GËZUAR 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, PËR SHEKUJ TË SHEKUJVE!

0

Autori duke folur me rastin e manifestimit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqiptaro-Amerikane

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN DHE 100-VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-AMERIKË

Nga Frank Shkreli*

Përshëndetje të nderuar bashkombas, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”.

Me këtë emër të të Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit, sot dhe çdo ditë, ju kujtoni Gjergj Kastriotin – Skenderbe – Kryetrimin e Kombit shqiptar, udhëheqsin e luftërave heroike kundër perandorisë osmane. Por, përveç luftëtarit dhe meritave të tjera të shumta — në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – kujtojmë gjithashtu Skenderbeun edhe si Kryediplomatin e të gjitha kohërave të Shqiptarëve – themeluesin e institucioneve diplomatike të shtetit shqiptar dhe promovuesin e marrëdhënieve me shtetet evropiane perëndimore të kohës së tij.

Dihet fati i mjerë ushtarak dhe diplomatik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve — pas vdekjes së Skenderbeut – por ja ku jemi sot. “Qe, pra sot po ka Shqypni; Qe, pra sot po ka Shqyptarë”, do të thoshte At Gjergj Fishta.

Por duhej të vinte liria dhe pavarësia që të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri, ashtu që të lulëzonte shteti shqiptar, që të zhvillohej diplomacia por edhe lidhjet e ngushta midis dy kombeve tona.  Ky vit shënon 100-vjet diplomaci me shtetin më të fuqishëm në botë sot – mikun e madh historik të shqiptarëve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si rezultat i kësaj diplomacie – vetëm në 30-vitet e fundit, përfitimet për shqiptarët janë të dukshme – kishim vizitën e parë historike të një Presidenti Amerikan në detyrë, Z. George W Bush, në Shqipëri.  Kemi Shqipërinë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe kemi Shqipërinë vend-kandidat për antarësim në Bashkimin Evropian.

Kemi Kosovën e lirë e të pavarur, në miqësi të perhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej dikur Pesidenti historik i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Kemi arrijtje dhe suksese historike të pafund në fushën e të drejtave të njeriut dhe në trajtimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, në Ballkanin Perëndimor, bazuar në të drejtat universale të njeriut.

Të gjitha këto realizime historike në interes të Kombit shqiptar sot për shqiptarët në Ballkan – si asnjëherë më parë në histori — janë rezultat i një angazhimi serioz diplomatik, politik dhe ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Washingtonit në Evropën Perëndimore, për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta shekullore. E gjithë kjo, falë diplomacisë amerikane të këtyre 30-viteve të fundit.  Merreni me mendë se ku do ishte Shqipëria dhe shqiptarët sot, po të kishte pasur zhvillim normal marrëdhëniesh me një qeveri normale dhe pa ndërprerje të lidhjeve diplomatike Shqipëri-SHBA, për pothuaj gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!

Sidoqoftë, 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i vecantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Një përvjetor — simbol miqësie dhe bashkpunimi midis dy popujve dhe shteteve tona –pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara.

Roli i Diasporës

Pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para, komb me komb, në pothuaj një gjysëm shekulli. Unë me disa shqiptaro-amerikanë të tjerë kemi patur nderin dhe privilegjin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike të vitit 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z. Rejmond G.H. Saitz, ka venë në dukje rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve duke u shprehur se: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti  Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.  Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

15 Marsi, 1991, ishte një ditë kënaqësie e jashtëzakonshme shpirtërore për mua dhe për të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë kudo, por sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ishte një ditë kur, më në fund, flamuri i Kombit shqiptar u vendos në platformën e flamujve të shteteve të botës në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington.  Ishte një ditë, kur Shqipëria komuniste, më në fund, iu përgjigj thirrjes — ndonëse me ngurrim por e detyruar nga ndryshimet gjeopolitike të kohës në Evropë, thirrjes që Shtetet e Bashkuara i përcillnin publikisht, pothuaj, çdo vit Tiranës zyrtare, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit – pjesë e të cilit isha edhe unë — arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duke qëndruar në Shqipëri, si fillim, për dy javë, në mars/prill, 1991.

Vizita ime në Shqipëri me delegacionin e parë të Departmentit Amerikan të Shtetit ishte një moment emocionesh të mëdha.  U përlota dhe u emocionova shumë, pikërisht, në momentin kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë.  U përlota nga mallëngjimi, se më në fund Flamuri i vendit tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej tani i lirë në tokën e të parëve të mi, ku për pothuaj një gjysëm shekulli, flamuri amerikan ishte i ndaluar dhe urrehej si një simbol armiqsor nga një regjim — ndër më të egrit e diktaturave të komunizmit ndërkombëtar – që ishte regjimi i Enver Hoxhës.

Prandaj, porosia ime sot në këtë tubim të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, është që 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të shërbejë si një moment reflektimi për atë periudhë të zezë në histori. Që të të bëhet ç’mos për t’i ruajtur ato si sytë e ballit dhe për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një hov edhe më të madh përpara. Me qëllim për të rifituar kohën e humbur nën regjimin komunist, por edhe për të siguruar që një gabim i tillë historik katastrofik për interesat e shqiptarëve, të mos ndodhë më kurrë.

Rivendosja e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh – nga të gjitha trojet shqiptare — gjatë 100-viteve të kaluara.  Le t’i kujtojmë ata patriotë sot dhe t’i falënderojmë se – sepse megjithë dështimet – për shkak të refuzimit të regjimit komunist — për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta patriotë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë as nuk u tërhoqën asnjëherë nga ideja e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, megjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe.  Një fjalë e urtë kineze thotë se, “kur pin ujë, mendo për ata që kanë hapur pusin”.

Uroj që të gjithë shqiptarët kudo, e që kanë përfituar nga këto marrëdhënie, si individë, si familje por dhe i mbarë kombi shqiptar, të kujtojnë — në këte përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona — të gjithë ata vizionarë shqiptaro-amerikanë që nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqen tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkpunim me kombin shqiptar, dhe jo për izolim e armiqësi me Amerikën. Fatkeqsisht, disa prej këtyre patriotëve shqiptarë të këtij komuniteti, ende sot — në këtë 100-vjetor të marrëdhënive diplomatike Shqipëri-SHBA — dhe 30-vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve në Mars, 1991, ata ende konsiderohen si armiq e tradhëtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës. Kësaj politike anti-kombëtare duhet ti vijë fundi, njëherë e mirë.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave, duke filluar nga Noli e Konica e deri në ditët e rivendosjes së marrëdhënieve me 15 mars, 1991. Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, komuniteti shqiptaro-amerikan, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndërkohë që ka luajtur rolin jo-zyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.

Edhe ky brez i komunitetit shqiptaro-amerikan sot në këtë 100-vjetor — si individë ashtu dhe si organizata — ka përgjegjësinë e vet që ashtu siç kanë bërë brezat e mëparshëm të komunitetit tonë këtu në Amerikë, të luftojë që këto lidhje midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar të mos preken kurrë më nga diktatorë, parti ose regjime anti-amerikane shqiptare në të ardhmen. Këto marrëdhënie 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, e madje as edhe e ndonjë ambasadori të vetëm. Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona!  Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shënjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohëshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjëshëm, nga cilado palë qofshin.

Si shqiptaro-amerikanë, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sot kemi shumë arsye për të celebruar të gjitha arritjet që përmenda më lartë në fushën e marrëdhënieve dypalëshe dhe që me entuziazëm dhe shpresë të presim dhe të shkojmë drejt zhvillimeve edhe më të mëdha, në të ardhmen, në dobi të marrëdhënieve midis dy popujve tanë.

Më në fund, ju falënderoj për durimin dhe për respektin që kini treguar ndaj meje, duke më ftuar të jem së bashku me ju në këtë përvjetor të shënuar për dy kombet tona të dashura. Gëzuar, pra, të gjithëve 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për shekuj të shekujve! Urimet e mia më të përzemërta të gjithëve!

Frank Shkreli

*Fjala në tubimin e SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE, “SKENDERBEJ”, në kuadrin e 100-Vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike: SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS-SHQIPËRI

*Autori ka marrë në ceremoninë e 15 Marsit, 1991 të nenshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit e Tiranës dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan që, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit, shkoi në Tiranë për të vendosur kontaktet e para midis dy vendeve, në pothuaj 50-vjet.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc. | Facebook

Përfaqsues të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, në ceremoninë e emrimit të rrugës, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, në Bronx të Nju Jorkut, Maj, 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok