20/04/2024

Puntorie Muça-Ziba: Gurëzuar

0

Puntorie Muça-Ziba

GURËZUAR

Ej, a do të lind dikush ore

me u bë kurban për ne!?

Pikë djerse nuk rrëshqanë

pikë gjaku nuk pikon

gur është bërë direku i shtëpisë.

Edhe kokat gur u bënë

nga ogurzinjtë,

që mbi gurët e lëkurës tonë

ndërtojnë shtëpi sëpate me muratorët bujar.

Nën strehët tredirekëshe,

gur po bëhen ogurbardhët,

e palohen si nuse dyditëshe

nga derti që u hyri n’bark.

Gur u bëmë o nëne,gur

nga nishanxhinjtë ogurzi.

Gur na u bë ç’ajo pikë drite n’sy

e po na dridhet qerpiku gurëzuar

e mishtë e buzëve na u tha.

Ej, apo lind dikush ore, me i shtrydh njato gur

me e nxjerr njatë kokërr helm

me e derdh ndonjë kokërr gjak

me e shemb këtë devër dynja

e me lënë ca nishane n’derë.

Oh, mishrat ngjethen

e leshrat e kokës rrinë për hava

e, as nuk copëtohet gjë

e, as dritësohet gjë

as habermëdhenjtë s’po vijnë,

veshët mbetën gurëzuar

as një zë s’po lidh kuvend.

Ej, gur u bëfshin nadje

ata të ligët,

n’këtë devër dynja.

Ej, a po vjen dikush ore

me u bë kurban për ne

se nga ogurzinjtë e ligë,

gurëzohet vaji e kënga.

Ngurtësuar mbeten ëndrrat,ore

e s’po i gjejmë vetes derman.

TRANZICION

Ka kohë që fruta të egra

ligje të egër

qepur si rriqër n’lule ulliri

na thahen në kurmë.

Lotët tharmëtuar

gërryejnë gjurmë me patkua

faqeve të ndezura.

Shtatanikët s’marrin ashkël,

puna me zjarr

honeps tufën e hamshorëve t’përhënur

e dielli, në të perënduar merr flakë.

Sytë lëbyrur

shohin botën thërmijëza-thërmijëza

dhe u pështirosen pendët

kur mbikqyrin vërshimet.

***

Po të ishim bashkë ne të dy

si do të ajëroje në greminë vargjesh

si do të të ndjellte shtrati,

ku e shtrirë përçapja diellin e hënën

kapērdija zemërimin, lotin, mallin, dashurinë

njashtu e ç’thurur nëpër fijëza vargjesh

deri në muzgun e ikjes së djajve

kur m’i shtrydhte punëhera

faqkat e mia pikëlore.

Po të ishim bashkë ne të dy

sytë e trishtë do bridhnin

lart e poshtë figurës tënde të mishtë

dhe ti, do gëlltisje kokën tënde

për nepsin e ashpër.

Po të ishim bashkë ne të dy

nga maja e thonjëve do niste beteja,

unë do të luftoja

në guva vrullimë shtuar

deri në tē fundmen frymë

që të vdesësh i shpëtuar.

ECJE NËPËR STINË

Thanë është vjeshtë

bëhet dielli thërrime-thërrime

frushullojnë gjethet

lemerisen lypëset

nga suferina që pikëlon;

dhe thashë:

Kaluan shumë vjeshta të vona

e të ngrira

nëpër një jetë.

Pas kësaj stine

do të mbetemi plagëmbyllur

nën lëkurë:

edhe unë

edhe gjethja

edhe zogjtë

edhe një copë reje

në dhomën më të vogël

të shtëpisë sime

e do të stivojmë rreze farfuritëse

që të na bëhet e mbarë

rruga e një vjeshte tjetër

çuditërisht e shndritshme…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok