Gjekë Gjonaj: Ngritja e përmendores Adem Demaçit në Nju-Jork ide fisnike
Ngritja e përmendores Adem Demaçit në Nju-Jork ide fisnike
Nga Gjekë Gjonaj
Nisma e grupit nismëtar për ngritjen e një shtatoreje (përmendoreje) Adem Demaçit në Nju – Jork është lajm i mirë dhe i gëzueshëm për të gjiithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo ide e Këshillit Inicues në përbërje Gjekë Gjonlekaj, Shefki Mexhuani, Gani Shehu, Naim Qelaj dhe Veton Grajqevci është e qëlluar dhe e shkëlqyeshme. Është ky një veprim i cili tregon qartë se ajo dinë të çmojë, të respektojë dhe të vlerësojë punën vetëmohuese, përpjekjen dhe sakrificën e veprimtarit të shquar të Adem Demaçit në shërbim të lirisë, të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve..
Kjo ikonë e Kosovës për diasporën shqiptare në Amerikë ka qenë simbol i qëndresës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi . Atë çka ka qenë Nelson Mandela për afrikanët, thonë mërgimtarët, ka qenë Adem Demaçi për diasporën shqiptare në Amerikë . Simbol i rezistencës kombëtare, udhërrëfyes dhe zëri ndërgjegjes popullore, mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të atyre që nuk i përkasin kombit tonë. Në respekt të tij protestuesit në çdo demonstratë në Ameirkë kanë brohoritur “ Lirojeni Kosovën , lirojeni Demaçin”.
Adem Demaçi që nga viti 1990, pasi u lirua nga burgjet në ish-Jugosllavi dhe shpërbërjes së këasj federate, ku qëndroi 28 vjet, ka bashkëpunuar ngushtë me diasporën shqiptare të Amerikës. Ka dhënë intervista në Kombet e Bashkuara, Zërit të Amerikës, gazetave më të njohura amerikane, ka mbajtur fjalime për liri , për pavarësi e barazi të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë së Titos.
Inkurajon fakti se emrin , veprën dhe punën e këtij heroi, atdhetari, luftëtari për të drejtat e njeriut, dijetari, shkrimtari , vizionari, e kalorësi të paqes, pas vdekjes së tij po e nderojnë edhe shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Të gjithë shquiptarët kurrë s’duhet t’i harrojnë fjalët e tij të para publike pasi u lirua nga burgu në një organizim të Shoqatës Shqiptare “ Migjeni” në Lubjanë : “Populli ynë është me të vërtetë një popull heroik, një popull i guximshëm, një popull i papërkulur, një popull i paepur. Këtë nuk e themi sepse jemi romantik, sepse duam ta mashtrojmë vetëveten, por sepse faktet flasin kështu”.
Andaj, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, duke nderuar figurat e tyre historike, siç është njeriu legjendë, Adem Demaçi, dëshmojnë krenarinë me të kaluarën e ndritur dhe konfirmojnë përkushtimin për të ardhme më të mirë.
Ju lumtë bashkëkombasit e mi për këtë nismë ( ide) fsinke që nderon komunitetin shqiptar në Amerikë në veçanti, dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi.