21/12/2024

GABIMI FATAL I EDI RAMËS

0
u6_Xhemal-Ahmeti

Nga Xhemal Ahmeti

Ballkani brenda vetes përherë ka qenë i hapur. Me dhunë e pa të. Sot Ballkani është reduktuar në tri vende. Njē ishull brenda kontinentit. “Rastësisht” në të janë tri vende të refuzuara nga BE në të. Dy prej tyre pa të drejtë dhe njëra ngase s’don vetë për shkak të Rusisë. Nga mllefi dy vendet i bashkangjiten llokomotivës ruse brenda Europës, që do të thotë se rrezikojnë nesër të izolohen dhe të mbesin keq. Paçka se diplomatë mund të shtrembërojnë buzët kur ua përmend Prishtinën kryeneçe që s’donë të bëhet pjesë e këtij ishulli, ajo gjeopolitikisht asnjëherë nuk ka vepruar më mençur. Ajo synon vendin e saj aty ku është, në Europë dhe ka mësuar se me mllef, me taborizim me aleanca lokale veteksluduese, nuk ndërtohet ardhmëria por me zgjuarsi, durim, drejtësi dhe punë. Ata që shtrembërojnë buzët me Prishtinën s’mund të jenë të njejtët që refuzojnë tri vendet e ishullit t’i bashkangjiten BE- së. Ta arsyetosh Serbinë, duke akuzuar Prishtinën siç bën Rama donë të thotë se ai tashmë ndau udhët me pjesën tjetër të kulturosferës shqiptare. Kjo synon BE-në dhe bllokun përtej Kinës-Rusisê e Turqisë. Rama gabon vetë, natyrisht, vetēm si qeveri e rradhës.

________

MEDIAT DHE KRIMI

«U dek prej deke», tha tash ne një debat TV-je njëri, një emision që më doli në youtube pa e kërkuar. Ishte një i dënuar për vrasje. Nenad Çanak e ka një ligjeratë të bukur për mediat gjersa e kishin ftuar në studio edhe Shesheljin, duke u thënë se shkelin kushtetutën dhe s’kanë asnjë fije morali e profesionaliteti. Mediat duhet të kuptojnë se nuk ftohen studiove njerëz të dënuar për krime të rënda; njerëz që janë përgjegjës për ikjen e njerëzve luftrave dhe nga ku nuk u kthyen më; njerëz pa fije kompetence dhe që shpifjen e kanë të vetmin profesion; njerëz që janë bashkë me familje në listat e zeza amerikane si përhapës të teorive ekstreme ballkanit të mjerë; kjo sjellje është bashkëpunim me terrorin, kriminelin, është përhapje e mendësisë se të bësh krime, të nxisësh tjerët drejt vdekjes, të prodhosh, përkthesh a redaktosh teori për përgatitje terroristësh të nesërm qenka diçka totalisht normale. Jeni bërë mjet propagande sharlatanësh, teopatësh, maniakësh, aktivistësh skizofren, manistësh historicistë; pseudofilantropësh biznismenë e paralarës (…) A ka vija të kuqe profiti i këtyre mediave? Shumë i zhgënjyer. Sinqerisht nuk i kuptoj.

________

FRYMA DHE FRYMËT

Esenca e madhështisë së një fryme buron nga aftësia e saj për t‘ia falur vetes dhe Tjetrit. Frymët në gropė i tradhëton pikërisht kjo mungesë. Kjo frymë në krizë prandaj nuk pranon sovranitetin e Subjektit. Nëse s‘ka për çka ta akuzoj më Tjetrin e përdor eugjenikën: biri i kujt është, e gjyshi, fisi? Ose fiksohet për një momenti sekondash të Tjetrit, duke ia fshirë atij dhe vetes gjithë biografinë sikur të ishte Zoti vetë.

________

KUSH I BËN STREHË IKANAKUT

Nuk ka urrejtje kosovare ndaj Shqipërisë apo anasjelltas. Vazhdon tymi i një tëhuajësimi radikal qê nisi pas anijes Vlora, në Greqi, pastaj Itali e perëndim, duke u rikthyer dikur brenda nē Maqedoni, Kosovë e gjithandej. Shqiptarët kudo, gjenden në procesin e ikjes nga vetja historike, politike, aktuale. Politikat dhe elitat i bënë kështu. Do t’ia dalin? Duket se jo. Jo se nuk duan por se duke ikur nga vetja edhe më hiç nuk i duan tjerët [fatmirësisht] – vetëm i shfrytëzojnë pēr agjenda të përkohëshme të tyre, jo për më shumë.

________

Përballë kritikës dhe lavdërimit të intelektualit të pakorruptueshëm nuk është i mbrojtur apo përjashtuar askush. Ai nuk përfill as heshtjen, as zhurmën as diktatin për prononcim. Ai nuk kursen as ideologjitë në të cilat mund të besojë edhe vetë. Për këtë arsye ai ka heq dorē nga pozitat, pushteti, autocensura, oportunizmi …Është jetë e rëndê, jetë në një ishull, a ia vlen? Për të? S’besoj. Për gjithë ne tjerët: po shumë! Pa të do vdisnim edhe mē idiot se ç’jemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok