13/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

…me Kish’ e me varre, me kalldrëme, me mure, sokakë, dhe rrotull ca shtëpi, bosh fare.

Këtu nuk kaloi asnjë pushtues që ti vinte zjarrin. Këtu nuk erdhi asnjë armik që ti shpërngulte banorët.

Është fshati i braktisur Bezhan, rrëzë Gramozit pak pa vajtur në Ersekë.

Kanë ikur të tërë.

Gjithçka e zbrazur.

Vetëm ferra, breshka, gjarpërinj, zhapinj.

Duket si Zemër e ndalur që nuk i lypset të shpjerë gjak gjëkundi se i është arratisur trupi, organet, gjymtyrët.

Ku janë kolonjarët, familjet, vatrat e ngrohta, fiset, gëzimet, zemërimet, inatet, hatërmbetjet, vendimet fshatçe, mblesëritë, dasmat, krushqitë, fatkeqësitë, dashuritë, sherret, urrejtjet, zilitë, zullumet, paudhësitë, trimëritë, përrallat, plakat, pleqtë, djemtë, vajzat, fëmijët ?

Ku është mëngjesi i freskët i këtij fshati ?

Ku janë të lehurat e qënve ?

Ku është meraku i grave për t’u ngritur të parat nga gjumi i natës, për të ndezur zjarrin për të përgatitur kafenë ?

Ku janë shtëllungat e tymit që del ngadalë nga oxhakët, përshëndetjet mëngjezore, blegërimat, lehjet e qënve, dalja e bagëtisë për në kullota ?

Ku është mesdita, dreka, vapa ?

Ku është pasditja, muzgu, simfonia e zilkave, mbrëmja e muhabeteve dhe darkave me mish e raki, kafetë, meseletë, kolonjarllëqet, meraku i grave se muhabetet e burrave mund të përfundojnë në sherr.

Ku është nata, dhe gjumi i pafajshëm, ku janë ?

Ku, ku janë shqiptarët, atdhetarët, patriotët, heroikët, trimat, shekullorët, legjendarët, punëtorët, paqedashësit, liridashësit.

Ku janë ata që i kanë thënë Bukës Bukë, Burrit Burrë, Trimit Trim, Turpit Turp ?

Ku kanë ikur, si kanë ikur, ku janë ngulur ?

Sa prej tyre ngrinë në dëborë mbi Gramoz, a u vranë nga rojat këtej e andej kufirit ?

Sa janë kthyer të rrahur e të përgjakur ? Po adoleshentët që nuk dinë ç’është bërë nga ‘90 e tutje, ata që në ikje e sipër, me shkumës a kongjill, lanë emrat mbi muret e shtëpive të braktisura, ku janë ?

Disa, janë në fund të Adriatikut ku dallgët e nënujshme ua përkundin skeletin.

Të tjerë, me viza a pa viza, mbi tragete a skafe, a brenda ndonjë kamioni kaluan Otranton ose La Manshin.

Mund të kenë përfunduar në Itali, Angli, Belgjikë, Gjermani, ku mund të kenë ndërruar edhe emrat.

Kushedi në ç’zgëq të Evropës a Amerikës lajnë pjata dhe kazana të zbrazura me aroma të qelbta në këmbim të këtij fshati të freskët malor ku 1 e mbushur e gjoksit me ajër të freskët vlen sa 1 mijë Euro psonisje nëpër supermarkata.

Ndoshta i shtyjnë netët nën ndonjë urë, ose duke lypur në ndonjë metro’. Ku dikush edhe mund të ketë vdekur nga uria dhe policë me doreza i kanë shtyrë me tuba uji brenda një thesi për t’i hedhur pastaj në ndonjë kazan plehrash a në ndonjë laborator për të bërë eksperimente mbi rracën superiore.

Sa do zgjasë kjo braktisje rrënqethëse ? Edhe sa do presim të kthehen Kolonjarët, të gjallërohen rrënjët, të kërrcasin kalldrëmet, të tymosin oxhakët?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok