21/12/2024

FRYMA ATDHETARE NË PENËN E BAJRAM HALIL GASHIT

0
Bajram-Gashi

Kadri Tarelli: Fryma atdhetare në penën e Bajram Halil Gashit

“Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm,

krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë”.

Guy Kawasaki

“Kosova, Andrra e Jetës Sime”.

(Monografi).

Kushtuar Heroit Bajram Sali Gashi

Nga Kadri Tarelli

Këto dit Qershori 2023, autori Bajram Halil Gashi botoi librin e tij më të ri: “Kosova Andrra e Jetës Sime”, (Monografi), kushtuar mësuesit dhe luftëtarit Bajram Sali Gashi, “Hero i  Kosovës” dhe “Dëshmor i atdheut”.

Po e them që në fillim, pa pritur fundin e asaj që ndjej: Fryma atdhetarie që përshkon të katër librat e këtij autori: I pari: “Një shekull në udhën e  dijes”. Histori e shkolls së ShënaVlashit, në Durrës. I dyti: “Ah Shqipni mos thuj mbarova”, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Merushe Badolli dhe “Grupit Kosovar”. Libri i tretë: “Haki Taha në kufi të legjendës. Dhe së fundi, “Kosova Andra e Jetës Sime”. (Monografi).

Ajo që bie në sy, që në faqet e para të librit, është: Njohja me jetë e heroit Bajram Sali Gashi, e mbushur plot përpjekje për t’u arsimuar, në kushtet e vështira të kohës. Bëhet fjalë për vitet 1920 e më tej. Më pas jeta si mësues dhe drejtues shkolle, që nuk vazhdoi gjatë, sepse ngjarjet historike, lufta e II-të botërore, pushtimi i Shqipërisë, bashkimi i trojeve shqiptare (1941-1945), e thirrën për të përmbushur detyra të reja si atdhetar e misionar. Vrapoi, duhet thënë fluturoi bashkë me mijëra të tjerë, për t’i dalë zot arsimit, vatanit dhe bashkimit të kombit. Jeta e tij ishte e shkurtër (33 vjeç), por plot atdhetari dhe heroizëm: duke “Këmbyer penën e diturisë, me pushkën për liri të Dardanisë”.

Nuk kam ndërmend të jap hollësi, pasi lexuesi do t’i gjejë në faqet e këtij libri, që të mbush plot me krenari dhe atdhetari shqiptarie. Në këto kushte, po përpiqem të ndaj me lexuesin ndjesi dhe përjetime, që na shtyjnë në ato kohe të vështira lufte, por që na bëjnë të mendohemi gjatë edhe për kohët që po jetojmë sot: “Dardania e pavarur”, por misioni i kombit i pa përmbushur, në tejkalim të pengesave që na sjell koha, si litarë që na pengojnë të përmbushim “Andrat tona”.

Prej kohësh lexoj dhe redaktoj librat e kolegut tim Bajram Halil Gashit, mësues dhe drejtues shkolle, tashmë edhe si bashkudhëtar në shkrimtari historie.

Duke qenë në një mendje dhe dëshirë atdhetarie, miqësisht dhe shoqërisht kam punuar mbi të gjithë librat e këtij autori. Madje kam marrë pjesë në të gjitha përurimet, si këtu në Durrës ashtu e dhe në Istog, Deçan, Pejë, Gjakovë, pikërisht aty në dheun e Dardanisë, të vaditur me gjak heronjsh.

Besoj se cilido kështu do të vepronte, kur ndeshet me libra, ku jeton e gjallon heroizmi dhe fryma kombëtare. Kjo ide më shtyn të bëj një vlerësim përgjithësues, duke gjetur atdhetarizmin, si filli tejet i dukshëm, që e përshkon dhe e ndriçon të gjithë veprën. Nuk e teproj të shprehem, se është ndjenjë e fuqishme e shpirtit të autorit, të ushqyer në biseda dhe në oda e burrash, me shumë dashuri për trojet Arbnore, duke veçuar si “Vend të shenjtë”, Dardaninë, Pejën, Istogun, Uçën, vendlindja e prindërve të tij, që u detyruan dhunshëm të lëshojnë ato vise Dardane, për afro 100 vjet më parë.

Ka një hap të parë”, siç thotë një i ditur, kur Bajrami nisi të grumbullojë material për historikun e shkollës së Shënavlashit, fshat fare pranë Durrësit. Veç dokumenteve që janë të domosdoshme, Bajrami zbuloi se në këtë shkollë kishin punuar si mësues Bajram Sali Gashi dhe Haki Taha, dy bij nga Dardania jonë shqiptare. Nuk e mbante vendi nga kënaqësia, por vetëm kaq, asgjë më tepër, pasi prej gati gjysmë shekulli, as që ishte kujtuar dhe dëgjuar emri i tyre. Kush guxonte…..? Hakiu vrau Miladin Popoviçin, mikun e Partisë, ndërsa Bajrami u vra me pushkë në dorë kundër ushtrisë serbe, që ripushtoi Dardaninë mw 1945. Të dy këta mësues, sapo u bë e mundur bashkimi kombëtar, më 1941, (për fat të keq shumë pak kohë), vrapuan drejt vendlindjes për t’i shërbyer kombit. Çuditërisht, koha i bashkoi, i burrëroi dhe i lartoi, për të qenë bashkë edhe në përjetësi. Ata dhanë jetën për lirinë e Dardanisë, që në muajt e parë të vitit 1945.

Autor Bajrami, e ndjente se kishte zbuluar dy gurë të çmuar të atdhetarizmit shqiptar. E hante meraku, si mund t’i hiqte pluhurin që i kish mbuluar prej kaq kohesh dhe të shndrisnin madhërisht? Ai, veç përgjegjësisë, ndjente një lloj pasigurie, sepse nuk kishte ku të mbështetej dhe ku të kërkonte, pavarësisht se e dinte po aq mirë, se: “E vërteta vonon, por nuk harron”, siç thotë populli. Po guximi dhe durimi bën çudira, përfshirë edhe në fushën e studimit dhe shkrimtarisë. Ai u dashurua me jetën dhe veprën e heronjve të Dardanisë, ndërsa unë mrekullohem me librat e Bajramit, sepse aty gjej jetë, heroizëm dhe atdhedashuri të vërtetë.

Shpesh në disa shkrime kushtuar studimeve historike, meqenëse jam i fushës, kam shprehur një shaka e shqetësim dashamirës: “Është kokë krisur ai që fillon e merret me histori, por më shumë ai që nis të shkruajë monografi”. Këto ia them vetes, ndërkohë Bajramit nuk ia thosha dot këto fjalë, për më tepër e nxisja të mos thyhej e të linte në mes punën e nisur.

At zef Pllumi, na ka lënë dy falë të arta, që tingëllojnë si amanet: “Rrno për me tregue”. Fjalë që duhen mbajtur si yll ndriçues për cilindo atdhetar, shkrues dhe krijues, sepse këtu mund të gjejë frymëzim, ushqim shpirti, trimëri, vullnet, guxim e durim pa kufi.

Më vjen mirë që ëndrra, më pas mendimi për një libër kushtuar mësuesit Bajram Sali Gashi, dhe Haki Tahës, nisi sapo mbaroi “Historikun e shkollës”, rreth 10 vjet më parë. Mirëpo udha e krijimtarisë shumë herë nuk përfundon ashtu siç e parasheh, aq më shumë kur bëhet fjalë për monografi. Këtu mund të shtoj se ishte menduar që ky libër të dilte në dritë para dy vjetësh, Ja që koha e solli që, më parë të botohet libri kushtuar Heroit legjendë Haki Taha.

Çdo kush, që e njeh sado pak historinë, e di mirë, se pa shembuj apo simbole heroizmi, nuk mbahet gjallë ndjenja e lirisë dhe aq me shume fryma e rezistencës dhe e luftës për mëvetësi. Ata dhanë gjakun për ëndrrën e madhe, ndërsa të rinjtë besuan, guxuan, luftuan dhe fituan Dardaninë e lirë e të Mosvarme, pas gati një shekull të ndarë, të shtypur e të dhunuar.

Fjalët janë të varfra për të shprehur kënaqësinë e përfundimit të një libri, sidomos kur i kushtohet një heroi. Nuk ka gjë më të bukur për çdo autor, se, kur në letrat shqipe, heronjve u nge monument përjetësie në histori. Zëri dhe vepra e tyre, për brezat është pasuri kombëtare.

Më lind e drejta të mendoj dhe të shpreh dëshirën time, për të qenë i pranishëm në përurimin e këtij libri, që mund dhe duhet të organizohet pikërisht në Istog, qyteti ku shpalos një memorial kushtuar heronjve të luftës: Bajram Sali Gashi, Ram Alia dhe Sali Rama. Të tre nga familja e madhe “Muzliaj”. Dëshira shkon më përtej: përurim në Prishtinë, Pejë, Prizren, Shkup e Tetovë, Tiranë e Durrës, sepse heronjtë i përkasin gjithë kombit.

Edhe vetë autori është i bindur se në histori dhe sidomos në monografi, askush nuk ka vulën e përfundimit. Bajrami, si “Misionar i dijes”, hodhi hapin e parë, të tjerë guximtarë kokëkrisur le të vazhdojnë ta pasurojnë jetën dhe veprimtarinë e heroit dhe heronjve të Dardanisë.

Në fund po vendos disa vargje, shkëputur nga poezia ime, “Djemt e Podgurit do ta mbajn’ Bajrakun”

………………………………..

Vëllezër! Un’ për Kosov’, sot po e fal gjakun!

Se djemt’ e Podgurit, do ta mbajn’ bajrakun!

Çka thotë Sali Rama e bab’ Ram Alia,

Kosova asht’ e jona! Ç’do këtu Serbia?…………

Urime i nderuar Bajram! Në libra, ju i ngritët mësuesve “Përmendore Lavdie”.

Dardania dhe shqiptaria, ta gëzojnë lirinë dhe mëvetësinë!

Kadri Tarelli

Durrës. Shkurt 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok