Gishti i mesëm i Albinit
Nga Anton Marku
Zakonisht gishtat shërbejnë për të lëvizur gjërat dhe prodhuar të mira materiale apo shpirtërore. Secili prej tyre ka një rol të caktuar. Por, ai i mesmi ka një rëndësi të veçantë pasi që po u ngrit i pashoqëruar nga të tjerët mund të merret si shenjë revolte, injorance apo cinizmi. E lideri i përbotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëshmuar me dhjetëra herë se në këtë fushë disponon me një talent të pakontestueshëm. Së fundi e përdori atë me refuzimin që i bëri partnerëve perëndimorë rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pak ditë më vonë, si kundërpërgjigje refuzimit që ata i bënë duke e lënë Kosovën jashtë Këshillit të Evropës, në vend se të merrte kohë për analizë dhe reflektim, ai vizitoi lindjen.
Në çdo dy hapa një gabim
Kosova është vendi i vetëm në botë ku ministri i punëve të brendshme merr rolin e zëdhënësit të policisë rajonale dhe raporton me krekosje se në njërën qytezë të Kosovës policia ka gjetur tek një qytetar i një etnie joshqiptare, një revole me tre fishekë, ndërkohë që në kryeqytet, në Prishtinë, pothuajse çdo natë ndodhin përleshje të armatosura mes bandave dhe grupeve mafioze. Kjo është një lojë shumë fëmijërore saqë me të më nuk qeshin as kalamajtë e lagjes. Qasja në stilin ‘‘shfaqu që të dukesh‘‘ jo vetëm që është kundër-produktive por në të njëjtën kohë është edhe joprofesionale. Zakonisht kështu përfundojnë të gjithë ata që pasion e kanë të përhumben në akrobatikën e fjalëve dhe që flasin për problemet por jo dhe për zgjidhjen e tyre. Ata, për fat, sytë i kanë më të vegjël se sa lukthin.
Në anën tjetër, pasi që u provua që një ditë para marrjes së vendimit për anëtarësimin apo jo të Kosovës në Këshillin e Evropës, me një letër të mashtrohet një botë e tërë, e njëjta u tërhoq ende pa u tharë ngjyra mbi të. Në të vërtetë me të u gënjye publikisht, në mënyrë amatore, se tashmë qeveria ka krijuar grupin që do ta hartojë draftin e asociacionit, pa u përmendur se kur u krijua ai, me cilin akt dhe kush janë anëtarët e tij, Pasi që Kosova mbeti jashtë Këshillit të Evropës dhe letra u shpall e pavlefshme, sipas kësaj logjike është dashur të shpallet i pavlefshëm edhe vendimi për regjistrimin e 25 hektarëve tokë manastirit të Deçanit. Por, këtë nuk e përmend më askush, e as ‘‘radio-mulliri’’ si mjet propagande i Vetëvendosjes. Aq më pak e përmend demarkacionin me Malin e Zi, politikën e jashtme pa asnjë njohje në pothuajse katër vite, (mos)aplikimin për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL, mungesën e sigurimeve shëndetësore apo lirimin e objekteve te kultit që tash e gati tri dekada janë të rrethuara me tela gjemborë dhe ruhen nga ushtarët e NATO, e të cilat, sipas premtimeve parazgjedhore, do të ishin ndër prioritetet e qeverisë së re.
Një mesazh tjetër i gabuar ishte edhe vizita e parë jashtë Kosove pas jo-anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e cila nuk u bë në Britaninë e Madhe, aty ku i ka ‘‘vezët’’ shefi i VV, por në Turqi, një vend diktatorial dhe antiperëndimor. Edhe kjo ishte nuk ngritje gishti në drejtim të Evropës dhe SHBA duke emituar kështu ‘‘foshnjën e llastuar’’ e cila nuk do se nuk do të rritet. Ai sa më majtas që shkon aq më i djathtë bëhet.
Demokracia e ‘‘tytave te gjata’’ në veri
Tregimet nëpër konferenca ndërkombëtare për Kosovën si kampione të demokracisë në rajon nuk po e lënë entuziast askënd. Më së paku qytetarët në veri, aty ka tashmë e një vit mbretëron gjendje e jashtëzakonshme me elemente të shtetrrethimit. Nëse qeveria aktuale demokracinë e kupton me sundim të 3,6 përqindëshi, me instalim të kryetarëve që nuk flasin gjuhën e komunitetit shumicë në atë pjesë të territorit dhe të cilët 96 përqind e popullatës nuk i do dhe nuk i njeh si të tillë, dhe që mbase janë të vetmit në planet që në zyrë dalin të shoqëruar nga policia speciale, me bojkotim dhe si rrjedhojë mossuksese të peticionit dhe regjistrimit të popullsisë, me shpronësime pronash kontraverze, etj atëherë ajo duhet përfundimisht ta kuptojë se pushkët në duart e të uniformuarve mund të jenë shenjë e forcës por assesi e promovimit të bashkëjetesës, paqes, tolerancës, solidaritetit, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe harmonisë mes njerëzve që i takojnë kulturave, besimeve dhe etnive të ndryshme, e që jetojnë në ato hapësira për mijëra vite.
Flamurtarët e kuq
Militantët e Vetëvendosjes, shumica e të cilëve jeton në një realitet ‘‘alternativ’’, sapo i morën erë aromës së pushtetit u dashuruan aq fort në flamurin e shtetit të Kosovës me gjashtë yje, të cilin dikur, me përbuzje, e quanin ‘‘leckë lara-lara’’ saqë ta merr mendja se do të vdisnin barkthatë për të pa asnjë hezitim. Se e kanë përnjëmend nuk u beson askush, e as ata vetë. Këto janë përralla për konsum ditor.
Me rritjen e ndikimit të së djathtës në kontinentin e vjetër dhe përtej Atlantikut vjeshta do të jetë e ftohtë. Dimri edhe më i ftohtë. U sugjerohet radikalëve të të gjitha ngjyrave që, ashtu siç thotë një analist idealist në mërgatë, të vishen trashë sepse do të fryj nga të gjitha anët. Dikë mbase edhe ta rrëzojë.
Vjenë, 15 qershor 2024