23/12/2024
Albert-Zholi

Flasin për “Telegraf”/ Reshat Arbana, Luftar Paja, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Jorgo Papingji, Kastriot Tusha, Luan Zhegu, Ylli Baka, Bashkim Alibali, Petrit Lulo, Alida Hisku:

Gëzuar Shqipëri, gëzuar populli ynë krenar!

Nga Albert Z. ZHOLI

Viti i ri është si një faqe e bardhë e pastër për të nisur nga e para. Lapsin e ke vetë në dorë. Pra, shkruaje vetë kapitullin më të bukur të jetës….Edhe pak ditë…! Viti i Ri po afron dhe kjo mundësi e re për të arritur qëllime, sfida dhe ndryshime të reja është gjithmonë e mirëpritur nga të gjithë. Familja dhe miqtë bëhen edhe më të dashur në një festë si kjo, ndaj edhe meritojnë mesazhet më të bukura për Vitin e Ri. Kjo është një periudhë e veçantë e vitit që mbart edhe një mesazh special për t’ua uruar ndryshe festën njerëzve të dashur dhe popullit . Janë të shumta mënyrat për të uruar shëndet, dashuri dhe suksese. Ndaj Viti i Ri është një festë që pritet me padurim. Në çdo situatë festa e Vitit të Ri sjell gëzime, dhurata, festime, këngë, vizita, etj…Tashmë janë orët e fundit të vitit 2022. Ndoshta 2023 do të jetë më i bukur, më i gëzueshëm, më i paqtë dhe më i begatë. Ja si shprehen artistët për vitin që po lemë pas dhe urimet për vitin e ri 2023. Viti i Ri është koha në të cilën një vit i ri kalendarik fillon numërimin. Në shumë kultura, kjo festë festohet në të njëjtën mënyrë. Viti i Ri i kalendarit gregorian, sot në përdorim në mbarë botën, bie në 1 janar, ashtu siç ndodhte edhe me kalendarin romak. Ka kalendarë të shumtë që mbeten në përdorim rajonal që e llogarisin Vitin e Ri ndryshe. Sipas traditës katolike, 1 janar është dita e rrethprerjes së Jezusit (në ditën e tetë nga lindja e tij), atëherë kur iu vu edhe emri (Lluka 2:21). Për babilonasit, viti i ri fillonte me rilindjen e Tokës, domethënë me pranverën. Por, përse viti i ri festohet në dimër, në datën 1 janar? Sepse romakët antikë, vazhdonin të festonin vitin e ri në marsin e vonuar, por kalendari i tyre ishte i ‘sinkronizuar’ me diellin. Kështu Jul Cezari, në vitin 46 para Krishtit, krijoi atë që ende edhe në ditët e sotme është i njohur si kalendari Julian, që stabilizonte fillimin e vitit të ri ditën e parë të vitit, pra në një janar. Këtë ditë romakët ftonin miqtë e tyre dhe shkëmbenin dhuratë një vazo të bardhë me mjaltë dhe gjëra të tjera që ishin urim për fat dhe lumturi. Këtu ekzistonte dhe imazhi i Dea-s, e cila kishte domethënien e fatit dhe të lumturisë. Në shumë vende europiane, përdornin kalendarin Julian. Ndërsa të tjerët e festonin vitin e ri sipas kalendarit të tyre për shembull në 1 mars (Viti i Ri në Romën Republikane) 25 dhjetor (Krishtlindjet). Vetëm me përdorimin universal të kalendarit Gregorian (nga emri i papës Gregorio XIII, i cili e ideoi në vitin 1582), data e 1 janarit shënon fillimin e vitit të ri duke u bërë një gjë e përbashkët për të tërë. Data 1 janar është pranuar relativisht vonë në kulturën perëndimore si dita e parë e vitit. Deri në vitin 1751 në Angli dhe Uells (dhe të gjitha zotërimet britanike) viti i ri fillonte më 25 mars. Ndryshimi u bë në vitin 1600 në Skoci. Gjatë mesjetës disa ditë të tjera janë marrë si ditë të fillimit të vitit kalendarik (për shembull 1 marsi, 25 marsi, Pashkët, 1 shtatori, 25 dhjetori). Në shumë vende, të tilla si Republika Çeke, Italia dhe Britania e Madhe, 1 janari është festë kombëtare. Me përhapjen e kulturës perëndimore në shumë vende të tjera në botë gjatë shekujve të fundit, kalendari Gregorian është miratuar nga shumë vende të tjera si kalendar zyrtar, si dhe data 1 janar e Vitit të Ri është bërë globale, madje edhe në vende që kanë datën e tyre të fillimit të Vitit të Ri si Kina dhe India. U desh shumë kohë derisa data 1 janar të pranohej botërisht si standard i fillimit të Vitit të Ri.

Reshat Arbana “Artist i Popullit”

Viti 2022 po ikën. Një vit që mbart shumë ngarkesa dhe ngjarje. Një vit ku populli ynë u përball me vështirësi, por edhe me suksese. Kjo është jeta, kjo është rrjedha e viteve. Bashkimi Europian hapi dritën e gjelbër për çeljen me kusht të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në gjirin e saj! Vit mbushur me dhimbje pasi u larguan nga kjo jetë parakohe shumë nga miqtë tanë. Ishte vit i vështirë. Ishte vit me shumë situata. Ishte vit me suksese por edhe staniacione. Sa kaluam tërmetin, ja behu Pandemia. Ishin vitet e tërmetit të madh dhe të pandemisë së madhe. Por pamë se më i madh ishte bashkimi i shqiptarëve, ku ne si komb treguam unitetin aq më tepër shqiptarët kudo në botë. Viti i ri 2023 vjen ende mes entuziazmit të këtij uniteti. Ky vit besoj do jetë viti i shumë gëzimeve, i shumë sukseseve. Gëzuar vëllezërit e mi kudo në botë Vitin e Ri 2023! Lumturi paçi në familjet tuaja!

Margarita Xhepa, “Artiste e Popullit”

Tirana këto ditë është veshur me ngjyrat e festës. Një ngjyrim që të jep entusiazëm. Jemi në pragndarjen e dy viteve. Eh, ky vit! Vit që na ktheu disi bashkimin, aktivitetet, pas atyre dy viteve të rëndë 2019-2020. Akoma ka plagë, por ne po i largojmë. Kemi dhe një sihariq këtë vit. Po afrohemi me BE një ëndërr e madhe shqiptare.. Jeta po merr ngjyrat e saj. Aktivitetet sërish po zbukurojnë Shqipërinë. Në 2023 besoj se do jetë dhe viti i konsolidimit të negociatave për në BE. Në horizont duken agime të reja, të ndezura dhe plot shpresë. Ne jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë vështirësi dhe e besoj se dhe tani do ta kalojmë. Jemi kalitur me vuajtjet. Shqiptarëve u takon një fat i bukur. Ju uroj të gjithëve gëzuar Vitin e Ri 2023. Suksese, begati, lumturi në familje. Ne meritojmë shumë si komb.

Alida Hisku

Po presim vitin e ri. Po presim ngjarje të reja. Unë ju përshëndes nga Gjermania e ftohtë. Ndahen dy vite të mugëta dhe vjen një erë e re. Dhe pse larg, me mendje dhe me zemër jam tek ty Atdheu im, tek ty Shqipëria ime. Ky vit që po lemë pas ishte për mua këtu në Gjermaninë e largët, viti që atdheu më mungoi shumë. Të gjithë ne kudo në botë ju falëm zotit për njerëzit tanë, bashkëkombësit tanë. Në këto situata bota na ndihmoi, por edhe u habit nga solidariteti ynë, nga bashkimi ynë. Ne treguam se dimë të festojmë, se dimë të gëzojmë, se dimë të respektojmë dhe të ndajmë dhimbjen dhe të forcohemi. Gëzuar vitin e ri 2023 bashkëkombësit e mi kudo në botë! Gëzuar në mënyrë të veçantë, ju emigrantë, pasi Ju aty ku punoni dhe jetoni jeni një Shqipëri e vogël! Gëzuar!

Luan Zhegu, “Mjeshtër i Madh”

Kujtojmë vitin e ri, kur ai vjen pa trokitur. Kështu po vjen edhe ky vit. Ky vit që po lëmë pas, ishte i treti rresht vit i mbushur me probleme botërore. Ne meritojmë shumë, pasi jemi një popull punëtor, liridashës dhe me shumë kërkesa në jetë. U desh tërmeti i 26 nëntorit dhe ky virus që ne të zbulonim shumë cilësi të reja si bashkimi, vëllazërimi, solidariteti. Ishte lufta në Ukrainë që rriti emigracionin dhe frikën e popujve. Viti që vjen besoj se do ketë shumë të reja në jetën e popullit tonë. Besoj se tashmë jemi pjesë e trenit për BE. Ne na takon shumë dhe Europa duhet të na marrë në gjirin e saj. Gëzuar Vitin e Ri 2023. Gëzuar të gjithë së bashku dhe ta ngremë një dolli për unitetin, për bashkimin. Vitit 2023 qoftë viti i shqiptarëve, viti i realizimit të ëndrrave shekullore!  Po ashtu uroj vëllezërit kosovar që në këtë fund viti gjenden në situatë të vështirë. Gëzuar!

Luftar Paja, “Artist i Popullit”

Iku dhe një vit. Një vit i ri po troket…Në këto tre vite të vështira dua që populli im në ditët e Vitit të Ri t’i lëjë pas hallet, shqetësimet, problemet dhe të mblidhet në sofrën e Vitit të Ri plot shpresë dhe besim. Kemi kaluar tre ngjarje të vështira këto tre vjet. Dy ngjarje që na kanë lënë gjurmë të thella. Tërmetin e vitit 2019 dhe Covid-19 në vitin 2020 që tashmë ka sjellë derivate të tjera. Por dhe luftën në Ukrainë që preku gjithë ekonominë botërore. Por jeta kjo është. Ka të mira dhe të këqija. Ne tashmë jemi mësuar me situata të tilla. Me durim dhe këmbëngulje besoj se do t’i kalojmë këto situata. Me besim tek vetja dhe tek e ardhmja le të themi mes nesh, Gëzuar Vitin e Ri 2023! Mbarësi në të gjitha aspektet e jetës! Zoti qoftë me ju.

Tinka Kurti, “Artiste e Popullit”

Jeta ecën me ritmin e saj. Koha nuk ndalet. Jemi në prag ndarjen e viteve. Dhe në këtë prag ndarje bëhen shumë bilance. Po t’i shohësh me syrin e një artisti shikojmë se kemi kaluar situata shumë të vështira. 2023 do jetë vit më i bukur, me plot aktivitete dhe mirëqenie. Viti që po ikën na la pas një luftrë në Europë dhe një provokim në Kosovë. Gëzuar Vitin e Ri 2023! Gëzuar shqiptarë kudo që jeni dhe ky vit të rrisë begatinë në vatrat tuaja familjare!

Kastriot Tusha, “Mjeshtër i Madh”

Janë orët e fundit të vitit 2022!. Një tjetër vit erdhi në fund. T’i japim lamtumirën dhe të mirëpresim Vitin e Ri, të nisim pa frikë sfidat dhe të mbajmë fort kujtimet e bukura!  Kam vetëm një dëshirë për ty këtë Viti të Ri. Të keni sa më shumë gëzime, shëndet e lumturi pa fund? Nëse i ke këto pa limit, atëherë 2023-a është viti yt. Viti i ri 2023 vjen ende mes entuziazmit të unitetit të shqipëtarëve.  Ky vit besoj do jetë viti i shumë gëzimeve, i shumë sukseseve. Gëzuar vëllezërit e mi kudo në botë Vitin e Ri 2023! Lumturi paçi në familjet tuaja!

Petrit Lulo, “Mjeshtër i Madh”

Po presim vitin e ri 2023! Po ikën viti 2022 me ngjarjet e tij! Një vit që u duk sa një shekull. Për vitin e Ri 2023 ju uroj: Gëzim në janar, argëtim në shkurt, paqe nga marsi në qershor, asnjë shqetësim në korrik, harmoni në gusht, qetësi në shtator, suksese nga tetori në dhjetor. Gëzuar Vitin e Ri me të gjithë muajt e tij!

Jorgo Papingji

Vitet ikin. Rendin. Vrapojnë. Po ikën, pa menduar edhe vitit 2022. Dëshiroj që gjithë shqiptarët të mos kenë dhimbje të tilla, si dy vite më parë të mos kenë fatkeqësi të tilla. Gëzuar Vitin e Ri 2022! Kam besim se këto vite të vështira do harrohen shpejt nga kujtesa e shqiptarëve. Duam ta gëzojmë jetën, kryesisht të rinjtë. Ata nuk e pranojnë izolimin. Le të jetë ky vit i mbarësisë për shqiptarët kudo në botë. Viti i Ri është mundësia për një fillim të ri e për të lënë mënjanë të shkuarën.

Ylli Baka, “Mjeshtër i Madh”

Po ecim në limitet e fundit të vitit 2022! Viti që po lemë pas na solli shumë shqetësime por edhe shumë ëgzimë. Në horizont për vitin 2023 duket një qiell i kaltër. Buzëqeshja do u kthehet shqiptarëve. Ne meritojmë shumë. Ne duam dasmat, këngët, takimet me miqtë dhe shokët. Jeta jonë duhet të jetë këngë. E tillë do të jetë. Fati do jetë me shqiptarët. Viti i ri do ketë surpriza. Gëzuar dhe mirësi në çdo familje shqiptare. 2023, Vit plot suksese!

Bashkim Alibali, “Mjeshtër i Madh”

Viti i Ri po afron dhe kjo mundësi e re për të arritur qëllime, sfida dhe ndryshime të reja është gjithmonë e mirëpritur nga të gjithë. Familja dhe miqtë bëhen edhe më të dashur në një festë si kjo, ndaj edhe meritojnë mesazhet më të bukura për Vitin e Ri. Kjo është një periudhë e veçantë e vitit që mbart edhe një mesazh special për t’ua uruar ndryshe festën njerëzve të dashur. Janë të shumta mënyrat për të uruar shëndet, dashuri dhe sukses. Ndërkohë që të gjithë të tjerët presin në heshtje atë që do të ndodhë, artistët vazhdojnë të shkëlqejnë në çdo performancë vit pas viti. Ata japin këngë dhe koncerte të bukura. T’i japim lamtumirën vitit 2022 dhe të mirëpresim Vitin e Ri 2023, të nisim pa frikë sfidat dhe të mbajmë fort kujtimet e bukura! Gëzuar Vitin e Ri 2023 miqtë e imi. Gëzuar Shqipëria ime!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok