1461, Skënderbeu u vu në krye të një ushtrie elite prej dy mijë kalorësish dhe më të arritur atje shumë shpejt e ktheu rrjedhën e ngjarjeve kundër francezëve dhe kolaboracionistëve të tyre, në betejën e njohur të Apulias. Tek e lexon thirrjen që Skënderbeu u drejtonte ushtarëve të tij para se të fillonte kjo betejë në Apulia, njeriut i kujtohet thirrja që Xhorxh Uashingtoni ua bënte trupave të tij para depërtimit në Luginën e betejës. “Ka ardhur ora jonë, ushtarët e mi trima … Tani që kemi kapërcyer detin e jemi larg shtëpive dhe vendit tonë … Jemi në mesin e të huajve dhe në qoftë se kundër armiqve që kemi përballë nuk shënojmë një fitore që të mbahet mend, kemi pak të ngjarë se do t’u kthehemi të gjallë shtëpive tona. Por burrat e mi trima dëshmojeni guximin tuaj: Ta quajmë se ky është vullneti i Perëndisë që ne duhet ta mbrojmë selinë e Kishës. Dhe mos dyshoni kurrë si Ai do të na dërgojë nga qielli një fitore të lehtë e të shpejtë … dhe atëherë do të kthehemi në vendin tonë si fitimtarë gëzimplotë. Pasi të ketë mësuar për madhështinë e Skënderbeut, njeriu s’mund të rrijë pa parashtruar pyetjen: Përse ky trim nuk njihet edhe sot siç njihej dikur. Unë besoj se historia e Gjergj Kastriotit ndërlidhet fund e maje me historinë e popullit shqiptar. Kombi shqiptar ra nën sundimin e Perandorisë Otomane për 425 vjet rresht. Kur i këputi prangat e robërisë në vitin 1912, u nda padrejtësisht në atë mënyrë që sot, brenda kufijve të Shqipërisë jeton vetëm gjysma e shtatë milionë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan, ndërkohë që gjysma tjetër vazhdon të jetojë në pesë juridiksione të tjera në kufijtë e saj.

Shteti i Jugosllavisë qe krijuar pas Luftës së Parë Botërore mbi kurrizin e shqiptarëve dhe mbi tokat e tyre. Pastaj popullin shqiptar e përpiu e zeza tjetër, komunizmi, kësaj radhe duke i kredhur ata edhe më tej në një “vrimë të zezë“ ekonomike dhe politike, vrimë që shtrihej nga Beogradi në Tiranë, për pesëdhjetë vjet me radhë, pas Luftës së Dytë botërore. Fakti se si shqiptarët ia dolën t’i ruanin të gjalla gjuhën, historinë dhe shpresën e tyre gjatë gjashtëqind vjetëve të fundit të okupimit dhe rezistencës së tyre të pandërprerë, është një mrekulli e rrallë. Mrekulli në vete është po ashtu edhe e vërteta se me gjithë stresin kombëtar dhe sakrificën e pafund personale shqiptarët nuk e harruan edhe heroin e tyre, Skënderbeun. Ai nuk u harrua dhe falë kësaj madhështie dhe besës (Besa buron nga kodi i lashtë moral i popullit shqiptar) së popullit shqiptar, sot shqiptarët janë të lirë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe bijtë e bijat e Skënderbeut vazhdojnë ta adhurojnë atë si heroin dhe çlirimtarin e tyre kombëtar dhe për çdo ditë po ngrenë përmendore të reja për të kaluarën dhe lavdinë e tij të përjetshme, kësaj radhe, veç të tjerash, duke paraqitur një rezolutë para Kongresit Amerikan (H.Res. 522), në kryeqytetin e superfuqisë së vetme të botës, në Uashington, DC.

Shënim i autorit

Beteja e Apulias në pjesën jugore të Gadishullit italiak, afër Napolit, është me rëndësi të posaçme për mua dhe familjen time. Në vitin e largët 1461, pasi që Skënderbeu dhe kalorësia e tij elite e shpëtuan Mbretërinë e Napolit nga pushtimi francez, siguria e mëtejme e Mbretërisë u mundësua kur Gjergj Kastrioti vendosi të linte atje dy mijë kalorës, ndërsa ai vet u kthye në Shqipëri për ta vazhduar mbrojtjen e tokave dhe popullit të tij shqiptar nga pushtimi otoman. Në përpjekje për ta nxitur dhe falënderuar Skënderbeun për të dhënë pëlqimin për atë që duhet të ketë qenë, vërtetë, vendim i vështirë, mbreti i Napolit u dhuroi ushtarëve shqiptarë një territor prej rreth 40 milash në lindje të Napolit, duke përfshirë edhe katundin kodrinor të quajtur Greci.

Greci ishte krijuar nga fermerët dhe tregtarët grekë rreth vitit 535 pas vdekjes së Krishtit dhe më pas ishte shuar, pasi që shumica e grekëve e kishin braktisur atë rajon të cilin e kishin kontrolluar në fillim të mileniumit të parë. Shqiptarët e mbetur atje në mbrojtje të Napolit e kishin emëruar këtë fshat me emrin “Katundi”, emër ky të cilin banorët shqiptarë atje vazhdojnë ta përdorin edhe sot, ani se italianët edhe sot e kësaj dite e thërrasin, Greci. Babai im i ndjerë, Joseph, Sr. kishte emigruar në Amerikë nga Katundi në vitin 1929 kur ishte 50 vjeç. Familja dhe ai vetë e kanë prejardhjen prej njërit nga 2000 ushtarët e Skënderbeut dhe ky fakt na përkujton se fara e Skënderbeut po vazhdon të përhapet ende përtej detesh e oqeanesh nëpër botë.

Përktheu Musli Bazhdaraj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok