25/12/2024

GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQES

0
Wesley-Clark

Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.

(Me rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)

Nga Frank Shkreli

24 Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve — miqtë perëndimorë me në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb.

Shumë burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali amerikan Wesley Clark.  Gjenerali Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Kosovë.

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje të tillë.

Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika — konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal ushtarak dhe paqësor — në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018, Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja, përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur, duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e përbashkët.  Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një intervistë të vitit 2018.

Gjenerali amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Si i tillë, sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike –përfshir mesazhin e tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.

Kjo datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22 vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës — shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë — por edhe të atyre bijëve dhe bijave të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë – në Shqipëri dhe në Kosovë — të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok