23/12/2024
2

Nga Idris Dermyshi, Durrës

Mjaft bukuri natyrore e njerëzore rrinë përgjumshëm e rehatshëm në habitatet e tyre shekullore. Ardhja e miqëve, kalimtarëve apo turistëve i nxjerr nga dremitja , duke i vënë në sytë e të gjithëve. Pak muaj më parë  kaloi në këto vise Edison Ypi, publicist rebel e ngacmues,mendjehapur për shkrime befasusese. Ai vëren :“ I vetmi gjerdan me perla varur në gushën e Shqipërisë është një shkurtesë nga Gramshi në Mokër,nëpër një terren me rrudha si tru njeriu”. Fokusi i këtij shkrimi është drejtuar nga fshati Bulçar, që ndrin mes perlave të këtij gjerdani bukurishë.

Pozicionimi natyror  i Bulçarit gjallërues të ngjan me një vigan bukurosh, mbështetur në shpat mali. Këmbët i lan në ujërat e bollshme të Devollit e Vërçës, trupin e freskon në ujërat e kristalta të çezmave të Dajlanit, Sulajve , Feritit, Zenelasve… Krahët i hap mbi kodrat e buta të Koklës e Shelcanit, sikur u thotë: “ Të bashkuar jemi më të fortë, më të pashëm.“  Fytyrën e  freskon me ujin e Liqenit të Zambakëve dhe të puseve përqark. Mbi kokë, si qylaf me majuc, i qëndron mali i Komjanit, 1891 m mbi nivelin e detit.Lartësia minimale e fshatit fillon nga 300 m,ajo maksimale arrin rreth 1200 m.Bulçari nuk është fshat që rri shtrirë, si gjithë të tjerët. Ai është fshat që qëndron në këmbë, përherë i gjallë e në lëvizje. I vogël në popullsi, por i madh në hapësirë, histori, vlera, bukuri.Në pak kilometra syri të sheh fusha, kodra e male.Shkurret, lisat, pishat, ahishtet i lënë vendin njëra- tjetrës. Mjedis miqësor me fiqtë, manat, kumbullat, dardhët,hurmat, portokallet, ullinjtë, kajsitë.. .

Natyra ua ka lehtësuar jetesën banorëve . Atyre nuk u është dashur të shtegtojnë bagëtitë dimrit në Myzeqe dhe verës në Tomorr. Myzeqenë, Dumrenë e Tomorrin, Bulçari i ka në shtatin e vet. Edhe oriz është mbjellë në kumet e fshatit, ku bashkohen e kanë shtrat të përbashkët të dy lumenjtë.Fshati është edhe kryqëzim rrugësh. Nëpër të kalohet për të shkuar në Korçë, në Liqenin shërues të Shënepremtes, në liqenin e Teqesë së Dushkut, në pikën turistike të Biofarmës së Lerazit,në Skënderbegas, në Kukur… Një trevë e lashtë dhe etnike. Zbulimet arkeologjike e dokumentojnë të banuar rreth 3400 vjet më parë. Një degëzim i Vijës Egnatia i drejtonte kalimtarët drejt Korçës, Grabovës, Voskopojës, Beratit.Gjatë Mesjetës zona ka qenë nën zotërimet e Arianitasve. Dhëndri i Skënderbeut ka patur ndikimin e vet në Vërçë.Edhe kala ka patur në krye të fshatit. Në kodrën para shkollës së sotme ngrihej dominuese minareja e xhamisë.   Koha e ikur, si njerkë e keqe, ka fshirë mjaft gjurmë lashtësie, që do bënin krenarë bulçarakët, gramshakët e të tjerë.Rilindja e Pavarësia kanë gjurmë të thella edhe në këtë fshat.Patriotizmi e atdhedashuria ngitën çetën luftëtare qysh para vitit 1912. Në krye të luftëtarëve koha thirri Qazim Dermyshin, financierin e diplomuar në universitetin e Stambollit. Përkrah çetave të Mahmut Xhelilit, Xhile Liçit e Zenel Braçit, bulçarakët bënë histori.Në konakët e Dermyshajve  të Bulçarit u kuvendua për delegatët e Kuvendit të Vlorës. Aty u bekuan e u betuan për Flamur e Shqipëri, Asllan Shahini e Xhile Liçi, kur morën udhëtimin e papërfunduar për në Vlorë. Historia lipset të flasë më tepër për ndihmesën e banorëve të këtij fshati në luftërat kundër austriakëve, serbëve, grekëve, italianëve e gjermanëve.Edhe në Shkodër luftuan bulçarakët të udhëhequr nga Tele Bujku ( i parë ), i cili dha jetën në atë luftë të madhe. Mes vështirësive serioze u hap shkolla shqipe në Bulçar në 1919 me mësues Ethem Bej Moglicën.Mushka me armë e municion shkuan në ndihmë të Vlorës drejtuar nga Rexhep Gojta, Shahin Hima, Xhaferr Bujku e të tjerë. Më 15 janar 1920 në odat bulçarake u caktuan delegatët  për në Kongresin e Lushnjës. Në Kongres zgjidhet senator Qazim Dermyshi, duke u bërë kështu deputeti i parë i historisë gramshake. Më vonë,edhe kryebashkiaku i parë i Gramshit. Në heshtje është përcjellë ndihmesa e vyer e Nevrus Fushës në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese, e Maliq Dermyshit e Jaçe Bujkut me batalionin Vërçë – Sulovë, e Estref Dermyshit si kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit…Hakmarrja e fashizmit italian për shkatërrimin e Postës së Snosmit, u mori jetën dy banorëve të fshatit tonë Xhemal e Rakip Qymyri. Koha qorre dhe qorrët e sotëm nuk i vlerësojnë si dëshmorë  të rënët për liri më 05.02.1943.Shoqata e veteranëve të rrethit, me ndihmesën e z. Abedin Bici, po ripërtërihet. Fshati, historikisht, nuk është banuar nga njerëz kokënxehtë. Harmonia mes banorëve ka qenë e është e admirueshme, e veçantë, sipërore.Nuk mbahet mend, as nga më të moshuarit,që hakmarrja të ketë lulëzuar, të ketë marrë jetë njerëzish.Fshat që në dasma thirret i tëri, me burra e gra, që kanë të garantuar dollinë e tretë, si vlerësim e zbatim tradite. I trishtuar ndihesh, kur sheh që karburanti kryesor lëvizës i fshatit është emigrimi dhe migrimi. Ikin shumë, kthehen pak. Të forta i mbajnë lidhjet  me fshatin Hetemi, Laveri, Bilbili, Lefteri, Rexhepi, Kastrioti, Ledia… Ledia Shqiponja, lirikja e talentuar,autorja e teksteve të këngëve të njohura, gjallëruesja e jetës artistike në qytet, hesht mes madhështisë e thjeshtësisë, si dykatëshja e saj fshehur mes gjelbërimit jetëdhënës.

Një gurrë e kristaltë ujore, në sasinë e një përroi, del në krye të fshatit, mbi shtëpitë e Gojtajve. I mjaftë ishte ky ujë për të vënë në lëvizje mullirin, që bluante drithë për dy fshatra njëherësh. Bukuritë i ngacmojnë penën poetit tomorricar, Islam Hasani, për të endur vargjet: “Si ishull mes dy lumenjsh/ krahapur, si kala shpatëmali/ ujë i bollshëm rrjedh në zemër si kristali/ bukuritë dhe hijeshitë i shtohen Bulçarit”.  Peizazhin bukuror të fshatit e bën edhe më madhështor mali i Tomorrit, Olimpi i Shqipërisë.Profesor Dhimitër S.Shuteriqi ka vlerësuar:

“ Mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë. Kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë.”Mal që strehon retë, mal që duron rrufetë, mal që qesh e qan, mal i gjallë, i bekuar, i shenjtëruar.Rrënjët e trupin i ka në Berat e Skrapar,ndërsa fytyrën e hiret ia shfaq Vërçës së Sipërme, sidomos Bulçarit.”Foton me Tomorrin/ Që në mend ta mbani/ Bëjeni nga Bulçari/ Ngjtuni tek Komjani”, – thonë në anët tona. Dhe kanë të  drejtë.

Në hyrje të fshatit, një tabelë e vogël “Bar – kafe Çaku”, majë një shtize e pranë një flamuri, të fton për një pushim të shkurtër.Kaq mjafton për t’u rehatuar aty. Ujë i ftohtë që del nga toka, prodhimet e bahçes, gatimet taze e plot lezete s’të lënë të ikësh shpejt.Për të ngrënë e për të pirë nuk mungon gjë.Qytet e fshat, bollëk e bujari, muzikë e harmoni bëhen bashkë, kur je tek Çaku, kobure e mbushur me humor e spec krahine. Vet familjarët përbëjnë stafin e lokalit nën hije pemësh e mes kopshtijesh.Frutat e perimet këputi vet, po të duash. Menunë e harton vet, si ta duash. Kulaçi e lakrori me saç, kalastreni me mesnik, djathi stopan, dhalli me tundës, pekmezi i manit, nardeni i kumbullës, rakia e thanës,mjalti bio, fiku e oshafet e thata janë të papërsëritshme për mënyrën e përgatitjes dhe vlerat ushqyese.Thjeshtësia e natyraliteti, bujaria e tavolinës dhe zengjinllëku i shpirtit,ia shton pronotimet kësaj bujtine. Jo rrallë, atmosfera festive me këngë, valle e humor  tejmbush këto mjedise.  Këngëtarët virtuozë Xhevahir Bora,Neki Shuli, Met Doku me shokë  e deri te i madhi Ceke i Beratit, e kthejnë në skenë artistike këtë bujtinë origjinale.  Kush e provoi e nuk u befasua !

Me makinë, pa mbaruar një cigare duhani, gjendesh tek Biofarma e Julian Shyqyriut.Qytetar Gramshi, i  mirëshkolluar në Tiranë dhe i shëtitur gjithandej, ëndrrat e jetës i orientoi  në Leras.Kulinaria me prodhime zone, hoteleria nën hije me aromë pishash, udhëtimet me kuaj shale e samari, siguria e ndërveprimi me pika turistike në Grabovë, Shënepremte, Kukur, Gribë e deri në skajin më kulmor të Gramshit, në Valamare, e bëjnë të këndshëm udhëtimin. Me duart e tua mund të mbledhësh manaferra, dredhëza,kërpudha, dovjaçka… Mjeli vet dhitë dhe zieje qumështin në zjarrin me dru lisi. Mbidhi nëpër furriqe vezët e pulave e të thëllëzave. Lufto dhe fito mbi skifterin, në mbrojtje të pulave e lepujve të vegjël.Natyra të pret,të mbush stomakun e shpirtin me kënaqësi, që s’i tret lehtë kujtesa.

Bulçari, jo vetëm të pret këndshëm,por edhe të përcjell lehtshëm e bukur. Gjysmë ore me makinë, përmes pllajave, lisave e pishave, gjendesh tek Liqeni i Zambakëve, tek lapidari i dëshmorëve Thoma Prifti e Laze Dollani, 1100 m mbi det. Dikur funksiononte Teqeja me Baba Pajën, më pas repartet ushtarake të Shkollës së Lirë, të Bazës së Armatës, të Xhenjos.. Sot, hapësirë e pafund bukurie, që pret  vizitorë të shumtë dhe investitorët e munguar.

Udhëtimi nuk mund të jetë i plotë, po nuk preke Grabovën e arumunëve, qytetin e 2000 shtëpive në lulëzimin mesjetar, simotrën e Voskopojës e Vithkuqit.Grabova e vlerave të papërsëritshme ka qenë objekt adhurimi apo lakmie edhe e Pashait të Janinës, Ali Pashë Tepelenës. Njihen, por jo  të studiuara, dy letërkëmbimet e tij me grabovarët.Vllehët ndezën të parët dritën elektrike, kur të tjerët ndriçoheshin me kandil e llampë vajguri. Vëthët e nusërisë i kanë rënë së bukurës Grabovë, por ende mbahet zonjë e hirshme mes vlerave historike, arkeologjike, kulturore, kishtare e natyrore.

Rrugëtimi drejt lindjes të ofron Lenijen,“.. tasin biblik rrethuar me ujëra ku amvisë – Perëndia ka hedhur të mirat e dynjasë për të bërë një supë mbretërore”. ( E. Y ) Pasi ndahesh me Bicajt dhe Ramadanin, njeri e legjendë gatuar bashkë, mes vështirësive zbavitëse, arrin tek Liqeni i Zi, uji me mineralizim të lartë,uji shërues, uji magjik(1750 m). Nga ana e anës vijnë në gusht këtu dhe gjejnë medet për sëmundje reumatizme , zemre etj. Akomodimi, ushqimi e shërbimi e kthejnë këtë “spital natyror” në një mjedis turistik habitës sa që, edhe më të gjezdisurit, zor se kanë ndeshur një të ngjashëm.  Nga Bulçari drejt veriut rruga e zhavorruar të përdredh buzë Vërçës dhe të çlodh në Kukurin e 100 burimeve, në Zhuqën – ballkon natyror, rrëzë Lisecit, malit të krushqëve të ngrirë (1730m).  Zigzaket malore të faqes shkëmbore të ofrojnë Rovien me pak banorë të përhershëm e shumë vizitorë stinorë. Pas Kroit të Cenes dhe Qafës së Metës, syri të tretet në tjetër vijë horizonti : Mokra, Pogradeci, Liqeri i Lasgushit, Mali i Thatë… të bëjnë për vete në një botë tjetër të mrekullueshme. Udhëtimet e këtyre viseve ta ngrenë adrenalinën në lartësinë e majave që të shkel këmba e sheh syri.   Thonë, se bukuria e lezeti të merr më qafë, ta nxin jetën. Kunadhen ndaj e vrasin, t’i marrin gëzofin e bukur. Gojët e liga pëshpërisin se skifterë, grabitqarë e zullumqarë po garojnë të rrëmbejnë ç’të mundin: ujë, toka, livadhe, pyll, mal…Poeti i talentuar, por i harruar, Nuredin Bardhi, me vargje të ndjera uron e këshillon, në kësi rastesh: ”Ruaju moj e bukur/ Të faltë Perëndia/ Se çdo gjë të bukur/ E vret bukuria”.  Zoti dhe të zotët i shpëtofshin këto bukuri nga babëzia!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok