George Washington do të bënte atë që rrallë kush e ka bërë në histori
George Washington – Portret nga Gilbert Stuart Williamstown
Nga Prof. Blerim Latifi
E pashë këto ditë një dokumentar në tri pjesë për Xhorxh Uashingtonin. Në fund të tij shikuesi e kupton se ajo çfarë janë sot SHBA-të lidhet fort me shembullin e tij jetësor.
Natyrisht, pjesa më dramatike e dokumentarit ishte pjesa e dytë në cilin jepet historia e Uashingtonit si komandant i kolonive amerikane që luftojnë për pavarësi nga Britania e Madhe.
Tetë vite luftë, me një raport forcash tmerrësisht të pabarabartë, Uashingtoni u priu amerikanëve në fitore dhe humbje, në situata entuziazmi dhe në situata të dëshpërimi të thellë, pa e humbuar asnjëherë besimin në fitorën përfundimtare.
Dhe kur fitorja u arrit, Uashingtoni do të bënte atë që rrallë kush e ka bërë në histori.
Oficerët e tij, të ekzaltuar nga fitorja, e nxisin që ai të marshojë për ta marrë pushtetin, për ta vendosur ligjin e tij. Ata duan ta bëjnë mbret. Edhe turmat, po ashtu. Uashingtoni refuzon. Ai e di që lakmia për pushtet do t’ia rrënojë lavdinë e fituar në luftë. Ai nuk do që monarkun e dëbuar britanik ta zëvendësojë me një monark tjetër. Dhe në vend të marshimit triumfal drejt pushtetit, ai bën të kundërtën: jep dorëheqje nga detyra e kryekomandantit të ushtrisë fitimtare dhe vendosë të kthehet në Mount Vernon për t’u kujdesur për familjen dhe fermën e saj.
Ka mposhtur perandorinë më të fuqishme të kohës dhe nuk kërkon asgjë tjetër përveçse qetësinë e vatrës familjare.
I gjithë kombi i bën nderime dhe ai nuk kërkon që lavdinë e tij ta transformojë në pushtet mbi të.
Vite më pas, kur shteti i ri amerikan ka nevojë për forcën e tij bashkuese, ai pranon detyrën e presidentit, detyrë të cilën e kryen me kujdesin maksimal që të mos duket si tiran e sundimtar arbitrar.
Dhe kur i propozojnë një qëndrim të përjetshëm në këtë detyrë, ai përsëri refuzon.
Në përfundim të mandatit të dytë ai rimerr rrugën e kthimit në qetësinë dhe privatësinë e jetës familjare. Ka luftuar për lirinë e vendit të tij, i ka shërbyer një shteti të ngritur për t’i mbrojtur liritë e qytetarëve dhe krejt çfarë do tani është t’i jetojë edhe ai vetë këto liri.