17/04/2024

Gëzuar 15 vjetori i ngjarjes shekullore!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Deri para 17 shkurtit 2008, shqiptarët e Kosovës i mbante shpresa, se pavarësimi i vendit do t’iu sjellte zhvillim ekonomik dhe mirëqënje familjare, hapje të vendeve të reja të punës, përmirësim të sistemit të drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, etj. 15 vjet më pas dëshirat u kthyen në dëshprim, kurse shpresat në iluzione. Mbase ky është njëri ndër përvjetorët më të zbehtë të Pavarësisë së Kosovës për qytetarët e thyer shpirtërisht, të cilët çdo ditë po e braktisin Kosovën.

Jo, nuk është kjo Kosova për të cilën u luftua

Pas 24 vjetësh në liri dhe 15 vjetëve pavarësi, nuk është kjo Kosova e ëndërrave të veprimtarëve dhe atdhetarëve që punuan ditë e netë pa kursyer asgjë nga vetja e tyre, por nuk është as ëndërra e heronjëve dhe dëshmorëve që u flijuan për lirinë e atdheut.

Kosova e sotme jo vetëm që nuk është ëndërra e dëshmorëve, nuk ka mbetur as si surrogat i dëshirave të qytetarëve për të jetuar në shtetin për të cilin pritën gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.

I gjithë ky dëshprim dhe zhgënjim i qytetarëve, ka ardhur si pasojë e katandisjes së shtetit nga liderët shtetërorë dhe partiak, nga politikanët e papërgjegjshëm që abuzuan me gjakun e dëshmorëve dhe vlerat e lirisë në përgjithësi.

Pothuajse të gjithë liderët shtetërorë të pasluftës abuzuan me pushtetin, zhvatën buxhetin, shantazhuan investitorët e jashtëm, degraduan dhe shkatërruanm institucionet shtetërore, e shkatërruan në themel bërthamen e shtetit-familjen me ndarjen dhe përçarjen në disa parti, duke e vrarë kështu shpresën dhe ardhmërinë për jetë në këtë vend.

Populli e di mirë kush janë atdhetarët e vërtetë dhe kush janë abuzuesit e gjakut të dëshmorëve, kush janë hajnat dhe kusarët politikë që u pasuruan mbi gjakun e pastër të dëshmorëve, mbi vlerat më sublime të lirisë sonë dhe me djersën në vlerë gjaku të mërgimtarëve, të cilët dhanë gjithçka që patën për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Vënitja e shpresave nga klasa kancerogjene politike

Mirëpo, nga viti në vit, shpresat e qytetarëve u vëniten, u shndërruan në iluzione, shkaku i keq-qeverisjeve, rritjes së krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit në të dyja nivelet e pushtetit si dhe dukurive të shumta negative.

Kështu, Republika e Kosovës nga një shtet për të gjithë qytetarët u kthye në një shtet të pushtetarëve, oligarkëve politik dhe ekonomik, hajdutëve, kriminelëve dhe grupeve të interesit.

Varfëria dhe papunësia, pagat e ulëta dhe pasiguria në sektorin privat janë shkaktarët e largimit të popullatës nga Kosova, mirëpo, strumbullarë i gjitha të këqijave është klasa e dështuar politike, e shndërruar në sindromë kancerogjene për shtetin e Kosovës.

Në këtë 15 vjetor të shtetit të pranuar ndërkombëtarisht, Kosova është shndërruar në një burg kolektiv, pa liberalizim të vizave për qytetarët, të cilët çdo ditë po ikin nga ky vend duke rënkuar dhe mallkuar politikanët që ua bënë jetën ferr dhe ua thyen të gjitha shpresat për jetë në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Prandaj, pa largimin e kësaj klase kancerogjene nga skena politike, pa depolitizimin e institucioneve të pavarura dhe pa rimëkëmbjen ekonomike të vendit, është iluzive të priten ndryshime pozitive, e aq më pak të parandalohet shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore.

Megjithatë, në çdo përvjetor të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet të kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë aktive paqësore dhe përiudhës së lavdishme të luftës së UÇK-së, për të kujtuar dhe nderuar gjakun e dëshmorëve të lirisë sonë.

Pra, pavarësia e Kosovës është produkt i sakrificës së shumë brezave, rezistencës aktive paqësore dhe luftës çlirimtare. Binomi, Ibrahim Rugova- Adem Jashari janë binomi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e 17 shkurtit 2008 është e arritura më e madhe historike e shqiptarëve në këto 110 vjetët e fundit.

Gëzuar 15 vjetorin e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Lavdi për jetë dhe mot të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Florim Zeqa, 17 Shkurt 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok